TEOLOGJIA SI LUTJE
DHE SI GJENDJE E SHPIRTIT TONË
Lutja, përvojë e përjetësisë
Arkimandrit Sofroni
Sa herë flitet për Perëndinë, shpirtin e kap një drithërimë turpi e sikleti: Cili njeri me mend do të rrezikonte të fliste për njohjen e Perëndisë pa druajtje dhe pa u dridhur? Sipas konceptimit tonë të krishterë për njohjen si pjesëmarrje ose si kungim në vetë qenien, ajo është akoma dhe më e guximshme…
Dëshirojmë – dhe është e natyrshme – që çdo fjalë e jona për Perëndinë e gjallë të jetë e gjallë, të burojë nga thellësitë e zemrës sonë nën veprimin e Shpirtit të Shenjtë. E ndjekim me shpresëtari lindjen e mistershme të fjalës brenda nesh. E presim me durim, herë në lutje të heshtur, herë në shpresën e përulur që, në përuljen e Tij të pafund, Fjala pa fillim e Atit do të na japë një fjalë të qartë për veten e Tij.
Tema jonë nuk është e lehtë. Me vështirësi e trajtuam, na lindën një seri pyetjesh që na zhytin në mëdyshje: A nuk është marrëzi të pretendosh se e njeh Atë që është mbi çdo njohje? Të përqendrohesh në këtë punë, vallë a nuk do të thotë se mendojmë, me mungesë të dukshme modestie, se tashmë e zotërojmë disi atë që kërkojmë? Si mund t’u komunikojë të tjerëve njohjen e mistereve hyjnore dikush që nuk ka hyrë në to? Si mund të hapë me fjalën e tij rrugën për t’i çuar të tjerët në vizionin e Dritës ai që është i huaj për Dritën? Por tani le të hedhim tutje çdo frikë. Le të kujtojmë lajmin e mirë që na vjen nga Zbulesa dhe që forcon kurajën tonë: Fjala e bashkëpërjetshme me Atin është kjo “Dritë e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Jn. 1.9). Aq më tepër, nuk duhet të harrojmë se në Krishtin marrim vërtet një pagëzim “me Shpirt të Shenjtë e me zjarr” (Matth. 3.11). Megjithatë, rezervohemi të nxjerrim konkluzione të fryra, të ndërgjegjshëm se nuk arrijmë mbi tokë në plotësinë e përsosmërisë, dhe se veshi ynë i brendshëm e vizioni ynë shpirtëror nuk janë të pagabueshëm. Me ardhjen e Tij, Drita e vërtetë na zbulon se nuk jemi të lirë nga errësirat e mëkatit e të pasionit. Apostujt e shenjtë dhe Etërit tanë kanë mësuar nga Shpirti i Shenjtë të dallojnë atë që buron nga Perëndia dhe atë që vjen nga supozimet dhe mendimet e tyre, sado të larta dhe madje të shenjta të shfaqen (shih Vep. 16.6-10; I Kor. 7.10,12,25,40 etj.). Ia besuan njohjen e misterit hyjnor të zbuluar (shih Ef. 3.3-5) njerëzve të aftë për ta asimiluar, pastaj me radhë këta ua mësuan të tjerëve (shih II Tim. 2.2). Kjo ndodhi me Kishën deri në ditët tona. Duhet të kujtojmë se, cilido qoftë zjarri me të cilin lutet një njeri, frika se mos gabojë nuk duhet ta lërë asnjëherë (shih Gal. 2.2), dhe që vrulli ynë për t’iu afruar më shumë të Vërtetës unike, përjetësisht të patjetërsueshme, nuk duhet kurrë të pakësohet (shih Fil. 3.12-14).
Ajo që u tha nuk është e diktuar aspak nga ndonjë hezitim në besimin tonë (shih Rom. 12.6), por nga një kërkim i vetëpërmbajtur i rrugës së sigurt dhe nga një vetëkontroll i kthjellët (shih Ef. 5.15).
Kur Drita e pakrijuar e Hyjnisë përqafon njeriun, ai mbetet me gjithë qenien e tij në të vërtetën. Në mendjen e tij nuk ka më vend për pyetje: “Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush. Edhe në atë ditë nuk do të lypni prej meje asgjë” (Jn. 16.22-23). Por nëse rrëzohemi përsëri nga ky plan i përsosmërisë, duhet të kapërcejmë pasionet që të përgatisim në veten tonë dhe të pastrojmë një vend për hirin e Shpirtit të Shenjtë. Atëherë në shpirt do të ngrihen pyetje të shumta; dhe sa më shumë bie niveli ynë shpirtëror, aq më shumë zgjerohet dhe ndërlikohet problematika shkaktuar nga paqartësitë e pazgjidhura.
Më Perëndinë, madhështia e pafund kombinohet mrekullueshëm me përulësinë ekstreme; kjo përulësi sjell një butësi krejt të veçantë në dashurinë hyjnore. Në tërë të vërtetën – dhe jo relativisht – ky oqean është pa limite; fjala njerëzore, si në një kupë, mund të hedhë disa pika nga uji i tij i gjallë. Para përjetësisë së Perëndisë, çdo eksperiencë e jetës sonë s’është më shumë se një reflektim i zbehtë i diellit në një pike uji.
