– Oshënar Silvestri i Romës –

 

Ati ynë i lumur Silvestri vinte nga një familje e devotshme e Romës dhe që fëmijë tregoi zell të zjarrtë për mbrojtjen dhe përhapjen e besimit. Gjatë persekutimit, praktikoi me kurajë mikpritjen për rrëfyesit e besës, që ishin dëbuar nga autoritetet, në veçanti martirin e shenjtë Timoteu i Antiokisë, të cilin e varrosi fshehurazi, pasi e ekzekutuan. E kapën, pastaj u lirua mrekullisht dhe u hirotonis prift nga papa shën Miltiadhi dhe, pas vdekjes së këtij të fundit (314), u detyrua të pranonte të kryente funksionin e tij nga besimtarët, të cilët e çmonin për virtytet dhe dashurinë. Silvestri u bë imitues i denjë i apostull Pavlit me anë të kujdesit baritor për grigjën e tij shpirtërore dhe me anë të zellit për dogmat e shenjta. Ai organizoi me kujdes shërbimin për të varfrit, rregulloi zakonet e Kishës, në mënyrë që t’i diferenconte nga ato të paganëve dhe shkëlqeu me shumë mrekulli.

Kur Konstandini i Madh, me fuqinë e Kryqit të çmuar, mposhti Maksentin, hyri në Romë dhe nxori shumë dekrete në favor të Krishterimit; shën Silvestri mundi të dilte nga veprimtaria e tij e fshehtë dhe nisi të mësonte turmat për misteret e besës. Të shumtë ishin ata që u pagëzuan. Sa për perandorin, ai u katekizua nga shenjti dhe preferoi të pagëzohej në Jordan, në vendin ku u pagëzua Shpëtimtari. Me këshillat e shën Silvestrit, Konstandini ndërtoi në Romë shtatë bazilika të mëdha, për të celebruar denjësisht dhe pa pengesa të kremtet e Zotit dhe të martirëve të shenjtë.

Vetëm djalli, armiku i gjinisë njerëzore, kërcëllinte dhëmbët dhe mendonte për hakmarrje. I sugjeroi nënës së perandorit, shën Elenës, e cila atëherë ishte ende pasuese e judaizmit, të organizonte ballafaqim të madh publik të 12 skribëve më të ditur, drejtuar nga njëfarë Zambre, i cili qe magjistar, dhe 12 episkopëve të krishterë, nën drejtimin e Silvestrit. Gjithë kundërshtimeve të judenjve, i lumuri u rezistoi, në mënyrë të padiskutueshme, nëpërmjet fjalëve të profetëve, se tërë ngjarjet e Dhiatës së Vjetër dhe tërë premtimet e Perëndisë e gjejnë plotësinë e realizimit të tyre në Personin e Krishtit Shpëtimtar.

Pasi u tregoi se pohimi i tre Personave: Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë, nuk kundërshton, por përforcon më shumë unitetin e një Perëndie në natyrën e Tij, ai iu përgjigj pyetjeve rreth Mishërimit me ndihmën e shembujve. Duke marrë në dorë një mantel të purpurt të perandorit, tha: “Ashtu si ndodh që ky stof pritet dhe punohet, ngjyroset me të purpurt, pritet e qepet që të shërbejë si stoli dhe emblemë e dinjitetit perandorak, ndërkohë që perandori nuk pëson asgjë, kështu duhej që dhe mishi i Krishtit, që u mbajt prej Tij, t’i nënshtrohej sprovës, por pa pësuar gjë Hyjnia e Tij, me qëllim që njeriu i tërë, shpirt e trup, të bëhet stoli e denjë e Lavdisë së Perëndisë.”

Një kundërshtimi tjetër për vdekjen e Krishtit, ai iu përgjigj: “Sepse njeriu ishte bërë i burgosur i vdekjes nga shkelja, dhe Perëndia nuk dërgoi ndonjë engjëll, por vetë Birin e Tij, për t’ia lënë si peng vdekjes. Por, kur u zbulua se ky peng ishte i paprishshëm, pasi ishte vetë Perëndia i mishëruar, ajo (vdekja) nuk e mbajti bashkë me Të dhe mbarë natyrën njerëzore, e bindur për pafuqinë e vet. Kështu me Krishtin njeri, njeriu i rënë jo vetëm që u çlirua nga vdekja, por fitoi qiellin dhe banimin me Perëndinë”. Atëherë skribët judenj mbetën pa fjalë para këtyre argumenteve.

