UNGJILLI – Llukai 15:11-32.
Përsëri tha: Një njeri kishte dy bij. Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon. Edhe ai ua ndau pasurinë. Edhe pas pak ditësh më i vogli i mblodhi të gjitha, e mërgoi në një vend të largët; edhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë në shthurje. Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, edhe ai filloi të mos kishte. Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi, dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra. Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte. Edhe si erdhi në vete, tha: Sa mëditësve të tim eti u tepron bukë, ndërsa unë po humbas nga uria! Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu. Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa edhe pati dhembshuri, edhe u sul dhe iu hodh në qafë atij, edhe e puthi fort.
Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni stolinë e parë dhe vishjani, edhe i vini unazë në dorën e tij dhe sandale në këmbët. Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të dëfrehemi. Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të dëfreheshin. Edhe djali më i madh ishte në arë; edhe si erdhi afër shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto. Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, edhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse i erdhi shëndoshë. Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra, doli e i lutej.
Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, edhe kurrë nuk e shpërfilla urdhërin tënd; edhe kurrë nuk më dhe një kec, që të dëfrej bashkë me miqtë e mi. Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer.
Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, edhe gjithë të miat janë të tuat. Dhe duhej të dëfreheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet.