Kishës sonë i kthehet pronësia mbi tokën e Kishës së Shën Prokopit.

 

Shumë pak vjet pasi kishte mbaruar së ndërtuari, në fillim të viteve ‘60, Kisha e Shën Prokopit në Tiranë u shkatërrua nga regjimi komunist, i cili tjetërsoi edhe pronësinë e saj. Ajo u prish pjesërisht dhe u përshtat në lokal, deri në fillim të viteve ’90. Me këmbënguljen e Komuntetit Orthodhoks, ajo u kthye si godinë dhe ka shërbyer deri më sot e përshtatur si kishë.

Prej vitesh është diskutuar për rindërtimin e saj, që ka qenë një synim i përhershëm i Kryepiskopit Anastas, por pengonte mungesa e pronësisë mbi truallin e saj.

Tashmë, besimtarët morën e lajmin e gëzueshëm të kthimit të truallit, me vendim unanim të Këshillit Bashkiak. Më parë trualli i ishte kaluar nga Qeveria në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Kryetari i Bashkisë, Z. Erion Veliaj, vizitoi Selinë e Sinodit të Shenjtë dhe i dorëzoi Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërsë, Anastasit, dokumentin që i jep Kishës sonë pronësinë e tokës mbi të cilën është ngritur Kisha e Shën Prokopit. Ky veprim hap përfundimisht rrugën për rindërtimin e saj.

“Besoj se është një bekim i madh për të gjithë, e jo vetëm për ju që shërbeni në Kishën e Shën Prokopit, apo komunitetin ortodoks. Perëndia na ka dhënë vullnetin të shërbejmë me dinjitet dhe ta bëjmë atë si duhet. Mezi pres të shihemi bashkë ditën që do të nisin punimet. Ai vend do jetë një bekim me ndërtesën e re por të vjetër”, u shpreh mes të tjerash Z. Veliaj, gjatë dorëzimit të kontratës së dhurimit. Ai theksoi se kishte dashur të vinte vetë për dorëzimin, si plotësim të premtimit të dhënë.

Kryepiskopi Anastas, duke i shprehur mirënjohjen e tij Z. Veliaj, e përgëzoi në veçanti atë për transformimin që po kryen në Tiranë. “Përgëzime për punën këtu në Tiranë,” tha ndër të tjera ai.

Kisha e Shën Prokopit u ndërtua në vitin 1780 dhe shenjtori konsiderohet si mbrojtësi i qytetit të Tiranës.