Ikona e familjes

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË

 

    Një vajzë nga Japonia, që studionte në një kolegj amerikan, e ftuan të kalonte pushimet e Krishtlindjes te një shoqe e klasës. Pas disa ditësh e pyetën se si i kaloi pushimet. “Shumë mirë, u përgjigj ajo, por në atë shtëpi më mungoi Perëndia. Unë ju kam parë të adhuroni Perëndinë në kishën tuaj. Në vendin tim, ne kemi një kënd për Perëndinë, që të kemi mundësi t’i adhurojmë “perënditë” tona edhe në shtëpi. Po amerikanët, a e adhurojnë Perëndinë në shtëpi?”.

    Edhe për familjet orthodhokse ekziston një traditë që të kenë një kënd lutjeje, me ikona, kandil që digjet para ikonave, temjanicë dhe enën me ujë të bekuar. Kjo shërben si një kujtesë për praninë e Perëndisë në shtëpi dhe si një kënd për lutjen familjare. Në Rusinë e vjetër, për shembull, çdo shtëpi, duke filluar nga pallati mbretëror i Carit e deri te kasollja me kashtë e fshatarit të thjeshtë, kishte një ikonë të Krishtit ose të së Tërëshenjtës. Në atë kohë asnjë shtëpi ruse nuk quhej shtëpi, nëse nuk i kishte këto ikona.

    Helen Isvalsky shkruan në librin e saj Krishti në Rusi: “Në ditët e hershme… kur një rus hynte në shtëpinë e tij ose shkonte për vizitë te një mik, pikë së pari do të përkulej para ikonave dhe do të bënte shenjën e Kryqit, para se të përshëndeste të zotin e shtëpisë. Ikonat simbolizonin praninë e Perëndisë; ato ishin një kujtesë e vazhdueshme e jetës së mbinatyrshme dhe i drejtoheshin moralit dhe ndërgjegjes. Nuk mund të gënjesh, të bësh hile, ose të bëhesh i vrazhdë përpara një ikone”. 

    Gjatë persekutimit në Rusi nuk ishin këto lehtësira që janë sot për mësimin e besimit, e megjithatë Kisha në Rusi i mbijetoi komunizmit për shkak të familjes së krishterë (besimi brenda në shtëpi). Kudo në botën e krishterë orthodhokse familja është parë si një “kishë shtëpie” me “altarin” e saj, ku lutjet ofrohen para ikonave.

    Për të krishterin orthodhoks, ikona është më shumë se një “ndihmë pamore”. Ajo është në fakt një mister. Është një lidhje ndërmjet njerëzores dhe hyjnores. Ajo siguron një takim ekzistencial midis njeriut dhe Perëndisë. Ajo bëhet vendi i shfaqjes së Krishtit, duke marrë të mirëqenë faktin që dikush qëndron para saj me mendje dhe zemër. Ajo bëhet vendi i lutjes. Një ikonë merr pjesë në ngjarjen që ajo përshkruan dhe është pothuajse rikrijim i asaj ngjarjeje në mënyrë ekzistenciale për besimtarin, siç thotë edhe atë Bulgakovi se “nëpërmjet nderimit të ikonës së Krishtit, bëhet i mundur takimi mistik midis besimtarit dhe Krishtit”.

    Nëse nuk keni ikonë në shtëpi, pyesni priftin tuaj se ku mund të blini një të tillë. Nëse është e mundur, përfshini gjithë familjen në zgjedhjen dhe blerjen e ikonës së familjes. Nëse dëshironi, mund të përfshini pjesëtarët e familjes për të përcaktuar vendin ku ajo do të vendoset në shtëpi. Përveç ikonës zyrtare të familjes, fëmijët mund të kenë ikona të tjera në dhomat e tyre. Në fund të shekullit të 19-të, pas një kohe të gjatë qëndrimi në Rusi, Stephan Graham shkroi si më poshtë për rëndësinë e ikonës në shtëpinë ruse: “Çdo shtëpi ruse ka ikonat e veta… Ikona na tregon se shtëpia dhe ikona janë për Perëndinë; ajo tregon pronësinë e Perëndisë… Ajo (ikona) është në fe si emri i produktit në tregti… Në çdo dhomë në Rusi ekziston një ikonë, madje edhe në stacionet e trenave, në kafene, në burg… Ajo qëndron në këndin ballor të çdo dhome, nga lindja e diellit; nuk është e përshtatshme t’i kthesh kurrizin asaj, tavolinat familjare shpesh përshtaten në atë mënyrë që të jetë e pamundur të ulesh me kurriz nga ikonat… Nëse do të flini në një shtëpi ruse, ikona me llambën e vogël para saj qëndron sipër jush gjithë natën… Kur hyni në dhomë, për të nderuar ikonën, hiqni kapelën. Kjo është një shenjë se Perëndia është në dhomë me ju… Ai zotëron dhomën, ose më mirë është Perëndia në dhomë… Jashtë janë dielli, hëna dhe yjet… brenda janë ikonat që zënë vendin e tyre.