Vështrim i përgjithshëm 1991-2020

 

Pas largimit të pushtuesve (nëntor 1944), në Shqipëri u imponua regjimi komunist, i cili nisi përndjekjen e fesë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vuajti si asnjë Kishë tjetër në vendet komuniste. Për 46 vjet, regjimi i Enver Hoxhës u përpoq të shkatërronte dhe të çrrënjoste Orthodhoksinë në vendin tonë.

Në fazën e dytë (1967-1990), shteti shqiptar u kthye tërësisht në ateist. Me dekretin e publikuar më 22.11.1967, Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë e në histori, në të cilin u ndalua me Kushtetutë çdo shprehje lirie fetare. Më 4 prill 1967, u dha direktiva për persekutimin absolut të fesë. Kisha Orthodhokse u shpërbë. Në atë kohë Kisha Orthodhokse e Shqipërisë kishte, përveç Kryepiskopatës, edhe tri Episkopata të tjera, 19 krahina arkihieratike, 330 enori dhe 25 manastire (por pa vëllazëri murgërore). Kleri u zhvesh me dhunë. Dhunë e egër, me internime, burgime dhe vrasje u ushtrua edhe ndaj besimtarëve. Me dhunë u mbyllën të gjitha kishat dhe manastiret, një numër i madh i tyre u shembën, të tjera u shndërruan në muze, depo, kovaçhana, stalla etj. Pasuria kishtare (tokë, enë të shenjta, arkiva) u konfiskua. Shprehja më e vogël e besimit fetar – mbajtja e ikonave, ndezja e kandilave, vezët e Pashkës – ndëshkohej me shumë ashpërsi. Për 25 vjet nuk kishte asnjë ripërtëritje të klerit, por gjëja më tragjike ishte se nuk kishte më asnjë episkop. Për këtë arsye, kur ky persekutim mbaroi, ishte e pamundur ringritja dhe riorganizimi i Kishës bazuar në mundësitë e saj të brendshme.

Viti 1991, kur regjimi komunist u përmbys si rezultat edhe i zhvillimeve botërore, e gjeti Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë plotësisht të rrënuar. Sprovat e tmerrshme që, për dekada, si zjarre masive kishin bërë shkrumb e hi Kishën vendore, e kishin kthyer atë në tokë të shkretë.

Nismën për riorganizimin e Kishës së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike, e cila i kishte dhënë Autoqefalinë në vitin 1937. Më 24 qershor 1992, u zgjodh Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi (Janullatos). Zgjedhjes i parapriu një vit pune hierapostolike nga Anastasi (atëherë episkop-mitropolit i Andrusës, Profesor i Universitetit të Athinës: Kryetar (Moderator) i Komisionit Botëror për Misionarizmin dhe Ungjillëzimin të Këshillit Botëror të Kishave), i cili kishte mbërritur në Tiranë në qershor të vitit 1991 si Ekzark Patriarkal. E drejtuar dhe organizuar prej tij, me Hirin e Perëndisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u ngjall përsëri nga gërmadhat.

 

 Sinodi 

 

• Nga viti 1992 e deri më 1998, përgjegjësinë e veprës hierapostolike dhe pimantike në Shqipëri e kishte marrë përsipër Kryepiskopi Anastas.

• Në vitin 1998, u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi; Hirësitë e Tyre, Mitropolitët: i Beratit, Ignati; i Korçës, Joani; Hirësia e Tij, Episkopi Kozma, me kryesekretar protopresviterin Jani Trebicka.

• Në vitin 2006 u dorëzuan edhe tre episkopë të rinj: Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, Mitropolit i Gjirokastrës; Arkimandrit Nikolla Hyka, i cili mori titullin Episkop i Apollonisë; dhe Arkimandrit Andon Merdani, i cili mori titullin Episkop i Krujës (dy të fundit janë episkopë ndihmës të Kryepiskopit).

• Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e ri të Kishës. Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

• Më 24 nëntor 2008, u nënshkrua marrëveshja, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, marrëveshje që u aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar, me nr.10057, më 22.01.2009.

• Në vitin 2012 u dorëzuan edhe dy episkopë të rinj: Arkimandrit Nathanail Lavrioti, si Episkop i Amantias dhe Arkimandrit Asti Bakallbashi si Episkop i Bylisit.

