APOSTULLI – 2 Thesalonikasve 1:1-10.

Pavli dhe Siluani e Timotheu, kishës së Selanikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, edhe në Zotin Jisu Krisht; hir në ju edhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.

Kemi detyrë të falënderojmë përherë Perëndinë për ju, o vëllezër, siç i ka hie, sepse po shtohet fort besimi juaj, edhe dashuria e kujtdo prej jush për njëri-tjetrin po tepron; aq sa ne vetë mburremi për ju në kishat e Perëndisë, për durimin tuaj dhe për besimin në gjithë përndjekjet tuaja e në shtrëngimet që hiqni; tregues ky i gjyqit të drejtë të Perëndisë, që të bëheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe vuani. Sepse është e drejtë përpara Perëndisë t’u shpaguaj shtrëngim atyre që ju shtrëngojnë.

Por ju që shtrëngoheni, do të keni prehje bashkë me ne, kur të zbulohet Zoti Jisu Krisht prej qielli bashkë me engjëjt e fuqisë së tij, në flakë zjarri, duke u dhënë shpagim atyre që nuk njohën Perëndi, edhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jisu Krisht; të cilët do të mundohen me shkatërrim të përjetshëm nga faqja e Zotit, edhe nga lavdia e fuqisë së tij, në atë ditë, kur të vijë të lavdërohet ndër shenjtorët e tij, edhe të jetë i mrekullueshëm ndër të gjithë ata që besojnë, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.