Në Kishën Orthodhokse qiriu është shprehje e gjerë e një ofrimi personal drejtuar Perëndisë, shenjtorëve dhe Kishës. Ai ndizet si shenjë nderimi drejtuar Perëndisë e shenjtorëve, si shfaqje e gëzimit dhe hidhërimit shpirtëror, simbol i gëzimit dhe fitores së Kishës, si shprehje dhe fuqizim i lutjes sonë.
Qiriu lidhet vazhdimisht me simbolin e dritës. Kështu ai bëhet edhe tregues i shpresëtarisë së besimtarëve. Ai ndizet para ikonës së Jisu Krishtit, Virgjëreshës Mari ose shenjtorëve, si dhe para ikonës së shenjtorit, emrin e të cilit mban kisha. Pranë tyre në narteks (në hyrje të kishës), në ikonambajtës apo proskinitarë, zakonisht vendosen qirimbajtëse për të vënë qirinjtë ofrues të besimtarëve që hyjnë në kishë.
Kur i ndezim me shumë shpresëtari, duke u lutur, mund të themi: “O Krishti im, Ti je drita e botës. Ndihmomë që jeta ime të shkrihet nga dashuria për Ty dhe për të afërmin tim, e të ndriçojë si dritë e përulur e këtij qiriri”.
Ashtu si qiriri shkrin dhe njëkohësisht ndriçon, kështu edhe ne brenda kishës dhe sidomos jashtë saj duhet të “shkrijmë e të ndriçojmë” veten, por edhe duke u ofruar për të afërmin dhe ta ndriçojmë për hir të dashurisë së Krishtit.
Ndezim qiri si për shpëtimin e shpirtrave tanë (të të gjallëve), ashtu edhe të atyre që kanë ndërruar jetë, të të fjeturve (atyre që duam të kujtojmë).
Nga historia e jetës adhuruese kishtare njihemi se qirinjtë përdoren edhe për të ndriçuar ambientin adhurues dhe objektet brenda tij. Mbajtëset e qirinjve (shandanët) kanë larmi në madhësi e në simbolizma: dyqirinjsh (2 natyrat e Krishtit), treqirinjsh (3 personat e Trinisë së Shenjtë), shtatëqirinjsh (7 dhuratat [fryti] e Shpirtit të Shenjtë) apo dymbëdhjetë- qirinjsh (12 apostujt).
Në raste të veçanta të adhurimit të krishterë disa prej këtyre qirimbajtëseve përdoren si mjet bekimi drejtuar popullit, si p.sh. episkopi kur shërben në ndonjë shërbesë adhurimi.
Qirinj të ndezur mbahen si nga klerikët ashtu edhe nga besimtarët, gjatë mistereve dhe shërbesave si: pagëzimi, martesa, varrimi, përkujtimorja, procesioni i Epitafit të së Premtes së Madhe dhe Ngjalljes të së Dielës së Pashkës etj., si dhe gjatë shërbesave të tjera për të mirën e personave të caktuar ose në përgjigje të rrethanave komunitare. Le të përmendim së fundi nga Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë (Agjioriti), se përse ndezim qiri në kishë:
– Për lavdinë e Perëndisë, i Cili është drita e vetme e vërtetë që ndriçon çdo njeri.
– Për zhdukjen e errësirës së natës dhe për ngushëllimin tonë nga frika e errësirës.
– Që të tregojmë se kemi gëzim në shpirtin tonë.
– Që të nderojmë shenjtorët dhe dëshmorët e besimit tonë, duke imituar kështu të krishterët e hershëm që ndiznin qirinj mbi varret e martirëve.
– Për veprat tona të mira, ashtu siç tha Zoti: “kështu le të ndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin e tyre që është në qiejt”.
– Për lutje që të falen mëkatet e atyre që ndezin qirinj dhe të atyre për të cilët i ndezin.
Është e qartë se çdo simbolizëm që përmendëm, edhe të tjera që mund të përmendnim, tregon faktin se duke ndezur qiri duhet të kujtojmë se duhet të jetojmë me Jisu Krishtin, që është Drita e botës, të mbushemi nga Drita e Tij dhe të jetojmë një jetë të ndritshme dhe ofruese, të mbushur me dashuri për Perëndinë dhe çdo njeri.
Ndezja e qiriut gjithashtu është edhe një ofrim dhe kontribut personal në ndihmë të ekonomisë së Kishës.