Por, duke dashur të tregonte me gjithë këto fuqinë e Perëndisë së tij, Zambreja tha diçka magjike në veshin e një demi të egër, i cili ra i vdekur me një goditje dhe e detyroi Silvestrin të shtonte: “Perëndia im nuk jep vdekje, por jetën dhe ngjalljen” dhe, duke ngritur duart drejt qiellit, e ngjalli kafshën dhe e zbuti. Perandori dhe turma përgëzuan shenjtin, duke britur, dhe shumë prej tyre vendosën të pagëzoheshin. Shën Silvestri vazhdoi të punonte për lavdinë e Kishës dhe për mbrojtjen e dogmave të shenjta. Fjeti në paqe më 31 dhjetor 335.

 

* * * * *

– Oshënar Serafimi në Sarov –

 

Ky dëshmitar i madh i dritës së Shpirtit të Shenjtë u ngrit si yll i ri në tokën ruse, më 19 korrik 1759, në kohën kur fryma e ashtuquajtur “Drita” po pushtonte Evropën dhe Rusinë, duke përgatitur kohët e errëta të ateizmit dhe të persekutimit. Ishte nga Kursku, bir tregtarësh të devotshëm dhe u rrit me përkushtim e dashuri për Kishën dhe që i ri pati pëlqimin e Hyjlindëses nëpërmjet një shërimi të mrekullueshëm. Në moshën 17-vjeçare braktisi botën, pasi mori dhe bekimin e së ëmës, dhe hyri në manastirin e Sarovit, ku shumë shpejt u bë model i bindjes dhe i virtyteve engjëllore.

Me gëzim e me gatishmëri kryente të gjitha punët e mundimshme në shërbim të vëllezërve, kreshmonte për të mposhtur vrullet e mishit dhe ruante natë e ditë mendjen në kujtimin e Perëndisë nëpërmjet Lutjes së Jisuit. Pas disa kohësh, u sëmur rëndë dhe, me gjithë dhimbjen që kishte, refuzonte ndihmën e mjekëve, duke kërkuar ilaçin e vetëm që u përket atyre që kanë braktisur gjithçka për Perëndinë: Kungimin e Shenjtë. Kur i sollën Kungatën, iu shfaq e Tërëshenjta, e rrethuar me dritë dhe e shoqëruar nga apostujt e shenjtë Petro dhe Joan Theologu, dhe u tha atyre, duke treguar rishtarin e ri: “Ky është nga tanët!”. Pak kohë më pas, ai u shërua plotësisht dhe ndërtoi një strehë për të sëmurët në vendin ku pati këtë shfaqje.

Pas 8 vjetësh si rishtar, u qeth murg me emrin Serafim (i zjarrtë), emër që e nxiti edhe më tepër zellin e tij për të imituar këta shërbëtorë të patrup të Perëndisë dhe të zjarrtë nga dashuria. U dorëzua dhjak dhe kalonte net të tëra në lutje para se të celebronte Liturgjinë Hyjnore; dhe, duke përparuar pa pushim në virtytet e shenjta, Zoti i dha si shpërblesë vizione të shumta, gjendje ekstaze dhe ngushëllime shpirtërore. I drejtuar me kujdes nga jerondët e tij, nuk binte në lavdi të kotë nga këto dhurata hyjnore; përkundrazi, e nxitnin të thellohej në përulësi dhe qortimin e vetes dhe të kërkonte më shumë vetmi.

