Pendim-Rrëfimi.

   Misteri i Pendim-Rrëfimit është një rit i shenjtë hirdhënës në të cilin, mbasi besimtari afron pendesën për mëkatet e tij, falja e mëkateve dhurohet nga mëshira e Perëndisë nëpërmjet ndërmjetësisë së një prifti të Kishës, sipas premtimit të Shpëtimtarit. Në këtë Mister kurohet dhimbja shpirtërore, pastrohen papastërtitë e shpirtit dhe i krishteri, mbasi ka marrë faljen e mëkateve, bëhet përsëri i pafajshëm dhe i shenjtëruar, ashtu siç doli nga ujërat e Pagëzimit. Për këtë arsye Misteri i Pendimit është quajtur një “ilaç shpirtëror”. Mëkatet të cilat zhysin një njeri poshtë, të cilat ia errësojnë mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen dhe e verbojnë vizionin e tij shpirtëror, duke e bërë të pafuqishëm vullnetin e tij të krishterë – asgjësohen në Pendim dhe lidhja e gjallë me Kishën dhe Zotin Perëndi restaurohet përsëri. Për të kuptuar Misterin e Pendimit duhet kuptuar çfarë është mëkati.

Mëkati. Mëkati në teologjinë orthodhokse nuk është parë në perspektivën legalistike. Mëkati nuk është thjesht një shkelje e një rregulli apo urdhri, nga e cila Perëndia është ofenduar e kështu që duhet bërë diçka për ta zbutur. Mëkati është parë si një largim nga Zoti, i vetmi burim i jetës, dhe është vetë mëkatari që dëmtohet nga kryerja e mëkatit. Është vetë njeriu që largohet nga drita dhe nuk mund më të shohë qartë. Mëkati është parë si humbja e rrugës së drejtë, prandaj pendimi nuk është një lloj pagese e gjobës dhe je i larë. Njeriu do jetë gjithmonë në errësirë nëse nuk e gjen përsëri rrugën, nëse nuk e vendos lidhjen me burimin e jetës. 

   Me mëkatin e Adamit erdhi vdekja, më tepër sepse Adami vetë e ndau veten nga Zoti, se sa ai dënim i Zotit. Duke u ndarë nga Zoti ne nuk mund të kemi jetë, kështu, duke mëkatuar jemi ne që dënojmë veten. Nisur nga kjo perspektivë, Kisha e Lindjes e ka parë pendimin jo vetëm si një ritual legalistik, por si një përpjekje e besimtarit për të gjetur rrugën e humbur dhe për të rivendosur lidhjen e shkëputur me Perëndinë. Në gjuhët e vjetra mëkati ka kuptimin e humbjes së rrugës, e mos goditjes në shenjë dhe pendimi ka kuptimin e kthimit në rrugën e vërtetë, e ndryshimit të mendjes.

Riti. Misteri i Pendim-Rrëfimit përbëhet nga dy veprime themelore: 1) rrëfimi i mëkateve nga personi i penduar para priftit; dhe 2) lutja e faljes dhe e zgjidhjes së mëkateve e thënë nga prifti. Ky mister është quajtur gjithashtu Misteri i Rrëfimit (ndonëse rrëfimi i mëkateve përbën vetëm pjesën e parë të tij), dhe kjo tregon rëndësinë e zbulimit të sinqertë të fajeve dhe mëkateve.

Rrëfimi (që thuhet me zë) është shprehje e pendimit të brendshëm, rezultat dhe tregues i tij. Dhe çfarë është pendimi? Pendimi nuk është vetëm ndërgjegjësimi për mëkatin ose thjesht një njohje e vetvetes si i padenjë, nuk është as një keqardhje (ndonëse të gjithë këto aspekte përfshihen në pendimin). Ai është më tepër një akt i një dëshire për ndreqje, një vendim, një dëshirë e fortë për t’u bërë ballë të gjitha prirjeve të liga; dhe kjo gjendje e shpirtit është e bashkuar me një lutje për ndihmën e Zotit në këtë betejë kundër prirjeve të liga. Një pendim me gjithë zemër dhe i sinqertë është i nevojshëm që efektet e këtij misteri të mos shtrihen vetëm në heqjen e mëkateve, por që të mund të hyjë në shpirtin e hapur shërimi hirdhënës, i cili nuk e lejon shpirtin të zhytet përsëri në llumin e mëkatit.

