T’u mësojmë vlerat fëmijëve tanë

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Dy sociologë, Thomas dhe Irene Strommen, të cilët kanë studiuar rininë amerikane për 25 vjet rresht, në librin e tyre Pesë Thirrjet e Prindërve, theksojnë rëndësinë e prindërve si komunikues të vlerave. Ata shkruajnë:

    A mund të bëjnë prindërit një ndryshim moral në botën e sotme? Të dhënat tona thonë po. Prindërit mund të vazhdojnë të mbeten transmetuesit parësorë të vlerave te fëmijët. Fëmijët mund të marrin ato që prindërit e tyre vlerësojnë dhe besojnë, kur ato janë vlera të vërteta e të pastra.

    Ja disa pyetje themelore që ne si prindër duhet t’ia bëjmë vetes:

    1. A e përjeton fëmija im dashurinë, butësinë dhe faljen e Perëndisë nga unë?

    2. A më dëgjon fëmija im të flas për Zotin, ndërsa unë vazhdimisht e përfshij atë në mendimet dhe planet e mia?

    3. A më shikon fëmija t’i kërkoj ndihmë Perëndisë kur jam i/e frikësuar, në ankth ose i/e shqetësuar?

    4. A më shikon fëmija im të lexoj Biblën? Të marr Kungimin e Shenjtë rregullisht?

    5. A më shikon dhe më dëgjon fëmija im të lutem çdo ditë?

    6. A shikon fëmija im tek unë dëshmi të besimit tim në Perëndinë, ndërsa unë i besoj Atij për nevojat e përditshme dhe rrugën që duhet të ndjek?

    7. A më shikon fëmija im t’i shpreh Perëndisë vlerësimin dhe gëzimin e vërtetë për mirësinë e Tij?

    Këta dy sociologë të krishterë kanë zbuluar se prindërit luajnë një rol të pamasë në sjelljen e fëmijëve të tyre. Më lejoni t’ju tregoj disa nga zbulimet e tyre: “Adoleshentët që jetojnë në një ambient familjar të ngrohtë e kompakt, ka shumë të ngjarë që të përmbahen nga përdorimi i drogës, nga aktiviteti seksual paramartesor dhe nga sjellje të tjera antisociale. Ka shumë të ngjarë që ata të kërkojnë standarde morale të larta…”. Uniteti brenda familjes është çelësi! Sipas këtyre sociologëve, ai nxitet nga katër elemente:

    1. Harmonia prindërore; prindër që e duan njëri- tjetrin, shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe që e falin njëri-tjetrin.

    2. Komunikimi i mirë familjar, dhe kjo nuk vjen lehtë. Ne duhet të shpenzojmë kohë për këtë.

    3. Tipi autoritar i kontrollit prindëror, ku prindërit vendosin standarde, gjithmonë duke qenë të kujdesshëm si prindër për të thënë të vërtetën me dashuri.

    4. Prindër që shprehin dashuri dhe besim te fëmijët e tyre me fjalët si: “Unë të dua dhe jam krenar për ty”.

    Në një nga studimet e Strommenëve një i ri shprehet: “Ato që më bënin mua të vendosja kundër diçkaje që e dija se ishte gabim, ishin pritshmëritë e njerëzve të mi. Unë i respektoj dhe kujdesem për ta dhe nuk do të dëshiroja të bëja diçka që e dija se do t’i lëndonte”.

Të ndajmë bindjet tona

    Si mund të mësojnë prindërit parimet morale në mënyrë konstruktive? Thjesht, duke ndarë bindjet e tyre. Ja çfarë thotë një adoleshent: “Mendoj se prindërit e mi kishin shumë frikë të cënonin të drejtat tona si individë dhe ata asnjëherë nuk kanë treguar se si janë ndier për vendimet morale ose për problemet me të cilat ne do të përballeshim”. Ai do të dëshironte që prindërit e tij të kishin shprehur bindjet e tyre morale por, pikërisht, sepse ata nuk e bënë këtë gjë, ai u ndje i izoluar dhe i ndarë prej tyre. Një adoleshent tjetër shprehet: “Prindi duhet të na e bëjë të ditur kur jemi në rrugën e duhur. Është e vërtetë se në shumicën e kohës ne kemi nevojë për liri që të vendosim se çfarë duhet të bëjmë në një situatë të dhënë. Por prindi duhet ta paralajmërojë adoleshentin për disa rreziqe. Përndryshe ai/ajo mund ta kuptojë kur të jetë shumë vonë”.

   Një mënyrë tjetër efektive për të ndihmuar adoleshentët që t’i bëjnë të vetat vlerat morale, varet nga diskutimet familjare në të cilat prindërit shpjegojnë se përse disa vlera morale janë të rëndësishme për ta. Ende shumë prindër të krishterë nuk flasin me fëmijët e tyre rreth vlerave. Kur vjen momenti për të folur për vlerat, shumë prindër qëndrojnë në heshtje. Fëmijët kanë nevojë të dëgjojnë prindërit e tyre të thonë: “Si të krishterë Orthodhoksë, kjo është ajo që ne besojmë për drogën. Kjo është ajo që ne besojmë për marrëdhëniet seksuale. Trupi ynë është Tempull i Perëndisë. Nuk na është dhënë që ta ndotim me drogë dhe seks të papastër. Si të krishterë Orthodhoksë këto janë vlerat tona të dhëna nga Perëndia. Mami dhe babi juaj luten që ju t’i zbatoni këto vlera ashtu si edhe ne përpiqemi t’i zbatojmë ato”. Disa familje jo vetëm që flasin me fëmijët e tyre rreth vlerave, por edhe ulen me ta dhe përgatisin një listë vlerash që ata i konsiderojnë më vendimtaret. I inkurajojnë fëmijët t’i mësojnë ato përmendësh, disa madje edhe i shpërblejnë nëse i mësojnë. Ata diskutojnë rreth tyre.