Pak kohë pas dorëzimit të tij në prift dhe vdekjes së atit shpirtëror, mori leje të tërhiqej në vetmi, thellë në pyll, 6-7 km larg manastirit, ku ngriti një kasolle të vogël druri të rrethuar nga një kopsht, mbi një kodër që e quajti “Mali i Shenjtë” (Athos). Gjithë javën qëndronte atje, ndërsa të dielave dhe ditët e festave kthehej në manastir, duke e kaluar kohën në lutje, lexim dhe punë fizike të pëlqyeshme për Perëndinë. Çdo veprimtari e tij ishte një rast për ta lartësuar mendimin te gjërat e Perëndisë. Shën Serafimi i Sarovit nuk i njihte gjërat e këqija të botës e as ato të mishit, duronte ashpërsinë e dimrit dhe pickimet e insekteve në verë, ndihej i lumtur që merrte pjesë në vuajtjet e Zotit për pastrimin e shpirtit të tij. Mbante vazhdimisht një Ungjill të trashë lidhur mbi kurriz, si “barrën e Krishtit”, dhe shkonte në zona të ndryshme të pyllit, të cilave u kishte dhënë edhe emra të shenjtë: “Betlehem”, “Jordan”, “Thavor”, “Golgotha”, që të lexonte pasazhet korresponduese.

Çdo ditë jetonte në mënyrë intensive jetën dhe Pësimin e Zotit tonë Jisu Krisht. Meditimi i përditshëm i Shkrimit të Shenjtë nuk i jepte vetëm njohjen e së vërtetës, por i siguronte edhe pastërtinë e shpirtit dhe dërrmimin e zemrës, në mënyrë që, gjatë citimeve përmendsh të shërbesave hyjnore dhe gjatë metanive të përditshme, që ishin me mijëra, të mund të lutej pa ndërprerje, mendja e bashkuar me zemrën. Ushqehej fillimisht me bukë që i vinte nga manastiri, pastaj me prodhimet e vetme të kopshtit; por e privonte shpesh veten nga ushqimi për t’ua shpërndarë kafshëve që i vinin afër kasolles, veçanërisht një ariu të madh, që u zbut më shumë se një mace.

Duke parë këtë mënyrë jetese kaq të pëlqyeshme dhe kaq të afërt me atë të të patrupëve, armiku i njerëzve, djalli, i nxitur nga xhelozia, i solli asketit të Krishtit sulmet e tij të zakonshme: mendime krenarie, zhurma, shfaqje të frikshme etj.; por luftëtari trim i largonte këto sulme me lutjen dhe shenjën e kryqit. Meqë lufta e mendimeve bëhej më shtypëse, shenjti vendosi të ndërmerrte një betejë të denjë si stilitët e dikurshëm: kaloi një mijë ditë e një mijë net më këmbë ose në gjunjë mbi një gur, duke përsëritur pa pushim lutjen e tagrambledhësit: “O Perëndi, ki mëshirë për mua që jam mëkatar!” (Lluk. 18.13). Kështu ai u çlirua përfundimisht nga lufta e mendimeve. Por djalli nuk e quante veten të humbur, i dërgoi murgut të varfër tre kusarë, të cilët, ngaqë nuk gjetën asgjë nga ato që donin, si paratë, e goditën me shkopinj dhe me bishtin e sëpatës dhe e lanë gjysmë të vdekur, të mbytur në gjak e me kocka të thyera.

Ndonëse kishte trup të fortë, Serafimi i butë nuk kërkoi mbrojtje dhe mendoi se kjo ishte një pjesëmarrje në vuajtjet e Zotit. Me gjithë gjendjen e tij të vajtueshme, ai u shërua me anën e një mrekullie nga shfaqja e Hyjlindëses, e ngjashme në çdo pikë me pamjen që kishte parë kur ishte rishtar. Deri në fund të jetës mbeti i kërrusur dhe lëvizte me shumë mundim, me ndihmën e një bastuni.

