Shën Prokopi, që në botë njihej me emrin Neania, lindi në Antioki, në një familje të shquar me prindër paganë. I ati, njeri i urtë dhe i drejtë, pasi njohu Perëndinë e vërtetë, u pagëzua i krishterë me emrin Kristofor. Ndërsa e ëma, Theodhosia, mbeti pagane dhe, me vdekjen e të atit, Neania ishte nën kujdesin e saj.
Kështu, Neania u rrit dhe u edukua larg dritës së Krishtit. Me ndërhyrjet e së ëmës, u emërua qeveritar në Aleksandri, ku ishte urdhëruar të përndiqte pa mëshirë të krishterët. Mirëpo, edhe me të ndodhi diçka e ngjashme me jetën e shën Pavlit: Sapo ishte nisur nga qyteti Apamia në Siri, në të gdhirë, u ndje një tërmet i madh, e rrethoi një dritë dhe u dëgjua një zë që thoshte: “Prokop, për ku u nise të shkosh dhe kundër kujt vete të luftosh?”. Djaloshi u tremb dhe u hutua krejt. Po zëri u përsërit. Atëherë, duke mbajtur veten, tregoi qëllimin e vajtjes në Aleksandri dhe shtoi: “Kush je ti që më thirre në emër në kohë të vetëtimës? Mos je perëndia i dritës, Apolloni?”.
Zëri u përgjigj: “Unë jam Perëndia i të krishterëve, Perëndia i atit tënd. Lutjet e tij për ty u dëgjuan. Zemra jote është e denjë për një udhë më të mirë nga ajo që zgjodhe. Beso tek Unë dhe do të të tregoj, me anën e Kryqit tim, shërbyes të madh e të çmuar të Ungjillit”.
Kjo thirrje zuri vend menjëherë në zemrën e tij. Dhe vajti vërtet në Aleksandri, por, në vend që t’i përndiqte të krishterët, u jepte fshehurazi tërë ndihmën e mundshme dhe prej dorës së episkopit të tyre mori pagëzimin, me emrin Prokop. Më pas, dha dorëheqjen e u kthye në Antioki.
Së ëmës nuk i tregoi menjëherë, por të nesërmen filloi t’i përmendte shpesh emrin e të atit dhe t’i thurte lëvdata. Dhe, kur e pa të qante e mallëngjyer, i rrëfeu gjithçka i kishte ngjarë.
Ky zbulim i papritur e tronditi së tepërmi të ëmën, e cila iu lut të mos ia thoshte njeriu. Mirëpo Prokopi i mbeti besnik Krishtit dhe madje mundi të kthente edhe shumë familje nga më të shquarat e Antiokisë. Që aty, duke lexuar Ungjillin vend e më vend, arriti deri në Qesari të Filipisë. Aty, me urdhër të qeveritarit Ulkion, u arrestua dhe meqë nuk e mohoi Krishtin, pësoi mjaft mundime: I çanë mishin me kthetra të hekurta, i hapën plagë të thella në të gjithë trupin. Mirëpo natën, në burg, iu shfaq në gjumë Vetë Zoti Krisht, i Cili i dha kurajë dhe i preku plagët. Shenjti u zgjua menjëherë dhe pa se ishte krejt shëndoshë.
Të nesërmen Ulkioni, kur pa se shën Prokopi ishte krejt i shëndoshë, e humbi fare. Por shpejt e mblodhi veten dhe tha se këtë të mirë atij ia kishin bërë idhujt, duke e këshilluar që të shkonin bashkë në tempull, për t’i falënderuar. Shën Prokopi pranoi, por me tjetër qëllim: të tregonte fuqinë e Perëndisë së vërtetë. Si hyri, pra, në tempull, u fal duke ngritur duart përpjetë dhe, menjëherë, idhujt që ishin brenda, ranë papritur e u bënë copë-copë. Ulkioni u nxeh pa masë dhe dha urdhër ta mbyllnin shenjtorin përsëri në burg. Mirëpo, nga ata që panë atë çudi, sidomos ushtarë, shumë i besuan Krishtit dhe u pagëzuan po atë natë.
Qeveritari, kur e mori vesh, i kapi të gjithë dhe u përpoq para shenjtorit t’i trembte me tortura të shumta. Përpjekje e kotë! Ata të krishterë të rinj, e pranuan të gjithë vdekjen me gëzim.
Si u përhap lajmi i kapjes së shën Prokopit, erdhën në Qesari dymbëdhjetë nga gratë më të shquara të Antiokisë, të cilat pranuan besimin te Krishti. Pasi e treguan haptas besimin e tyre, i hodhën në burg. Por, kaluan tërë natën me psalme dhe himne, duke dëgjuar dhe predikimin e shën Prokopit. Të nesërmen sërish nuk pranuan t’u çonin therore idhujve, madje as kur u digjnin brinjët me pishtarë të ndezur.
Në këto ngjarje asistonte edhe e ëma e shën Prokopit. Dhe kaq shumë u habit nga qëndrimi heroik i grave, sa, ndërsa lotët i rridhnin rrëke, zemra e saj vihej në rrugën e pendimit.
