Pentikostia (Rrëshajet).

 

Jisu Krishti pas Ngjalljes së Tij porositi nxënësit të shkonin në Galile, sepse atje do t’i takonte që t’u jepte udhëzime për misionin e tyre (Mt.28:9-10; 28:16-20). Kjo shfaqje e Krishtit të ngjallur te nxënësit e Tij, si dhe çdo shfaqje e Tij (Mk. 16:9-18; Lk.24:13-53; Jn.20:11-23; Vep.1:1-11; I Kor.15:5-8;), u bë shkak që ata: a) të rifitonin guximin e humbur, b) u dha shpresë dhe c) u forcoi dëshirën që të qëndronin në Jerusalem, sepse në këtë qytet do të plotësohej premtimi i Perëndisë, d.m.th. do të dërgohej Shpirti i Shenjtë mbi ta, kështu ata do të bëheshin predikuesit e Ungjillit, të lajmit gazmor të Ngjalljes së Krishtit “në të gjithë Judenë, edhe në Samari, edhe deri në fund të dheut” (Vep.1:8). Ky premtim i Krishtit për ardhjen e Shpirtit të Shenjtë mbi ta shtoi optimizmin e nxënësve dhe zgjeroi dëshirat e tyre eskatologjike. Prandaj dhe ata mblidheshin çdo ditë në shtëpinë ku ndodhej edhe “dhoma e sipërme” dhe atje luteshin që të merrnin fuqi (Vep.1:13-14). Në këtë vend u bë edhe zgjedhja e Matthias, zëvendësuesit të Judë Iskariotit, që të plotësohej numri i të dymbëdhjetë nxënësve (Vep.1:12-26). Në të njëjtin vend ishin mbledhur të gjithë edhe ditën e Pentikostisë, ditën e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë tek ata (Vep.2:1-13).

 

Ngjarja e Pentikostisë

Për Kishën, Pentikostia e atij viti do të ishte ditëlindja e saj. Sipas shën Llukait, autorit të “Veprave të Apostujve”, ngjarja e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë tek apostujt ndodhi ditën e festës së Pentikostisë judaike. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin të gjithë (Vep.2:1): a) të dymbëdhjetët, b) të njëqind e njëzet vetat (Vep. 1:15), si dhe c) çdo nxënës tjetër. Të gjithë, pra, sa ishin të aftë, të pastër dhe të gatshëm që të pranonin dhuratat e ndryshme të Shpirtit të Shenjtë, meqë këto dhurata jepen në të gjithë Kishën (Vep.2:17-38). Në Jerusalem, në atë çast, ishin edhe nxënësit e tjerë nga Galilea, të cilët erdhën për festën. Ungjillor Llukai me frazën të gjithë (Vep.2:1) dëshiron të theksojë se: Kisha është një institucion që përbëhet nga njerëz të mbushur me Shpirt të Shenjtë dhe se Ajo e jep këtë Shpirt të Shenjtë. Kisha është dhe përjeton një Pentikosti të vazhdueshme.

Zbritja e Shpirtit të Shenjtë i gjeti nxënësit të papërgatitur, sepse në ato pak (10) ditë pas Ngjitjes së Krishtit në Qiell, ata nuk mund të kuptonin se ç’rëndësi kishte porosia e Jisuit që të mos largoheshin nga Jerusalemi, por të prisnin plotësimin e premtimit të Perëndisë (Vep.1:4). Edhe vetë ungjillor Llukai me tregimin e tij befasohet: “Edhe papritur u bë një oshtimë nga Qielli si oshtima e një ere që fryn me fuqi… edhe u dukën mbi ta gjuhë duke u ndarë si prej zjarri dhe ndenjën mbi gjithsecilin nga ata (Vep.2:2-3). Shpirti, Fjala, Mençuria dhe Mësimdhënia e Perëndisë paraqiten si gjuhë dhe fuqia pastruese e Shpirtit shndërrohet në zjarr dhe Shpirti i Perëndisë pastron gjithçka. Gjuhët e zjarrit pastrojnë dhe falin. Zbritja e Shpirtit të Shenjtë në formë gjuhësh të zjarrta ka një kuptim më të thellë, jo që të mahniten njerëzit, por që të tregohet se: nxënësit morën urdhrin, që të predikojnë Ungjillin në gjithë kombet, nga vetë i ngjalluri Jisu Krishti (Mt.28:19). Ardhja e Ngushëllimtarit (Jn.14:16) në formë gjuhësh të zjarrta u dha atyre një rrugëdrejtim për mësimdhënien, se si të veprojnë, por edhe të kishin vigjilencë të pandërprerë, me qëllim që të mbrohej përmbajtja e besimit dhe predikimi i tyre i pastër e i panjollosur.

