Kremtim madhështor me rastin e 30 vjetorit të fronëzimit të Pr. Dr. Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Sot, më 2 Gusht 2022, me rastin e 30 vjetorit të Fronëzimit të Pr. Dr. Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u kremtua Liturgjia Hyjnore Arkihieratike me pjesmarrjen e Mitropolitëve: i Korçës, Hirësi Joani; i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri; i Fierit, Hirësi Nikolla; i Elbasanit, Hirësi Andoni; i Amantias, Hirësi Nathanaili; si edhe klerikë nga të gjitha Mitropolitë e vendit.
Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë para tre dekadave dukej mision i pamundur, por jo për Hierarkun e lartë, njeriun vizionar, misionarin dhe shembullin e punëtorit të palodhur të Ungjillit, Imzot Anastasin.
Ai mori përsipër këtë mision për lavdi të Perëndisë dhe dashurisë për njeriun dhe për vendin tonë të shumëvuajtuar, jo vetëm që ta ringrejë atë, por ta rendisë si të barabartë me simotrat e saj në mbarë botën duke u bazuar te fraza “Nuk do të na braktisë Perëndia”. Lavdërojmë Perëndinë që sot, pas tre dekadave, shohin një ëndërr të bërë realitet: Kishën tonë Orthodhokse në nivel si kurrë më parë në historinë e saj!
Në emër të klerit dhe popullit shpresëtar, fjalën e mbajti Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë dhe falenderime Kryepiskopit Anastas për gjithë sa ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kishën tonë dhe për mbarë popullin shqiptar.
Kryepiskopi Anastas kujtoi para besimtarëve se e gjithë kjo vepër nuk ka qenë e lehtë, por me dëshirën e Perëndisë “të pamundurat u bënë të mundura”.
Urime të shumta dhe të përzemërta i drejtuan Atit dhe Kryebariut tonë besimtarët e shumtë që kishin mbushur Kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Për shumë vjet o Kryezot!
——————————
Fjalimet e mbajtura në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, pas Liturgjisë Hyjnore Arkihieratike Panigjirike, 2 Gusht 2022:
– Fjala e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joanit, me rastin e 30 vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Pr. Dr. Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë
-Fjala e Kryepiskopit Anastas.
———————————
Foto Album nga Theofani Sarigianis, Atë Stefan Ritsi, Nathan Hoppe.