Dëshmore e madhe Irini.

Nuk kemi të dhëna autentike për jetën e saj. Megjithatë po japim aq sa dihet për të: Kishte një bukuri të rrallë. Ishte fëmijë i vetëm e Likinit dhe Likinisë, arkondë të një qyteti persian. Qysh në moshën 6-vjeçare, u mbyll nga prindërit në një kullë, siç qe zakoni atëherë, dhe rritej në kujdestarinë e pedagogut të saj, plakut Apelian, që paraqitet si jetëshkruesi i saj. Pasi ajo pa një vegim i cili, sipas Apelianit, paralajmëronte martirizimin dhe lavdinë e saj, thuhet se engjëlli e thirri me emrin Irini (greqisht do të thotë: paqe) ndërsa quhej Pinelopi dhe i mësoi besimin e krishterë.

Sapo u pagëzua, theu idhujt e babait dhe ai, i zemëruar, i lëshoi kuajt për ta shkelur, por ata vranë të atin. E bija e ngjalli dhe kështu ai besoi dhe u pagëzua së bashku me të ëmën e saj e shumë të tjerë dhe jetoi me pendim, derisa vdiq.

Një sërë sovranësh ia nënshtruan shenjtoren torturave të paimagjinueshme dhe të njëpasnjëshme: E hodhën në gropë me gjarpërinj, i prenë me sharrë këmbët, e kaluan nga “rrota”, e detyruan të transportonte pesha me gozhdë nëpër këmbë, e vendosën mbi buaj bakri të skuqur dhe disa herë brenda në zjarr… Nga torturat shpesh dilte e padëmtuar dhe, si rezultat, mijëra idhujtarë bëheshin të krishterë. Gjithashtu njëherë ajo verboi një ushtri të tërë, por më pas i shëroi. Por, kur ata u treguan mosmirënjohës, u hap dheu dhe përpiu shumë prej tyre.

Kështu mbreti persian, Sapori II (310-379), u detyrua t’i priste kokën. Por ajo u ngjall prej një engjëlli dhe iu shfaq monarkut. Më pas u ngrit nga një re dhe shkoi në Efes, ku jetoi për njëfarë kohe, predikoi dhe kreu mrekullira. Aty, jashtë qytetit, gjeti një varr të ri, ku, pasi hyri, urdhëroi Apelanin të vendoste sipër një gur. Pas dy ditësh, ai pa gurin të ngritur dhe varrin të zbrazët.