LUTJA, FITORE MBI TRAGJEDINË

 

Lutja, përvojë e përjetësisë

Arkimandrit Sofroni

 

Në rininë time e kam ndeshur për herë të parë nocionin e tragjedisë. Jo në përvojën time të jetës, por në leximet e mia. E konceptoja si diçka që paraqitet në mendjen e njeriut dhe e robëron krejtësisht. Dikur, ky objekt tërheqjeje quhej “ideal”. Për të arritur atë që ka kapur me intuitë, njeriu është i gatshëm të përpiqet të sakrifikojë, madje deri edhe të rrezikojë jetën.
Megjithatë, kur e arrin qëllimin, një zhgënjim mizor e pushton: realiteti nuk korrespondon me atë që kishte ndër mend. Zhgënjimi që pason natyrshëm i plagos shpirtin dhe gjithçka përfundon me vdekje të dhimbshme dhe shpesh të neveritshme. Ideale të ndryshme u paraqiten njerëzve të fuqishëm, siç është etja për pushtet, te rasti i Boris Godunovit. Në luftën për të realizuar ambicien e tij të fshehtë, duke ndjekur shembullin e shumë prej paraardhësve të tij gjatë brezave, edhe ky nuk hezitoi të derdhte gjak. Por kur arriti në fundin e ditëve të tij, e kuptoi se s’kishte fituar atë që shpresonte: “E arrita pushtetin suprem, por shpirti nuk po më njeh lumturi.

Kërkime të tjera në fushën e logjikës, të artit apo të shkencës janë më fisnike. Gjeniu ka intuita intelektuale, të cilat nuk mund t’i vërë në praktikë, sepse këto e kapërcejnë kufirin e arritshëm në këtë botë. I bindur për paaftësinë për të realizuar në mënyrë të përsosur vizionin e tij fillestar – i cili është bërë për të e vetmja arsye për të jetuar – ai pëson një rrënim të thellë në shpirt dhe kështu përfundon në vdekje. Në radhët e poetëve e vërejmë shpesh këtë fund tragjik.

Me drithërima vëzhgoja – dhe vazhdoj të vëzhgoj mirë – fatet e botës. Cilido qoftë këndvështrimi ynë, jeta njerëzore është tragjike. Vetë dashuria është plot kontradikta të habitshme dhe përshkon shpesh kriza fatale. Kështu, çdo manifestim i jetës tokësore shënjohet që prej origjinës nga vula e shpërbërjes.

Isha ende i ri, vetëm 18 vjeç, kur fati më bëri të jetoja ngjarje historike, karakteri tragjik i të cilave kapërcente gjithçka që kisha ndeshur nëpër libra: Lufta e Parë Botërore dhe Revolucioni shoqëror që vijoi më pas në Rusi, me gjithë kortezhin e lemerive. Tablo katastrofike është rënia e një perandorie të madhe! Betejë mizore dhe e pamëshirshme është kur “ata që mundohen dhe përkulen nën barrë” (Matth. 11.28) vendosin, në dëshpërimin e tyre, të luftojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Jetoja mes vuajtjeve të miliona njerëzve, të masave të panumërta; një “betejë për vdekje” dhe me kohëzgjatje të madhe kishte nisur.

Paralelisht, ëndrrat dhe shpresat e mia të rinisë u shembën. Çuditërisht, kjo përkoi me një mënyrë të re e më të thellë të të kuptuarit të qenies në përgjithësi. Vdekja dhe shkatërrimi shkojnë paralelisht me rilindjen. Qenia është madhështore në rrënjët e saj metafizike, dhe e një madhështie të stërmadhe në thellësitë e saj. Nëse shtrihemi drejt njohurisë së plotë të gjithçkaje që ekziston, nëse në thellësitë e ndërgjegjes sonë nuk e heqim nga sytë Qenien absolute, atëherë mendja do të jetë gati të presë gjithçka që ndodh me qenien kozmike të krijuar.

Krijuesi i kësaj bote është përjetësisht i gjallë. Ai është themeli i qenies sonë; fuqia e Tij është e mjaftueshme për të na ngjallur pas vdekjes. Por kemi nevojë të përjetojmë vdekjen, për të kuptuar se u nxorëm nga “asgjëja” nga vullneti i Atit tonë qiellor. Njohja e vetes është e nevojshme për të kryer çdo hap sipas pëlqimit të Qenies së vërtetë e të palëkundur. Kjo nuk është as e lehtë, as e thjeshtë! Me qindra herë, zjarri i tmerrit do të na afrohet dhe gjithçka tek ne do të tkurret nën efektin e një dhimbjeje të pamasë. Por Ai fitoi e na thërret Ta ndjekim. Me të vërtetë, duke e ndjekur do të heqim vuajtjet e çdo etape që kapërcejmë. Shpirtin do të na i pushtojë frika dhe, me mendje do të hyjmë ndoshta në konflikt me Të, duke e bërë përgjegjës për tërë vuajtjet tona. Na nevojitet një besim i pathyeshëm për të mos u shkëputur prej Tij. Por kur nata e errët e padijes sonë, qoftë edhe një herë, është përshkuar nga drita e një shkëndije dhe kur, në dritën e kësaj shkëndije hyjnore, marrim në shpirt vendimin për të qenë gjithmonë me Të në absolutizmin e Tij – tërësisht, përndryshe do të ishte më mirë të vdisnim, sepse s’ka kusht të mesëm – atëherë mundet që dhe ne të njohim gëzimin e fitores së përjetshme.

Nëse Ati ynë qiellor na tërheq drejt Birit të Tij të Vetëmlindur dhe të bashkëpërjetshëm, pasi na tregoi – qoftë kjo në kufijtë e aftësisë sonë perceptuese – urtësinë e pafundme të Fjalës së Tij (Logos) dhe lartësinë e paarritshme të dashurisë së Tij, do të shohim se nuk ka tragjedi te Perëndia. Tragjedia është e pranishme vetëm në fatin e njerëzve, ideali i të cilëve nuk i ka kapërcyer kufijtë e kësaj toke. Në Krishtin nuk ka absolutisht diçka tragjike, madje as edhe në vuajtjet e Tij me përmasa pankozmike. Gjatë gjithë kohës që Krishti qëndroi në tokë me ne, dashuria e Tij ishte e lidhur ngushtë me një vuajtje të thellë: “O brez i pabesë dhe i shtrembër, […] deri kur do të jem bashkë me ju?” (Matth. 17.17). Qau për Llazarin dhe motrat e tij (shih Jn. 11.35). U hidhërua për ashpërsinë e zemrës së judenjve, të cilët i vranë profetët e tyre (shih Matth. 23.37). Në Gjethsemani shpirti i tij ishte “i trishtuar deri në vdekje” dhe “djersa e tij u bë si të ngrira pikash gjaku duke rënë mbi dhé” (Matth. 26.38; Lluk. 22.44). Ai jetoi tragjedinë e tërë njerëzimit, por tek Ai nuk kishte tragjedi. Kjo del qartë nga fjalët që u tha dishepujve ndoshta pak para se të thoshte lutjen çlirimtare për botën mbarë në Malin e Ullinjve: “Paqen time po ju jap juve” (Jn. 14.27). Edhe më: “Po s’jam vetëm, sepse Ati është bashkë me mua. Jua fola juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën” (Jn. 16.32-33). Dhe përsëri, disa javë para Golgothasë: “Jisui zuri t’u tregojë nxënësve të tij se duhet të shkojë në Jerusalem dhe të pësojë shumë […] dhe të vritet, dhe të tretën ditë të ngjallet” (Matth. 16.21). Edhe këtë: “Mos qani për mua! Po qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj!” (Lluk. 23.28). Tragjedia nuk qëndron tek Ai, por te ne.

E njëjta gjë ndodh edhe me të krishterin, i cili ka marrë dhuratën e dashurisë së Krishtit; me gjithë vetëdijen e tij se ende nuk e ka arritur përsosmërinë, ai i shpëton karakterit tragjik të vdekjes që përpin gjithçka. Kur në dhembshurinë e tij të dhimbshme ai lutet dhe qan për botën, nuk bie në dëshpërim pa rrugëdalje që të çon në shkatërrim të pashmangshëm. Vizioni bëhet më i paqshëm kur lutja hyn në një farë mënyre në rrjedhën e përjetshme të lutjes së Jisuit në kopshtin e Gjethsemanisë, d.m.th. kur limitet e ngushta të individit prishen, kur muri i kohës kapërcehet dhe atëherë njeriu përjeton gjendjen ku mund të thotë: “Unë jam”. Me të perceptuar frymën jetëdhuruese të Frymës së Shenjtë që lutet tek ai, e parandien fitoren përfundimtare të Dritës. Deri në dhembshurinë që shkon në shkallën më të lartë të tensionit – esenca e “ferrit të dashurisë” – dashuria e Krishtit mbetet e lirë nga çdo pasion, sepse është e përjetshme. Kjo dashuri nuk e përjeton realisht e plotësisht më pak tragjedinë e njerëzimit, pasi ajo merr pjesë në vuajtjet e çdo krijese dhe veçanërisht të njeriut.

Nuk di si ta përshkruaj një përvojë të tillë shpirtërore, aspak imagjinare, por tepër reale, e cila mund të duket se bie në kundërshtim nga pikëpamja logjike. Hiri është shumë i pasur në shfaqjet e tij. Le të marrim si shembull një rast tepër domethënës: Në Krishtin ne kemi marrë zbulimin e vlerës së pandryshueshme të njeriut. Ne e duam si vetë jetën tonë. Ngandonjëherë, na është dhënë të soditim bukurinë e paçmueshme të kësaj ikone të të Shumëlartit. Duke parë këtë qenie të çmuar në gjendjen e saj të rënë – edhe aq më tepër, që Zoti ka shpërndarë hirin tek ne për të njohur udhën e Tij – zemra çahet krejt natyrshëm; ajo kërkon mjetet për të shpëtuar ata që duam. Meqenëse fjala e predikimit në kishë bie shpesh buzë rrugës, apo në vende me gurë, apo akoma dhe mes gjembash (shih Matth. 13.4-7), shpirtit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kthehet në lutjen drejtuar Atij që krijoi njeriun. Jemi të bindur se Perëndia nuk do të shkatërrojë lirinë e njerëzve, aftësinë e tyre të vetëpërcaktimit. Në përpjekjet e tij për të fituar, përmes lutjes së dhembshur, mbi ngurtësimin e zemrës së njerëzve tanë të shtrenjtë, shpirti përjeton realisht përballjen e tij para murit të vdekjes. Kjo përvojë ngjan me dhimbjen e nënës që mban në krahë frytin e barkut të saj, që është duke vdekur. Ndjenja se nuk ka rrugëdalje, se fundi është i pazgjidhshëm, gëlltit çdo lloj ndjenje tjetër; shpirti i atij që lutet “vdes” me ata për të cilët lutet.

Biri i vetëm i Atit mori nga ne vdekjen. Vdiq mbi kryq duke mbajtur nga dashuria e Tij “deri në fund” humbjen tonë. Por Perëndia e ngjalli (shih I Petr. 1.21). E njëjta gjë u është premtuar atyre që besojnë në Krishtin-Perëndi (shih Jn. 3.15; 3.36; 6.40; 6.47; 11.26). Gjendja njerëzore është komplekse. Vetë ne ende nuk jemi të çliruar plotësisht nga mëkati. Me fjalë të tjera, mbajmë vdekjen tonë me vete. Nuk vdesim trupërisht kur lutemi për vëllezërit tanë e për botën në përgjithësi, por në frymë, jetojmë realisht vdekjen e tyre. Sigurisht, do të vijë dita kur edhe ne do të vdesim. Me vdekjen e Tij, Krishti mundi vdekjen e Adamit dhe të pasardhësve të tij; kjo është garancia e vetë ngjalljes sonë.

Lutja për botën është ndër më të mundimshmet e më dekurajueset, në kuptimin që, shpirti ynë nuk e arrin kurrë përsosmërisht qëllimin e tij. Kur ai lutet për veten e vet, njeriu ndien thellë në zemër të gufojë dashuri dhe paqe, dhe kjo gjendje qëndron për pak. Në të kundërt, kur ai lutet gjatë për botën plot zjarr, shpirti kupton menjëherë se një re e rëndë urrejtjeje vazhdon të rëndojë mbi tokë: shumë njerëz “preferuan më shumë errësirat [e urrejtjes] sesa dritën” e dashurisë hyjnore (shih Jn. 3.19).

Është e çuditshme dhe e dhimbshme: pjesa më e madhe e botës nuk e pranon Shpirtin Hyjnor. Prandaj lutja rikthehet tek ai që lutet jo vetëm duke i dhënë një ndjenjë pafuqie, por duke ia shtuar edhe më tepër dhimbjen. Sigurisht, kjo përshtypje është e gabuar. Në fakt, edhe nëse nuk vërejmë ndryshime në atmosferën shpirtërore të botës, e dimë se nëse nuk do kishte njerëz që luten, “pushteti i errësirës” (Lluk. 22.53) do të përforcohej me një fuqi edhe më të madhe.

Ata që ende nuk e kanë përjetuar fuqishëm përvojën që po përshkruaj, do të më kuptojnë më lehtë nëse, të frymëzuar nga Perëndia, janë lutur për botën ose për njerëzit e tyre të shtrenjtë. Gjatë kësaj lutjeje, zemra hyn shpesh pa vonuar në jetën e atyre për të cilët lutet dhe e di se në ç’gjendje ndodhen. Kjo ndoshta mund të jetë gëzim dhe qetësi, ose ankth dhe trishtim, ndonjëherë dhe errësirat e tmerrshme të ferrit dhe e keqja në një formë analoge. Ai që lutet mund t’i marrë këto gjendje si të tijat, por është një gabim, sepse realisht lutja i lejon shpirtit të “shikojë” e të “ndiejë” ata për të cilët lutet, dhe të bashkohet me ta. Atëherë, nëse ndjenja e hidhur që kemi përjetuar shndërrohet në gëzim ose çlirim, është shenjë e sigurt se lutja jonë është dëgjuar; i sëmuri do të shërohet, i dëshpëruari do të marrë dritën e shpresës, një fatkeqësi e afërt do të largohet, e kështu në vazhdim.