E pashë të nevojshme ta bëja këtë hyrje të shkurtër. Po e përfundoj tani me një lutje të menjëhershme drejtuar çdo lexuesi të këtyre faqeve: “Jini të duruar dhe dashamirës me mua. Lutuni për mua; dhe unë, lutem që Zoti të më gjykojë të denjë të hyj në rrjedhën e vullnetit të Tij dhe të rrëfej para faqes së shumë njerëzve se si m’u dha të jetoja besimin tonë”.
Me të gjitha galaksitë e tij dhe pafundësitë që ekzistojnë prej miliarda vjetësh, kozmosi është pjesërisht i arritshëm – në energjitë dhe fenomenet e tij – për kërkimin shkencor. Kur parashtrohet pyetja e origjinës së tij, të asaj që ishte “para” shpërthimit të madh kozmogonik, natyrisht që shkenca ndalet. Atëherë mendja jonë në soditje takon si një dëshmi, si një aksiomë, ekzistencën e një Qenieje që zotëron një omnishiencë (gjithëdijeni) dhe një plotfuqi, të cilat i shpëtojnë çdo aftësie intelektuale.
Në mënyrë të ndërgjegjshme, mendja transhendon ekzistencën ndjesore. Nuk ekziston njësi kohe, sado e gjatë të jetë, që të mund të kënaqë shpirtin tonë. Nuk ka hapësira, sado të gjëra që të jenë, në të cilat nuk do të ndiheshim ngushtë. Për nga natyra, njeriu dëshiron të kalojë rrethin e ngushtë të ekzistencës materiale, të kapërcejë nocionin e hapësirës e të kohës, dhe të arrijë në njohjen e Atij që është. Shpirti ynë nuk gjen prehje për sa kohë që nuk e ka shuar etjen e tij për të njohur gjithçka që ka lidhje me fatin tonë, madje me atë të tërë universit.
I prirë drejt njohjes integrale e të përsosur, shpirti ynë drejtohet natyrshëm, para së gjithash, drejt Qenies parësore, drejt Atij që është në realitet. Paraetërit tanë të largët e adhuruan me frikë këtë parim që është i çdo jete. Ende nuk e njihnin, por e kërkonin me intuitë, duke ndjekur rrugë nga më të ndryshmet. I ofronin një apo shumë perëndive një adhurim në forma jashtëzakonisht primitive dhe naive, ndonjëherë edhe të egra. Dhe këtë, sepse nuk e njihnin Perëndinë “siç Ai është” (I Jn. 3.2). Disa, dhe duhet të dimë se ishin ndër më të urtët, ndërtuan “një altar me mbishkrimin: Perëndisë së Panjohur” (Vep. 17.23).
Ky nocion i “pamundësisë për të njohur” Perëndinë shfaqet si arritja më e lartë e urtësisë së Greqisë klasike. Edhe deri në ditët tona, brenda kufijve të inteligjencës natyrore dhe besnike ndaj metodave të filozofisë e të shkencës, asnjë filozof ose dijetar nuk ka arritur ta kapërcejë këtë “prag”. Megjithatë, tashmë ne kemi një përvojë të mjaftueshme të limiteve të arsyes sonë; prandaj gjendemi drejt udhëve të tjera për të hyrë në sferën e njohjes shpirtërore lidhur me Parimin e përjetshëm të gjithçkaje që ekziston, të cilat janë: zbulimi dhe lutja.
Mendjes sonë i pëlqen të kthehet në ato çaste të rëndësishme të historisë njerëzore, kur Perëndia u bë i njohur qartazi. Për ne, për tërë botën e krishterë, s’ka dyshim që një nga këto momente ishte zbulimi i Perëndisë në malin Sina, kur profeti i madh Moisi mori njohje të re të Qenies hyjnore: UNË JAM AI QË JAM (Eks. 3.14). Kjo ngjarje e jashtëzakonshme shënoi fillimin e një ere të re në historinë e botës sonë; horizonte të mrekullueshme u hapën përpara njerëzimit. Gjendja shpirtërore e njerëzve është pikënisje e ngjarjeve historike. Në to, elementi i dukshëm nuk vjen i pari; ai është manifestim i forcës që mban ideja, njohja. Njeriu përpiqet të mishërojë në jetë në mënyrë krijuese vizionin e tij intelektual. Ai ndërton qenien e tij të përkohshme si dhe qenien e tij të përjetshme – në planin shpirtëror – në përputhje me inteligjencën që ka nga qëllimi dhe kuptimi i ardhjes së tij në botë (shih Jn. 16.21). Kështu u krijua historia.
I pajisur me kulturën shumë të lartë të Egjiptit të epokës së tij, Moisiu nuk dyshoi aspak se zbulesa që iu dha në mënyrë kaq të pazakontë vinte nga Ai që krijoi universin e dukshëm – të prekshëm – dhe të padukshëm – të pakuptueshëm. Me Emrin e Jahveut Zoti iu zbulua Moisiut, i cili tërhoqi popullin jude dhe e bindi ta ndiqnin. Njohja e re i jepte fuqi të jashtëzakonshme. Me emrin e Jahveut – UNË JAM – ai bëri shumë mrekulli dhe realizoi një mision të një rëndësie të jashtëzakonshme. Moisiut i dedikohet më të vërtetë lavdia e pavdekshme e ngritjes së njerëzimit në lartësinë e një njohjeje më të thellë të të Përjetshmit. Besimi i tij ishte i çliruar nga hezitimet: i jepte urdhrat me autoritetin dhe mësimet që erdhën nga lart. Të gjitha gjërat u kryen në Emrin dhe nëpërmjet Emrit UNË JAM, që u zbulua. Ky emër është i frikshëm për fuqinë dhe pushtetin e tij; është i shenjtë, hyjnor. Në të shprehet njohja që kemi për Atë, të Cilit i detyrohemi gjithçka që ekziston në kozmosin e pakufishëm. Si akt që buron nga Perëndia, ky Emër përmbyll në vetvete energjinë e pakrijuar të të Tërëfuqishmit. UNË JAM AI QË JAM.
