NGA LIBRI I JEZEKIELIT 2:3-3:3.

Ai më tha: “O bir njeriu, unë të dërgoj te bijtë e Izraelit, në mes të kombeve rebelë që janë rebeluar kundër meje; ata dhe etërit e tyre kanë ngritur krye kundër meje deri më këtë ditë. Ata te të cilët po të dërgoj janë bij me fytyrë të ashpër dhe me zemër kryeneçe, dhe ti do t’u thuash atyre: “Kështu thotë Zoti, Zoti”. Edhe sikur të dëgjojnë ose të mos pranojnë të dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele, do të mësojnë se megjithatë ka një profet në mes tyre. Dhe ti, bir njeriu, mos ki frikë prej tyre dhe mos ki frikë nga fjalët e tyre, edhe se po qe se do gjendesh i rrethuar nga hithra dhe nga gjemba dhe po qe se banon në mes të akrepave; mos ki frikë nga fjalët e tyre dhe mos u tremb para tyre sepse janë një shtëpi rebele. Por ti do t’u njoftosh fjalët e mia, edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të dëgjojnë, sepse janë rebelë.

Dhe ti, bir njeriu, dëgjo atë që të them; mos u bëj rebel si kjo shtëpi rebele; hap gojën dhe ha atë që po të jap”. Unë shikova, dhe ja një dorë e shtrirë drejt meje; dhe ja, në të ishte rrotulla e një libri. Ai e shpalosi para meje; ishte shkruar nga brenda dhe nga jashtë dhe në të ishin shkruar vaje, rënkime dhe halle.

Pastaj më tha: “O bir njeriu, ha atë që gjen, ha këtë rrotull, pastaj shko dhe foli shtëpisë së Izraelit”. Kështu unë hapa gojën dhe ai më vuri që të ha atë rrotull. Pastaj më tha: “O bir njeriu, ushqeje barkun tënd dhe mbushi zorrët e tua me këtë rrotull që po të jap”. Kështu unë e hëngra dhe u bë në gojën time i ëmbël si mjaltë.

 

* * * * *

NGA LIBRI I EKSODIT 2:11-23.

Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një Egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij. Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau Egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë. Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: “Pse e rreh shokun tënd?”. Por ai iu përgjigj: “Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave Egjiptasin?”. Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: “Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë”.

Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Madianit; dhe u ul afër një pusi.

Por prifti i Madianit kishte shtatë bija; dhe ato erdhën për të mbushur ujë dhe për të mbushur koritat për t’i dhënë të pijë kopesë së atit të tyre. Por erdhën disa barinj dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit dhe u erdhi në ndihmë, duke i dhënë të pijë kopesë së tyre. Kur shkuan te Reueli, ati i tyre, ai u tha: “Vallë si u kthyet kaq shpejt sot?”. Ato u përgjigjën: “Një Egjiptas na liroi nga duart e barinjve; përveç kësaj mbushi ujë për ne dhe i dha të pijë kopesë”. Atëherë ai u tha bijave të tij: “Po ai ku është? Pse e latë këtë njeri? Thirreni, të vijë të hajë”. Dhe Moisiu pranoi të banojë tek ai njeri; dhe ai i dha Moisiut për grua bijën e tij, Seforën. Pastaj ajo lindi një bir që ai e quajti Gershom, sepse tha: “Unë jam mik në dhe të huaj”.

Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia.

 

* * * * *

NGA LIBRI I JOVIT 2:1-10.

Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten përpara Zotit, dhe midis tyre shkoi edhe Satanai për t’u paraqitur përpara Zotit. Zoti i tha Satanait: “Nga vjen?”. Satanai iu përgjigj Zotit: “Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkuar lart e poshtë”.

Zoti i tha Satanait: A e vure re shërbëtorin tim Jov? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes. Ai qëndron i patundur në ndershmërinë e tij, megjithëse ti më ke nxitur kundër tij për ta shkatërruar pa asnjë shkak. Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: “Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij. Por shtrije dorën tënde dhe preki kockat e tij dhe mishin e tij dhe ke për të parë po nuk të mallkoi haptazi”. Zoti i tha Satanait: “Ja ai, është në pushtetin tënd, por mos ia merr jetën”.

Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit dhe e goditi Jovin me një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës. Jovi mori një copë balte për t’u kruar dhe rrinte ulur në mes të hirit.

Atëherë gruaja e tij i tha: “Qëndron ende në ndershmërinë tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!”. Por ai i tha asaj: “Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?”. Në të gjitha këto Jovi nuk mëkatoi me buzët e tij.

 

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 26:6-16.

Edhe kur ishte Jisui në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, erdhi pranë tij një grua që kishte një alabastër me miro shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kryet e tij, ndërsa ishte duke ndenjur në tryezë. Edhe nxënësit e tij kur panë, u zemëruan, e thanë: Përse kjo humbje? Sepse kjo miro mund të shitej shtrenjtë, edhe t’u jepej të varfërve.

Edhe Jisui, si kuptoi, u tha atyre: Përse e mundoni gruan? Sepse kjo bëri punë të mirë tek unë. Sepse të varfërit i keni përherë me veten tuaj, po mua nuk më keni përherë. Sepse kjo, kur derdhi këtë miro mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr. Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’bëri kjo, në kujtim të saj.

Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha: Ç’do të më jepni, edhe unë t’jua dorëzoj juve atë? Edhe ata i numëruan tridhjetë monedha argjendi. Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte.