Për rifillimin e shërbesave në kisha me dyer të hapura

 

     Pas komunikimit online me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, në datë 5 maj, për rifillimin e shërbesave fetare me dyer të hapura, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vendosi një hapje graduale:

      Në kishat e zonave të gjelbra shërbesat do të fillojnë në datë 17 maj, ndërsa në kishat e qytetit të Tiranës dhe Durrësit në datë 24 maj.

      Do të jetë i mundur gjithashtu funksionimi i disa kishave paralel, për të patur në këtë mënyrë shpërndarje të besimtarëve.

      Ndenjëset do të vendosen në distancat e kërkuara larg nga njëra-tjetra, duke përcaktuar kështu distancat mes besimtarëve.

      Luten besimtarët që të shmangin përqafimet, puthjet e duarve dhe çdo kontakt fizik me njëri-tjetrin, si dhe me objektet në kishë. Nderimi ndaj objekteve të shenjta mjafton me një përulje para tyre.

      Këshillojmë besimtarët e moshuar, fëmijët, si edhe ata që kanë probleme shëndetësore të shmangin ardhjen në kishë dhe ta ndjekin Liturgjinë Hyjnore në valët e Radios “Ngjallja”.

      Në hyrje të kishave do të ketë dezinfektant duarsh si edhe persona përgjegjës për mbarëvajtjen e rregullave.