UNË është absoluti personal dhe Qenia fillestare, humnera e dhembshurisë, Mësuesi, miku i njerëzve, Mbreti i mbretërve. Asgjë dhe askush nuk ishte para këtij UNË ose pas tij: UNË është Fillimi pa fillim dhe Fundi pa fund. Ky emër është për njeriun depërtimi i parë në përjetësinë e gjallë, drita e parë e njohjes së Qenies së pakushtëzuar si UNË JAM, si person.
Gjiganti i historisë së botës sonë, Moisiu, e nxori popullin jude nga “skllavëria e Egjiptit”, i cili është tipi i tërë formave të shkuara dhe bashkëkohore të robërisë. Gjatë endjes së madhe dhe përmes shkretëtirës, ai zbuloi se, me gjithë mrekullitë e shumta për të cilat qe dëshmitar, nomadët primitivë që ai udhëhiqte nuk ishin ende gati të merrnin një dritë kaq të madhe. Mungesa e besimit të tyre u bë veçanërisht e dukshme kur iu afruan Tokës së premtuar. Atëherë u dekretua se ata që ishin formuar sipas mënyrës egjiptiane të të menduarit, do t’u binin eshtrat në shkretëtirë dhe nuk do të hynin në botën e re “për shkak të pabesisë së tyre” (shih Hebr. 3.16-19). Përgjatë viteve të shumta të shpërnguljes në shkretëtirë, Moisiu duhet të përgatiste një brez të ri, që të kuptonin këtë Perëndi që mban gjithçka në pëllëmbë të dorës.
Vlerësohet në mënyrë të veçantë gjenialiteti i jashtëzakonshëm i Moisiut, sepse e kuptoi zbulesën që iu dha, se ishte me të vërtetë autentike dhe vinte nga Perëndia, por njëkohësisht, e kuptoi se nuk e kishte marrë në tërë plotësinë e saj: diçka qëndronte e fshehur. Ai këndon: “Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime” (Ligji i dytë 32.1). Njëkohësisht, ai kërkon nga Perëndia një njohje më të plotë, duke thirrur drejt Atij nga thellësitë e greminës: “M’i bëj të njohura udhët e tua që të të njoh […] Më trego lavdinë tënde […] Shfaqma atë […] Bëj që të shoh në mënyrë që të njoh” (shih Eks. 33.13 etj.).
Moisiut iu dëgjua lutja, por në masën e aftësive të tij mori përgjigjen e Perëndisë: “Do të bëj që të kalojë përpara teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. […] Dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, […] do të të mbuloj me dorën time […] pastaj do ta heq dorën dhe ti do të më shikosh kurrizin, por Fytyra ime nuk do të shihet” (Eks. 33.19-23). Dhe Zoti i tha Moisiut: “Dhe do të nxjerr për ta një profet [nga izraelitët] nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Dhe nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari” (Ligji i Dytë 18.18-19; shih Jn. 12.49).
Në përputhje me këtë aleancë, çdo izraelit jetonte nën shenjën e pritjes së profetit për të cilin “kishte folur Moisiu” (shih Jn. 5.46), të profetit të shkëlqyer (shih Jn. 1.21). Populli jude priste Mesinë, i cili “do të lajmërojë për të gjitha kur të vijë” (shih Jn. 4.25). Edhe profetët e tjerë të Dhiatës së Vjetër jetonin me këtë pritje dhe shpallnin ardhjen e Krishtit. E dëgjojmë vajtimin e tyre shekullor: “Eja dhe shih” me ne, që të të njohim. “Ja, Virgjëresha tek do të mbetet me barrë, dhe do të lindë një Bir, dhe do ta quajnë emrin e tij Emanuel, d.m.th: Perëndia me ne” (Matth. 1.23; Is. 7.14).
Ai që pritej për kaq kohë erdhi, por krejt papritur: “Maria […] lindi birin e saj të parëlindurin […] dhe e mbështolli në shpërgënj dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata” (Lluk. 2.5-7). “Ja një Engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta vrasë” (Matth. 2.13). “Ai erdhi”, por në një zbrazje ekstreme, dhe, që në ditët e Tij të para, u keqtrajtua.
Ardhja e Perëndisë në mish si ne përfaqëson ngjarjen kryesore dhe kuptimin suprem të të gjithë universit. Krishti nuk i hodhi poshtë parafigurimet profetike të Dhiatës së Vjetër, por i justifikoi duke na zbuluar planin hyjnor që këto përmbanin. I dha dimensione të reja – universale dhe të përjetshme – gjithçkaje që gjendej në Ligjin e Moisiut dhe në fjalët e zjarrta të profetëve. Besëlidhja e Vjetër, që përfundon me “popullin e zgjedhur” ishte drita që shpalli agimin: dielli vetë ende nuk ishte treguar. Ndërsa Dhiata e Re është dielli në majë, zbulimi i shkëlqyer për sa i përket “formës” së Qenies hyjnore. Ky zbulim reflektohet në fatet e gjithë botës dhe te secili nga ne. Ai përuron një erë të re në historinë e njerëzimit: gjithçka ka marrë një tjetër karakter, një kthesë tjetër.