Një kungim i tillë me njerëzit, madje dhe me gjithë universin, është shenja karakteristike e një lutjeje autentike. Perceptimi i asaj që ndodh në botë mund të zhvillohet deri në një shkallë, e cila i shpëton çdo përshkrimi. Jeta e shpirtit që lutet mund, dhe madje të marrë dimensionet kozmike që kërkojnë nga ne urdhërimet ungjillore të Krishtit. Tek Ai, njeriu bëhet me të vërtetë universal. Jo në kuptimin e një sinkretizmi filozofik, por sipas shkallës dhe shtrirjes në të cilat ai kap qenien reale, gjithashtu, sipas afrimit të tij pranë limiteve të fundit për sa është e mundur të eksperimentojë në planin e shpirtit.

Në librin tim mbi starec Siluanin, sjell rastin e një përgjigjeje të menjëhershme që iu dha lutjes. Stareci i lumur më kishte treguar se kishte lexuar letrën e një mitropoliti2. Ai ishte kthyer drejt Zotit dhe, që në fjalën e parë, kishte ndierë në zemër një ndjenjë paqeje dhe gëzimi. Stareci u përgjigj menjëherë me një letër se “vajza e kësaj gruaje ishte gjallë dhe e lumtur”. Kërkimet që u kryen më pas konfirmuan saktësinë e ndjenjës së starecit. Vajza i tha gruas, që kishte shkuar për ta vizituar: “I thoni nënës se jam mirë dhe e lumtur me bashkëshortin tim. Por do t’i lutesha shumë të mos e përsëritë herë tjetër këtë përpjekje, që të mos na dëmtojë mua dhe burrin tim.” Kjo ndodhi në kohën e Stalinit, ku çdo kontakt me njerëzit që vinin nga jashtë ngjallte dyshime dhe rrezikonte internim në Siberi.

Është e nevojshme për ne të përjetojmë karakterin tragjik të fateve tokësore. Kjo përvojë na zbulon kufijtë e dhuratave tona të krijuara kur pushojmë së bashkë- vepruari me Perëndinë. Pas dështimit të të gjitha përpjekjeve dhe vuajtjeve tona, është normale të drejtohemi për nga horizontet e reja të një bote tjetër, pa- krahasimisht më të lartë. Atëherë, në vend të “rrugë-daljes fatale” e cila, në shumicën e rasteve, është shorti që u rezervohet gjenive të njerëzimit, një fillim i bekuar agon, i cili mund të paraqitet te njeriu si Dritë e ngjalljes, si hyrja në botën e paprishjes. Dhe atje, nuk ka vend për tragjedinë, sepse aty përjetësia mbretëron.

Eksperienca jonë personale na lejon të konstatojmë se deri në ditët tona, njerëzimi në tërësinë e tij nuk është lartësuar deri te krishterimi i Ungjillit. Duke i kthyer kurrizin Krishtit si njeri i përjetshëm dhe para së gjithash si Perëndi i vërtetë – cilado qoftë forma e kësaj apostazie dhe cilido qoftë preteksti – njerëzit humbasin dritën e Mbretërisë së përjetshme dhe lavdinë e birësimit hyjnor. “O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të ngrihet bota” (Jn. 17.24). Ata që u prekën nga flaka e shenjtë e dashurisë së Shpirtit të Shenjtë, banojnë në frymë në Mbretërinë e Shpirtit të Shenjtë, të përpirë nga një etje e pashuar për t’u bërë të denjë të bëhen bijtë e saj. Nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shenjtë – që buron nga Ati – u mund mëkati i hedhjes poshtë të dashurisë së Atit, dashuri që na u dëftua nga Biri. Kur e perceptojmë Krishtin si Perëndi-Shpëtimtar, lartësohemi në frymë përtej kufijve të kohës dhe të hapësirës, hyjmë në një formë të qenies, tek e cila nuk gjen zbatim nocioni “tragjedi”.

————————–

2. Bëhet fjalë për një starec rus, mitropolitin Benjamin, i cili mbante korrespondencë me starec Siluanin. Ai tregon rastin e një nëne emigrante, e cila shqetësohej për fatin e vajzës së saj që banonte në Rusi. Nga lutja dhe dhurata e largpamësisë, starec Siluani mundi ta qetësonte se vajza ishte gjallë.