Ndërroi jetë Prof. Dr. Robert Andoni
Kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë

Më datë 4 janar 2020, ndërroi jetë Prof. dr. Robert Andoni, mjek i shquar mikrobiolog, Kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë të Shqipërisë.

Prof. Robert Thanas Andoni lindi në 5 nëntor 1941, në një familje besimtare orthodhokse, në qytetin e Lushnjës (i cili e kishte shpallur Qytetar Nderi). Përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe u specializua në Mikrobiologji. Në vitin 1992 u emërua shef i Shërbimit të Mikrobiologjisë në Spitalin Universitar Nënë Tereza, në laboratorin e të cilit kishte punuar për shumë vite. Ai u dallua si një studiues i shquar, pedagogji vlerësuar, autor i një sërë publikimeve shkencore në fushën e mikrobiologjisë , si dhe i 16 teksteve të fushës, universitare dhe pasuniversitare. Ishte nënkryetar i Shoqatës shqiptare të Bakteriologjisë dhe anëtar i Shoqatës evropiane të Mikrobiologjisë Klinike etj.

Veprimtaria e Prof. Robert Andonit ka qenë e lidhur ngushtë edhe me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Si besimtar merrte pjesë rregullisht në shërbesa e veprimtaritë e organizuara. Si mjek, ka kontribuar në Institutin Profesional “Frymë dashurie” si pedagog i jashtëm dhe më pas në K.U. “Logos”, duke qenë edhe Dekan i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara (2012-2014).

Prof. Dr.Robert Andoni ka kontribuar me përvojën dhe përkushtimin e tij edhe si Përgjegjës i laboratorit Bakterologjik të Qendrës Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi”, Tiranë që nga fillimi saj më 1999.

Prof. Dr.Robert Andoni, më datën 1 nëntor 2014, u zgjodh me vendim unanim nga Këshilli Ekzekutiv i Lidhjes së Intelektualëve të Shqipërisë, si Kryetar i saj. Ai, kontribuoi në këtë pozicion deri në ditën që ndërroi jetë, ndërtoi marrëdhënie të shëndetshme intelektuale dhe shpirtërore me çdo anëtar të Lidhjes. Gjatë zhvillimit të takimeve të përmuajshme të Lidhjes mbajti fjalime dhe referate, të cilat pasuruan njohjen e intelektualëve orthodhoksë. Shkroi dhe botoi disa artikuj mbi disa figura Intelektualësh Orthodhoksë të vendit tonë në gazetën “Ngjallja”, si dhe për çështje që shqetësonin Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu, si Kryetar i Lidhjes mori pjesë në emisione të ndryshme, tek të cilat foli të vërtetën dhe zërin e Intelektualeve Orthodhoksë. Edhe në ditën kur ishte i pamundur, interesohej për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e takimeve të Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë, prandaj çdo anëtar i saj çmon kontributin e tij dhe gëzon respektin e një personi të denjë, që drejtoi si Kryetar Lidhjen e Intelektualëve të Shqipërisë.

Shërbesa e përmortshme për Prof. Dr. Robert Andonin u krye në datë 5 janar 2020 në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë. Ajo u krye nga Episkopi i Bylisit, Hirësi Asit, së bashku me disa klerikë dhe në prani të Kryepiskopit Anastas, që kishte një miqësi dhe vlerësim të veçantë për të. Ishin të pranishëm të afërmit, shumë miq e të njohur, personalitet nga fusha e mjekësisë, ish-studentë etj.

Për jetën dhe veprën hulumtuese shkencore në fushën e Bakterologjisë kërkimit laboratorik të Prof. Dr. Robert Andonit foli Dr. Themistokli Sinjari mjek Kardiolog dhe Drejtues Teknik i Qendrës Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi” , ndërsa për kontributin e tij në Lidhjen e Intelektualëve Orthodhoksë foli z. Thoma Shkira. Në fund Kryepiskopi Anastas, vlerësoi kontributin e veçantë të të ndjerit, duke u ndalur në disa karakteristika që e shquanin: si hulumtues i së vërtetës, si ofrues i dashurisë dhe dijeve, si besimtar i mirë e i përshpirtshëm, si njeri i butë e i dashur me të gjithë dhe gjithmonë me ndjenjë përulësie. Ai foli edhe për impenjimin e veçantë dhe zellin e ofrimit hierapostolik të treguar nga laikët në Ringritjen e Kishës sonë.

“Të lumur që tani janë ata të vdekur që vdesin të bashkuar në Zotin”.
Zbulesa 14:13