Rroba e Hyjlindëses në Vllahernë.

Në kohën e perandorit Leon I e të gruas së tij Verina (457- 474), dy vëllezër fisnikë, Galbio e Kandidi, pasi hoqën dorë nga herezia ariane, vendosën të ndërmarrin një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Sapo mbërritën në Galile, bënë një ndalesë në shtëpinë e Anës, një grua e moshuar judease, por e devotshme dhe e virtytshme, e cila lutej natë e ditë duke imituar kështu Anën, bijën e Fanuelit (Llk. 2:36).

Pelegrinët fisnikë vunë re se të krishterët sillnin qirinj dhe temjan në pjesën më të brendshme të shtëpisë dhe se një numër i madh të sëmurësh e të paralizuarish kalonin natën atje, ndaj dhe i kërkuan zonjës së shtëpisë t’u tregonte arsyen. Ana, duke dëshmuar se hiri i Perëndisë kryente mrekulli të shumta, tregoi fillimisht se atje ndodhej një kostum i vjetër i të lashtëve.

Por ndërsa iu lutën që t’u tregonte më shumë, ajo u zbuloi përfundimisht se Rroba e Nënës së Zotit gjendej atje, që kur e Tërëshenjta në çastin e Fjetjes ia kishte dhënë një nga shërbyeseve të saj judease. Kjo rrobë ishte ruajtur brez pas brezi nga një virgjëreshë. Vëllezërit përfituan nga gjumi i të sëmurëve të pranishëm dhe morën masat e kutisë së drurit, e cila mbante veshjen e shenjtë, e prej andej u nisën për në Jerusalem. I premtuan zonjës së shtëpisë se do të ktheheshin ta përshëndesnin në rrugën e kthimit.

Pasi nderuan varret e qytetit të shenjtë, ata ndërtuan një kuti të ngjashme me kutinë që mbante rrobën e Hyjlindëses dhe, kur u kthyen te gruaja e virtytshme, gjetën mënyrën dhe e zëvendësuan kutinë bosh mbuluar me një shtresë ari. Kur mbërritën në Konstandinopojë, e vendosën këtë thesar të çmuar në një vend të quajtur Vllahernë, në pjesën veriperëndimore të qytetit, jashtë mureve, ku dhe ndërtuan një kishë për nder të apostujve të shenjtë Petro e Mark, me qëllim që të ruanin sendin e shenjtë.

Por nuk mund ta fshihnin për një kohë të gjatë këtë thesar, për shkak të mrekullive që kryheshin në kishë. Pasi i thanë perandorit se kishin sjellë këtë trofe të çmuar nga pelegrinazhi i tyre për mbrojtjen e qytetit, ky, plot gëzim, ndërtoi një kishë në të cilën vendosi kutinë ku ishte rroba e Hyjlindëses. Më pas kjo kuti u zëvendësua nga një kuti ari e argjendi, zbukuruar me gurë të çmuar. Rroba e shenjtë ishte një copë e tërë e purpurt mbretërore, e punuar me lesh të dobët njëngjyrësh.

Mbeti e paprekur gjatë gjithë kohës duke treguar në mënyrë të qartë mrekullinë e virgjërisë së përhershme të Nënës së Perëndisë.