Ditët e fundit ka dalë në qarkullim në pikat e shitjes së Kishës sonë libri Tetëtingullshi ngjallësor. Ai është botuar me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.

 

Hyrja e Librit

 

    Tetëtingullshi (Oktoihos) është libri liturgjik që përmban himnet apo troparet ngjallësore të kompozuara në të tetë tingujt e muzikës bizantine, domethënë vargëzimet e Mbrëmësores dhe të Mëngjesores, lavditë dhe hyjlindësoret, përlëshoret, ndenjësoret, dëgjimet, antifonet e shkallesave, paravargjet e Ungjijve mëngjesorë, shkurtoret, shtëpitë, njëmbëdhjetë dërgimësoret si edhe njëmbëdhjetë lavditë mëngjesore etj., të cilat psalen të shtunën në mbrëmje, në Mbrëmësoren e Madhe dhe të dielën në mëngjes, në Mëngjesoren e së dielës. Ky korpus prej tetë shërbesash, i shkëputur nga libri Lutësorja (Paraklitiki), përsëritet vazhdimisht gjatë gjithë vitit liturgjik, brenda një cikli prej tetë javësh, duke nisur nga e diela e parë pas Pashkës e në vazhdim.

    Tërësia e himneve, pasuria e tyre poetike dhe teologjike, të cilat janë fryt i punës së himnografëve të shenjtë të Kishës, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, e bënë Tetëtingullshin ngjallësor një nga librat kryesorë të adhurimit të Kishës dhe një nga librat liturgjikë më të dashur për besimtarët.

    Tetëtingullshi ngjallësor ose Anastasimatari, siç njihet në literaturën muzikore, në vija të përgjithshme, është krijim poetik i shën Joan Damaskinit (shek. VIII), sepse falë tij ky libër mori formën e vet përfundimtare, duke u bërë libri kryesor liturgjik i Kishës. Por në të ekzistojnë edhe himne më të vjetra ose më të reja, të njohura ose anonime, si p.sh., shkallesat i atribuohen Theodhor Studitit, disa vargëzime Anatolit të Studitëve, kanonet trinisore Mitrofanit të Smirnës, dërgimësoret Konstandinit VII, Porfirogjenitit (913-959), lavditë mëngjesore Leontit VI, të Urtit (886-912), pasvargjet Pavël Amoreut etj.

    Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, ky tekst që mbani në duar, është fryt i një pune disavjeçare në grup, i përgatitur dhe i sprovuar edhe në praktikë për disa vite me radhë. Ky tekst mbështetet kryesisht në dy përkthimet ekzistuese në shqip, të hirësisë së tij Theofan Nolit: Lutjesorja e kthyer nga gërqishtja, e vitit 1914, dhe Kremtore e Kishës Orthodokse, e vitit 1947; të dy të botuar në Boston. Teksti, në tërësinë e tij, është riparë dhe përmirësuar nga aspekti teologjik, gjuhësor dhe muzikor për të dhënë kuptimet e duhura, të sakta dhe të përshtatshme me meloditë bizantine. Por, për arsye muzikore, te himnet e përshembullta janë ruajtur disa fjalë në formën e tyre arkaike dhe janë vendosur yje për të lehtësuar psaljen.

    Ndërsa, për arsye praktike, në fund të librit është vendosur e plotë edhe shërbesa e Mbrëmësores të së shtunës si dhe e Mëngjesores të së dielës me të gjitha pjesët e saj statike.

    Nuk do të guxonim kurrsesi as ta mendonim që kjo është puna më e përsosur. Por është një përpjekje dhe një punë e përbashkët, e cila synon të nxjerrë një libër sa më të përshtatshëm, si për psaltët, ashtu edhe për besimtarët, me qëllim që shërbesat të kryhen në mënyrë sa më të hirshme e, mbi të gjitha, për lavdi të Perëndisë Triadik.

    Më poshtë po japim Parathënien e librit, të shkruar nga Kryepiskopi Anastas:

 

PARATHËNIE

 

    Jeta adhuruese e Orthodhoksëve kulmon në të kremten e tërëndritshme të Ngjalljes së Krishtit, me të cilën përmbushet vepra shpëtimtare e Zotit tonë Jisu Krisht në botë. Pa Ngjalljen, predikimi i Ungjillit përfundon në një kod të dobët rregullash morale. Apostull Pavli e thekson këtë të vërtetë në mënyrë të guximshme: “Edhe nëse nuk u ngjall Krishti, pa fjalë, predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj i kotë” (1 Kor. 15:14). Dinamika e mesazhit të krishterë përqendrohet në “Krishti u Ngjall!”. Ngjallja e Krishtit shpall fuqishëm tejkalimin e vdekjes. Sa pagëzohen me besim në vdekjen dhe në Ngjalljen e Krishtit, ecin bashkë me Të në përjetësi.

