30 vjet nga ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

 

Më 24 qershor 1992, Fortlumturia e Tij, Anastasi, u zgjodh Kryepiskop i Kishës sonë pas territ ateist.

Të premten, 24 qershor 2022, në të kremten e Lindjes së Shën Joan Pagëzorit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, u kremtua përvjetori jubilar: 30-vjetori i zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas në Krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye nga Fortlumturia Tij, bashkë me Episkopin e Bylisit, Astin, dhe klerikë të Kryepiskopatës.

Në fund, Hirësi Asti falënderoi Kryepiskopin për veprën e perëndindriçuar në krye të Kishës sonë dhe uroi “Për shumë vjet, o Kryezot!”

Pastaj besimtarëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi Perëndinë për çka bërë të mundur për Kishën tonë në këta 30 vjet dhe pastaj përmblodhi çastet që paraprinë dhe zgjedhjen e tij nga Patriarkana Ekumenike.

Në vazhdim, Kryepiskopin e uruan klerikë e besimtarë, ku veçohen falënderimet e ngrohta prekëse dhe lulet nga fëmijët e kampit të shkollës “Protagonistët”, të shoqëruar nga kori i drejtuar nga znj. Agi Nano, e cila me këtë rast kishte kompozuar një këngë për Kryepiskopin, që u këndua nga fëmijët në fund të Liturgjisë.

* * * *

Më 24 qershor 1992, Patriarkana Ekumenik, si Kisha Mëmë që kishte dhënë autoqefalinë, zgjidhte Mitropolitin Anastas, si Kryepiskopin e parë pas ardhjes së demokracisë. Ishte po në Patriarkanë, në vitin 1937, që ishte zgjedhur Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës sonë.

Kjo ngjarje ishte shpallje e lajmit të mirë se Kisha e Shqipërisë ishte e gjallë dhe plot jetë dhe do të vazhdonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare.

Fillimi i viteve ’90, megjithëse formalisht ishte rifituar liria e besimit, ishte dramatik për komunitetin orthodhoks. Gjendja ishte dëshpëruese: nuk kishte mbetur asnjë episkop, madje nuk kishte as edhe një kandidat për t’u ngritur në këtë gradë; ishin vetëm 15 klerikë në moshë pensioni e të sëmurë, nuk kishte kisha (ato ishin shkatërruar apo transformuar në objekte laike). Gjithashtu, nuk kishte mundësi financiare, për shkak të varfërisë së thellë, por edhe sepse shteti nuk mori përsipër asnjë detyrim për t’i mbështetur komunitet fetare. Në këto kushte, Patriarkana Ekumenike dërgoi në Shqipëri për të parë situatën një klerik të lartë të njohur në të gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, Mitropolitin e Andrusës, Prof. Dr. Anastasin, i cili në atë kohë ishte Moderator i Komisionit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave (WCC) dhe Kryepiskop i komanduar i Arqidioqezës së Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.

Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipërisë, në korrik 1991, si Ekzark Patriarkal, për të parë se ç’kishte mbetur nga gërmadhat ateiste. Ai gjeti një zbrazëtirën e frikshme shpirtërore dhe materiale që kishte lënë ateizmi zyrtar dhe u përkushtua për ndryshimin e gjendjes.

E nisi me hapjen e Seminarit për përgatitjen e klerikëve të rinj dhe duke vazhduar me riparimin e objekteve ekzistuese dhe me përpjekjet për ngritjen e kishave të reja. Ishte kjo punë vetëmohuese, e cila i bindi orthodhoksët e Shqipërisë, që t’i kërkonin zyrtarisht Patriarkanës Ekumenike që ta kishin Anastasin si Atin dhe Kryebariun e tyre. Pranimi prej tij i një shërbese të tillë ishte ashtu siç është shprehur edhe vetë më pas: “Jo fron pushteti, por kryq sakrifice”. Emri i tij jo vetëm u bë sinonim i ngjalljes së Kishës në Shqipëri, por edhe i si i një hierapostulli të ditëve të sotme, i promotorit të dialogut ndërmjet besimeve dhe kulturave të ndryshme, i paqes dhe dashurisë për të gjithë, i përkujdesjes për të varfrit dhe nevojtarët dhe të respektit, lirisë dhe dinjitetit të çdo personi, kushdo qoftë ai.

 


Foto Album:

 

30 vjet nga ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë