Kujtimi i shën spiridhonit episkopi i trimithundës së qipros shembull bariu.
“Unë jam bariu i mirë” (Joani 10:11)
Çfarë ishte me një fjalë shën Spiridhoni? Shumë përmend për të jetëshkruesi i tij. Shumë tregon historia e tij. Shumë psalin troparet e tij. Shumë i japin lavdërimet që i përkasin atij. Por të gjitha lavdërimet dhe lëvdatat, mund të përmblidhen në një fjalë. Është një fjalë që, jep gjithë madhështinë e tij, i shkon përshtat dashurisë së tij dhe mbulon gjithë spektrin e jetës së tij të shenjtë. Dhe kjo fjalë, është fjala “Bari”. Ishte mbi të gjitha bari, shën Spiridhoni. Ditën e kujtimit të tij lexohet Ungjilli i Bariut. “Unë jam bariu i mirë” (Joani 10:11). Këto fjalë thuhen nga Zoti ynë Jisu Krisht, por shkojnë edhe në gojën e shën Spiridhonit. Çdo shenjtor është edhe një Krisht i vogël. Është një përpjekje për imitimin e Krishtit. Është një kopje e jetës së Krishtit.
Krishti është modeli, modeli i përkryer. Është shembulli që ka çdo i krishterë përpara tij, për t’a imituar. Prandaj u mishërua Fjala Perëndi: që t’i japë njeriut modelin e përkryer për të imituar, por edhe fuqinë për ta arritur këtë imitim. Krishti është veçanërisht shembulli i bariut, për çdo bari delesh mendore, për çdo udhëheqës të popullit, për çdo bari shpirtëror.
I
Pjesa ungjillore, që lexohet përgjatë të kremtes së shën Spiridhonit, është një vetërekomandim i Krishtit. Por, çfarë është Jisu Krishti? Pyetja më themelore për jetën tonë. Kujt t’i drejtohemi për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje? Të pyesim ateistët dhe antikrishtët? Është si të pyesim urithët, të na thonë ç’është dielli! Të pyesim persona pa lidhje, që nuk u morën asnjëherë seriozisht me problemin “Jisu Krisht” dhe asnjëherë nuk studiuan me paanësi tekstet ekzistuese? Është si të pyesim një të pashkolluar të na thotë çfarë është fizika bërthamore! Kë të pyesim për problemin “çfarë është Krishti?”. Do pyesim vetë Krishtin. Po, është i vetmi që ka të drejtë të flasë për veten e tij, sepse ka vetëdije të plotë. Ka vetëdije për Hyjninë e Tij. Është i vetmi që, fjalët e të Cilit, kanë rëndësi absolute, sepse janë fjalë të vulosura me Gjakun e Tij. Është i vetmi që përballon çdo kritikë, sepse historia e 20 shekujve përbën vërtetimin e pranisë së Tij.
Krishti vetërekomandohet. Në Ungjillin sipas Joanit ka shumë vetërekomandime, shumë “Unë jam”. “Unë jam buka” (Joani 6:35). “Unë jam drita (8:12). “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta” (14:6). “Unë jam vreshti” (15:5). “Unë jam dera” (10:9). “Unë jam ngjallja” (11:25). Midis elementeve të tjerë të identitetit Perëndi-njerëzor të Tij, Krishti është edhe: “Unë jam bariu i mirë” (10:11).
* * *
Bariu i mirë. Krishti është bari. Sigurisht, ekzistojnë edhe barinj të tjerë. Janë barinjtë e kuajve, dhenve, që kullosin kopetë e tyre mbi rrafshinat dhe shpatet e maleve. E bukur është pamja e jetës baritore. Dhe shumë herë përdoret nga fjala e Perëndisë, që të shfaqet vepra e udhëheqësit popullor apo fetar. Por ekzistojnë edhe barinjtë e deleve logjike. Janë prijësit e popullit. Të cilët nuk janë gjithmonë barinj dhe udhëheqës të dobishëm dhe të saktë.
