Mjeku i njohur hematolog dhe pedagog i shquar i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arjan Pushi, ndërroi jetë me 30 qershor 2020, si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga epidemia SARS COVID-19, të cilën e përballoi në vijën e parë duke mjekuar pacientë me sëmundje të gjakut.
Në përkujtim të tij, sot, e mërkurë, 8 korrik 2020, në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u krye një shërbesë përshpirtjeje për të ndjerin. Shërbesa u kryesua nga Episkop Asti bashkë me klerikët Protopresviter atë Joan Qako, atë Petro Thanasi, atë Petraq Simsia dhe atë Niko Kodheli. Morën pjesë të afërm, miq, kolegë, kryetari i Bashkisë Berat etj. Episkopi Asti përcolli edhe ngushëllimet e përzemërta e të ndjera të Kryepiskopit Anastas drejtuar familjes dhe pjesëmarrësve.
Prof. Arjan Pushi lindi më 20 korrik 1962 në qytetin e Beratit, në një familje intelektuale me traditë të krishterë orthodhokse. Shkollën e mesme e përfundoi në qytetin e lindjes në vitin 1981, duke u dekoruar me medaljen e artë. Përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1987. Qysh prej asaj kohe, Dr. Pushi filloi misionin e tij akademik si asistent-pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë. Prof. Arian Pushi ka qenë pjesë e Shërbimit Universitar të Hematologjisë.
Profesori i ndjerë pati një karrierë të gjatë, të përvijuar nga shkenca, modestia dhe humanizmi. Në jetën e tij spikati besimi i thellë në Zotin Krisht, ai ishte donator i rregullt për mirëmbajtjen e kishave kryesisht në qytetin e lindjes.
Profesor Pushi ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e specialitetit të Hematologjisë dhe mjekësisë bashkëkohore në vendin tonë. Ai është autor i disa monografive dhe teksteve mësimore për hematologjinë; mjekësinë e përgjithshme dhe gjithashtu i dhjetëra artikujve, kumtesave dhe referimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Largimi nga jeta i Prof. Arjan Pushit lë pas një humbje të madhe për familjen, koleget, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër qe ka pasur fatin dhe privilegjin ta njohë.
I përjetshëm kujtimi!
Protopresviter Atë Joan Qako