   Thënia me zë të lartë e mëkateve para atit shpirtëror tregon që me anë të tij është mundur a) krenaria burimi kryesor i të gjitha mëkateve, dhe b) dekurajimi dhe humbja e shpresës për ndreqjen dhe shpëtimin. Tregimi i mëkatit e afron njeriun pranë largimit nga mëkati. Ata që do i afrohen këtij misteri duhet të përgatiten me lutje, kreshmë dhe me shqyrtim të thellë të vetvetes, me qëllim për të zbuluar dhe njohur mëkatet. Mëshira e Perëndisë vjen të takojë të krishterin e penduar, nëpërrnjet buzëve të atit shpirtëror, duke treguar që Ati Qiellor i pranon të tërë ata që vijnë tek Ai, ashtu siç bëri me djalin plangprishës dhe me tagrambledhesin e penduar.

Dy llojet e rrëfimeve. Ne kemi dy lloje rrëfimesh: privat dhe sakramental (bërë me prift). Kisha Romano-Katolike kërkon të mbahet vetëm tek rrëfimi sakramental, Protestantët vetëm tek rrëfimi privat, nëpërmjet lutjes. Kisha Orthodhokse, duke ndjekur mënyrën apostolike, i shmanget të dy ekstremeve. Ajo beson që falja hyjnore mund të merret si nga lutja private ashtu edhe nga Misteri. Në rastet e mëkateve të rënda, rrëfimit nëpërmjet lutjes private mund t’i shtohet rrëfimi sakramental. Në rastet e pasigurisë se kush quhet një mëkat i rëndë mund të konsultohet te një prift. Rrëfimi sakramental para një prifti, qoftë edhe për faje të lehta, kërkohet në Kishën Orthodhokse të paktën një herë në vit.

Rrëfimi i përditshëm. Rrëfimi nuk është diçka që duhet bërë vetëm në disa raste të rralla. Meqënëse ne mëkatojmë përditë, kemi nevojë të pendohemi dhe të rrëfehemi përditë. Vetëm nëse i rrëfejmë mëkatet tona tek Zoti ynë Jisu përditë në lutjet personale, atëherë ne do të kuptojmë nevojën për rrëfimin sakramental. Njëra të çon tek tjetra. Vetë Jisui na mëson ta përdorim lutjen private si një mjet rrëfimi kur Ai na mësoi të lutemi: “Falna fajet tona…”. Shën Agustini shkruan: “Pagëzimi është për të gjitha mëkatet. Për mëkatet e lehta, të cilave nuk mund t’i shpëtojmë, është lutja. Cila lutje? “Falna fajet”. Vetëm një herë ne jemi larë në pagëzim; por ne lahemi përditë nëpërmjet lutjes. “Rrëfimi i përditshëm nëpërmjet lutjes është pjesë e traditës orthodhokse, sidomos nëpërmjet përdorimit të Lutjes së Jisuit: “Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin”. Shën Joan Gojarti shkruan: “Kemi pesë rrugë pendimi. E para, njohja e mëkateve tona; e dyta, falja e mëkateve të të afërmëve tanë; e treta, nëpërmjet lutjes; e katërta, nëpërmjet lëmoshave dhe dhembshurisë; e pesta, përulësia. Mos vononi, por bëjini këto rrugë çdo ditë”.

   Kështu, pendimi dhe rrëfimi duhet në çdo rast të paraprijnë marrjen e Krishtit në Kungim. Por kjo nuk do të thotë se duhet një rrëfim sakramental (misteri i rrëfimit) para çdo kungimi. Këto dy mistere, Pendimi dhe Kungimi, nuk janë të lidhur së bashku në atë mënyrë që dikush duhet patjetër të kalojë në Misterin e Pendimit para se të marrë Kungimin. Por duhet një pendim i përditshëm dhe një rrëfim i përditshëm nëpërmjet lutjes private. Duhet patur gjithmonë parasysh që në Kishën Orthodhokse janë praktikuar dy lloj rrëfimesh; rrëfimi privat dhe rrëfimi nëpërmjet priftit. Falja mund të merret nga Zoti nga të dy rrugët. Në mënyrë periodike, sidomos në Kreshmët e mëdha, i krishteri orthodhoks që merr rregullisht Kungimin duhet të bëjë rrëfimin sakramental për ekzaminim të vetvetes, falje të mëkateve dhe për drejtim shpirtëror nga ati i tij shpirtëror. Sepse Misteri i Pendimit në Kishën Orthodhokse nuk është vetëm për falje, por edhe për drejtim shpirtëror.