Sigurisht, zbulimi i Perëndisë dhënë Moisiut ishte i madh. Ai e dinte, e ndiente me tërë qenien se universi i dukshëm dhe botët e padukshme, qenia kozmike dhe ne, gjithçka dhe të gjithë e kishin origjinën tek Ai. Në frymën e tij, ai parashikonte se dashamirësia hyjnore, që ishte shpërndarë prej Tij mbi popullin e Izraelit, duhet t’i komunikohet tërë njerëzimit që do të vinte për të adhuruar “Perëndinë e Izraelit” me gëzim të madh. Ai e kuptonte qartë se Absoluti pa fillim nuk ishte ndonjë entitet abstrakt, i papërcaktuar apo suprapersonal, as një proces kozmik nënshtruar një determinizmi, por Perëndia i gjallë, hipostatik.
Megjithatë, Moisiu nuk e mori këtë zbulesë në tërë plotësinë e saj: “Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ishte Perëndia” (Eks. 20.21). Këto fjalë mund të interpretohen në shumë mënyra. Në pamje të parë, theksi i vihet karakterit të panjohshëm të Perëndisë; por në cilin kuptim dhe në cilin raport, kjo do të mbetet një mister për Moisiun. Mos vallë ëndërronte pamundësinë për të njohur Qenien e përjetshme në esencën e Tij? Ose të pyeste se si Personi që iu zbulua mund të qëndronte përjetësisht në një vetmi metafizike? Nëse Perëndia është një, cila është përmbajtja e jetës së tij? Nëse Perëndia është zhytur në soditje të vetes, si mund t’i komunikojë Ai njeriut një njohje të vetes? Në mënyrë të përgjithshme, a është e mundur për njeriun të qëndrojë me Të? Ndonëse ky Perëndi pranoi të udhëhiqte popullin e Izraelit, por ku dhe me cilin qëllim përfundimtar? Udhët e Providencës së Tij mbetën të pakuptueshme për Moisiun. Në mënyrë të mirëfilltë Zoti është i pakapshëm në natyrën e Tij të thellë, i pashprehshëm në “formën” e Qenies së Tij.
Vdekja e Moisiut është simbolike: ai mbërriti deri në kufi të “Tokës së Premtuar” dhe atje, në këtë cak, vdiq, duke hedhur nga maja e një mali shikimin e tij mbi vendin ku Izraeli do të gjente fatin e tij të ri. Populli që u zgjodh për një rol të madh historik do të udhëhiqej më përpara nga një farë Jisui, Jisui, biri i Naviut, emri i të cilit parathoshte ardhjen e Jisuit të vërtetë, Shpëtimtarit të botës, i cili do të na drejtojë në Mbretërinë e premtuar (shih Ligji i Dytë 34.4,9).
I “vërteti” u shfaq, por njerëzit nuk e njohën (shih Jn. 1.10). Ngjarja e tejkalonte në mënyrë të pallogaritshme kapacitetin e tyre për të kuptuar. I pari që e njohu ishte shën Joan Pagëzori; prandaj edhe ai me të drejtë u quajt më i madhi “midis atyre që lindën nga grua”, fundi i Ligjit dhe i Profetëve (shih Matth. 11.13). Vërtet, çfarë fryme kishte Pagëzori! Nën paraqitjen e përulur të një njeriu, diti të njihte të Përjetshmin e para shekujve (shih Jn. 1.27,34).
Si i vdekshëm, Moisiu kishte nevojë për konfirmime të dukshme të pushtetit që iu dha nga lart. Gjithsesi, s’mund të lexojmë pa u dridhur nga frika Pentatekun dhe disa pasazhe të librave historikë të Dhiatës së Vjetër: Gjithçka ishte përmbushur në Emrin e Zotit, përfshirë këtu edhe genocidet (shih Ligji i Dytë 2.34; 3.6; 20,16) si dhe asgjësimin e të pabindurve (Eks. 32.27-29). Të gjithë ata që e kundërshtonin Moisiun iu nënshtroheshin ndëshkimeve të ashpra dhe ndonjëherë ekzekutoheshin. Ai iu afrua malit Sina “i djegur nga një zjarr i flaktë, në vranësirë e në errësirë dhe në thellim e në zë trumbete, e në zë fjalësh të cilën s’mund ta duronin” (shin Hebr. 12.18-20; Eks. 19.17-19).
Me Krishtin vërejmë të kundërtën. Ai erdhi me përulësi të tejskajshme, si i fundit mes të varfërve, nuk kishte as vend “ku të mbështeste kokën” (Matth. 8.20). S’kishte ndonjë post, as në Shtet, madje as në Sinagogën e Ligjit, themeluar mbi zbulesën e Sinait që Ai vetë i dha Moisiut (shih Jn. 5.46). Lindja e tij nuk ishte shkak frikësimi për asnjë, përveç Herodit. Krishti nuk iu kundërvu askujt që e hedh poshtë atë. E kemi njohur si Pantokrator, të Tërëfuqishëm, pikërisht sepse “e zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori” (Fil. 2.7), aq sa nuk e kundërshtoi dhunën që u ushtrua kundër Tij dhe dënimin me vdekje. Dhe është e natyrshme: si Krijues, si Mësues i vërtetë i të gjithave sa ekzistojnë, Ai nuk hakmerret kundër askujt. Erdhi për “të shpëtuar botën” (shih Lluk. 9.56; Jn. 3.17; 12.47), duke na dhënë plotësinë e njohjes së Perëndisë, i Vetmi i vërtetë, Ati ynë. Ai na zbuloi Emrin e Atit. Na dha fjalën që vetë Ai mori nga Ati (shih Jn. 17.8). Ai na zbuloi Perëndinë si “Dritë, dhe në Të nuk ka pikë errësire” (I Jn. 1.5). Na zbuloi më të mrekullueshmin e mistereve: Perëndia është një Qenie personale. Jo një person i vetmuar, por një trini hipostazash. U pagëzuam “me Shpirt të Shenjtë e me zjarr” (Matth. 3.11).
