Zbulimi i dhuntive (talantave) që vijnë nga Perëndia

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Është e rëndësishme që t’u mësojmë fëmijëve se gjithçka që kemi, për shembull, trupi, jeta, ato që zotërojmë, dhuntitë etj., nuk na përkasin neve, por i kemi marrë nga Perëndia. Ai pret që t’i përdorim për lavdi të Tij dhe në të mirë të të tjerëve.

    Secilit prej nesh Perëndia i ka dhënë të paktën një talent ose një aftësi të veçantë, të cilën pret që ta zhvillojmë. Lexo shëmbëlltyrën e talantave (Mtth. 25:14-30) dhe diskutoje me familjen tënde. Ja disa pyetje për të nxitur bisedën: Çfarë është talenti? Si ta zbuloj talentin tim? Si mund ta zhvilloj atë? Këtu mund të theksohet se çdo njeri ka të paktën një talent. Disa mund të kenë edhe më shumë, të tjerë më pak, por Perëndia nuk ka lënë askënd pa talent. Ata që e kanë zhvilluar talentin e tyre, shohin se rritet. Ata që nuk e zhvillojnë, e humbasin atë.

    Meqenëse fëmijët janë kureshtarë, ata do të kërkojnë të mësojnë se çfarë talenti ose talentesh u ka dhënë Perëndia. Atyre mund t’u shpjegohet se, ndërsa rriten, Perëndia do t’ua zbulojë çfarë talenti të veçantë u ka dhënë. Ai do të përdorë prindërit, mësuesit dhe njerëz të tjerë, që t’i ndihmojnë të dallojnë talentet dhe atë që ata bëjnë më mirë. Do të jetë dobiprurëse t’i mësoni fëmijët të luten që Perëndia t’i ndihmojë të zbulojnë dhe të zhvillojnë talentin e veçantë që u ka dhënë.

    Ekziston një rrezik i madh për prindërit që kanë kërkesa të paarsyeshme ndaj fëmijëve të tyre, duke pritur që ata të arrijnë pesë talente shkëlqimi në jetë, kur Perëndia i ka pajisur vetëm me një. Gabim të madh bëjnë edhe ata prindër që krahasojnë një fëmijë me një tjetër, duke harruar se fëmijët nuk janë njëlloj të talentuar. Dhe rezultati: Te fëmija ngulitet mendimi se nuk është e rëndësishme që të zhvillojë talentin që ka. Pse të përpiqem? Unë asnjëherë nuk mund të shpresoj se mund të jem në shkollë aq mirë sa motra ime ose të jem në skuadrën e futbollit si vëllai im. Kështu që talenti që fëmija ka, në shumicën e kohës humbet, dhe një ndjenjë inferioriteti shkatërron jetën e tij.

    Përrallëtari më i madh, Hans Christian Andersen, u nxit të shkruajë nga një botues, i cili një ditë pa disa nga shkrimet e tij dhe i tha: “Jo keq. Vazhdo të shkruash. Unë do të të ndihmoj”. Ja edhe një mënyrë nëpërmjet së cilës prindi nxit fëmijën të zbulojë çfarë talenti i ka dhënë Perëndia dhe ta inkurajojë ta zhvillojë atë. Miriam Dale ka shkruar një poemë të bukur për fëmijë:

    Unë jam një fëmijë i vogël Unë pikturoj pa frikë

    Unë godas me çekiç me zhurmë

    Unë ndërtoj i shkujdesur

    Unë lexoj në mënyrë imagjinare

    Unë shkruaj në mënyrë origjinale

    Unë këndoj me ngazëllim

    Askush të mos e hedhë poshtë krijimin tim, Por ta përsosë atë!

    Perëndia i ka dhënë çdonjërit nga ne talent unik ose kapacitet që askush tjetër në këtë botë nuk e zotëron. Secili nga ne është, në një farë mënyre, ndihmës i të tjerëve dhe ka aftësi të bëjë disa gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. Kjo i jep vlerën unike çdo burri, çdo gruaje dhe çdo fëmije. Bota do të ishte e mangët, nëse ne nuk do të kishim lindur. Ne i kemi shtuar diçka, e cila nuk ishte para se të kishim lindur. Kjo diçka është nga Perëndia dhe është me vlerë të paçmueshme.

    Le të ndihmojmë fëmijët tanë të kuptojnë se kanë një rëndësi të madhe për Perëndinë. Ai i ka pajisur ata me diçka që nuk ia ka dhënë ndonjë njeriu tjetër, dhe mënyra se si e përdorin është po aq e rëndësishme për Të, ashtu si dhe një burrë apo një grua shumë të talentuar përdorin talentet që zotërojnë. Ashtu si Eduin Markham thotë:

    “Ekziston një punë e pabërë që vetëm duart e tua mund ta bëjnë: Dhe kështu, nëse ju ngurroni, në muzikë do të mungojë një kordë”.

    Ndodh që shikojmë një person shumë të aftë dhe themi: “A nuk është ai një njeri me dhurata?”. Dhe përsëri, a nuk jemi ne të gjithë me dhurata? Madje edhe një talent, nuk është yni, por dhuratë nga Perëndia. Këto dhurata janë investimet e Perëndisë në jetën tonë. Thelbi i shëmbëlltyrës është që Perëndia pret kthimin e investimit të Tij. Një ditë do të na kërkojë llogari se çfarë bëmë me dhuratën që Ai na pajisi.

    “Talentet tuaja janë të pakta”, i tha dikush një të krishteri.

    Dhe i krishteri u përgjigj: “Po, por unë kam një Perëndi të madh”.

    “Ai që banon tek unë”, tha Jisui “dhe Unë tek ai, do të japë shumë fryte”.