Oshënarët Sergji e Gjermani.

Nuk ekzistojnë burime autentike për jetën e tyre, për shkak të shkatërrimit të manastirit të tyre gjatë luftës. Konsiderohen si ndërtues të manastirit Valaam, që ndodhet në ishullin e vogël, në veriperëndim të liqenit Ladoga në Kareli, vend ndërmjet Finlandës dhe Rusisë, i cili nga viti 1947 zotërohet pothuajse plotësisht prej Rusisë.

Ka shumë variante në lidhje me kohën kur themeluan institucionin e tyre të shenjtë. Më e mundshmja është se starec Sergji u vendos në ishullin e Valaamit më 1329, ku më 1393 i erdhi oshënar Gjermani.

Manastiri u shkatërrua nga ushtria suedeze në shekullin e 17-të bashkë me manastirin e shën Arsenit të Konevicës (12 qershor). Por, më 1718 vëllezërit e Manastirit të shën Kirilit të Liqenit të Bardhë (9 qershor) rindërtuan manastirin e Valaamit.

Më 11 shtator të të njëjtit vit lipsanet e shenjta të të dy igumenëve çudibërës u transferuan në manastirin e tyre, të rindërtuar dhe pikërisht në kishën e tij “Metamorfoza e Shpëtimtarit”. Tre vjet më vonë, më 1721, zona u zotërua përsëri nga Rusia.

Kisha Orthodhokse e Finlandës, kryepiskopi i së cilës mban titullin “i Karelisë dhe i gjithë Finlandës”, ndërtoi një manastir tjetër, “Valamo i Ri”, brenda shtetit të sotëm të Finlandës.

Transferimi i lipsaneve të oshënarëve kremtohet më 11 shtator.