Ungjilli – Mateu 5:42-48.

Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje.

Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, edhe të urresh armikun tënd. Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, edhe lutuni për ata që ju bëjnë keq e ju përndjekin ju; që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, edhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të padrejtë. Sepse në doni ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk bëjnë të njëjtën edhe tagrambledhësit? Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.