Pse para një prifti? Në Kishën e hershme të krishterët i rrëfenin mëkatet e tyre haptazi, para gjithë Kishës, njeri tek tjetri, përfshirë episkopët dhe priftërinjtë. Për arsye të rritjes së Kishës, rrëfimi publik ndryshoi. Por prifti i famullisë paraqet jo vetëm Zotin, por gjithë anëtarët e Kishës. Kështu, nëpërmjet misterit, i penduari pajtohet jo vetëm me Zotin, por me gjithë anëtarët e Kishës, nëpërmjet priftit. Prifti nuk është gjykatës, por dëshmitar për sinqeritetin e të penduarit. Për këtë arsye në praktikën orthodhokse prifti nuk qëndron përballë të penduarit, por të dy së bashku janë përballë ikonës së Krishtit. Dhe prifti nuk thotë: “Unë të fal…”, por: “Perëndia të ndjehtë”.

Një “pagëzim i ri” dhe teologjia e lotëve. Misteri i Pendimit është “një Pagëzim i ri”. Ai është quajtur gjithashtu Misteri i Pagëzimit të dytë, meqënëse ai fal të gjitha fajet e bëra pas Pagëzimit. Jo çdo mëkat kërkon nevojën dhe domosdoshmërinë e faljes sakramentale, pasi ne kurrë nuk jemi krejtësisht pa mëkat. Kisha e ka parë si të nevojshëm pendimin sakramental për mëkate të rënda siç: vrasje, mohim feje, apostazi, kurvëri, dhe për ato mëkate mosbindje që na ndajnë ne nga Perëndia dhe nga dashuria e vëllezërve tanë. 

   Në Kishën Orthodhokse gjendet edhe teologjia e lotëve. Ashtu siç në Pagëzim mëkatet janë larë nga uji, në Pendim ato janë larë nga lotët e pendimit. Shën Simeoni Teologu i Ri i quan ato (lotët), “Pagëzimi i Shpirtit të Shenjtë”, dhe thotë se mëkatet e kryera mbas Pagëzimit nuk mund të falen pa lotë. Shën Joani i Shkallës shkruan: “Më i madh edhe se Pagëzimi vetë janë lotët pas Pagëzimit. Sepse Pagëzimi ishte larja e mëkateve që ishin tek ne më parë, por mëkatet e bëra pas tij lahen nga lotët. Sepse të gjithë ne e kemi ndyrë atë, por ne e pastrojmë përsëri me anë të lotëve. Dhe nëse Perëndia në dashurinë e Tij për njerëzimin nuk do të na kishte dhënë lotët, atëherë shumë pak do të mund të shpëtonin”.

Themelimi i misterit. Zoti e themeloi Misterin e Pendimit mbas Ngjalljes së Tij, kur iu shfaq nxënësve të Tij dhe u tha: “Paqe mbi ju… Dhe si tha këtë, fryu mbi ta dhe u tha: Merrni Frymën e Shenjtë. Atyre që do t’ua falni fajet, u janë falur dhe atyre që do t’ua mbani, u janë mbajtur” (Joan 20:21-23). Për më tepër, edhe para kësaj, Krishti dy herë premtoi për këtë mister. Herën e parë Ai i tha apostullit Pjetër, kur ai në emër të gjithë apostujve e rrëfeu atë, Bir të Perëndisë: “Edhe do të të jap kyçet e Mbretërisë së qiejve, dhe çfarëdo të lidhësh në tokë do jetë i lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhësh në tokë do jetë i zgjidhur në qiell” (Mat. 16:19). Herën e dytë Ai i tha të gjithë apostujve (Mat. 18:17-18).

   Priftërinjtë janë vetëm instrumente të dukshëm në kryerjen e misterit, i cili kryhet në mënyrë të padukshme nëpërmjet tyre nga Perëndia vetë. Shën Joan Gojarti, duke pasur në mendje themelimin hyjnor të autoritetit të priftërinjve për të lidhur dhe zgjidhur, thotë: “Priftërinjtë dekretojnë poshtë, Perëndia konfirmon lart, dhe Zotëria bie dakort me mendimet e shërbëtorëve të tij”. Prifti është këtu instrument i mëshirës së Perëndisë dhe i zgjidh mëkatet jo nga autoriteti i tij, por në emrin e Trinisë së Shenjtë. Efektet e padukshme të hirit në Misterin e Pendimit shtrihen në të gjitha veprat e njerëzve, dhe nuk ka mëkat që s’mund t’u falet njerëzve nëse ata pendohen sinqerisht. “S’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim” (Mat. 9:13), thotë Shpëtimtari, dhe ndonëse faji i Pjetrit ishte i madh, Ai e fali atë kur u pendua sinqerisht. Dihet se Apostulli Pjetri thirri në pendim madje edhe judenjtë që kryqëzuan Mesian e vërtetë (Vepr. 2:38), dhe më vonë Simeon magjistarin, atin e gjithë heretikëve (Vepr. 8:22); Apostull Pavli i jep ndjesën atij që kishte bërë incest por që ishte penduar, duke e lënë përkohësisht jashtë kungimit.

