Oshënar Joan Përdëllimtari

Shën Joani ishte filiz i një familjeje të shkëlqyer të Amathundës në Qipro. Nga presioni i prindërve, u martua dhe pati shumë fëmijë, të cilët, nga vullneti i Perëndisë, i vdiqën të vegjël, sikurse dhe e shoqja. Duke parë në këtë privim të dhimbshëm rastin për t’u çliruar nga përkujdesjet e botës, iu përkushtua plotësisht Perëndisë.

Më 610, u dorëzua patriark i Kishës së Aleksandrisë, me emrin Joani V. Të njëjtën ditë, ai mblodhi klerin dhe personelin e mitropolisë së pasur të Egjiptit dhe i dërgoi të bënin regjistrimin ekzakt të atyre që i quante mësuesit e tij: d.m.th. të varfrit dhe lypësit, që Perëndia na i vuri pranë, që ne të fitojmë Mbretërinë e Qiejve duke u dhënë lëmoshë. Pasi gjetën më shumë se 7500, dha urdhër që çdo ditë t’u jepnin ushqim dhe veshjet e nevojshme. Shpesh i thoshte Perëndisë në lutje: “Do ta shohim mirë, o Zot, se cili nga ne të dy do të dalë fitimtar në këtë betejë: ose Ti duke më bërë gjithmonë mirë ose unë duke mos pushuar së dhëni te të varfrit. Sepse e di se gjithçka vjen nga përdëllimi Yt dhe se ajo ma mban jetën”.

Në fakt, përdëllimi i shenjtit ndaj të varfërve ishte i pashtershëm; lëmoshat e tij ishin të bollshme si ujërat e Nilit, që mbulojnë vazhdimisht tokat e Egjiptit për t’i bërë pjellore. Prandaj mori emërtimin Përdëllimtar, sipas ikonës së Krishtit, mësuesit të tij, i Cili është burim i çdo mëshire. Nuk mund të shikonte një të varfër apo një të pikëlluar t’i afrohej dhe të mos qante, apo të mos merrte mbi vete plagën e tij. Jepte pa llogaritur, duke marrë nga thesari i Kishës, sikundër mëson edhe Krishti (Lluk. 6.35), jepte pa bërë dallime mes të mirëve dhe të këqijve, të denjëve dhe të padenjëve.

Një ditë, një i varfër që kishte marrë lëmoshë prej tij, i doli tri herë përpara shenjtit, duke iu shfaqur me pamje të ndryshme. Edhe pse Joani e dallonte, urdhëronte t’i jepnin dyfishin, duke thënë: “Mos ndoshta është Jisui, Shpëtimtari im, që vjen për të më provuar?”. Sa më shumë jepte lëmoshë, pa llogaritur sasinë apo se ç’do sillte e nesërmja, aq më tepër Perëndia ia shumëfishonte dhurimet që i bënin Kishës; dhe populli ishte i siguruar në premtimin e Shpëtimtarit: “Mos u shqetësoni për jetën tuaj, çfarë do të hani, çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni… Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe gjithçka do t’ju jepet” (Matth. 6). Një nga klerikët e ngarkuar për lëmoshat i kishte dhënë një të varfri një të tretën e shumës që shenjti i kishte caktuar, duke gjykuar se ishte e palogjikshme të boshatisej thesari për një të vetëm. Por u turpërua nga Joani, kur ky i zbuloi se një grua e pasur, e cila kishte premtuar se do t’i bënte një dhurim të konsiderueshëm Kishës, përfundimisht kishte dhënë një të tretën e shumës së parashikuar.

Më 614, kur persët pushtuan provincën e Sirisë dhe morën me gjak qytetin e Jerusalemit, një numër i madh refugjatësh vërshoi drejt Aleksandrisë. Shën Joani i pranoi si vëllezërit e tij, i ngushëlloi, u ngriti spitale dhe fjetore dhe përdori tërë burimet e Kishës për t’i ushqyer dhe për t’u dhënë para. Ndërkohë, dërgoi në Palestinë anije të ngarkuara me drithëra e ushqime, si dhe punëtorë për të ndërtuar kishat e shkatërruara. Vetë ai vizitonte të sëmurët dhe nevojtarët dhe u dëftonte në personin e tij një reflektim të pranisë së Krishtit.

Kur donin ta falënderonin për mirëbërjet, e ndërpriste papritur bashkëfolësin dhe i thoshte: “Hesht, vëlla, sepse gjakun tim ende nuk e kam dhënë për ty, ashtu siç e kërkon Zoti!”. Çdo të mërkurë dhe të shtunë, rrinte në derën e kishës dhe priste që t’i vinin njerëz, të cilët i ndihmonte të ndërprisnin grindjet dhe të pajtoheshin me armiqtë. Kurrë s’tha fjalë të kotë dhe kurrë s’dënoi ndonjë edhe para rasteve më të dukshme të mëkatit. Shikonte vetëm të mirën dhe qëllimet e mira, supozonte se mëkatarët ishin penduar fshehtazi dhe ruhej se mos binte në gjykim, i cili i përket vetëm Perëndisë. E falënderonin ata që shpifnin për të ose e fyenin, ngaqë u kujtonte mëkatet dhe u jepte lëmoshat më të mëdha se të tjerët.