Në dritën e këtij zbulimi, e njohim tani udhën që të çon në përsosmërinë e përjetshme (shih Matth. 5.48). Por bota vazhdon të jetojë në rrethin vicioz të problemeve tipike tokësore: ekonomike, klasore, nacionale, raciale e të tjera të këtij lloji. Mos ndoshta ngaqë njerëzit kanë dashur më shumë errësirat se Dritën (shih Jn. 3.19)? Mos ndoshta sepse nuk dëshiruan me tërë fuqitë e tyre T’i ngjasonin duke e pasuar me zbatimin e urdhërimeve të Tij? Mos ndoshta sepse ata nuk i besuan këshillës së Tij para shekujve, që Perëndia vendosi të na jepte pavdekësinë bashkë me Të? Prandaj, e dënuam veten në shkatërrim dhe në vdekje.
Nga vetë natyra, plani i Krijuesit për ne – të na komunikojë hyjnizimin në Mbretërinë e qiejve – përjashton çdo formë detyrimi, çdo paracaktim për ne. Kur ndër- gjegjësohemi në lirinë tonë për punën e madhe që na pret, ndiejmë dukshëm një entuziazëm që na çon te përpjekja: “Mbretëria e qiejve po pëson dhunë, dhe të dhunshmit e rrëmbejnë” (Matth. 11.12). A nuk u mor me dhunë Mbretëria e qiejve? Çfarë përpjekje dhe çfarë mundimesh nuk do të hiqnim për të arritur artin e madh, një shkencë të denjë për këtë emër madje dhe për të bërë karrierë? Megjithatë, e gjithë kjo është e pakuptimtë para “mbretërisë së paprishshme” (Hebr. 12.28)! Përvoja dymijëvjeçare e Kishës së Krishtit e tregon qartë: Që kur fillojmë të reduktojmë dimensionet e Zbulesës që na u dha, Drita që na u dëftua pak nga pak fillon të mos na tërheqë. Për të qenë i krishterë, për të ruajtur në shpirtin tonë një shpresë të zjarrtë, duhet të kemi guxim të marrë: “Kini besim, unë e munda botën” (Jn. 16.33), tha Zoti. Në këtë rast, Ai “e mundi”, jo si Perëndi, por duke qenë njeri, pasi e mbajti me të vërtetë njerishmërinë tonë.
Fjala e mishëruar e Atit kishte një fytyrë, në greqisht prosopon (shih Matth. 17.2; Lluk. 9.29). Duke folur për Atin qiellor, Krishti thotë gjithashtu: “Shikoni, mos përçmoni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt” (Matth. 18.10) Dhe përsëri: “Ai që më ka parë mua, ka parë Atin” (Jn. 14.9).
Para së gjithash, fytyra e tregon njeriun si është. Prandaj përdoret shpesh nocioni i fytyrës për të shënjuar vetë njeriun. Në Bibël, mund të kuptojmë pasazhe të shumta pikërisht në këtë kuptim: “Pastaj Izraeli i tha Josifit: Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde [d.m.th. ty vetë]” (Gjen. 48.11). Në stadin e fundit të zhvillimit të tij semantik, kjo fjalë është përdorur (në fjalorin teologjik të Lindjes së krishterë) për të shënjuar tre Personat e Trinisë së Shenjtë dhe të bashkësubstancshme; në Perëndim, fjala persona ka njohur një zhvillim që shkon në të njëjtin kuptim: një esencë – tre persona.
E kuptojmë zbulimin e Perëndisë si UNË JAM AI QË JAM në kuptimin e mëposhtëm: Nuk i përcakton esenca personat në thellësinë e tyre, por të tre personat, duke mos qenë koncepte abstrakte dhe boshe nga përmbajtja ontologjike, janë mbajtës të natyrës së tyre, të esencës së tyre; janë persona thelbësorë. Ky dimension i “personit” është themeli i gjallë i Qenies hyjnore. Për ta formuluar këtë zbulim me më tepër mjeshtëri, Etërit preferuan të përdornin termin filozofik të hipostazës (në greqisht e transliteruar, hypostasis, në latinisht, substantia). Në terminologjinë e filozofisë greke, koncepti hipostazë shprehte “atë që ekzistonte realisht”; ai mund të aplikohej për gjëra, për njeriun dhe Perëndinë, dhe shpesh përdorej si sinonim i esencës. Në Dhiatën e Re, kjo fjalë haset vetëm pesë herë. Në letrën drejtuar Hebrenjve, përdoret për herë të parë për të shënjuar personin e Atit: “karakteri [hipostazë] i qenies së atij” (Hebr. 1.3); më tutje përkthehet si garanci: “besimi është garancia e të mirave që shpresojmë” (Hebr. 11.1). Diku tjetër, në të njëjtën letër (Hebr. 3.14) dhe në letrën e dytë drejtuar Korinthasve, fjala hipostazë përkthehet me “besim” ose siguri: “Atë që flas me këtë siguri për t’u mburrur” (II Kor. 11.17); (shih II Kor. 9.4). Në çdo rast, theksi vendoset mbi sigurinë e asaj për të cilën bëhet fjalë.