   Nga ana tjetër, është e rëndësishme të mbahet ndër mend që falja e mëkateve është një akt mëshire, dhe jo një dhembushuri irracionale. I jepet njeriut për përfitim shpirtëror, për ndërtim dhe jo për shkatërrim (2 Kor. 10:8). Nga kjo bie një përgjegjësi e madhe mbi atë që kryen Misterin.

   Shkrimi i Shenjtë flet për rastet kur mëkatet nuk falen. Në fjalën e Zotit përmendet blasfemia kundër Shpirtit të Shenjtë, që nuk do t’u falet njerëzve as në këtë jetë dhe as në tjetrën (Mat. 12:31-32). Gjithashtu flitet për fajin për vdekje, për faljen e të cilit as nuk rekomandohet për t’u lutur (1 Joan 5:16).

   Në të gjitha këto raste, shkaku i mosfaljes qëndron te mëkatarët vetë, dhe jo te dëshira e Zotit; ose më mirë është te mungesa e pendimit. Si mund të falet një mëkat nga hiri i Shpirtit të Shenjtë, kur villet blasfemi kundër vetë këtij hiri? Por edhe këto mëkate, nëse mëkatari pendohet sinqerisht dhe vajton për to, do t’i falen. “Sepse – thotë Shën Joan Gojarti për mëkatin e blasfemisë kundër Shpirtit Shenjtë – edhe ky faj do t’u falet atyre që pendohen” (Homelitë në Ungjillin e Mattheut). Për më tepër Etërit e Sinodit të 7-të Ekumenik flasin për mundësinë e faljes së fajeve për vdekje: “Faji për vdekje është, që kur dikush mbasi mëkaton nuk e ndreq veten… Në të tillë Zoti Jisu nuk banon, përderisa ata të përulin vetveten dhe të shërohen nga rënia në mëkat. Është mirë për ta t’i afrohen Zotit me zemër të thyer dhe t’i kërkojnë Atij faljen e këtij mëkati… Sepse Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën e thyer (Psalmi 33:18). 

   Leja dhe madje kërkesa direkte për përsëritjen e Misterit të Pendimit, është e qartë nga fjalët e Ungjillit: Më tepër gëzim do të jetë në qiell për çdo fajtor që pendohet, se sa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim. (Lluk. 15:7) Gjithashtu në zbulesën ne lexojmë: “Shkruaji engjëllit të kishës së Efesit… Unë do të vij shpejt tek ti dhe do ta luaj kandilin tënd nëse nuk pendohesh (Zbul. 2:1, 5).

Dënimi (Epitimia). Me “epitimia” duhet kuptuar një ndalesë apo një dënim (2 Kor. 2:6), që caktohet sipas kanuneve të Kishës nga prifti, si një mjek shpirtëror, për disa të krishterë të penduar me qëllim për të kuruar sëmundjet e tyre morale. Dënime të tilla p.sh, janë: një agjërim/kreshmë i veçantë, lutje pendimi të shoqëruara me një numër të caktuar metanish, ndalimi për të marrë kungatë përkohësisht; dhe të tjera. Këto nuk jepen për të gjithë, por vetëm për disa të cilët ati shpirtëror e sheh të domosdoshëm një trajtim shpirtëror. Ashtu si mjeku që jep medikamente të hidhura ose vendos për ndërhyrje kirurgjikale të dhimbshme, jo për të dënuar të sëmurin, por për ta shpëtuar, ashtu edhe mjeku shpirtëror i jep këto “medikamente” jo për dënim, por për kurim.