• Më 11 dhe 12 mars 2016, në mjediset e Manastirit të Ri të Shën Vlashit, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në punimet e saj, morën pjesë më shumë se 280 anëtarë nga Kryepiskopata dhe tri Mitropolitë (të gjithë klerikët dhe 30 laikë nga Kryepiskopata e nga secila mitropoli). Në asamble u bënë disa përmirësime në Statutin e Kishës, të aprovuar në vitin 2006. Ndër to, ishte edhe krijimi i dy mitropolive të reja, asaj të Apollonisë e Fierit, në krye të të cilës u caktua episkopi Nikolla Hyka dhe ajo e Elbasanit, në krye të së cilës u caktua episkopi Andon Merdani. Hirësia e Tij Nathanaili u ngrit në rangun e Mitropolitit të Amantias.

• Sot Sinodi i Shenjtë përbëhet nga: Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi; Hirësitë e Tyre, Mitropolitët: i Beratit Ignati; i Korçës, Joani; i Gjirokastrës, Dhimitri; i Apollonisë dhe i Fierit, Nikolla; i Elbasanit, Andoni; i Amantias, Nathanaili (i cili kryen edhe detyrën e Kryesekretarit), dhe Episkopi i Bylisit, Asti.

• Në nëntor 2006, u votua, sipas procedurave të parashikuara, Statuti i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili, në shkurt 2016, u përmirësua me shtimin e disa neneve.

 

 Formimi i klerit dhe kuadrove 

 

Me kujdesin e Kryepiskopit u arsimuan dhe u hirotonis një brez i ri klerikësh, të gjithë nënshtetas shqiptarë.

• Sot shërbejnë 161 klerikë (të të gjitha gradave), me arsim të lartë. Ndëkohë kanë ndërruar jetë 20 klerikë.

• Që prej vitit 1992, funksionon Akademia Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në të cilën përgatiten klerikët dhe kuadro të rinj për katekizëm dhe shërbime në aktivitete të ndryshme të Kishës.

• Për arsimin kishtar funksionon edhe Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës, i Kolegjit Universitar “Logos”, në Shën Vlash, nga viti 2018; dhe “Shkolla e Muzikës Bizantine”, në Tiranë, nga viti 2013.

• Ndërkohë janë kualifikuar më tej në universitete të njohura teologjike jashtë vendit dhe studentë të tjerë.

 

 Rinia Orthodhokse 

 

• U krijuan dhe funksionojnë qendra rinore në qy­tete e fshatra.

• Çdo vit organizohen veprimtari rinore të larmishme si: kampingjet verore e dimërore, konferenca, veprimtari sportive, aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuara, festivale rinore etj.

• Kampingje verore janë organizuar për një periudhë të gjatë edhe në Kosovë, pas vitit 1999.

 

 Vepra ndërtuese 

 

• Janë ndërtuar më shumë se 155 kisha të reja (të mëdha e të vogla), janë restauruar 63 kisha e manastire-monumente kulture dhe janë riparuar mbi 160 kisha. Janë ngritur, blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 75 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfrit etj. E tërë vepra ndërtuese arrin në 460 objekte.

• Për disa vjet rresht prej vitit 1995 funksionoi edhe një kurs arkitekture, ku çdo vit merrnin njohuri të ndryshme për ndërtimet dhe arkitekturën kishtare 40 të rinj.

• Në vitin 2016 u përurua hidrocentrali “Rapun 3 dhe 4”, në Librazhd. Është në fazën përfundimtare Hidrocentrali i Llëngës, Mokër.

 

 Botimet 

 

• Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj me makineri moderne dhe boton gazetën e përmuajshme “Ngjallja”, revistën për fëmijë “Gëzohu!”, revistën rinore “Kambanat” etj. Janë botuar dhjetëra libra të ndryshëm liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë etj..

• Në vitin 2009 nisi të botohej edhe revista periodike “Kërkim”, me artikuj në teologji, shkencë, kulturë, aktualitet. Në Korçë, që prej vitit 2000, botohet revista “Tempulli”, revistë periodike kulturore; ndërsa në Gjirokastër botohet buletini “Enoria Jonë” dhe në Fakultetin Teologjik buletini studentor “Fjala”.