Në teologjinë lindore, përdorimi i termit “hipostazë” nuk e ka eliminuar atë të “personit”; janë përdorur paralelisht për atë, duke theksuar gjithsesi rëndësinë ontologjike të personit në Qenien hyjnore. Për ta thënë ndryshe, duke tërhequr vëmendjen mbi këtë parim, Etërit e prezantonin si themelin (“substancë”) e të gjithë Qenies, si Ai që jeton realisht, që është Perëndi absolut dhe i vërtetë. Atij i drejtohet lutja jonë personale (ballë për ballë), dhe aspak esencës, pasi Ai është parimi i parë.
“Hipostaticiteti” është dimensioni i parë dhe i fundit. Është burimi i gjithçkaje dhe fundi i çdo gjëje; është parimi që përmbledh gjithçka, jashtë së cilës asgjë nuk ekziston, as nuk mund të ekzistojë. Atje ku ky parim është i mangët, nuk ka asnjë qenie; ka vetëm vdekje, vetëm hiç (shih Jn. 1.1-3).
Është e kuptueshme për mendjen njerëzore të drejtohet drejt parimit suprem, drejt dimensionit të parë dhe të fundit të Qenies. Nëse ndjekim arsyen tonë në gjendjen e saj të natyrshme pas rënies dhe të ngrihemi nëpërmjet mendimit drejt Absolutit, në vend që ta lëmë veten të drejtohemi nga zbulimi i kësaj Qenieje, do të arrijmë, le të themi fatalisht, në mohimin e karakterit personal të këtij Absoluti prodhuar nga imagjinata jonë. Për momentin, do doja të tërhiqja vëmendjen tuaj për dy çështje të këtij fenomeni tragjik. E para, ka të bëjë me karakterin jo personal të ligjeve të logjikës, d.m.th. të vetë strukturës së mendimit racional. E dyta, është pamundësia për t’i aplikuar Absolutit kufizimet e “mënyrës sonë të ekzistencës”, veçanërisht në gjendjen e individit, që është kuptuar gabimisht me atë të personit. Këtu, me fjalë të tjera, jemi në prani të një konfuzioni mes dy koncepteve të kundërta: individi dhe personi. I pari është kufiri ekstrem i ndarjes, i dyti është mbajtës i tërë Qenies. Zhvillimi logjik i këtij konfuzioni të bezdisshëm arrin në mohimin e qëndrueshmërisë së kozmosit të krijuar në përgjithësi. Në thelb të ontologjisë së krishterë gjendet zbulimi: UNË JAM AI QË JAM = QENIA JAM UNË. Po e përsërit: atje ku ky parim personal është i mangët, nuk ka asnjë Qenie. Për t’i shpëtuar humnerës së mosqenies, duhet të braktisim metodën filozofike që konsiston në të shtjelluarit duke filluar nga vetja jonë. Në të kundërt, duhet ta ndërtojmë tërë jetën tonë mbi shkëmbin e zbulesës së Sinait, që përfundon me përsosmërinë e ardhjes së Krishtit dhe zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi njerëzimin. Lutje e krishterë është kur njeriu i krijuar qëndron para hyjnisë si person: një lutje përballë Tij. Ashtu sikurse edhe në planin njerëzor, personi formohet dhe zhvillohet në marrëdhënie me personat e tjerë, edhe në planin e Qenies së përjetshme, ai patjetër duhet të hyjë në kungim me personin absolut të Perëndisë. Hyrja në këtë kungim na është dhënë në porositë e Ungjillit të Krishtit. Zbatimi i tyre e hedh personin njerëzor në pafundësinë e jetës kozmike. E bën të takojë, ndonjëherë të ndeshë dhe të zbulojë gjithçka që ekziston në sferën shpirtërore të kozmosit. E çon deri në limitin mes të krijuarës dhe të pakrijuarës. Ai (pra zbatimi) e ballafaqon çdo person me ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij: të vetëpërcaktohet në lirinë e tij për përjetësinë.
“Ja, ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave”… Një shpatë e zjarrtë ka për të shpuar çdo shpirt që ka vendosur të ndjekë Krishtin deri në fund, “që të zbulohen mendimet e shumë zemrave” (shih Lluk. 2.34-35). Të jesh i krishterë, do të thotë të hysh në luftë “kundër autoriteteve, kundër pushteteve, kundër botësunduesve të errësirës së kësaj jete, kundër shpirtrave të së keqes në qiellorët” (Ef. 6.12). Askush, absolutisht askush nuk do të dalë fitimtar nga kjo luftë, nëse nuk është me Krishtin që e mundi botën. Mendja kozmike e Luçiferit do ta joshë shpirtin me këtë apo atë mendim, dhe do ta shtyjë njeriun ta ndjekë. Do t’i komunikojë një sëmundje të vdekshme: krenarinë. Suksesin e tij më të madh e arriti me stërgjyshin tonë Adam, duke i futur dëshirën për vetëhyjnizim; deri tani, vërejmë se kjo dëshirë është një nga armët më të fuqishme kundër njeriut. Shumica e njerëzve kanë hyrë në luftë kundër Perëndisë, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Asnjë konflikt me Perëndinë nuk është pa rrezik, por çdo konflikt nuk buron medoemos nga ndonjë rrënjë e keqe. Madje disa konflikte u vlerësuan nga Perëndia, për shembull sprovat e Jovit, të Jakovit, të apostull Pavlit. Kur në shpirtin e njeriut ngrihet një kundërshtim i Perëndisë në emër të drejtësisë, të dashurisë dhe të së vërtetës supreme, mund që papritur të duket se është pikërisht Ai që është e mira supreme dhe dashuria pa kufi. Atëherë njeriu del nga kjo luftë jo vetëm pa qortim, por edhe me bekim të shumëzuar dhe si i zgjedhur, siç e shikojmë në shembujt e lartpërmendur, të Izraelit, të Jovit, të Pavlit, si dhe të profetëve, Moisiut, Ilias dhe Jonait.
