Pagëzimi.

   Misteri i Pagëzimit është një nga shtatë misteret e Kishës së Shenjtë Orthodhokse. Gjatë këtij riti të lashtë, një fëmijë i Zotit (i rritur apo foshnje) ndriçohet ose lind përsëri, por kësaj here në mënyrë shpirtërore në Familjen e Krishtit. Gjithashtu, ai është larë mistikisht prej mëkatit dhe merr një jetë të re prej hirit. Pagëzimi është dorëzimi shpirtëror te Krishti, Drita e Botës (Joani 1:9).

   Çdo pagëzim është një besëlidhje, është një dhiatë ndërmjet Zotit dhe njeriut. Zoti premton të jetë Ati ynë, dhe ne premtojmë të jemi bijtë e tij. Edhe në të kaluarën Perëndia ka bërë Dhiatë me Noen, Abrahamin, Moisiun etj. Nëpërmjet pagëzimit, Zoti afrohet dhe dëshiron të bëjë një besëlidhje me çdo person që vjen në botë. Pagëzimi kërkon një përgjigje personale nga i pagëzuari i rritur dhe nga foshnja kur ai të rritet. Ai nuk është një ritual magjik, që hap automatikisht dyert e qiellit. Pa një pranim personal pagëzimi mbetet vetëm një “formë”, një rit pa kuptim. Hiri që Perëndia dhuron gjatë misterit duhet ta gjejë të hapur zemrën e besimtarit, që të mund të hyjë e të japë fryte. E theksojmë përsëri, që Hiri i Perëndisë nuk i bën dhunë vullnetit të lirë të njeriut; varet nga ne pranimi apo refuzimi i kësaj dhurate. Si qenie të lira, jemi të përgjegjshëm për veprimet tona, dhe për këtë arsye ne do të gjykohemi.

   Kisha Orthodhokse praktikon pagëzimin e foshnjave pa pritur moshën e arsyetimit, si një shenjë të dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut qysh prej lindjes së tij. Etërit e Kishës këmbëngulin për pagëzimin e foshnjave. Shën Grigor Teologu, duke iu drejtuar nënave të krishtera thotë: “A keni një fëmijë? Mos i lini kohë demit të rritet. Le të shenjtërohet ai në foshnjëri dhe qysh nga fëmijëria t’i kushtohet Frymës. Apo mos i trembeni vulës nga shkaku i dobësisë së natyrës, si ata zemërdobëtit dhe besëpakët? Ana, madje edhe para se të lindte Samueli, ia premtoi atë Zotit, dhe menjëherë mbas lindjes e përkushtoi atë për rrobën e shenjtë, pa patur frikë nga dobësia njerëzore, por duke besuar në Perëndinë”. Të pretendosh që dikush duhet të arrijë moshën e pjekurisë dhe të arsyetimit dhe fillimisht të besojë para se të pagëzohet (siç arsyetojnë shumë grupe protestante), do të thotë që të bësh Hirin e Perëndisë, në një farë mënyre, të varur nga inteligjenca e njeriut. Këtu duhet të theksojmë që nunët kanë një përgjegjësi të madhe para Perëndisë. Kjo detyrë (nunësia) nuk duhet të merret me mendjelehtësi. Çdo nun do përgjigjet para “gjykatores së trembshme të Krishtit”, për humbjen e shpirtit të të pagëzuarit nga shkaku i indiferencës apo neglizhencës së nunit.

*   *   *

Shpjegimi i Misterit. Veprimet e shumta të kryera gjatë misterit të pagëzimit në Kishën Orthodhokse nuk janë forma të zbrazura pa kuptim. Krishterimi është jetë. Çdo veprim në Misterin e Pagëzimit shpreh se çfarë po bën aktualisht Krishti nëpërmjet këtij misteri.

Shenja e Kryqit. Prifti bën shenjën e kryqit mbi trupin e atij që po pagëzohet. Kjo përsëritet disa herë gjatë misterit. Kryqi është shenjë e fitores dhe që u jep arratinë demonëve. Në të kaluarën skllevërve u vihej një shenjë, siç edhe bagëtive sot, për të treguar se kujt i përkasin. Shenja e kryqit tregon që ne i përkasim Krishtit.

Vënia e emrit. Qysh nga momenti që fëmija vjen në kishë vihet theksi në individualitetin e tij. I jepet një emër nga i cili ai dallohet nga fëmijët e tjerë të Zotit. Kjo shpreh besimin tonë që fëmija ka dinjitetin e tij personal para Zotit dhe Kishës. Krishterimi është për unitet dhe jo për uniformitet. Kisha nuk është një grumbull qeniesh anonime, një turmë, por është bashkimi i individëve të lirë, pa dëmtuar personaliten e askujt. Çdo njeri është një individualitet i papërsëritshëm. Perëndia nuk bën kopje as ka krijuar robotë, por person, të cilët kanë individualitetin e tyre dhe vullnetin e tyre të lirë për një dialog personal apo kolektiv me Perëndinë.

Kazani/Vaska i pagëzimit (Kolimvithra), është “Barku Hyjnor” nga i cili ne rilindim shpirtërisht si fëmijë të Perëndisë. Gjithashtu, simbolizon dhe tipifikon arkën e Noes, dashurinë, faljen, dhe pajtimin e Zotit me njeriun, duke i dhuruar shpëtimin nëpërmjet Jisu Krishtit.

Nuni, nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shenjtë nuni bëhet në pagëzim “Atë Shpirtëror”, sepse Shpirti është mbi mishin. Kështu, nunët bëhen më të afërt me fëmijën e pagëzuar se sa prindërit e tij natyralë (biologjikë). Nunët në pagëzim bëhen garantë tek Krishti, që fëmija do të rritet dhe edukohet në besimin e krishterë orthodhoks. Për këtë, ata janë përgjegjës para Perëndisë. Kisha preferon një nun dhe një nune për çdo shpirt të pagëzuar. Por, megjithatë edhe një nun orthodhoks është mjaft për një djalë dhe një nune orthodhokse për një vajzë.

Ekzorcizmat, lutjet e para, janë një formë e shkurtër, por e veçantë ekzorcizmash, bërë për të “përzënë çdo frymë të ligë dhe të ndyrë që fshihet dhe ka bërë fole” në zemrën e atij që do të pagëzohet. Pastaj, duke u kthyer me fytyrë nga perëndimi, që përfaqëson errësirën, injorancën dhe të keqen, ai që do pagëzohet (ose dhe nuni) mohon Satanain, Princin e errësirës, “dhe gjithë engjëjt e tij, dhe gjithë veprat e tij, dhe gjithë shërbimet e tij, dhe gjithë krenarinë e tij”.

Bashkimi me Krishtin. Mbas mohimit të Satanait të gjithë kthehen me fytyrë nga lindja, burimi i dritës, diturisë dhe mirësisë dhe ai që do pagëzohet (ose dhe nuni) pohon publikisht bashkimin e tij me Krishtin, Diellin tonë të Dritës dhe të Diturisë, i cili vjen tek ne nga “Lindja e të Lartave”!

Besorja. Mbas pohimit të bashkimit me Krishtin thuhet Besorja, si simbol i besës për të krishterët orthodhoksë. Duke thënë Besoren ai që do pagëzohet (ose edhe nuni) rrëfen besën e vërtetë në Zotin Krisht.

Heqja e rrobave. Nga të gjithë krijesat e Zotit, vetëm njeriu vesh rroba, si shenjë e natyrës së tij të rënë dhe mëkatare. Prandaj heqja e rrobave të katikumenit (atij që do të pranohet në familjen e Krishtit) është simbol i zhveshjes së njeriut të vjetër (Adamit) dhe jetës së tij mëkatare (Rom. 6:4, 6), si dhe heqjes së fletëve të fikut (Gjen. 3:7), është simbol i heqjes së petkut tonë të mjerimit dhe përgatitjes për t’u veshur me petkun e lavdisë (Gjen. 2:25).

Lyerja me Vajin e Shenjtë. Vaji i Shenjtë është vaj ulliri i pastër e i bekuar dhe është përdorur kryesisht në lidhje me shërimin hyjnor dhe me shenjtërimin. Është shenja e dukshme e hirit dhe shërimit të trupit dhe shpirtit; rikthimit të shëndetit dhe faljes së mëkateve (Mark. 6:13, 16:18; Jakovi 5:4). Ky vaj gëzimi është dhurata e Shpirtit të Shenjtë dhe simbolizon mëshirën e Perëndisë. “Ju jeni të lyer prej Shenjtit, dhe i dini të gjitha… dhe të lyerët që morët nga Ai mbetet ndër ju! (Joani 2:20, 27)

Uji i Shenjtë ose Uji i Bekuar. Nga Uji i Bekuar vijnë shumë të mira. Uji i Pagëzimit është ujë i pastër i bekuar dhe që përdoret kryesisht për qëllim bekimi, pastrimi, shëndeti dhe shenjtërimi. Ata që zhyten në Ujin e Shenjtëruar me besim, fitojnë pastrimin dhe shenjtërimin e shpirtit dhe trupit, shërim nga vuajtja, faljen e mëkateve dhe çdo gjë që duhet për shpëtimin dhe jetën e pasosur. “Nëse njeriu nuk lind prej uji dhe prej Fryme, ai s’mund të hyjë në Mbretëri të Perëndisë” (Joani 3:5).

