Agjërimi në Kreshmën e Madhe
Diçka e veçantë duhet thënë për agjërimin gjatë Kreshmës së Madhe. Duke folur në përgjithësi, agjërimi është një element themelor i jetës së krishterë. Krishti agjëroi dhe i mësoi njerëzit të agjërojnë. Agjërimi i bekuar bëhet në sekret, pa e shfaqur dhe pa kritikuar të tjerët (Mattheu 6:16; Romanët 14). Ai ka për qëllim pastrimin e jetëve tona, çlirimin e shpirtrave dhe trupave tanë prej mëkatit, fuqizimin e fuqive tona njerëzore për të dashur Perëndinë dhe njerëzit, ndriçimin e tërë qenies sonë për Kungimim me Trininë e Bekuar. Regullat e Kishës Orthodhokse për agjërimin gjatë Kreshmës së Madhe janë rregullat murgërore. Mishi nuk lejohet të hahet mbas së Dielës së të Lidhurave dhe nuk hahen më vezë dhe produktet blegtorale mbas së Dielës së Bardhë. Këto rregulla nuk janë një “barrë e rëndë për t’u mbajtur”, siç bënin farisejtë (Lluka 11:46), por si një përpjekje drejt një ideali; jo si një qëllim në vetevete, por si një mjet për përsosje shpirtërore, të kurorëzuar në dashuri. Shërbesat e Kreshmës na kujtojnë për këtë.
Le të agjërojmë me një agjërim të pëlqyeshëm tek Zoti. Ky është agjërimi i vërtetë: largimi nga e liga, frenimi i gjuhës, prerja e zemërimit, ndalimi i epshit, i fjalëve të këqia, gënjeshtrave dhe mallkimeve. Ndalimi i tyre është agjërimi i vërtetë dhe i pranueshëm (Mbrëmësorja e të Hënës të Javës së Parë). Shërbesat e Kreshmës së Madhe na tregojnë gjithashtu, se nuk duhet të mburremi për agjërimin e jashtëm, sepse edhe djalli nuk ha asnjëherë! Agjërimi asketik i Kreshmës së Madhe vazhdon prej të Dielës së të Lidhurave deri në të Dielën e Pashkës; dhe prishet vetëm mbas Meshës Hyjnore Paskale. Duke e njohur përpjekjen e madhe në të cilën janë thirrur, të krishterët duhet të bëjnë çdo përpjekje për të agjëruar sa më mirë që ata mundin, fshehurazi, kështu që Perëndia do i shohë dhe do i bekojë haptazi me një jetë të shenjtë. Çdo njeri duhet të përpiqet të bëjë maksimumin, për të realizuar këtë ideal.
Përveç agjërimit asketik të periudhës së Kreshmëve të Mëdha, vetëm orthodhoksët nga të gjithë të krishterët e tjerë, praktikojnë gjithashtu agjërimin eukaristik ose liturgjik. Ky agjërim nuk i referohet agjërimit për përgatitjen e marrjes së Kungatës së Shenjtë; por agjërimit prej vetë Kungatës së Shenjtë. Gjatë ditëve të javëve të Kreshmëve të Mëdha në Kishat Orthodhokse nuk kremtohet Mesha Hyjnore normale, meqenëse Mesha Hyjnore është gjithmonë një kremtim paskal i Kungimit me Zotin e Ngjallur. Meqenëse periudha e Kreshmës është një përgatitje për Ngjalljen e Zotit, nëpërmjet kujtimit të mëkatit dhe ndarjes prej Perëndisë, rregulli liturgjik i Kishës e heq shërbesën eukaristike gjatë ditëve të javës në kohën e Kreshmës së Madhe. Por, shërbesat joeukaristike janë zgjeruar me lexime nga Shkrimi dhe me një himnologji të karakterit kreshmor. Me qëllim që besnikëve të mos iu mungojë Kungata e Shenjtë gjatë ditëve kreshmore, të Mërkurën dhe të Premtet kryhet Mesha e të Parashenjtëruarave (Shih më poshtë).
Edhe gjatë kreshmës, e Shtuna (Dita e Sabatit) dhe e Diela (Dita e Zotit) mbeten ditë eukaristike dhe kremtohet Mesha Hyjnore. Të shtunave është Mesha e Shën Joan Gojartit, zakonisht me lutjet për të vdekurit. Të dielave është Mesha e Shën Vasilit të Madh. Për Kishën Orthodhokse të shtunat dhe të dielat nuk janë kurrë ditë agjërimi. Shumë shekuj më parë u bë një debat me Kishën Katolike në lidhje me agjërimin eukaristiko-liturgjikal. Gjatë Kreshmës së Madhe, ndonëse agjërimi eukaristik nuk mbahet të shtunave dhe të dielave, agjërimi asketik nuk ndërpritet, kreshma që ka filluar të Dielën e të Lidhurave vazhdon pa ndërprerje deri në ditën e Pashkës.