Kjo dobësi i lejoi të ngjitej më lart në shkallën drejt qiellit dhe të ndërmerrte, që nga 1807 deri më 1810, betejën e heshtjes në vetmi. Me t’u shëruar, shkoi prapë në një vend të vetmuar dhe, duke mos mundur të kthehej rregullisht në manastir, nuk foli më me askënd. Sa herë që takonte dikë në pyll, përkulej thellë deri në tokë para tij, pa fjalë, derisa ky të largohej. Kështu mundi të ruante mendjen të përqendruar te Perëndia, pa ndërprerje dhe shpërqendrim. Ndërkohë, fjeti igumeni i manastirit, dhe disa murgj filluan të tregoheshin armiqësorë përkundrejt eremitit të shenjtë, duke e akuzuar se po ndahej nga kungimi i Kishës. Arritën sa i dhanë urdhër të kthehej në manastir. Serafimi u nënshtrua pa kundërshtuar dhe u vendos në një qeli të ngushtë, ku filloi për të një stad i ri i jetës asketike: mbyllja. Në hyrje të qelisë kishte vendosur arkivolin e tij, në të cilin i pëlqente të lutej, dhe në qeli, ku askush nuk hynte, kishte një thes me gurë si shtresë, një kërcu peme si stol dhe një ikonë “Virgjëresha e dhembshurisë”, të cilën e quante “Gëzimi i të gjitha gëzimeve”, para së cilës digjej përherë një kandil.

Jetonte kështu në heshtje të plotë, duke e shtuar ushtrimin, duke lexuar dhe komentuar për veten e tij çdo javë gjithë Dhiatën e Re, duke u lutur pa pushim, me zemër vigjilente, dhe duke pasur vetëm engjëjt dhe shenjtorët si dëshmitarë të ekstazave të tij të shpeshta dhe të ngazëllimit të mendjes në banesat qiellore.

Vetëm pas pesë vjetësh hapi derën, duke lejuar të hynin vetëm ata që kishin dëshirë ta shikonin, po pa ndërprerë heshtjen, edhe për vizitorët më të rëndësishëm. Më 1825 iu zbulua nga Hyjlindësja se kishte arritur ora që të braktiste jetën hezikaste, dhe kështu filluan edhe të tjerët të përfitonin nga frytet e përvojës së tij: murgjit, fillimisht, që i nxiste të ndiqnin rregullat murgërore dhe të kishin zell për veprën e Perëndisë, pastaj laikët, që sa vinin e shtoheshin. Pasi mori pjesë vullnetarisht në Pësimin e Zotit për 47 vjet jetë asketike, duke kaluar një pas një nga gjendjet e kinoviarkut, hezikastit, të stilitit dhe të të mbyllurit, ky plak i kërrusur mbi një bastun, kthehej drejt njerëzve, i mbushur me hirin dhe dritën e Shpirtit të Shenjtë, që të niste detyrën e lartë të atësisë shpirtërore (starçestvo) dhe të bëhej për të gjithë popullin rus një “apostull” i vërtetë, dëshmitar dhe predikues i Ngjalljes. Dera e tij rrinte hapur ditë e natë. I përshëndeste vizitorët e tij me gaz, duke u thënë: “Gëzimi im, Krishti u ngjall!”; madje tregonte gëzim më të veçantë ndaj mëkatarëve që vinin tek ai të penduar, si djali plangprishës (Lluk. 11). Butësia e tij e mbinatyrshme i kthente edhe zemrat më të ashpra, përulësia e tij ulte edhe më krenarët dhe i bënte të derdhnin lot si fëmijë.

Për aristokratët, si dhe për popullin e thjeshtë, qelia e të “varfrit Serafim” i ngjante paradhomës së qiellit. Një bisedë me të ose thjesht një bekim, bëhej një bashkëbisedim i vërtetë me Perëndinë, që mund të ndryshonte rrënjësisht orientimin e jetës. Falë dhuntisë së tij të largpamësisë, kuptonte sekretet e zemrave dhe ua zbulonte të penduarve që nuk guxonin t’i pohonin, u përgjigjej letrave pa pasur nevojë t’i hapte, dhe dinte t’i jepte secilit këshillën e duhur, ngushëllimin, inkurajimin ose qortimin.

Plotësisht i dorëzuar te vullneti i Perëndisë, u thoshte fjalën e parë që Perëndia i zbulonte, dhe kjo binte pikërisht atje ku duhej. Dashuria e Perëndisë brenda tij i ngushëllonte të gjithë, i falte të gjithë, i pranonte të gjithë. Bënte shumë mrekulli shëruese, duke i lyer të sëmurët me vajin e kandilit, i cili digjej në qelinë e tij ose duke u dhënë për të pirë ujë nga burimi, që e quajti “pusi i Serafimit”, larg manastirit, në “shkretëtirën e tij të afërt”, ku i pëlqente të kalonte pasditet e tij. I kërkonin të lutej si për të gjallët, edhe për të vdekurit, aq sa ishte e pamundur t’i kujtonte tërë emrat; për secilin ndizte nga një qiri në qelinë e ngrohtë dhe vazhdimisht të ndriçuar nga qindra flakë, si shpirtra të shumtë e të gjallë.

Perëndia i dha gjithashtu edhe dhuntinë e profecisë, dhe paratha shumë ngjarje që do të ndodhnin si për individë, ashtu dhe për vende, si p.sh. lufta në Krime, zia e bukës dhe sprova e tmerrshme që do të shkatërronte Kishën dhe popullin rus një shekull më vonë; por i fshehu profecitë e fundit me fjalë enigmatike, sa askush nuk i kuptoi vetëm pasi ndodhën ato ngjarje, i kuptuan.

Pronari i pasur, Motovilovi, i cili ishte shëruar me mrekulli nga njeriu i Perëndisë dhe u bë dishepulli i tij i zjarrtë, e pyeti një ditë: “Cili është qëllimi i jetës së krishterë?”. Atë Serafimi iu përgjigj: “Fitimi i Shpirtit të Shenjtë, të cilin e fitojmë me vepra të shenjta që këshillon Kisha, dhe sidomos me anë të lutjes”.

Por duke qenë se bashkëbiseduesi i tij i bënte shumë pyetje për të ditur më me saktësi se çfarë është Hiri i Shpirtit të Shenjtë, stareci e mori befas në krahët e tij, e pa në sy fytyra e tij u bë më e shkëlqyer se e diellit në mesditë dhe i tha me autoritet: “Shikomë, mik i Perëndisë, mos ki frikë. I kërkova Zotit me gjithë zemër të të bëjë të denjë të shikosh me sytë e tu truporë zbritjen e Shpirtit të Shenjtë. Dhe ja! U bëre si unë, i tëri i shndritshëm. Edhe ti u mbushe me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, përndryshe do të ishte e pamundur të më shikoje kështu në këtë dritë. Çfarë ndien?”.

Motovilovi iu përgjigj: “Një qetësi, një paqe të pashprehshme. Zemra më është mbushur me gëzim të pashpjegueshëm”. “Tjetër?” – “Ngrohtësi dhe erë të mirë, sa kurrë s’i kam ndier ndonjëherë”. – “Kjo erë e mirë është aroma e mirë e Shpirtit të Shenjtë, – iu përgjigj shenjti, – dhe kjo ngrohtësi nuk është e jashtme, përderisa jemi në mes të dimrit dhe i gjithë pylli rreth nesh është mbuluar nga dëbora, por ajo është brenda nesh, sipas fjalëve të Zotit që tha: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush (Lluk. 17.21)”.

Ky bashkëbisedim i mrekullueshëm zgjati edhe më shumë dhe në fund shën Serafimi e urdhëroi dishepullin e tij ta shkruante këtë dhe ta përçonte në mbarë botën. Dorëshkrimi i Motovilovit u gjet më vonë, më 1903, në fillim të procesit të kanonizimit të shenjtit. Që atëherë, ai pati një shpërndarje të konsiderueshme. Është mesazhi i fundit i dritës dhe i shpresës që profeti i Sarovit i la Rusisë, përballë vuajtjeve të këtyre kohëve të fundit. Në mësimdhëniet e tij, thoshte shpesh: “Gëzimi im, fito frymën e paqes, dhe atëherë me mijëra shpirtra do të shpëtohen rreth teje”. Kjo paqe e brendshme, që e kishte fituar si çmim të shumë punëve, u përhap përreth tij si gëzim dhe dritë, prandaj dhe shën Serafimi nuk la pas vdekjes së tij një mësimdhënie tepër të zhvilluar, por la një shembull jete.

