Misteret
Misteret quhen zyrtarisht në Kishën Orthodhokse “Misteret e Shenjta”. Zakonisht numërohen shtatë mistere: Pagëzimi, Mirosja, Kungata e shenjtë, Pendimi (Rrëfimi), Martesa, Priftëria dhe Vajimi i shenjtë (Efqelia). Praktika e numërimit të mistereve u adoptua në Kishën Orthodhokse nga Romano-Katolikët. Kjo nuk është një praktikë e vjetër e Kishës dhe në shumë drejtime mund të lindë keqkuptime, sepse të lë përshtypjen sikur janë vetëm shtatë rite të veçanta, të cilët janë “mistere” dhe sikur aspektet e tjera të jetës së Kishës janë esencialisht të ndryshme nga këto veprime të veçanta. Praktika më e vjetër dhe tradicionale e Kishës Orthodhokse është të konsiderojë çdo gjë që është brenda Kishës dhe çdo gjë që është e Kishës si mistike dhe misterore (sakramentale).
Kisha mund të përcaktohet si jeta e re në Krishtin. Kjo është jeta e njeriut, e jetuar me anë të Shpirtit të Shenjtë, në bashkim me Perëndinë. Të gjitha aspektet e jetës së re në Kishë marrin pjesë në misterin e shpëtimit. Në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë çdo gjë që është mëkatare dhe e vdekur, bëhet e shenjtë dhe e gjallë nga fuqia e Perëndisë Atë. Dhe kështu, në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, çdo gjë në Kishë bëhet një mister, një element i misterit të Mbretërisë së Perëndisë, ashtu si ai tashmë është përjetuar në jetën e kësaj bote. Duke e parë Kishën si një jetë të re dhe të amëshuar të Mbretërisë së Perëndisë, dhënë njeriut nga Perëndia, me anë të Jisu Krishtit, në Shpirtin e Shenjtë, ne, para së gjithash, kuptojmë se për të patur jetë duhet të kemi lindje. Lindja në jetën e amëshuar të Perëndisë është Misteri i Pagëzimit. Por, lindja nuk është e mjaftueshme për të jetuar; duhet pasur edhe mundësia e vazhdimit të jetës: fuqia, energjia dhe forca e saj. Prandaj, Misteri i Mirosjes është dhurata e fuqisë për të jetuar në jetën e Krishtit, e cila ka lindur tek njeriu nga pagëzimi. Kjo është dhurata e “Shpirtit të tërëshenjtë, të mirë e jetëbërës” tek njeriu.
Edhe jeta, gjithashtu duhet të mbahet. Normalisht kjo bëhet me anë të ushqimit. Ushqimi na mban ne gjallë. Njeriu mbahet në ekzistencë nëpërmjet kungimit me krijimin. Por, ushqimi nuk na mban ne në jetë përjetësisht. Kungimi ynë natyral me botën është një Kungim te vdekja. Ne kemi nevojë për një ushqim të veçantë, që të na japë jetën e amëshuar. Ky ushqim është “darka mistike e Birit të Perëndisë”, trupi dhe gjaku i Krishtit, misteri i Kungatës së Shenjtë – Kungimi me Jetën vetë.
Që jeta të bëhet e shenjtë, e mirë dhe e përsosur, duhet të jetë dhe një mister i veçantë rreth Martesës dhe lindjes së fëmijëve. Në këtë botë, kush ka lindur do të vdesë dhe, madje edhe dashuria njerëzore më e përsosur është nën dënimin: “…derisa vdekja do ju ndajë.” Misteri i Martesës së krishterë, i transformon dashuritë njerëzore, fëmijë-lindjet dhe familjet, në realitete të kuptimit dhe përmasave të përjetshme. Në Martesë ata bekohen prej Perëndisë për një dashuri dhe miqësi pa mbarim. Ata bekohen që fruti i dashurisë së tyre, lindja e fëmijëve dhe jeta e familjeve të tyre, të mos jetë “në vdekje”, por në jetën e amëshuar.
Deri në ardhjen përfundimtare të Mbretërisë së Perëndisë, jeta jonë është është nën sulmin e armiqve të saj demoniakë: mëkati, sëmundja, vuajtja, hidhërimi dhe vdekja. Misteri i Pendimit është mjekimi për sëmundjet shpirtërore. Ai na lejon të kthehemi përsëri tek Perëndia, të falemi prej Tij dhe të pranohemi përsëri në jetën e Perëndisë, prej së cilës mëkatet tona na ndajnë. Misteri i Vajimit të Shenjtë (Efqelia) është mjekimi për sëmundjet tona fizike, të cilat janë fuqitë e mëkatit mbi trupet tona, bashkimi ynë i paevitueshëm me vuajtjen dhe vdekjen. Vajimi i shenjtë na lejon të shërohemi; na çon jo “në vdekje”, por përsëri në jetën e amëshuar. Ai është inkorporimi i plagëve tona në kryqin jetëbërës të Krishtit.
Së fundi, misteri i cili lejon, që përsosmëria e jetës hyjnore të bëhet e jona, me tërë plotësinë dhe fuqinë e saj në këtë botë, është misteri i vetë Kishës. Në mënyrë të veçantë, brenda Kishës ne kemi misterin e Priftërisë, shërbesën, mësimin dhe kujdesin pastoral. Kleri i Kishës (peshkopët, priftërinjtë dhe dhiakonët) është, që ta shfaqë, ta bëjë të pranishme dhe të fuqishme në Kishë, jetën hyjnore të Mbretërisë së Perëndisë tek të gjithë njerëzit, gjatë kohës që ata jetojnë në këtë botë. Kështu, prej lindjes në vdekje, në kohë të mira e të këqia, në çdo aspekt të ekzistencës të kësaj bote, jeta reale – jeta siç Perëndia e ka krijuar, shpëtuar dhe shenjtëruar – na është dhënë neve në Kishë. Ky është qëllimi i ardhjes së Krishtit në botë: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Joani 10:10).
Kisha, si dhurata e jetës së amëshuar, prej vetë natyrës së saj në plotësinë dhe tërësinë e saj, është një realitet mistik dhe misteror. Ajo është jeta e Mbretërisë së Perëndisë e dhënë tashmë tek ata që besojnë. Dhe prandaj, çdo gjë që ne bëjmë – lutjet tona, bekimet, veprat e mira, mendimet, veprimet – çdo gjë merr pjesë në jetën që s’ka mbarim. Në këtë kuptim, çdo gjë që është në Kishë dhe e Kishës është një mister i Mbretërisë së Perëndisë.