Zhytja e triherëshme. Zhytja në ujë konsiderohet nga Kisha një porosi e vetë Krishtit. Bëhet tri herë: (1) “Në emër të Atit, (2) dhe të Birit, (3) dhe të Shpirtit të Shenjtë!” (Mat. 28:19). Zhytja e trefishtë simbolizon varrimin e treditshëm të Krishtit, dhe siç Krishti u ngjall nga të vdekurit ashtu edhe i porsapagëzuari ngjallet në jetën e re. (Rom 6:4, 11).

Misteri i Mirosjes së Shenjtë, është forma më e lartë e vërtetimit për atë që është pranuar në Besimin e Krishterë Orthodhoks. Personi i porsapagëzuar lyhet me Miron e Shenjtë (Një përzierje vaj ulliri me erëra dhe parfume), e cila është “Vula e Dhuratës së Shpirtit të Shenjtë”. Në thirrje prifti lyen me miro personin që po miroset dhe nunët përgjigjen: “Vula”! Për Mirosjen do të flasim më gjerësisht në vazhdim në temën “Mirosja”.

Qethja. Mbas Mirosjes, prifti pret tufa të vogla flokësh (në formë kryqi) nga koka e të porsapagëzuarit, si shenjë e mirënjohjes për bekimet e bollshme që janë marrë nëpërmjet Misterit të Pagëzimit. Mirosja dhe Kungata e Shenjtë janë dhuratë dhe sakrificë për jetën e re në Krishtin, që sapo ka filluar.

Veshja e re, që tradicionalisht është gjithmonë e bardhë dhe që shpreh pastërtinë e shpirtit të porsapagëzuar, simbolizon jetën e re dhe të panjollshme që merret nëpërmjet pagëzimit. Është një zakon i lashtë i cili shpreh transformimin e madh të shpirtrave të veshur me Krishtin: “Sa u pagëzuat më Krishtin, më Krishtin u veshët” (Gal 3:26-27). Kungimi është marrja e Trupit të vërtetë dhe të panjollshëm dhe Gjakut të çmuar të Krishtit në formën e bukës dhe të verës. I porsapagëzuari dhe i porsamirosuri merr kungimin e tij të parë dhe prej kësaj kohe ai bëhet një anëtar i plotë i Kishës së Shenjtë Orthodhokse dhe është një me Krishtin, dhe nëpërmjet Krishtit është bërë pjesëmarrës në jetën e pasosur. Është zakon që nunët e sjellin fëmijën e pagëzuar në Meshën Hyjnore për tre të Diela radhazi mbas pagëzimit, për të marrë Kungimin e Shenjtë.

Qirinjtë. Simbolizojnë Dritën e përjetshme të Krishtit dhe i kujtojnë të porsapagëzurit që nga ai moment ai duhet të përpiqet të shkëlqejë në virtyte dhe pastërti, me vepra të mira. Qirinjtë e ndezur tregojnë besimin tonë në ndriçimin që ajo bën nëpërmjet këtij Misteri në shpirtin e të pagëzuarit. Pra personi i pagëzuar bëhet fëmijë i dritës… duke kaluar nga errësira në dritë (Thes. 5:5).

Procesioni rreth Altarit. Nunët dhe i porsapagëzuari, duke mbajtur qirinjtë ndezur në duar, vijnë rrotull Altarit tri herë, në nderim të Trinisë së Shenjtë. Për më tepër, ky procesion paraqet ecjen para të porsapagëzuarit me Krishtin: për të treguar që fjalët dhe Rruga e jetës së Krishtit do të jenë udhërrefyes për jetën e përditshme.

Leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Leximi nga Apostulli është letra e Shën Pavlit dërguar Romakëve (6:3-11), ku shpjegohet në mënyrë të qartë dhe të saktë kuptimi i Pagëzimit në dritën e Krishtit të Ngjallur. Leximi i Ungjillit është nga Mattheu (28:16-21), i cili lidh autoritetin që i është dhënë Jisuit “në qiell dhe në dhé”, me urdhrin e madh të Krishtit dhënë nxënësve të tij. Në këtë urdhër Krishti vetë ka diktuar formulën për pagëzim: “Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.

Hierodhjakon Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës),

Misteret e shenjta në Kishën Orthodhokse, 
Nga libri: Besimi Orthodhoks, 
Shtëpia botuese Bashkimi Orthodhoks Kristian “Kryqi i Nderuar”, 
Selanik, 1996