Apostulli – 1Petro 4:1-11

Pasi pësoi pra Krishti në mish për ne, armatosuni edhe ju me po atë mendim; sepse ai që pësoi në mish, pushoi nga mëkati, që ta shkoni jetën që ju mbetet në mish jo më në dëshirimet e njerëzve, po sipas dëshirës së Perëndisë. Sepse mjaft është për ne koha e jetës që shkoi, që bëmë dëshirën e kombeve, duke ecur në ndyrësira, në dëshirime, në dehje, në argëtime, në të pira, dhe në idhujtarira të paudha. Edhe prandaj u vjen çudi atyre, se nuk ecni bashkë me ata në po atë vërshim të plangprishjes, dhe ju shajnë. Ata do t’i japin llogari atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur. Sepse për këtë u predikua ungjilli edhe tek të vdekurit, që të gjykohen sipas njerëzve në mish, e të rrojnë sipas Perëndisë në shpirt. Edhe fundi i të gjithave u afrua; urtësohuni pra, e rrini zgjuar në falje. Edhe përmbi të gjitha kijeni të zjarrtë dashurinë në mes tuaj; sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh”. Të jeni mikpritës njëri për tjetrin, pa ankesa. Gjithësecili sipas dhuratës që mori, sipas kësaj shërbeini njëri-tjetrit, si kujdestarë të mirë të hirit shumëfarësh të Perëndisë. Nëse flet ndonjë, le të flasë fjalë si fjalë Perëndie; nëse shërben ndonjë, le të shërbejë si prej fuqisë që i jep Perëndia, që mbi të gjitha të lavdërohet Perëndia me anë të Jisu Krishtit, mbi të cilin është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.