Në këtë shënim të shkurtër, në fakt flas për atë që kam jetuar vetë; ky “përjetim” përmbledh më shumë se një gjysmë shekulli. E di se tani ndodhem në një rrezik të madh; me të vërtetë, jemi hedhur në një oqean të madh, ku forcat tona individuale janë tmerrësisht të pamjaftueshme. Gjithashtu tani e di se po të mos isha kapur fort me të dyja duart në cepin e rrobës së Krishtit, prej kohësh do të kisha humbur. Por përsëri, marr guximin të përmend shembullin e apostullit të madh Pavël, i cili flet për luftën e tij kundër Krishtit: “Që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës, por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në padituri” (I Tim. 1.13). Edhe në rastin tim, Zoti nuk i mori si shkelje lutjet e mia, ndonjëherë tepër të pacipa, kur luftoja kundër Tij në momente pikëllimi të madh për veten, apo për botën. Nuk ka asnjë dyshim që Krishti iu përgjigj mungesën së njohurisë sime, ose më tepër, paditurisë sime totale, sikurse i përgjigjet një atë ose një nënë rënkimeve të fëmijës së sëmurë.
Atmosfera e botës që na rrethon nuk e favorizon lutjen dhe nuk ndihmon “të jetosh” teologjinë përmes saj. Në shkretëtirë, ku përballë vetes ke vetëm Perëndinë, ka orë ku mendja e atij që lutet është totalisht e zhytur në Të. Atëherë teologjia bëhet gjendja normale e mendjes sonë. Arrijmë në teologjinë e vërtetë nëpërmjet betejës së madhe e të palodhur, e cila konsiston në përmbushjen e porosive të Krishtit.
Lutja e pendimit shoqëruar me lot të hidhur na shkul nga të gjitha format e mëkatit. Duke pastruar mendjen dhe zemrën, ajo i bën këto të afta të perceptojnë veprimet e Shpirtit Hyjnor, aq sa të shikojnë Dritën e pakrijuar. Pikërisht në këtë gjendje njeriu që lutet bëhet teolog, sepse sodit realitetet e botës qiellore si të dukshme. Kjo do të thotë “të jetosh” teologjinë. Megjithatë, Perëndinë mund ta jetojmë vetëm në energjitë e Tij, në dëftimet dhe zbulimet e Tij, por në asnjë mënyrë në esencën e Tij. Esenca e Qenies hyjnore nuk iu komunikohet qenieve të krijuara “sipas ikonës dhe ngjashmërisë”, njerëzve dhe engjëjve. Prandaj ajo (esenca) mbetet e panjohur në jetë të jetëve. Për krijesën e arsyeshme, Qenia e Perëndisë është një “e dhënë e pastër”. Qëndrojmë përpara Tij me çudi, dhe nuk mund të depërtojmë më tej në këtë “mister të madh”. Duke u gjykuar të denjë për të marrë në mendjen tonë frymën e Shpirtit hyjnor dhe në zemrën tonë prekjet e gishtit të Tij krijues, e shikojmë Perëndinë në jetën e Tij të përjetshme, por “pjesërisht”, vetëm sa për t’u nisur. Përjetësia e Tij e shenjtë dhe shkëlqyese hapet përgjysmë para nesh. Arrijmë të kuptojmë se tërë manifestimet e Tij në asnjë mënyrë nuk mund të bien në kundërshtim me natyrën e Tij. Prandaj ndonjëherë, në veprat e Etërve të shenjtë takojmë formulime, të cilat i pranojmë vetëm në mënyrë të kushtëzuar. Një shembull tipik e gjejmë në Letrën e apostull Petros: “Që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore” (II Petr. 1.4). E kuptojmë atë që apostulli Petro do të thotë, por nga pikëpamja terminologjike kjo shprehje nuk është e saktë. Faktikisht, vetëm energjia e pakrijuar e jetës së Perëndisë i komunikohet njeriut, por në asnjë mënyrë natyra-esencë e Tij.
Për veten time, që të kuptoj më lehtë në ndërgjegjen time themelet e besës sonë – siç e bëjmë në një mënyrë më të përgjithshme në Kishë me Simbolin e Besës: “Besoj në një Perëndi, Atë të tërëfuqishëm…” – solla atë që u paraqit më lart në disa formula të shkurtra: “UNË JAM AI QË JAM” (Eks. 3.14), “Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës” (Matth. 28.19-20). E tillë është zbulesa bazë, mbi të cilën ndërtohet tërë jeta jonë.
Duke e kuptuar në parimin hipostazë-person, Qenia hyjnore mbetet përjetësisht “tjetër” për qeniet e krijuara “sipas ikonës dhe ngjashmërisë”. Ky “tjetër” është Miku ynë shumë i dashur, pashprehimisht i afërt, pamatshmërisht i çmuar (shih Jn. 15.13-15).