    Kryqi dhe Ngjallja përbëjnë dy boshtet e ciklit himnologjik kishtar. Kisha Orthodhokse nuk synon ta imponojë këtë të vërtetë me argumentime shterpë, por e bën të kremte, e gëzon, e jeton. Ajo i fton shpirtrat e besimtarëve, brenda valëve të lavdërimit, që të ripërtërihen, të lulëzojnë, të rrisin fuqitë e tyre të brendshme, të intensifikojnë më tej përpjekjen shpirtërore.

    Kisha Orthodhokse nuk e himnizon Ngjalljen e Krishtit vetëm gjatë periudhës së Pashkës, por çdo të Diel e risjell me ngazëllim në mendjen dhe në ndërgjegjen e besimtarëve. Rrezatimi i saj përshkon tërë ethosin orthodhoks. Për këtë qëllim përdoren “tetë tingujt” e njohur në traditën e Kishës. Kori i psaltëve, herë në mënyrë pendim-dërrmuese (kataniktike) dhe herë triumfalisht, i lartëson krahët e shpirtit tonë për t’iu afruar paksa madhështisë së dashurisë hyjnore, që kulmoi me Ngjalljen e Krishtit.

 

* * *

 

    Në këtë botim përfshihen Shërbesat që psalen në Mbrëmësoren e së Shtunës dhe në Mëngjesoren e së Dielës. Këto himne të mrekullueshme janë sinopse të mahnitshme të doktrinës dogmatike të Kishës. Janë shtresa xeherori shumë të vyera, të cilat e pasurojnë mendjen dhe zemrën tonë, dhe na ndihmojnë t’i afrohemi misterit të besimit të krishterë në përmasat e tij mbarëbotërore.

    Më të vjetrit e këtyre himneve, vepra të teologut të madh, Joan Damaskinit (shek. VIII), shquhen për thellësinë teologjike. Siç përmendet edhe në shënimin hyrës të këtij botimi, këtu përfshihen edhe poema të himnografëve të tjerë të shquar.

    Falënderime të veçanta meritojnë të gjithë ata që kanë kontribuuar në formatimin e këtij përkthimi në gjuhën shqipe, nga punëtori i tij i parë, episkopi Theofan Noli, deri tek ata që e përmirësuan në vazhdim. Sigurisht, nuk duhet të harrohet fakti se krijimi poetik në origjinal i ka rezistuar kohës dhe ruan ende një bukuri brilante.

 

* * *

 

    Dy tropare mjaft domethënëse nxjerrin në pah fuqinë shprehëse, plotësinë dogmatike, horizontin e tyre ekumenik:

    “Si do t’ia shpaguajmë Zotit për gjithë ato që na dhuroi? Për ne erdhi Perëndia midis njerëzve. Për natyrën tonë të shthurur Fjala mori trup dhe banoi ndër ne; për mosmirënjohësit, Mirëbërësi; për robërit, Çlirimtari; për ata që rrinin në errësirë, Dielli i drejtësisë; mbi Kryq, i papësuari; në Hadh, Drita; në vdekje, jeta, Ngjallja për të rënët. Atij le t’i thërresim: O Perëndia ynë, lavdi më Ty.”
    (Tingulli i Rëndë, Vargëzimet e Lavdërimeve të Mëngjesores të së Dielës)
 
    “Ejani, gjithë kombet, njihni fuqinë e misterit të frikshëm, se Krishti, Shpëtimtari ynë, Fjala e kryes, u kryqëzua për ne dhe, duke dashur, u varros, dhe u ngjall së vdekurish, që t’i shpëtojë të gjitha; atij le t’i falemi.”
    (Tingulli i Tretë, Vargëzimet e Lavdërimeve të Mëngjesores të së Dielës)
 

    Tetëtingullshi Ngjallësor (Oktoihos) është gjithashtu një libër shumë i vyer lutjesh personale. Ofron material të paçmueshëm të vërtetash dogmatike me një cilësi të rrallë estetike. E meriton të bëhet shok i pandarë i besimtarëve orthodhoksë në jetën e tyre adhuruese dhe shpirtërore.

 

Tiranë, mars 2018

 

† Anastasi

 

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

 

Tetëtingullshi ngjallësor, Maj 2018