Për çdo besimtar të kishës sonë dita e emrit është më e shënuara, e lidhur me jetën e re pas pagëzimit, por veçanërisht me kuptimin që ai ka, lidhur me martirët dhe Etërit apo me ngjarjet më themelore të Ungjillit. Kështu, 22 janari është e kremtja e shën Anastas Persianit, i cili iu përkushtua orthodhoksisë në një vend të huaj dhe u martirizua nga të “vetët”. Në këtë ditë besimtarët orthodhoksë të vendit tonë festojnë emrin e Kryebariut të tyre, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.

Në këtë të kremte të shënuar, Liturgjia Hyjnore u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë. Me Kryepiskopin Anastas bashkëmeshuan të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati;  Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij Dhimitri; Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e Tij Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Andoni; Mitropoliti i Amantias, Hirësia e Tij Nathanaili dhe episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij Asti. Meshuan edhe klerikë nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Në shërbesë morën pjesë përfaqësues, klerikë dhe laikë, nga të gjitha dioqezat dhe besimtarë të shumtë.

Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, e uroi Kryepiskopin Anastas për jetë të gjatë dhe vazhdimin e veprës së shquar, në emër të Sinodit të Shenjtë dhe të gjithë Kishës sonë.

Kryepiskopi Anastas, falënderoi ngrohtësisht për urimet dhe theksoi simbolikën e këtij martiri, që dëshmon se besimi i krishterë orthodhoks nuk kufizohet nga kufij a kombe, por përfshin të gjithë globin.

Me këtë rast, Kryepiskopi priti urime në sallën e selisë së Sinodit të Shenjtë. Fortlumturia e Tij mori urimet më të ngrohta “Për shumë vjet, O Kryezot!” nga besimtarë të shumtë, të Tiranës dhe nga i gjithw vendi, mirënjohës për mrekullinë e ringjalljes dhe ecjes përtej çdo parashikimi të Kishës sonë në këto 29 vite. Për të uruar erdhën edhe përfaqësues forcash politike, nga komunitetet fetare, personalitete të fushave të ndryshme etj.