Duke e kuptuar në “aspektin” e esencës, Qenia hyjnore e transhendon plotësisht krijesën. Duke e kuptuar në “aspektin” e energjisë – akti i jetës – Qenia hyjnore, në tërë plotësinë e saj, hyn në një marrëdhënie reale me krijesën e arsyeshme; tek ata që janë shpëtuar ai bëhet “i përhershëm” për krijesën (shih Ef. 3.19).
Qenia hyjnore, si Qenie në vetvete e përjetshme dhe esencë, duke mos u kushtëzuar nga asgjë dhe duke përjashtuar çdo proces teogonik, paraqitet si një “e dhënë e pastër” te mendjet e krijuara që e sodisin.
Qenia hyjnore, absolutisht e realizuar dhe e aktualizuar, përjashton praninë në Të të mundësive-potencialeve të pazhvilluara; prandaj Ai mund të shënjohet si “aktivitet i pastër”.
Si e dhënë, Ai nuk i komunikohet krijesës; Ai mbetet përjetësisht një mister i padepërtueshëm për çdo lutje, për çdo krijesë.
Ai aktivitet – akt-energji-jetë – Ai është i komunikueshëm në tërë plotësinë e tij dhe në tërë pafundësinë e tij te qeniet e arsyeshme, të krijuara “sipas ikonës dhe ngjashmërisë”.
Krishti Jisu, duke qenë edhe vetë ai njeri (I Tim. 2.5), tregoi se jeta hyjnore është e komunikueshme në tërë plotësinë e saj te natyra njerëzore. Perëndi-njeriu, Ai është masa e tërë gjërave, hyjnore dhe njerëzore, dhe themeli unik i çdo gjykimi. Gjithçka që rrëfejmë në lidhje me njerishmërinë e Krishtit paraqitet si zbulim i planit të Perëndisë Krijues mbi njeriun (shih Ef. 1.4-10). Ashtu sikundër në njerishmërinë e tij Krishti mbante “trupërisht çdo plotësi të hyjnisë” (Kol. 2.9) dhe “u ul bashkë me Atin e tij në fron” (shih Apok. 3.21), po kështu secili nga ne është thirrur në të njëjtën masë hyjnizimi (shih Ef. 4.12-13), përmes urdhërimit hyjnor: “Jini të përsosur si Ati juaj qiellor është i përsosur” (Matth. 5.48). Përndryshe, ky urdhërim nuk do kishte ekzistuar.
Shenjtorët, të hyjnizuar plotësisht nga dhurata e hirit, janë të përfshirë në aktin e përjetshëm të Perëndisë deri në atë pikë, sa tërë veçoritë (atributet) e hyjnisë u janë transmetuar; kjo edhe deri në identitet, pasi në ta Perëndia do të jetë “të gjitha mbi të gjitha” (shih I Kor. 15.28). Deri në “identitet”, por vetëm në planin e aktit (energjisë), d.m.th. të përmbajtjes së jetës së Perëndisë, dhe në asnjë mënyrë sipas esencës. Edhe njeriu i hyjnizuar “deri në pikën e fundit” do të mbetet përjetësisht i ndryshëm nga Perëndia, për sa i përket origjinës së tij: Perëndia është Qenia që nga vetvetja është Krijuesi i gjithçkaje që ekziston në qiej e mbi dhé, ndërsa njerëzit ekzistojnë si krijesa.
Fjalët: “deri në identitet, por vetëm në planin e aktit” japin përshtypjen e një farë zbutjeje, frenimi, degradimi. Realisht, nuk është asgjë. Dhuntia e Perëndisë tek ata që janë shpëtuar më Krishtin është kaq e madhe, madje kaq e pafundme, sa asnjë mendje njerëzore s’është në gjendje ta paraqesë në limitet e tokës. Duke krijuar njeriun “sipas ikonës dhe ngjashmërisë së tij”, Perëndia përsëritet vetë te ne. Të shpëtuarit do të marrin tërë plotësinë e jetës hyjnore – pa fillim dhe pa fund – në zotërim të paprishshëm. Perëndia është i kudopranishëm dhe i gjithëditur; duke qëndruar në Shpirtin e Shenjtë, edhe shenjtorët bëhen “të kudopranishëm e të gjithëditur”. Perëndia është e vërtetë dhe jetë (shih Jn. 14.6); në Të edhe shenjtorët bëhen të gjallë dhe të vërtetë. Perëndia është mirësi, dashuri plotësisht e përsosur, që përqafon gjithçka që ekziston; në Shpirtin e Shenjtë, edhe shenjtorët përqafojnë me dashuri mbarë botën, tërë universin. Akti i Qenies hyjnore është pa fillim; në bazë të pjesëmarrjes së tyre në këtë akt, edhe të hyjnizuarit bëhen “pa fillim”. Perëndia është Dritë, në Të nuk ka kurrfarë errësire (shih I Jn. 1.5); nëpërmjet banimit të Tij te shenjtorët (shih Matth. 13.43; Jn. 14.23; Apok. 7.15; 21.3), Ai i bën edhe këta “dritë të pastër”. Qenia hyjnore është aktivitet i pastër; ata që janë futur “përbrenda perdes” (Hebr. 6.19) realizohen plotësisht duke u nisur nga një gjendje potenciale në fillim, edhe ata bëhen “aktivitet i pastër”.