Apostulli – 1Korinthianëve 9:2-12.

Në mos jam apostull në të tjerë, po së paku në ju jam; sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju.

Përgjigjja ime për ata që më gjykojnë, kjo është. Mos nuk kemi edhe ne pushtet të hamë e të pimë? Mos nuk kemi edhe ne pushtet të marrim me vete një grua nga motrat besimtare, si dhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, dhe Kefai? Apo vetëm unë dhe Varnava nuk kemi pushtet të mos punojmë? Cili shkon ndonjëherë në luftë me shpenzimet e veta? Cili mbjell vresht, edhe nuk ha nga fruti i tij? Ose cili kullot grigjë, edhe nuk ha nga qumështi i grigjës? Mos i flas unë këto vetëm si njeri? Apo nuk thotë këto edhe ligji?

Sepse në ligjin e Moisiut është shkruar: “Nuk do t’i lidhësh gojën kaut që shin”. Mos për qetë kujdeset Perëndia? Apo për ne në të vërtetë e thotë këtë? Sepse për ne u shkrua, se ai që lëron, me shpresë duhet të lërojë; dhe ai që shin, shin me shpresë se do të ketë pjesë në shpresën e tij. Ne, nëse mbollëm tek ju gjërat shpirtërore, punë e madhe është po të korrim gjërat tuaja të mishta? Në qoftë se të tjerë marrin pjesë të këtij pushteti mbi ju, a nuk duhet më tepër ne?

Po ne nuk e përdorëm këtë pushtet, por i durojmë të gjitha, që të mos sjellim ndonjë pengesë në ungjillin e Krishtit.