Për të korrigjuar mëkatarët, krenarët ose zemërgurët, patriarku i shenjtë u drejtohej gjithmonë duke u rrëfyer mëkatet që do të kryenin dhe duke u kujtuar të luteshin që të pendoheshin. Ai i nxiste me durim besimtarët për përulësi dhe pendim, duke u kujtuar mrekullitë që Perëndia ka bërë për ne duke krijuar botën, duke dërguar Birin e tij për të na shpëtuar dhe duke bërë durim për fajet tona të panumërta. Më shumë se me fjalë, i pëlqente të transmetonte mësimin e Shkrimit të Shenjtë me veprat e tij, si profetët.

Një të diel, tek po celebronte Liturgjinë Hyjnore në katedrale, i rrethuar nga kleri dhe gjithë populli, patriarku u ndal befas para se të thoshte fjalët e shenjtërimit, i kërkoi dhjakut të përsëriste litanitë dhe dërgoi të kërkonin një nga klerikët e Kishës së tij, i cili ishte zemëruar dhe s’ishte i pranishëm në kishë. Kur ky mbërriti, episkopi u përkul para tij me lot dhe i kërkoi të falur. E vazhdoi meshimin vetëm pasi u pajtua me të, e përqafoi dhe prifti u fut në shenjtërore, duke përmbushur porosinë e Zotit (Matth. 5.23).

Ndonëse kishte qenë i martuar, shën Joani i donte murgjit dhe ua kalonte në ashpërsinë e jetës. Kishte mbledhur pranë katedrales dy vëllazëri murgërore dhe mori përsipër mbarëvajtjen e tyre. Si shkëmbim u kishte kërkuar të luteshin për të dhe për Kishën gjatë shërbesave që kryenin, të luteshin në qeli për shpëtimin e tyre dhe për tërë pjesën tjetër të botës. Banonte në një pallat të pasur, por nuk zotëronte asgjë. Qelia e tij s’kishte asnjë komoditet; prandaj dhe një pasanik i qytetit i dhuroi një ditë një mbulesë luksoze.

Një natë më pas, shenjti s’gjente prehje dhe e dënoi veten duke menduar se ka shumë të varfër që vuajnë nga të ftohtët dhe uria para derës së tij, ndërsa ai mbështillet me një luks të tillë. Të nesërmen e shiti dhe të hollat i shpërndau. Megjithatë, mirëbërësi e gjeti dhuratën në vitrinën e tregut, e ribleu dhe e detyroi Joanin ta pranonte. Por ky e shiti prapë për të bërë lëmoshë. Meqë as njëri, as tjetri nuk tërhiqeshin, objekti qarkulloi shumë herë në duart e tyre dhe kështu Joani e detyronte në mënyrë të tërthortë këtë pasanik të shpërndante një pasuri të madhe te të vobektët.

Dashuria dhe përulësia e tij ekstreme nuk e pengonin të ishte i prerë me heretikët monofizitë. I donte dhe i ndihmonte, por ishte strikt dhe i dënonte në gabimet e tyre dhe nuk i lejonte orthodhoksët të merrnin pjesë në adhurim dhe në lutje me ta.

Kur uria dhe epidemitë bënë kërdinë në qytet, shenjti ishte i pari që u ndodh pranë të sëmurëve dhe varrosi të vdekurit. I nxiti besimtarët të luteshin vazhdimisht për të fjeturit dhe merrte shkak nga këto fatkeqësi për t’u kujtuar brishtësinë e jetës sonë dhe urgjencën për pendim.

Disa vite më vonë, pas marrjes së Jerusalemit, edhe Aleksandria u kërcënua nga persët. Prandaj dhe me kërkesën e guvernatorit të Egjiptit, Nikitës, Joani u kthye në Qipro, ku dhe fjeti në moshën 64-vjeçare (më 619), duke lavdëruar Perëndinë që nuk i la asgjë nga gjithë ato pasuri të mëdha, të cilat i kishte përdorur në dobi të të varfërve.

Pak para fjetjes së tij, pa t’i shfaqej e njëjta virgjëreshë e fisshme, e cila i ishte shfaqur kur ishte 15 vjeç dhe i kishte thënë se ishte Mëshira si person, që e shtyu Krishtin të mishërohej për shpëtimin tonë; dhe i kishte premtuar se do t’i hapte Mbretërinë e Qiejve. Disa kohë pas fjetjes së tij, një vaj erëmirë (miro) rrodhi nga trupi i hierarkut të shenjtë për ngazëllimin dhe ngushëllimin e besimtarëve.