 

 Kujdesi për shëndetin 

 

• Kryepiskopi Anastas duke parë nevojën e madhe që kishte populli ynë në vitet e para të demokracisë, për ndihmë mjekësore si në vizita mjekësore, ilaçe, u bë e mundur hapja e klinikës së parë orthodhokse me emrin ”Shën Llukai”, në vitin 1994. Në nëntor të vitit 1999 kjo klinikë u zëvendësua nga Qendra Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi, një poliklinikë moderne në të gjithë kushtet dhe shërbimet që ofronte.

Qendra Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, në Tiranë, me 23 specialitete ofron shërbime bashkëkohore mjekësore, me kontributin e mjekëve të njohur, e një personeli të specializuar dhe me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit, për të gjithë popullsinë, pa dallim besimi. Në nëntor 2011 nisi të funksionojë Qendra Okulistike dhe Otorinolaringologjike në Tiranë.

• Qendra të kujdesit parësor shëndetësor (Poliklinika) kanë funksionuar për shumë vite në Kavajë, Korçë, dhe Lushnjë (1997-2015). Një qendër diagnostike mjekësore funksionon në Jergucat (Gjirokastër). Ndërsa një njësi ambulante dentare ofronte shërbim falas në qytete e fshatra, sidomos për fëmijët (1997-2011).

• Zyra “Diakonia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë) kontribuon edhe në shtimin e rolit të infermierëve dhe mamive në zonat rurale, duke ofruar projekte trajnimi dhe ndihma, duke botuar falas një libër praktik “Aty ku nuk ka mjekë” etj.

 

 Kujdesi për arsimin 

 

• Për arsimimin kishtar funksionojnë Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës në Kolegji Universitar “Logos”, shkolla e mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” dhe “Shkolla e Muzikës Bizantine”, në Tiranë. Të gjitha janë me konvikte me kushte bashkëkohore dhe nxënësit janë të gjithë me bursa nga Kryepiskopi Anastas.

• Funksionojnë 18 kopshte: në Tiranë (2), Durrës, Kavajë, Elbasan (2), Cërrik, Shkodër, Berat, Vlorë, Lush­një, Gjirokastër (2), Sarandë, Dervician, Përmet, Korçë, Pogradec.

• Gjithashtu funksionojnë: në Tiranë, kompleksi ar­simor shqiptaro-amerikan “Protagonistët” (kopsht, shkollë 9-vjeçare, gjimnaz); në Durrës dhe Gjirokastër, shkollat 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (si dhe gjimnaze); në Korçë, gjimnazi “Platon”; në Mesopotam, gjimnazi dhe shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”; në Bularat, konvikti “Trëndafili i pavyshkur” për vajza të shkollës së mesme; në Shën Vlash, Durrës, shtëpia e fëmijës “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”.

• Në kohë të ndryshme u është dhënë mbështetje teknike e materiale shumë shkollave publike. Njëkohësisht u riparuan disa ndërtesa të shkatërruara universitare në Tiranë e Gjirokastër, u rikonstruktuan 10 shkolla, midis tyre edhe konviktin e fëmijëve që nuk flasin e nuk dëgjojnë, dhe 6 përkujdesje ditore (kopshte), sheshi sportiv i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë etj.

• Nga viti 2000 – 2010 funksiononte në Tiranë – me filial edhe në Gjirokastër (në vitin 2002 – 2011) – Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, i pari i këtij lloji në vend.

• Nga Tetori 2010, në Tiranë funksionon Kolegji Universitar “Logos”.

 Vepra sociale dhe humanitare 

 

• Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi (1992, 1994, 1997), Kisha jonë ka zhvilluar veprimtari të gjerë sociale dhe humanitare, duke siguruar dhe shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj.

• Kisha jonë ka përkrahur një numër të madh programesh sociale, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh e ujësjellësish, programe shëndeti dhe shoqërizimi për gratë në zonat rurale, program për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritje qendrash shëndetësore në fshatra, kontributi për shkolla, jetimore, spitale, ndihma për institutet për persona me aftësi të kufizuara, azilet, për të burgosurit, të varfrit etj.

