E Enjtja e Madhe
E Enjtja e Madhe i kushtohet Darkës Mistike që Krishti kremtoi me dymbëdhjetë apostujt e tij. Tema kryesore e ditës është darka vetë, për të cilën Krishti porositi që Pashka e Dhiatës së Re të hahej në kujtim të tij, të trupit të tij që thyhet dhe gjakut të tij, që derdhet për ndjesën e mëkateve. Gjithashtu, në shërbesat e kësaj dite kujtohet tradhëtia e Judës dhe larja e këmbëve të nxënësve. Në kishat katedrale është zakoni që peshkopi bën larjen e këmbëve në një ceremoni të veçantë mbas Meshës. Ungjilli në Meshën Hyjnore përbëhet nga një kombinim i të gjithë tregimeve të ungjillorëve për të njëjtën ngjarje. Himnet dhe leximet e ditës i referohen të njëjtit mister qendror.
Kur nxënësit me lavdi, në lanjëtoren e darkës po ndriçoheshin, Juda i pabesë dhe tradhëtar, nga argjendashja u errësua nga lakmia dhe tek gjyqtarët e paligjshëm, të dorëzon Ty Gjykatësin e Drejtë. Ti që lakmon argjend shiko, se ky njeri prej lakmisë vari veten; largohu nga shpirti i pangopur që guxoi të tilla gjëra kundër Mësuesit. O Zot gjithmonë i mirë, lavdi më ty! (Përlëshorja). Atje ku është Zoti, në Tryezën e Pavdekësisë, në vendin e lartë, me mendjet e ngritura lart, le të hamë me gëzim o besnikë… (Kënga e nëntë e Kanonit të Mëngjesores).
Mesha Hyjnore e Shën Vasilit të Enjten e Madhe, kryhet bashkë me Shërbesën e Mbrëmjes. Ungjilli i gjatë i Darkës Mistike këndohet mbas këndimeve nga Eksodi, Jobi dhe Isaia dhe letrës së parë të Apostullit Pavël drejtuar Korinthianëve (Kapitulli 11). Himni i mëposhtëm zëvendëson Himnin Keruvik dhe gjithashtu, përdoret si himn gjatë dhe mbas Kungimit. Në Darkën tënde Mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar; se nuk do t’ua them armiqve të tu misterin; nuk do të të jap të puthur si Juda; por duke të pohuar si kusari, thërres: kujtomë, o Zot, në mbretërinë tënde.
Kremtimi liturgjik i Darkës së Zotit të Enjten e Madhe s’është thjesht një përkujtim vjetor i “themelimit” të misterit të Kungatës së Shenjtë. Ngjarja e Darkës së Pashkës nuk ishte thjesht veprimi i fundit i Zotit për “të themeluar” misterin qendror të besës së krishterë para pësimit dhe vdekjes së tij. Por, përkundrazi, i gjithë misioni i Krishtit dhe para së gjithash, vetë qëllimi i krijimit të botës, është që krijesat e dashura të Perëndisë, bërë sipas shëmbëllesës dhe ngjashmërisë së tij hyjnore, të mund të jenë përjetësisht në Kungimin më intim me Të, të ulur në tryezë me Të, duke ngrënë dhe duke pirë në mbretërinë e Tij pambarim. Kështu, Krishti, Biri i Perëndisë, flet tek apostujt e tij gjatë darkës dhe tek të gjithë njerëzit që dëgjojnë fjalët e tij dhe besojnë në të dhe në Atin që e dërgoi atë:
Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë mbretërinë (Lluka 12:32). Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time… (Lluka 22:28-30). Prandaj, është e vërtetë të thuhet në një kuptim real, që trupi i thyer dhe gjaku i derdhur, për të cilat foli Krishti në darkën e tij të fundit me nxënësit, nuk ishte thjesht një parabërje dhe një parashikim për atë që do të vinte; por ajo që do të vinte – kryqi, varri, ngjallja në ditën e tretë, ngjitja në qiell – ndodhën pikërisht që njerëzit të mund të bekoheshin nga Perëndia që të jenë në Kungim të Shenjtë me Të përgjithmonë, duke ngrënë dhe pirë në tryezën mistike të mbretërisë së Tij, që nuk do të ketë mbarim. Kështu, “Darka Mistike e Birit të Perëndisë”, e cila kremtohet vazhdimisht në Meshën Hyjnore të Kishës së Krishterë, është thelbi i vërtetë i jetës pa mbarim, që do jetë në Mbretërinë e Perëndisë.
Lum kush do të hajë bukë në Mbretërinë e Perëndisë (Lluka 14:15). Lum ata që janë ftuar në gostinë e Dasmës së Qengjit (Zbulesa 19:9).