Natën që pasoi, ajo u pagëzua dhe, të nesërmen, kur po përsëriteshin torturat mbi gratë e shenjta, u paraqit para Ulkionit dhe protestoi ndaj shpërdorimit të pushtetit ndaj disa qenieve që kishin faj vetëm se adhuronin Perëndinë. Ai u habit për gjithë atë guxim dhe kur mori vesh se e ëma e kujt ishte, dha urdhër t’i prisnin kryet bashkë me gratë e tjera. Kështu ato fituan kurorën e ndritshme të dëshmorit.
Pak kohë më pas, Ulkioni vdiq. Pasardhësi i tij, Flaviani, e thirri edhe ai në pyetje shën Prokopin. Meqenëse e mbante veten për filozof, donte ta bindte shenjtorin ndërmjet asaj udhe. Por, shën Prokopi, duke përfituar prej rastit, i provoi publikisht se ishin pikërisht mendjet më të ndritura ndërmjet atyre filozofëve që, me diskutimet e tyre, përgatitën deri në një pikë tokën për prodhimin e shenjtë të farës së Krishterimit. Flaviani, i tërbuar për turpërimin, urdhëroi një ushtar që ta vriste Shenjtorin dhe ai iu turr me shpatë, mirëpo dora iu tha menjëherë dhe u shtri e dha shpirt.
Pas disa ditësh, Flaviani e solli sërish Shenjtorin në tempull dhe e urdhëroi që të bënte therore, përndryshe do t’i digjte duart. Shën Prokopi, për t’i treguar se nxënësit e Krishtit nuk tremben nga shtrëngimet e mundimet, mori thëngjill të ndezur dhe, duke i vënë përsipër pëllëmbën e dorës, e la të digjej pa shenjë dhimbjeje.
Atëherë Flaviani urdhëroi ta çonin në vendin e ekzekutimit. Më parë Shenjtori tha: “Shkojmë, o qeveritar. Perëndia ynë bën çudira, që të mos e lërë veten pa u shfaqur te ata shpirtra që nuk mund të ndriçohen vetëm me anën e fjalës së Tij dhe, njëkohësisht, që të mos kenë ç’të thonë ata që mbeten deri në fund armiq të fjalës së Tij. Lejon që ne të vdesim, duke dëshmuar se në këtë mënyrë shuhet epoka e ndjekësve të Tij dhe përgatitet nga drejtësia hyjnore prishja e tyre e shpejtë”.
Dhe, duke u lutur, u nis drejt vendit të vdekjes. Si arriti atje, uli kryet para xhelatit, pa frikë e turbullim, ashtu siç dinë të vdesin heronjtë e krishterë, që morën përsipër kryqin e Zotit.
Shën Prokopi kujtohet më 8 korrik.
* * * * *
Himne për shën Prokopin:
I veçuar duke qenë, që nga barku nënar, tërëurtësisht prej Perëndisë, pate sikurse Pavli, dhe si mësove, pësimet me dashje të Krishtit, u tregove predikues i tij edhe zelltar, me të vërtetë, o Martir Prokop.
Trupi yt, o Shën Prokop, i grirë krejt, o i lavdishëm, dhe i hedhur në zjarr, i mbyllur në burgje, i cili flet për shumë mënyra torturash, i prerë me shpatë, o i urtë, të siguroi ty mbretërinë, qiellore, tri herë i lumtur, në të cilën kërcen i gëzuar, o athlofor shumëfitimtar, o bashkëpjesëtar i Engjëjve.
Ndriti sot, përkujtimi yt i lavdishëm, o Prokop shumëfitimtar, duke na ftuar ne kremtedashësit, për të brohoritur dhe lavdëruar Krishtin, Perëndinë tonë.
I ndriçuar nga dritat mistike të Trinisë plot dritë, o Martir trim Prokop, arrite hyjnizimin, i hyjnizuar me pjesëmarrjen; prandaj shpëto ata që me besim kryejnë të kremten tënde dritësjellëse, ngasje të shumta, me ndërmjetimet e tua.
I përvëluar nga zelli hyjnor i Krishtit dhe i mbrojtur me Kryqin e nderuar, dërrmove tërbimin dhe arrogancat e armiqve, o Prokop, dhe Kishën e nderuar e ngrite lart, duke përparuar në besim dhe ne duke na ndriçuar.
Kisha sot dëfren, e stolisur me fitoret e tua, o martir i Krishtit, dhe për përkujtimin tënd të përgjithshëm, thërret denjësisht dhe kërcen me brohori. Gëzohu ti, që pate zili Pavlin dhe mbajte Kryqin e kundërshtarit. Gëzohu, o mburrje e martirëve dhe forcim i udhëheqjes, o Prokop, korrës i shumë fitoreve; mos pusho së luturi për ne, si një që ke guxim pranë Zotit, o zbukurim i athlotëve.
Post Views:393
By Kisha Orthodhokse|2021-07-06T14:07:07+02:008 Korrik, 2021|Shenjtorët e ditës|Komentet te Dëshmor i madh Prokopi, Theodhosia, e ëma. Hierodëshmor i ri Anastasi. Janë të Mbyllura