• Gjatë vitit 1999, kur vendi ynë priti valët e refugjatëve kosovarë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me donatorë dhe organizma fetare ndërkombëtare (sidomos me programin ACT, të Këshillit Botëror të Kishave) organizoi një program të gjerë ndihme, prej më shumë se 12 milion dollarësh, duke ndihmuar më shumë se 33 mijë të ardhurve nga Kosova, me ushqime, veshmbathje, ndihma shtëpiake, mjekësore, strehim (në dy kampe) etj.

• Në vitin 2008, pas tragjedisë në fshatin Gërdec, Kisha jonë dha kontributin e saj material dhe njerëzor, që në çastet e para, si dhe bëri thirrje dhe mblodhi ndihma të ndryshme nga besimtarët orthodhoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat iu shpërndanë të dëmtuarve, si dhe u rindërtua plotësisht kopshti i fshatit Muçaj.

• Kisha Orthodhokse dha kontributin e vet edhe për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga përmbytjet e jashtëzakonshme të vitit 2002, në rrethet e Lezhës, Beratit e Gjirokastrës si edhe në vitin 2010 në qytetin e Shkodrës. Vitet e fundit ka ndihmuar në mënyrë të përsëritur banorët e prekur nga përmbytjet në rrethet e Fierit dhe Vlorës etj.

• Në vitin 2018 filloi të funksionojë Shtëpia e të moshuarave Familja e Dashurisë “Hyjlindësja Mari” në Tiranë.

 

 Kontributi për kulturën 

 

• Një Zyrë e veçantë e Trashëgimisë Kulturore merret me regjistrimin dhe me ringritjen e objekteve orthodhokse të kultit, që janë dhe monumente kulture, për të cilat janë shpenzuar deri më sot mbi 11 milionë euro.

• Janë ngritur kore në mjaft kisha të vendit. Janë ngritur studio për realizimin dhe restaurimin e ikonave, për përgatitjen e një brezi të ri artistësh, që kanë rigjallëruar traditën tonë shumë të pasur të ikonografisë. Deri sot janë restauruar rreth 600 ikona.

• Funksionon stacioni radiofonik “Ngjallja”, i cili ka filluar transmetimet në vitin 1998, në valët FM 88.5 MHz. Tani dëgjohet në Tiranë-Durrës FM 88.5, Elbasan FM 93.4, në Myzeqe 98.7, Korçë FM 88.7; gjithashtu, transmeton edhe në internet. Ky stacion transmeton 24 orë programe të ndryshme kulturore, sociale dhe fetare.

• Janë sponsorizuar botime të rëndësishme shkencore, realizimi i filmave dokumentarë, organizimi i simpoziumeve shkencore, ekspozitave të ndryshme si ato ikonografike, me punime të fëmijëve etj.

 

 Kujdesi për mjedisin 

 

• Në marsin e vitit 2001 filloi “Programi për ruajtjen e mjedisit dhe përgatitjen e kuadrove”. Ai përfshiu edhe formimin pasuniversitar të të rinjve shqiptarë, të diplomuar në biologji, inxhinieri pyjore dhe të mjedisit.

• Programi përgatiti studime për mbrojtjen e disa ekosistemeve të zonës së Zvërnecit në Lagunën e Nartës, rrjedhës së Vjosës dhe parkut të Llogarasë, si dhe për administrimin e mbeturinave të ngurta në disa qytete.

 

 Marrëdhëniet ndërkombëtare 

 

• Kisha jonë merr pjesë në të gjitha mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në mbarë botën. Në vitin 2016 mori pjesë në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë, në Kretë.

• Ajo është anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave dhe e Këshillit Botëror të Kishave. Kryepiskopi Anastas ka qenë një nga tetë Presidentët e KBK, 2006-2013 dhe, gjithashtu, ai është President Nderi i Organizatës më të madhe Ndërfetare “Fetë për Paqen”.

 

* * *

 

*Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me praninë dhe aktivitetin e saj ndër vite, kontribuon në mënyrë thelbësore në rindërtimin dhe zhvillimin shpirtëror e social të vendit.