Tregimi i shkurtër mbyllet me rezultatet që kishte zbritja e Shpirtit të Shenjtë te nxënësit: “të gjithë u mbushën e u përmbytën nga hiri i Tij dhe filluan të flisnin gjuhë të tjera” (Vep. 2:4). Me tri fjalë Llukai shpreh zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi nxënësit: a) si oshtimë e një ere që fryn me fuqi, b) si gjuhë prej zjarri dhe c) si gjuhë të tjera (Vep.2: 2-4). “Gjuhët e tjera” të Pentikostisë janë vepra profetike e shpalljes predikimit të fjalës së Perëndisë në gjuhë të ndryshme. Realiteti që Shpirti i Shenjtë zbriti te nxënësit dhe i frymëzoi ata të flisnin, jo si dikur gjuhë të ngatërruara e sipas dëshirës së tyre, por siç Ai u jepte e i drejtonte, ata është mjaft domethënës. Shfaqja e veprës shpëtimtare dhe shenjtëruese të Kishës në botë u bë në nivelin më të lartë dhe me një zbritje festive të Shpirtit të Shenjtë mbi të gjithë nxënësit.

 

Pritja e Shpirtit të Shenjtë nga populli dhe reagimi i tyre

Jerusalemi ishte një qytet me rëndësi shumë të madhe si për judenjtë që banonin në trojet e tij, ashtu edhe për ata që ndodheshin të shpërndarë në vende të ndryshme (diaspora). Në këtë qytet banonin jo vetëm një pjesë, por i gjithë populli i përzgjedhur. Kjo mbledhje e popullit izraelit ditën e Pentikostisë në Jerusalem nënvizon fillimin e plotësimit të pritjeve eskatologjike të judenjve, të cilët besonin se në kohët e fundit i gjithë Izraeli i shpërndarë do të bashkohej (mbledhja e të shpërndarëve të diasporës).

Shumë nga izraelitët e diasporës ishin kthyer për të festuar dhe ndodheshin atë ditë në Jerusalem. Të gjithë banorët e Jerusalemit u çuditën me nxënësit dhe në momentin kur dëgjuan oshtimën, si dhe gjuhët e tjera që fliteshin prej tyre, u bë një rrëmujë e madhe dhe më pas u mblodh një grumbull i madh njerëzish, të cilët habiteshin me ndodhinë. Ora ishte afro 900 e mëngjesit (Vep.2:15). Të gjithë u mblodhën në oborrin e Tempullit të Solomonit. Të gjithë habiteshin me ngjarjen, por më tepër me aftësinë e nxënësve që të komunikonin me ta në gjuhën e gjithsecilit (Vep.2:6-7).

Gjithashtu, ungjillor Llukai na përmend edhe emrat e vendeve e të kombeve nga kishin ardhur judenjtë e diasporës e që ndodheshin atje atë moment (Vep.2: 9-11). Parthia ndodhej në jug-perëndim të detit Kaspik, Midia në veri-perëndim të Iranit të sotëm dhe Elami në vendin përreth Susës, në Persinë e lashtë. Më pas, ai na përmend nëntë vende të tjera nga të cilat kishin ardhur atë ditë në Jerusalem, duke bërë një lëvizje nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug. Me këtë mënyrë ai na tregon rrugën që ndoqi Ungjilli në përhapjen e tij. Mesopotamia, Kapadhokia, Ponti, Azia (e Vogël), Frigjia, Pamfilia, Egjipti, Libia, Roma, Kreta, Arabia dëgjojnë në gjuhët e tyre për madhëritë e Perëndisë edhe të gjithë mahniten (Vep.2:9-12).

