Urime nga zemra për Kryepiskopin
në të kremten e Shën Anastas Persianit.

Më 22 janar kremtojmë shën Anastas Persianin, i cili iu përkushtua Orthodhoksisë në një vend të huaj dhe martirizua. Në këtë ditë feston emrin edhe Kryepiskopi ynë, Anastasi.

Sot, më 22 janar 2021, në këtë të kremte të shënuar për gjithë besimtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Liturgjia Hyjnore u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Me Kryepiskopin Anastas bashkëmeshuan Mitropoliti i Fierit dhe Apollonisë Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili; Episkopi i Bylisit, Asti, dhe klerikë të Kryepiskopatës.

Omelinë e së kremtes, për jetën e shën Anastas Persianit e mbajti Arkimandrit Anastasi.

Çast mjaft i veçantë ishte dhënia e gradës “Ikonom Stavrofor” atë Viktor Bërdufit, që u shoqërua me thirrjet “I denjë!”

Në fund të Liturgjisë, në emër të Sinodit dhe të besimtarëve, Kryepiskopin e uroi Hirësi Nikolla, i cili theksoi se pas gjithë arritjeve të Kishës sonë është urtësia, sakrifica dhe mundimet e Kryepiskopit Anastas. “Me mirënjohje dhe falënderime i urojmë të gjithë vite të shumta, të bekuara dhe me shëndet. Perëndia i dhëntë vite të shumta në udhëheqje të Kishës sonë. Për shumë vjet, o Kryezot!”, uroi ai.

Pastaj, duke falënderuar, Kryepiskopi Anastas tha: “Eshte traditë të themi “Për shumë vjet!”, por më e rëndësishme është që këto vite të jenë të mbushura me praninë e Krishtit…. Ju falënderoj të gjithë, sepse gjatë këtyre 30 viteve, të cilat ishin jo të lehta, ndieja se gjithmonë më mbështesnin dashuria dhe respekti juaj, dëshira për të bashkëpunuar. Le të ecim, pra, sipas porosisë së Apostull Pavlit, i cili edhe sot na thotë që të vuajmë për shkak të Ungjillit, por na kujton gjithashtu, se Perëndia nuk na dha frymë frike, por frymë fuqie, dashurie dhe urtësie”.

Rregullat e imponuara nga situata e Pandemisë u zbatuan nga besimtarët e pranishëm, të cilën shprehën keqardhje që nuk u organizua pritja e përvitshme, për të uruar nga afër Kryebariun e tyre.

Festimi i Shen Anastas Persianit 2021