Krishtlindje e gëzuar
me gjithë kushtet e Pandemisë

 

Tërë dritë dhe gëzim u kremtua edhe sivjet Krishtlindja, mesazh shprese mes atmosferës së zymtë të vetmisë që ka krijuar Pandemia. Liturgjitë Hyjnore dhe Shërbesat për Vigjiljen dhe të kremten e Krishtlindjes u kryhen duke zbatuar të gjitha masat e dinstancimit, për t’u mbrojtur nga Covid-19. Besimtarët mbajtën maskat maskat gjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre dhe ruajtën distancën e kërkuar. Gjithashtu, për të ndihmuar në shmangien e çdo grumbullimi u meshohet në të gjitha kishat e kryeqytetit. Masa të ngjashme u morën në të gjitha Mitropolitë. Ndërsa në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, dhe në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, pati dy Liturgji Hyjnore për ditën e Krishtlindjes.

Më të madh gëzimin e të kremtes për besimtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë  e bëri fakti se kishin përsëri mes tyre Fortlumturinë e Tij Anastasin, i cili sapo kaloi me sukses sprovën e Koronavirusit. Të premte në mëngjes, 25 Dhjetor 2020, Kryepiskopi Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore panegjirike në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, Episkopin e Bylisi, Astin dhe klerikë të kryeqytetit. Besimtarët, që nuk mundën të vijnë në kishë, e ndoqën Liturgjinë Hyjnore në transmetimin e plotë dhe të drejtpërdrejtë në TVSH, por edhe në lidhjet e disa televizioneve private.

Mesazhin e Krishtlindjes të Kryepiskopit Anastas, me temë “Prania vendimtare”, e lexoi Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti. Në të theksohej ndër të tjera se: “Këtë vit, Krishtlindjen do ta kremtojmë pa festime sipërfaqësore, pa u mbledhur familjarisht ose me miq të shumtë, por edhe pa pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve në ceremonitë adhuruese… Në këtë të kremte të madhe, ndoshta do të jenë më të pakta shfaqjet sipërfaqësore, si zhurma shurdhuese e tepruar dhe elementet pa lidhje që kanë depërtuar brenda saj, me synim kryesor fitimin dhe lavdinë e kotë, duke e tjetërsuar kuptimin e vërtetë të kësaj të kremteje unike. Do të kremtojmë me thjeshtësi, privim, por edhe me dhimbje për ata që ndërruan jetë të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit dhe dëshpërimit, të torturuar nga vështirësi të shumëllojta.

Me gjithë këtë tjetërsim dhe shkretim që na kërcënon, në të kremten e Krishtlindjes mbizotëron gjithmonë ngjarja unike: Ardhja dhe prania e Birit dhe e Fjalës së Perëndisë. Krishti nuk vjen si vizitor për të na përshëndetur tërë mirësjellje e më pas të largohet pa u ndjerë. Ai vjen të qëndrojë me ne. Ky është kuptimi i fjalës Emanuel, që do të thotë: “Perëndia është me ne”. Nuk vjen si një njeri i pushtetshëm për të na e hequr lirinë, duke na imponuar vullnetin e Tij.  Ai vjen si foshnjë, duke ndarë me ne privimin, të qenit i huaj dhe, me buzëqeshje paqeje e shprese vjen të qëndrojë me ne.”

Më pas, Kryepiskopi Anastas foli për kalimin e sprovës së Covid 19, duke falënderuar besimtarët e shumtë që i uruan shërim të shpejtë dhe u lutën për të. Ai gjithashtu theksoi se duhet të vazhdojmë të kemi kujdes, se ka shumë njerëz që vazhdojnë të vuajë nga kjo Pandemi, por vetminë e krijuar prej saj duhet ta kapërcejmë duke venë Krishtin në qendër të jetës sonë.

 

Krishtlindje 2020