Intervistë e Kryepiskopit Anastas për gazetën “Kathimerini”

 

Kryepiskopi Anastas është njeri i veçantë. Kisha shumë dëshirë që të fliste pas peripecisë së tij me koronavirusin, sepse e dija që mendimet dhe fjalët e tij nuk do të ishin të përgjithshme dhe abstrakte. Çdo gjë tjetër, por jo të tilla. Ai përshkruan ato çka përjetoi brenda “kapsulës” ku e vendosën për ta transportuar nga Tirana për në Athinë.

Kryepiskopi Anastas u drejtohet të gjithë atyre, që edhe sot dyshojnë për ekzistencën e koronavirusit. Ai flet rreth ndryshimeve të mëdha që do të sjellë, duke nisur nga konstatimi se “pandemia i vuri përfund të gjitha sistemet mbrojtëse të të fuqishmëve të dheut”. Nuk shmanget, përkundrazi, pozicionohet me guxim për sa u takon çarjeve që kanë ndodhur midis shkencës dhe Kishës, ndërsa thekson se “polarizimi është një formë arrogance dhe dekadence”.

Një rrëfim i vogël: kur kaloja të njëjtën sprovë, në të njëjtin spital, Anastasi ishte një nga njerëzit e paktë me të cilët arrita të flisja. Ndoshta ngaqë e ndieja nga instinkti se një bisedë e shkurtër me të do të më jepte fuqinë e shpresuar. Ai vetë, në intervistën e tij, e përshkruan saktë ndjenjën që provova unë: “Në izolimin e frikshëm, që është karakteristika kryesore e kësaj sëmundjeje, antidoti është zëri: “Nuk je vetëm. Kurrë nuk ke qenë vetëm, e nuk je vetëm as tani”.

 

– Fortlumturi, kaluat një sprovë, një peripeci me shëndetin, ndjetë frikë?

– Nuk do të thosha pikërisht frikë. Ndjeva shqetësim të paprovuar më parë. Në jetë kam kaluar shumë sëmundje, por kjo ishte një peripeci e rrezikshme në një zonë të panjohur. Sëmundjes i parapriu një lodhje e çuditshme. Analizat fillimisht dolën negative. Në datën 11 nëntor më njoftuan se isha pozitiv ndaj virusit. Faza më e vështirë ishte transportimi. Më treguan për kapsulën dhe udhëtimin e veçantë ajror me C-130, por nuk e kisha imagjinuar kurrë se çfarë do të thoshte kjo. Kur më futën brenda kapsulës, pata përshtypjen se po hyja në arkivol. Çast i vështirë. U luta dhe thashë: “Zbatoni ato që cakton  protokolli në të tilla raste”. Dhe gjeta strehë përsëri në të vërtetat, që më kanë dhënë gjithmonë fuqi në jetë. Në çastin kur po largohesha nga Kryepiskopata, iu përgjigja kështu pyetjeve që më bënë: “Në Shqipëri ekzistojnë shumë rrugë të vështira dhe unë për 29 vjet rresht kam zbritur deri në humnera. Por në çdo rast, zbulojmë një monopat dhe dalim në dritë. Pjesëmarrja e dikujt, qoftë edhe në këtë mënyrë, në dhimbjen e përbashkët, është një përvojë e rëndësishme. Kam simptoma të lehta. Kam një problem të mushkërive, një astmë, nga e cila vuaj për shumë kohësh. Besoj se do t’ia dalim. Pasdite do të jem në spitalin “Evangjelismos” në Athinë. Kemi pasur edhe në kohë të tjera sprova të tilla të vështira, por i kaluam. Mos u mërzisni! Mos u mërzisni! Do të kalojnë! Edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, të Zotit jemi”.

     

– Çfarë ju jepte shpresë gjatë ditëve të vështira në spital?

– Gjatë çasteve të vështira të jetës sime gjej frymëzim në parimet bazë të besimit. Automatikisht më erdhën në mendje vargjet e psalmeve: “Përse je i hidhëruar, o shpirti im, dhe përse tronditesh? Shpreso në Perëndinë se do ta lavdëroj atë”. “Edhe po të eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë të këqijat, sepse ti me mua je”. Në vetminë e frikshme, që është karakteristika kryesore e kësaj sëmundjeje, antidoti ishte zëri: “Nuk je vetëm, nuk ishe vetëm dhe nuk je vetëm as tani”. “Ne e dimë se kaluam nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit”.

     

– Ka shumë nga bashkëqytetarët tanë që vënë në dyshim edhe ekzistencën e koronavirusit. Nëse do të kishit rast të flisnit me ta, çfarë do t’u thoshit?

– Gjithë këta shkencëtarë e specialistë të shquar dhe kryetarë të shumë shteteve, që janë mobilizuar për përballimin e kësaj pandemie, nuk janë naivë dhe të pandërgjegjshëm. Gjithashtu, është shumë shqetësues fakti se deri më sot në Greqi kanë vdekur rreth 3.400 njerëz dhe në mbarë botën rreth 1.690.000. Ata që vënë në dyshim këto të dhëna tronditëse, është e qartë se janë prekur nga një tjetër sëmundje e rëndë, që e përkufizon bukur thënia e vjetër: “Nuk më bind, edhe sikur të më bindësh”.

     

– Flitet dhe shkruhet shpesh se pandemia do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën tonë të jetesës. Çfarë mësimesh duhen nxjerrë nga kjo përvojë tronditëse?

– Që ka për të bërë ndryshime, këtë e quaj të sigurt. Por “përgjithmonë” dhe “si”, nuk jam i sigurt. Pas dy luftërave botërore patëm shumë ndryshime në historinë botërore: aleanca, nisma dhe organizma të rinj botërorë, bashkëpunime mbarënjerëzore. Tani na vjen një mësim i madh nga nuk e prisnim. Nuk ishte një komb, një ideologji, një sistem. Pandemia i mposhti të gjitha sistemet mbrojtëse të të fuqishmëve të dheut. Armiku është një proteinë e padukshme dhe e panjohur, me mutacione të ndryshme dhe agresivitet të çuditshëm, që nuk bën dallime ndaj askujt. Mësimi i madh është se për ta përballuar këtë virus, u kërkua bashkim dhe mobilizim i të gjithë shkencëtarëve dhe i fuqive të tjera, si dhe solidaritet mbarëbotëror. Pra, duhet të rishqyrtohen përparësitë e njerëzimit dhe vlerat që përcaktojnë ecurinë e tij, duke u bazuar mbi drejtësinë dhe respektin ndaj çdo personi njerëzor dhe jo mbi të drejtën e atij që është më i fortë.

     

– Pandemia duket se ka krijuar të çara midis Kishës dhe shkencës.

– Do të ishte gabimi më i madh për Kishën dhe shkencën të lejojnë që nga kjo pandemi të krijohen të çara midis tyre. Dhe që në Dhiatën e Vjetër theksohet qartë: “Ndero mjekun, siç i takon, duke pasur parasysh shërbimet e tij në nevojat e tua, sepse Zoti e bëri atë… Zoti vetë ua dha njerëzve shkencën e mjekësisë, që të lavdërohet me veprat e tij të mrekullueshme” (Urtësia e Sirahut 38:1-5).  Në raste të ndryshme kam theksuar se: “Orthodhoksia e shikon zhvillimin e shkencave pozitive dhe të teknologjisë me lavdërim dhe falënderim për Perëndinë, që i ka dhuruar njeriut mundësinë për të kërkuar të vërtetën, për të zbuluar anë të panjohura të Krijimit. Duhet të theksojmë se Kisha Orthodhokse i është shmangur përpjekjes për t’u bërë kujdestarja e kërkimit shkencor dhe nuk merr pozicion për çdo arritje të re shkencore. Kërkimi i shkencës, me qëllim hulumtimin e të fshehtave të krijesës si dhe kërkimi shpirtëror i Kishës, për t’iu përqasur dhe për të pasur komunikim me Krijuesin, janë dy forma të ndryshme të kërkimit të së vërtetës. Të dyja këto përbëjnë shprehje të lavdërimit për Atë që është e Vërteta”.

     

– Të çara janë krijuar edhe brenda Kishës, me epiqendër rreptësinë e masave që ka vendosur shteti për grumbullimet publike. Madje edhe Kungata Hyjnore është kthyer në objekt debatesh publike midis episkopëve dhe shkencëtarëve dhe midis vetë episkopëve. Cili është mendimi juaj? Si duhet të veprojë një teolog për të gjetur ekuilibrin midis dogmës dhe shëndetit publik?

– I dashur zoti Papahela, më lejoni të theksoj se shërbej si primat i një tjetër Kishe  Orthodhokse Autoqefale dhe nuk më lejohet të hyj në një debat që po zhvillohet nga një Kishë lokale motër. Kisha e Greqisë ka strukturat e saj administrative dhe mendoj se Kisha nuk përbëhet vetëm nga klerikët, por edhe nga anëtarë laikë të fushave të ndryshme të shkencës. Marrëdhëniet e Kishës me Shtetin në Greqi kanë veçantinë e tyre. Në Shqipëri ne përballemi me kushte të tjera dhe as nuk mund të kopjojmë zgjidhje që propozohen në Greqi, dhe as nuk mund të propozojmë si shembull zgjidhjet tona, që na duhet të japim në Shqipëri kur mblidhemi në Sinod. Konkretisht, që në fillim të pandemisë ne komunikuam me kryeministrin dhe autoritetet e vendit. Informuam me anë të enciklikave sinodike besimtarët orthodhoksë (llogariten rreth 20% e popullsisë), duke ngulur këmbë në respektimin dhe zbatimin me korrektësi të të gjitha masave të caktuara nga qeveria. Kishat nuk u mbyllën. Ato janë të hapura për kryerjen e Liturgjisë Hyjnore dhe si vende që shërbejnë për fuqizim shpirtëror e lutje personale. Për zbatimin e rreptë të masave të shëndetit publik, përgjegjësinë e kanë kompetentët e çdo mitropolie. Edhe disa zëra ekstremë iu bindën urdhrit sinodik.

Për një përballim më të gjerë të pandemisë nga ana orthodhokse, në një letër – përgjigje (25.5.2020) drejtuar Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Z. Vartholome, theksuam: “Episkopët e çdo Kishe Autoqefale do të mund të merrnin vendime konkrete, duke pasur parasysh shqetësimet e besimtarëve p.sh. duke krijuar një komision të veçantë me teologë seriozë dhe shkencëtarë të specializuar në këto fusha për të shqyrtuar të dhënat dhe për të parashtruar propozime konkrete. Në vazhdim, Sinodi kompetent i episkopëve, duke mirëkuptuar me dashuri dhe urtësi nevojat e grigjës së tij, do të kishte rastin për të përcaktuar edhe masat nga ana praktike. Parashikimet shkencore dhe paralajmërimet e Organizmave botërorë kompetentë paralajmërojnë se kjo pandemi e paparë pritet të vijë përsëri me anë të valëve dhe mutacioneve të reja. Do të ishte me vend, pra, që Kisha Orthodhokse të dalë në kohën e duhur me nismat e duhura si p.sh.: formimin e një komisioni të veçantë ndërorthodhoks për vlerësimin e kushteve të reja globale dhe në vazhdim të thërrasë Mbledhjen Panorthodhokse për të përcaktuar drejtimet praktike. Besoj, pa lëkundje, se sistemi sinodik përbën traditën orthodhokse shumë të çmuar dhe të pazëvendësueshme dhe duhet të vihet në punë gjatë rrethanave kritike, siç është kjo e tanishmja, që po trondit mbarë botën”.

     

– Në epokën tonë po mbizotëron polarizimi. Politikanë, opinionistë, faktorë kishtarë arrijnë në ekstreme kur shprehen publikisht. Ju shqetëson ky fenomen?

– Nuk mendoj se ekziston polarizim midis dogmës dhe shëndetit publik. Është më tepër çështje e shpjegimit të dogmës dhe e kushteve konkrete në lidhje me këtë problem. Zërat dhe vlerësimet e ndryshme janë të mirëpranuara dhe shpesh të frytshme në një shoqëri të lirë demokratike, por nuk justifikohet fryma negative, përbuzja, demagogjia. Dialogu publik, që të jetë krijues,  kërkon njohuri të thella, përgjegjësi dhe kthjelltësi. Polarizimi është një formë kryelartësie dhe dekadence.

     

– Ka shumë zemëratë dhe dëshpërim në një pjesë të madhe të shoqërisë, që ndien jo vetëm izolimin, por edhe shkatërrimin ekonomik që sjell pandemia. Çfarë do t’u thoshit këtyre njerëzve?

– Zemëratën e kuptoj, por dëshpërimin duhet ta largojmë. Shqetësimin e shkaktuar nga pandemia duhet ta përballojmë me seriozitet, frymë kritike, solidaritet, besim dhe shpresë. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, duke theksuar nevojën për drejtësi shoqërore, për respekt ndaj çdo personi njerëzor dhe për përkujdesje ndaj atyre që vuajnë e që janë të pafuqishëm.

 

– Do ta bëni vaksinën, kur të jetë e disponueshme?

– Sigurisht që po. Gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekëve të mi të zgjedhur.

 

– Një fjalë për njerëzit që ju qëndruan pranë në spital?

– Kur dola nga spitali “Evangjelismos”, lavdërova Perëndinë për kalimin e kësaj sprove serioze dhe shpreha mirënjohjen time për mjekët dhe për infermierët e repartit të terapisë intensive, të drejtuar nga profesoresha Anastasia Kotanidhu. Njëkohësisht, shpreha falënderimet e ngrohta për Patriarkun Ekumenik, Z. Vartholome dhe për vëllezërit e tjerë Primatë, për presidentët, kryeministrat, ministrat, ambasadorët, kryetarët e bashkive, intelektualët, gazetarët. Falënderova me  gjithë zemër miqtë e shumtë, klerikë dhe laikë, të njohur dhe të panjohur, që më mbështetën me lutjet e tyre të përzemërta, me shprehjet fisnike dhe përgjëratat spontane gjatë gjithë kësaj kohe. Dhe sigurisht, nuk harroj, Aleks i dashur, telefonatën tuaj të parë, me të cilën me uruat, duke më transmetuar njëkohësisht edhe përvojën tuaj sa i takon kujdesit të mjekëve në të njëjtin repart të spitalit “Evangjelismos”.

 

– Do të dëshironit të shtonit diçka për Skizmën në lidhje me çështjen e Ukrainës?

– Një nga hidhërimet e mëdha të kohëve së fundit është se uniteti orthodhoks është plasaritur dhe po zgjat shumë një pritje e turbullt. Nismat në Ukrainë, pasi kanë kaluar dy vjet, është e qartë se nuk kanë sjellë rezultatin shërues të dëshiruar. Nuk arritën të sjellin as paqen dhe as unitetin për milionat e orthodhoksëve të Ukrainës. Përkundrazi, dyshimi dhe ndasia u përhap edhe në Kisha të tjera Orthodhokse. Siç janë punët, është urgjente të bëhet diçka që të sjellë rezultat. Koha që kalon e përkeqëson plagën. Rreziku jashtëzakonisht i madh për Orthodhoksinë është i qartë: një ndarje me baza etno-racore (në grekë, sllavë dhe në ata që duan të kenë marrëdhënie harmonike me të gjithë), gjë që e zhvlerëson karakterin multikulturor të Orthodhoksisë dhe ekumenicitetin e saj. Ky është rreziku më i madh jo vetëm për Orthodhoksinë, por edhe për mbarë Krishterimin dhe të gjithë ne duhet ta shmangim këtë me çdo kusht dhe sakrificë.

Përvoja nga përballimi i koronavirusit thekson se pavarësisht nga shfaqja dhe përhapja e tij, çështja urgjente është përballimi në kohë dhe shërimi përfundimtar i sëmundjes. Besoj se vaksina shpirtërore në rastin konkret është “pajtimi” sipas kuptimit biblik. Pohoj se më pushton dhimbja kur nuk mund të bie në një mendje me vëllezër të dashur dhe të respektuar, por e kam të pamundur të anashkaloj fakte tejet të dukshme dhe parime orthodhokse bazike.

Nisma për përcaktimin e mënyrës së shërimit të realitetit të ri, padyshim që i takon Patriarkanës Ekumenike, por edhe të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale, sipas masës së përgjegjësisë që na takon, duhet të kontribuojmë në pajtim, në kapërcimin e skizmës. Kam bindjen e palëkundur se me pajtimin do të paqtohen edhe miliona besimtarë. Njëkohësisht, Orthodhoksia do të vërtetojë edhe një herë tjetër aftësinë e saj shpirtërore për të zbutur plagët, me udhërrëfyes Fjalën e Perëndisë dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë, duke theksuar të vërtetën se është Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e cila ka Krye Krishtin, Birin e Perëndisë që u mishërua, “për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit u bënë të gjitha” (Hebr. 2:10), “… që na dha ne shërbesën e pajtimit (2 Kor. 5:18).

 

Intervistoi gazetari Aleksis Papahelas

     20 dhjetor 2020