Intervistë e Kryepiskopit Anastas për gazetën “Kathimerini” për M. Pournara (12.4.2020)

Zëri i Kryepiskopit të Shqipërisë, Anastasit, nga ana tjetër e linjës telefonike, na transmeton si gjithmonë paqe dhe urtësi. Si kur jemi pranë tij, ashtu edhe kur jemi larg, prania e tij na ofron qetësi dhe paqe shpirtërore në të gjitha rrethanat e vështira, aq më tepër në këtë gjendje të paparë ndonjëherë, që po e përjetojmë në nivel global. Ai vetë jeton i kufizuar, duke parë jetën e tij të përditshme që ka pësuar ndryshime të mëdha: “Edhe këtu në Shqipëri po koordinohemi me udhëzimet e qeverisë dhe ato të shëndetit publik. Komunikova pa humbur kohë me anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe morëm vendimet e duhura, për sa i takon shërbesës liturgjike, arsimore, katekiste dhe filantropike të Kishës sonë. Ajo që kam mësuar nga ecuria ime shumëvjeçare është që, teksa kërkojmë ndihmën e Perëndisë, të kërkoj monopate të reja rrugëdaljesh brenda humnerave të vështirësive”.

E pyes nëse distancimi i detyruar social për ne qytetarët ka karakteristikat e një murgërie kalimtare: “Është me vlerë të rikujtojmë se murgëria orthodhokse, së cilës iu referuat, përshkohet nga tri parime: bindja, vetëpërmbajtja dhe mospasja e pronësisë. Diçka mund të marrim nga kjo traditë e rëndësishme siç është bindja ndaj personave përgjegjës për përballimin e situatës, bindja ndaj shkencëtarëve që merren posaçërisht me kërkimin shkencor dhe shërimin e kësaj pandemie, bindja ndaj urdhrit “Të rrimë në shtëpi”. Le të bëhet shtëpia jonë asketiri ynë. Nuk është e lehtë. Rreziku i zënkave dhe i konflikteve për shkak të izolimit është evident. Duke qëndruar brenda  në shtëpi, le të mos izolohemi. Le ta mbështesim njëri-tjetrin me fjalë, me heshtje të mbushur plot dhembshuri dhe me dëshirë të mirë e me gëzim”.

Beteja për liri 

“Por duhet pasur kujdes,- thekson ai, – që të mos kufizohemi vetëm brenda familjes sonë. Ka dhe shumë të tjerë, që përballen me vështirësi më të mëdha. Mund t’u qasemi me anë të mjeteve moderne të komunikimit elektronik. Është nevojë urgjente që të marrim pjesë në betejën për çlirimin nga frika që endet rreth nesh. Dhe në fund, le të bëhemi pak më të përkorë në jetën tonë të përditshme. Referimi juaj te murgëria, më sjell në mendje një përkufizim të mrekullueshëm nga Filokalia: “Murgu është ai që ndahet nga të gjitha dhe që është i lidhur harmonikisht me të gjithë”.

Po si mund ta luftojmë pushtetin e vazhdueshëm të frikës që erdhi me pandeminë? “Frika është me të vërtetë një këshilluese shumë e rrezikshme”, thekson Fortlumturia. “Depërton me mënyra të shumëllojta në mendjen dhe në vullnetin tonë, duke na ulur rezistencën. Besoj se sindroma e frikës përballohet me anë të besimit te Perëndia i Dashurisë dhe me dashurinë e shprehur në vepra: “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1Jn.4:18), na ka zbuluar Ungjillor Joani. Ne të krishterët besojmë se ndjesia e pranisë së Perëndisë na çliron nga çdo lloj frike. “Edhe po të eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë të këqijat, se ti me mua je”, na thekson Psalmisti. Dhe poeti Joanis Polemis shton: “Mos ia ki frikën atij që e mbështeti besën mbi shpresën, e pashë të luftojë në jetë, por gjithnjë të pamposhtur e pashë”.

Por, për më tepër, edhe nëse dikush e dëbon ankthin rreth virusit, e shqetësojnë përsëri mendimet pesimiste për të ardhmen e ekonomisë, në një çast që dukej se do të kishim rritje ekonomike. Si do ta përballojmë? “Fillimisht, të mos i lejojnë këto mendime pesimiste që të bëhen ‘zotërinjtë’ e mendjes së tyre”, pohon ai. “Është e qartë se ky problem ekziston. Kjo pandemi nuk ka përhapur vetëm sëmundjen, por ka shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike, të cilat janë shkatërrimtare veçanërisht për vendet që patën së fundmi kriza ekonomike, si Greqia, apo për vende që kanë ekonomi të kufizuar, si Shqipëria. Urojmë që të gjitha qeveritë të marrin vendimet e duhura. Vendet më të pasura duhet të ndihmojnë ato më të varfra, të cilat do të përballen me probleme më të mprehta ekonomike e sociale. Ata që kanë në dorë pasurinë botërore- shoqëritë shumëkombëshe, konsorciumet, organizmat, fondacionet, personat fizikë- duhet të ndihmojnë bujarisht në këtë situatë”.

Dhe më tej vazhdon: “Sot, koronavirusi ngjan sikur na jep këtë këshillë: “Rishqyrtoni vlerat dhe llojin e humanizmit për të cilin mburreni se e keni. Mbarë njerëzimi është një familje”. Për sa i takon trajtimit terapeutik dhe përballimit të shpërthimit të kësaj pandemie, asnjë vend nuk mundet i vetëm që të ketë sukses në këtë gjë. I njëjti parim duhet të ketë vlerë edhe për kapërcimin e krizës ekonomike. Sigurisht që ky konstatim minohet nga interesa të ndryshme individuale, sociale, etnike. Por, personalisht, besoj se e vërteta, si në shkencë, ashtu edhe në jetën sociale, ka dinamikën e saj dhe në fund fare është ajo që mbizotëron”.