   Po e mbyllim me fjalët që prifti i thotë të penduarit ne ritin rus: “Ja biri im, Krishti është këtu i padukshëm dhe dëgjon rrëfimin tënd; prandaj mos u ndruaj dhe mos të vijë turp, as mos u tremb, dhe mos më fshih gjë; por tregomë githçka që ke bërë pa ngurrim, dhe kështu ti do të kesh ndjesën prej Zotit Jisu Krisht. Shiko ikonën e Tij të shenjtë përpara nesh; dhe unë jam vetëm një dëshmitar, duke dhënë dëshmi para Tij për gjithçka që ti do më thuash. Por nëse ti më fsheh diçka, do mëkatosh rëndë. Ki kujdes atëherë, që të mos largohesh i pashëruar nga mjeku”.

Etërit e Kishës për pendimin

 

   “Sa më sinqerisht t’i rrëfejmë mëkatet tona, aq më shumë do të qetësohet shpirti ynë. Sepse mëkatet janë gjarpërinj të fshehur, që e brejnë zemrën e njeriut dhe kurrë nuk i japin atij qetësi, ato janë gjemba të mprehtë që vazhdimisht e coptojnë shpirtin, ato janë errësirë shpirtërore”.

Shën Joani i Kronshtadit

*  *  *

   “Është veçori e engjëjve që të mos bien, dhe madje siç thotë dikush, është krejtësisht e pamundur për ta të bien. Është veçori e njerëzve të bien, dhe të ngrihen përsëri sa herë që bien. Por është veçori e demonëve dhe e demonëve vetëm, që të mos ngrihen mbasi kanë rënë”. 

Shën Joani i Shkallës

*  *  *

   “Pendimi (metania) është i dobishëm në të gjitha kohët dhe në të gjithë njerëzit, për mëkatarët si dhe për të drejtët, që po kërkojnë shpëtimin. Nuk ka kufi tek përsosja, sepse edhe përsosja e më të përsosurit nuk është gjë veçse mospërsosja. Prandaj, deri në momentin e vdekjes, as koha dhe as veprat e përsosjes nuk mund të jenë kurrë të plota.”

Shën Isaak Siriani

*  *  *

   “Bëj diçka që mundesh që të mos biesh; sepse atleti i fortë nuk duhet të bjerë. Por nëse rrëzoheni, ngrihuni përsëri menjëherë dhe vazhdoni garën. Edhe nëse rrëzoheni njëmijë herë… ngrihuni përsëri çdo herë, dhe vazhdojeni ta bëni këtë deri në ditën e vdekjes. Sepse është shkruar, “nëse një njeri i drejtë do të rrëzohet shtatë herë” që do të thotë vazhdimisht gjatë jetës së tij – shtatë herë do të ngrihet përsëri”.

Shën Joani i Karpatit

*  *  *

   Të mëkatosh është njerëzore, të pendohesh është hyjnore.

Anonim

*  *  *

   Asnjë mëkat nuk është aq i madh sa të mposhtë zemërgjerësinë e Zotit. Edhe nëse dikush është imoral ose kurorëshkelës… fuqia e dhuratës dhe dashuria e Zotit janë aq të mëdha sa t’i zhdukin këto mëkate dhe të bëjnë mëkatarin të shkëlqejë më shumë se rrezet e diellit…

   Vetë Krishti, duke iu drejtuar gjithë njerëzove, tha: “Ejani tek unë, të gjithë ju të ngarkuarit dhe të munduarit, dhe unë do ju jap prehje…”.

   “Dhe shih se kë thërret Ai! Ata që kanë kaluar jetën e tyre në thyerjen e ligjit, që janë të ngarkuar me mëkatet e tyre, ata të cilët nuk mund më të ngrenë kokat e tyre, ata që janë mbuluar me turp, ata që s’mund më të flasin. Dhe përse i thërret? Jo për t’u kërkuar llogari, as për t’iu bërë gjyq. Por përse? Ti çlirojë ata nga dhimbjet e tyre, t’u heqë barrën e rëndë. Kush mund të jetë barrë më e rëndë se mëkati?… Unë do ju jap shlodhje juve që jeni mbytur nga mëkati, thotë Ai, dhe juve që jeni kërrusur nga barra e rëndë; Unë do ju jap ju ndjesën e mëkateve tuaja. Vetëm ejani tek unë!”

Shën Joan Gojarti

Hierodhjakon Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës),

Misteret e shenjta në Kishën Orthodhokse,
Nga libri: Besimi Orthodhoks,
Shtëpia botuese Bashkimi Orthodhoks Kristian “Kryqi i Nderuar”,
Selanik, 1996