APOSTULLI – 2 Timotheut 2:11-19.
E besueshme është kjo fjalë; sepse në vdiqëm bashkë me Krishtin, kemi edhe për të jetuar bashkë me të; në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me të; në e mohofshim, edhe ai do të na mohojë; në dalshim të pabesë, ai mbetet besnik; nuk mund të mohojë veten e tij.
Këto kujtojua, duke i porositur ata përpara Zotit, të mos hahen me fjalë, se s’ka asnjë dobi, veçse për shkatërrim të atyre që dëgjojnë. Kujdesu ta nxjerrësh veten tënde të provuar përpara Perëndisë, punëtor faqebardhë dhe shpjegues të drejtë të fjalës të së vërtetës.
Edhe largohu nga fjalët e kota përdhosëse, sepse shtojnë më shumë pabesi; edhe fjala e tyre do të brejë si gangrenë; nga këta është Himenei dhe Filiti, të cilët dolën jashtë udhës së të vërtetës, duke thënë se tashmë ngjallja u bë; edhe përmbysin besimin e disave.
Por themeli i Perëndisë qëndron i fortë dhe ka këtë vulë: Zoti njeh ata që janë të tijtë; edhe: Le të largohet nga padrejtësia kushdo që zë në gojë emrin e Krishtit.