Në përgjithësi, shën Llukai përmend 16 vende e popuj, të cilët na kujtojnë 16 nipërit e Noes (Zan.10:1-2; 6:21-22). Këtë gjë ai e bën për një qëllim tjetër: duke pasur parasysh renditjen e këtyre vendeve rreth e qark Jerusalemit e me qendër atë, ai do të theksojë se me ardhjen e Mesias-Krishtit u mblodh e gjithë diaspora e shpërndarë e judenjve dhe u rivendos lavdia e Izraelit, siç ata e kishin ëndërruar. Dhe kjo lavdi filloi me veprimtarinë e Apostujve për përhapjen e Ungjillit në gjithë kombet, duke pasur si pikënisje Jerusalemin, e më pas Judenë, Samarinë e deri në fund të dheut.

 

Rëndësia e Pentikostisë për Kishën

Në Jerusalem, pra, ditën e Pentikostisë, u mblodh i gjithë Izraeli nga e gjithë bota dhe u krijua Kisha e parë, e cila kishte karakter Ekumenik dhe, që nga ajo ditë, filloi të transmetohet Ungjilli në gjithë botën. Që në fillim të librit të “Veprave” të gjitha ngjarjet na drejtojnë te Pentikostia, dita në të cilën u krye zbritja e Shpitit të Shenjtë mbi nxënësit dhe filloi kështu në botë epoka e Kishës, që për të ka rezultate sotiriologjike (shpëtimtare) dhe eskatologjike. Në këtë kuptim, Pentikostia nuk është vetëm ditëlindja e Kishës, meqë këtë ditë Kisha që ekzistonte në dëshirën, mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë hyri në fazën e plotësimit të premtimeve profetike, si dhe në shpëtimin dhe shenjtërimin e besimtarëve, të cilat mund të realizohen me praninë e vazhdueshme dhe me bekimin e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet Jisu Krishtit. Kisha që nga dita e Pentikostisë, përjeton epokën e krijesës së re, duke parë vazhdimisht nga fundi i kësaj bote dhe fillimin e botës që vjen dhe duke pasur si synim përfundimtar Mbretërinë e Perëndisë.

Ngjarja e Pentikostisë është një lidhje e Jisuit me historinë e Kishës. Është një zbulim i vazhdueshëm i Jisuit brenda historisë së Kishës. Gjithashtu edhe përkujtimi i Jerusalemit, qytetit të shenjtë siç konsiderohej nga Judenjtë lidhet me vendin dhe me rolin qendror që ai ka edhe që do të luajë në çështjen e shpëtimit të njerëzimit si një ndërlidhës midis Izraelit e Kishës dhe ngjarjes së Pentikostisë e Jerusalemit.

Deri në atë moment nxënësit kishin një mision të kufizuar, ndërsa me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë ata morën fuqi, u hapën kufijtë e tyre dhe përmasat e misionit u bënë Ekumenike. Ky universalitet lidhet me zgjedhjen që Jisui u bëri atyre, por më tepër me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi ta. Apostujt atë ditë morën: a) gradën e kryepriftërisë, e cila mund të transmetohet edhe te persona të tjerë, dhe b) hirin e mësimdhënies.

Dëshmia e tyre fillon që nga Jerusalemi (Vep.2:7), vazhdon në Jude dhe Samari (Vep.8:10) dhe arrin deri në kryeqytetin e perandorisë së atëhershme, në Romë (Vep.11:28), e cila, në traditë, simbolizon fundin e dheut. Fundi i dheut ka kuptim të dyfishtë: a) territorial dhe b) kohor. Për predikuesit e parë të Ungjillit fraza “deri në fund të dheut” përbënte përpjekjen e pandërprerë të tyre për të përhapur Ungjillin në sa më shumë njerëz. Kështu urdhri i Jisuit për përhapjen e Ungjillit në botë u drejtohet të gjithë predikuesve të Tij në çdo kohë.

Kisha shumë herët e kishte kuptuar zbritjen e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentikostisë si një ligjdhënie të re, me të cilën Perëndia rinovoi marrëveshjen e vjetër me popullin e Tij, siç kishte kuptuar se ajo përfaqësonte komunitetin Ekumenik të kombeve. Ky rinovim i marrëveshjes me Jisu Krishtin, si një Moisi i ri, është elementi lidhës që bashkon Pentikostinë judaike me Pentikostinë e Kishës. Pentikostia judaike ishte festë e pastër bujqësore, sepse lidhej me korrjen e drithërave dhe lidhjen e fryteve të drurëve frutorë. Ishte festa e dytë e vitit dhe festimet zgjasnin nga një ditë deri në një javë, meqë për këtë festë mblidheshin në Jerusalem edhe judenjtë e diasporës. Ndërsa Pentikostia e Izraelit të Ri e Kishës, e ka fillimin e saj në hierapostolinë dhe në shpërndarjen e nxënësve në botë për të përhapur Ungjillin, i cili përbën qëllimin kryesor dhe përfundimtar të zbritjes së Shpirtit të Shenjtë.

 

Hierodëshmor Theodhoti.

U martirizua në vendin e tij Ankara, Azia e Vogël, ka gjasa gjatë perandorisë së Dioklecianit (284-305). Ishte shpresëtar, i martuar. Merrej me tregti drithërash dhe njëkohësisht bukëpjekës. Shpeshherë u shpërndante bukë të varfërve dhe të burgosurve të krishterë, të cilët i inkurajonte në besim. Kur arkondi spërkati ushqimet me verë nga flijime idhujsh, që të “ndoteshin” të gjithë, ai i furnizoi me bukë besimtarët dhe ata nuk u njollosën. Ai e kishte kthyer dyqanin në sallë mbledhjesh.

Njëherë gjeti në burg dhe hallën e vet, Tekusën, bashkë me 7 virgjëresha vendëse, Aleksandrinën (ose Aleksandrën), Klaudian, Fainen, Efrasinën, Matronën, Julian dhe Theodhotën (festohen më 18 maj). Meqenëse nuk u bënë flijime idhujve, i dorëzuan tek ushtarët që t’i çnderoheshin, por i shpëtoi ndihma hyjnore. Ato i hodhën në liqenin që ndodhej aty pranë të lidhura me gurë në qafë ku edhe dhanë shpirt. Tirani i pamëshirshëm urdhëroi që të mos varroseshin lipsanet e shenjta. Por shenjti i mblodhi bashkë me të krishterë të tjerë dhe i varrosi. Shenjtin e tradhtuan dhe e kapën. E rrahën egërsisht, e varën, e çorën, i hodhën në plagë uthull e kripë dhe më në fund ia prenë kokën. Lipsanet e nderuara të grave i zhvarrosën dhe i dogjën.

Titulli i sinaksarit më 18 maj flet për 7 vajza, por në tekst shkruhen 8. Pra, u supozua se Tekusa nuk është emër. Por mbiemër që do të thotë lindësja (e 7 virgjëreshave). Ekziston mundësia për një tjetër Efrasi martire që pason në sinaksar, e cila u mbyt gjithashtu, u fut gabimisht në grupin e 7 virgjëreshave, saqë u bënë 8; në një rast të tillë edhe Tekusa ishte e virgjër. Për shën Efrasinën, të dytën, nuk disponojmë të dhëna të tjera.

Gjithashtu, më 20 mars nderohen 7 martire virgjëresha në Amison (Azia e Vogël), Aleksandria, Klaudia, Efrasia, Matrona, Juliana, Efimia dhe Theodhosia (Theodhora). Megjithëse emrat ngjajnë shumë, duket se janë persona të tjerë, meqë ndryshon vendi, torturimi dhe mbarimi i tyre. Shën Theodhoti kremtohet përsëri më 18 maj së bashku me atletet e Krishtit, të cilat ai i varrosi.