Atëherë kur ishte ende dhjak, themeluesja e manastirit të Divejevos, disa kilometra larg Sarovit, i kishte besuar atë Serafimit drejtimin shpirtëror të komunitetit të sapoformuar. Gjatë gjithë jetës tregoi kujdes atëror për bijat e tij. Komuniteti u rrit me shpejtësi, me gjithë vështirësitë ekonomike. Shën Serafimi e organizoi sipas një mënyre të rreptë kinovi, me këtë parim: “Në çdo kohë, duart në punë dhe buzët në lutje”. Me urdhër të Hyjlindëses, ai themeloi një manastir të dytë, të quajtur “Mulliri”, me bijat e tij më të shtrenjta, të cilave u dha një rregull jete të përqendruar në lutjen e Jisuit. Për fat të keq, pas vdekjes së starecit, djalli nxiti një murg ziliqar dhe intrigant, i cili u përpoq me çdo mjet të shkatërronte emrin e mirë dhe veprën e shenjtit: ai bëri që të mbyllej “Mulliri” dhe u shkaktoi shumë shqetësime murgeshave.

Një ditë, pak kohë para fjetjes së tij, Serafimi bëri që të vinte një motër nga Divejevo dhe i tha duke e mbuluar me petkun e tij: “Do të na vizitojë e Tërëshenjta”. Erdhi momenti, ai e ngriti dhe dëgjuan një zhurmë të ngjashme me atë të një ere të furishme në pyll, pastaj himnet e kishës; dera u hap vetë dhe qelia u mbush papritur me dritë dhe me erë të këndshme.
Shenjti ra në gjunjë, dhe e Tërëshenjta iu shfaq, e paraprirë nga dy engjëj, shën Joan Pagëzori dhe shën Joan Theologu, dhe e ndjekur nga 12 virgjëresha martire. Murgesha ra përdhé, duke menduar se do të vdiste, ndërsa shën Serafimi qëndroi në këmbë dhe bisedonte butësisht si me një mik me Mbretëreshën e qiellit. Ajo i premtoi se do të kujdesej për motrat në Divejevo dhe, duke u larguar, e Tërëshenjta i tha: “Shumë i dashur, së shpejti do të jesh me ne!”. Kur ata u gjendën vetëm, stareci i rrëfeu murgeshës se kjo ishte shfaqja e dymbëdhjetë hyjnore që Zoti i jepte.

Në moshën 70-vjeçare, mes vuajtjeve të mundimshme nga plagët që kishte, por pa e lënë aspak aktivitetin e tij, shën Serafimi fliste gjithnjë e më shpesh për vdekjen e tij të afërt me gëzim dhe me fytyrë të ndriçuar. Më 1 janar 1833, u kungua, nderoi gjithë ikonat në kishë, duke ndezur para çdonjërës nga një qiri, dhe bekoi të gjithë vëllezërit me këto fjalë: “Punoni për shpëtimin tuaj. Vigjiloni! Kurora janë përgatitur për ju!” Pastaj, pasi vizitoi varrin e tij, u mbyll në qeli dhe ia dha shpirtin Perëndisë po atë natë, i gjunjëzuar, duke psalur himne Pashke. I gjithë populli i atyre anëve u mblodh për varrimin e tij.

Më pas, njeriu i Perëndisë vazhdoi t’i vizitonte dhe t’i ndihmonte fëmijët e tij shpirtërorë me shfaqje të shumta dhe shërime, ndërsa përkushtimi i popullit rus nuk ndalej, me gjithë kundërshtimet. Përfundimisht, kanonizimi i shën Serafimit, më 19 korrik 1903, në prani të familjes perandorake, të shumë episkopëve dhe të një turme prej qindra e mijëra njerëzish, të ardhur nga tërë krahinat e Rusisë, shënoi triumfin e tij. Kjo ishte dëshmi e fundit e unitetit të popullit rus dhe e lavdisë së Kishës para sprovës së madhe. Lipsanet e tij të shenjta, atëherë të nxjerra në procesion mbi turmën, kryen shumë mrekulli.

Më 1926, bolshevikët i konfiskuan dhe gjurmët e tyre humbën. Në mënyrë providenciale u gjetën më 1991, në magazinat e muzeut të ateizmit të Shën Petërburgut. Këto lipsane të shenjta u transferuan solemnisht në manastirin e Divejevos, pas një procesioni triumfal dhe mbresëlënës në qytetet e mëdha të Rusisë. Kjo ngjarje përuroi në njëfarë mënyre rilindjen e jetës fetare në Rusi.