Ungjilli – Joani 6:27-33.

Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’ua japë juve i Biri i njeriut; sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia.

I thanë pra: Ç’të bëjmë, që të punojmë punët e Perëndisë? Jisui u përgjigj e u tha atyre: Kjo është puna e Perëndisë, t’i besoni atij që ka dërguar ai.

I thanë pra: Çfarë shenje bën pra ti, që të shohim, e të të besojmë ty? Ç’punon? Etërit tanë hëngrën mannën në shkretëtirë, siç është shkruar: “Bukë nga qielli u dha atyre të hanë”. Jisui pra, u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, Moisiu nuk ju dha juve bukën nga qielli, po im Atë ju jep juve bukën e vërtetë nga qielli. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli, edhe që i jep jetë botës.