Një luftë e shfaqur për herë të parë 

Dhe shton: “Dy luftërat botërore sollën ndryshime rrënjësore në jetën e njerëzimit. Përmbysën aleanca, synime, teori ekonomike. Besoj se kjo luftë botërore, e shfaqur për herë të parë, do të kontribuojë në rishikimin e vlerave dhe përparësive tona. Pas Luftës së Dytë Botërore patëm një sërë deklaratash rreth të drejtave të njeriut, duke theksuar të drejtat e individit. Është e qartë se tani, në këtë rast, kërkohen deklarata për detyrimet njerëzore, përgjegjësitë për shkatërrimin e ambientit dhe për ndryshimet klimatike”.

Besimi, antidoti më i efektshëm ndaj çdo lloj frike 

 “Jam i mendimit se pandemia i ka zënë në befasi shtabet e shteteve të mëdha. Nuk e kishin parashikuar këtë armik të padukshëm që nuk dorëzohet. Jam i bindur se vetëm një mobilizim mbarënjerëzor i solidaritetit do ta mposhtë pandeminë dhe efektet e saj anësore. Është imperative që të rishqyrtojmë rëndësinë e humanizmit për të cilin flitet kaq shumë. Kemi nevojë për një humanizëm që respekton unitetin psikosomatik të njeriut dhe gjithë racën njerëzore dhe që siguron drejtësi për të gjithë njerëzit pa përjashtim. Idealja për mirecurinë e njerëzimit nuk mund të jetë e drejta e të fortit dhe globalizimi i teknologjisë ose i ekonomisë, por globalizimi i solidaritetit. Dhe këtu mendoj se kontributi i fesë është përcaktues”.

Fortlumturia plotëson: “Shpirti njerëzor, në orë kritike të dhimbjes, kërkon në mënyrë spontane strehë, mbrojtje dhe ngushëllim në besimin fetar. Sa nga ne u bëmë të denjë të besojmë, e dimë se njeriu nuk është shkaku i vetes së tij. Ekziston edhe një Realitet i Epërm. Për ne të krishterët është Perëndia i pakonceptueshëm, Qenia e vërtetë, Perëndia Triadik i dashurisë. Ai ruan një marrëdhënie të qëndrueshme me gjininë njerëzore dhe na ka dhënë të drejtën të kërkojmë  ndihmën e Tij në çdo kohë e veçanërisht “në nevoja dhe në hidhërime”.

Përjetimi fetar është diçka që ndodhet brenda natyrës së njeriut. Ashtu si uji që ekziston, në forma të ndryshme, në të gjithë organizmat e gjallë, po kështu edhe feja ekziston brenda të gjitha qytetërimeve të botës, me formën e njohur ose njësoj si avujt e ujit në atmosferën e shoqërive indiferente ose të pafe. Besimi që buron nga thellësitë e ndërgjegjes së krishterë, sigurisht do të kontribuojë në përballimin e sindromës së fobisë së pandemisë. Sa nga ne që kemi marrë dhuratën e besimit, le të përkujdesemi ta zhvillojmë me përulësi, studim dhe lutje, duke u lutur: “ Zot, na shto besimin”. Është antidoti më i efektshëm ndaj çdo lloj forme të frikës. Dhe për më tepër, të mos e lëmë pas dore lutjen për të gjithë ata që kanë vështirësi të besojnë. Është detyrim dashurie dhe respekti ndaj tyre.

Ndërsa po afron Pashka, le të përpiqemi ta jetojmë më thellë përvojën e krishterë, që të çon nga vuajtja e Kryqit dhe nga dhimbja e Pësimit në ngazëllimin e Ngjalljes. Ngjallje të mbarë! Me dritën paskale të paqes dhe të shpresës në zemrën tonë”.

Virtytet tona 

– Sprova që po kalojmë, ka ndihmuar në zgjimin e solidaritetit. A do të vazhdojë kjo edhe në të ardhmen? 

– Në fatkeqësitë e mëdha, burojnë virtyte të mrekullueshme nga ndërgjegjja e popullit tonë, si sedra e mirë, solidariteti, vetësakrifica. Shikoni, ADN – ja e ndikuar nga besimi i krishterë ka koncentruar vlera unikale. Shpesh kam formuluar pikëpamjen se armiku i vërtetë i çdo lloj paqeje nuk është lufta, por egocentrizmi- individual, racor, kombëtar, fetar. Dhe se antidoti është solidariteti që frymëzon dashuria, plotësinë e së cilës na e zbuloi Krishti. Lulëzimi i solidaritetit është një fenomen optimist. Tani, se sa do të zgjasë në të ardhmen, nuk e di. Megjithatë, jam i bindur se të gjithë duhet të përpiqemi për të stabilizuar vlerat e krishtera me rëndësi botërore.

 Komunikimi 

Për shkak të kushteve, takimi nuk mund të realizohej dot. Komunikimi i parë me Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin, u bë me anë të telefonit. “Do të doja, nëse mundeshit, t’i dërgonit me shkrim të gjitha pyetjet që do të më bënit, që t’u përgjigjem me qartësi dhe saktësi më të madhe”- më tha. Kështu veprova dhe pas pak ditësh arritën përgjigjet e tij me anë të një emaili në postën elektronike. Madje pati mirësinë të përgjigjej brenda një caku kohor shumë të ngushtë dhe arritëm ta botonim intervistën në numrin e së dielës. Më pas vijoi një bisedë telefonike, kësaj radhe për të bërë urimet e Pashkës.