Si dallim nga barinjtë e këqij, Krishti jep, në Ungjill, elementët e bariut të vërtetë. Nuk thotë thjesht “Unë jam bariu”, por thotë: “Unë jam bariu i mirë”. Populli ka nevojë për bari të mirë. Njerëzit “ishin lodhur dhe shpërndarë si dhen që s’kanë bari” (Mat. 9:36). Mëkati e kishte larguar njeriun nga Parajsa, vatha e parë dhe e bekuar e Perëndisë. Njerëzit ishin “të larguar nga jeta e Perëndisë” (Efes. 4:18). Kishin dalë nga rruga e drejtë dhe iu futën rrugës së keqe të jetës pa Perëndi. Ishin shndërruar në kope, në turmë, me udhëheqës djallin. Ja përse erdhi Krishti në botë: që të mbledhë delet e Tij të shpërndara; që të bëhet Bariu i Mirë, i cili do t’i udhëheqë njerëzit në livadhet e gjelbëruara të hirit të Tij.
II
Bari kuajsh e dhensh ishte në rininë e tij shën Spiridhoni, dhe përditë shkonte në ara e në livadhe, për të kullotur delet e tij. Dhe, nga bari kuajsh e dhensh, Kryebariu Krisht, e ftoi dhe e bëri bari të deleve të Tij mendore, episkop dhe bari të mirë, të lavdishëm, të shenjtë dhe mrekullibërës të Grigjës së Tij logjike, të Kishës së Tij të shenjtë. Sa u kujdes për grigjën e tij bariu i mirë! Vraponte kudo, mësonte, mundohej, ishte vigjilent për shpirtrat e deleve të tij. Duke ditur se Krishti, Biri i pamëkatshëm i Perëndisë, u kryqëzua dhe derdhi Gjakun e Tij për çdo shpirt, edhe shën Spiridhoni, nuk ishte asnjëherë i qetë, kur shikonte ndonjë shpirt të rrezikohej. Bënte të pamundurën për ta mbështetur, për ta ndriçuar dhe për ta shpëtuar. Duke u djegur nga ky mall, pa u mposhtur, luftonte, mashtrimet dhe herezitë, që mbillnin farëra të këqija, skandalizonin ndërgjegje dhe lëkundnin shpirtra. I udhëhequr nga ky mall i zjarrtë, në Sinodin e Parë Ekumenik, rendi të bëjë mrekullinë e tij dhe të turpërojë Ariosin.
Ky kapitull i madh i shërbesës baritore dhe priftërore të Kishës, në të cilën shën Spiridhoni depozitoi, si kontribut, qashtërsinë e tij personale -sigurisht ashtu siç i përshtatet dhe i imponohet gjithë meshtarëve- i përket si një privilegj dhe detyrim i veçantë, popullit besnik të Zotit. Domethënë, jetës liturgjikale dhe misteriale të besimtarëve. Kleri celebron dhe populli i Zotit merr pjesë dhe kungohet me Misteret. Klerikët janë “kujdestarë të mistereve të Perëndisë” (I Kor. 4:1) dhe laikët janë në mënyrë të barabartë “të shenjtëruar të gjithë prej njërit” (Heb. 2:11). Nga i vetmi Kryeprift i Madh, Shpëtimtari Krisht, marrim të gjithë, klerikë dhe laikë, shenjtërimin dhe hirin, nëpërmjet Mistereve hyjnore. Por ekziston një boshllëk, kur shfaqen të krishterë indiferent ndaj Mistereve hyjnore. Dhe duhet të kuptohet se, kushdo që mbetet larg Mistereve, nuk merr as ushqim shpirtëror, dhe as gjen derë për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Shën Spiridhoni, bashkë me engjëjt me të cilët meshonte, himnohet dhe lavdërohet si ushqyes shpirtëror dhe na fton në shërbesën e hirshme dhe Liturgjinë Hyjnore për të shijuar Bukën Hyjnore dhe Potirin e Jetës dhe, duke u shenjtëruar nëpërmjet Mistereve, ta gjejmë të hapur derën e Mbretërisë së Qiejve. Amin!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI