Fjala dhe Fryma
Është dëshmia konstante e Biblës dhe e Kishës se Perëndia vepron ndaj botës nëpërmjet Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij. Perëndia i krijoi të gjitha gjërat me anë të Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij. Ai e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij hyjnore për të marrë pjesë në Fjalën e Tij dhe për të jetuar prej Frymës së Tij. Të gjithë njerëzit e shenjtë të Perëndisë e marrin Fjalën e Perëndisë dhe Frymën e Perëndisë. Patriarkët, profetët dhe apostujt, të gjithë shpallën Fjalën që erdhi tek ata nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Perëndisë. Ligji i Moisiut dhe Profetët, Psalmet dhe të gjitha shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re janë Fjala e Perëndisë, shkruar dhe interpretuar nga njerëz nëpërmjet Frymës së Perëndisë. Gjithmonë dhe kudo, në Bibël dhe në Kishë, Perëndia e zbulon Veten dhe vepron në njeriun dhe në botën me anë të Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij.
Pohimi qendror i besimit të krishterë dhe esenca e vërtetë e ungjillit të tij dhe jetës është se Fjala e Perëndisë u bë njeri si Jisui i Nazaretit, Mesia i Izraelit dhe Zoti dhe Shpëtimtari i botës. Jisui i Nazaretit është Fjala hyjnore e Perëndisë në formë njerëzore. Ai është Fjala personale e Perëndisë i Cili ishte “në fillim me Perëndinë”, Fjala “me anë të tij u bënë të gjitha gjërat” (Joani 1:2). Ai është Fjala e pakrijuar e Perëndisë sipas shëmbëlltyrës të të Cilit janë krijuar të gjithë njerëzit. Ai është Fjala e Perëndisë i Cili erdhi te patriarkët dhe profetët dhe i Cili është mishëruar në Bibël në formë skripturale. Ai është Fjala e Perëndisë i Cili vdiq në kryq dhe u ngjall së vdekurish. Ai është Kreu i Kishës e cila është Trupi i Tij dhe Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Ai është Fjala e Perëndisë me të Cilin dhe nëpërmjet të Cilit Fryma e Shenjtë erdhi në botë.
Shpirti i Shenjtë i Perëndisë (ose Fryma e Shenjtë) erdhi personalisht tek njerëzit prej Atit nëpërmjet Jisu Krishtit, Fjalës së mishëruar të Perëndisë. Ai erdhi tek ata që besuan në Krishtin dhe i përkasin Atij nëpërmjet besimit dhe pendimit dhe pagëzimit në Kishën e Tij. Ai është Shpirti që zbriti mbi nxënësit në Rushajet, që është, gjithashtu, po Ai me anë të fuqisë së të cilit bota u krijua dhe ekziston vazhdimisht. Ai është Shpirti që u fry tek njerëzit nga Perëndia për t’i bërë ata të jetojnë sipas ngjashmërisë së Tij hyjnore. Ai është Shpirti që frymëzoi Ligjin dhe profetët dhe të gjithë Shkrimin e Shenjtë, duke siguruar prodhimin dhe ruajtjen e tij, si edhe interpretimin e tij në jetën e besimtarëve. Ai është i njëjti Shpirt i Shenjtë që banon në Kishë, duke e bërë të mundur plotësine e jetës së saj misterore dhe shpirtërore. Ai është Shpirti i Perëndisë i Cili, me anë të pranisë së Tij tek njerëzit në botë, është zotimi dhe premtimi i Mbretërisë së Perëndisë që do të vijë. Ai është Shpirti i Shenjtë i Perëndisë i Cili do të mbushë një ditë, në Ditën e Zotit, të gjithë krijimin me praninë e Perëndisë.
Kështu, i gjithë krijimi, shpëtimi dhe lavdërimi i botës, e gjitha ajo që ne e quajmë “historia e shpëtimit,” varet në Perëndinë dhe Fjalën e Tij dhe Shpirtin e Tij, Trinia e Tërëshenjtë, e Cila në Kishë dhe në Mbretërinë, “i mbush të gjitha në të gjithë” (Efesianët 1:23; Shih Vëllimi I Doktrina dhe Vëllimi II Adhurimi).