Festimi i ditëlindjes sonë shpirtërore:
Dita e pagëzimit
ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË
I krishteri orthodhoks feston dy ditëlindje: ditëlindjen trupore dhe ditëlindjen shpirtërore. Pas lindjes trupore vjen lindja tjetër, lindja “përmes ujit dhe Shpirtit të Shenjtë”, ditëlindja shpirtërore.
Në këtë ditë Jisui më birësoi si fëmijën e Tij. Ai më pastroi nga të gjitha mëkatet. Ai erdhi të banojë tek unë nëpërmjet Misterit të Kungimit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë erdhi të ngrejë tendën e Tij tek unë. Zëri i Perëndisë Atë tha: “Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer.”
Cila ditë mund të jetë më e rëndësishme se kjo? Ajo është një ngjarje që duhet të kujtohet dhe të festohet çdo vit. Pse të mos e kthejmë atë në një ditëlindje të dytë për fëmijët tanë dhe ta kremtojmë me festë dhe me tortë? Nëna mund të përgatisë një “Tortë ditëlindjeje për Jisuin” dhe të gjithë mund të këndojnë “Gëzuar Ditë- lindjen”. Organizatorët (nuna dhe nuni) dhe pjesa tjetër e familjes mund të jenë të pranishëm për të dhënë dhurata ditëlindjeje, ashtu sikurse ata veprojnë në një ditëlindje të zakonshme. Ne mund të ndezim qiriun e pagëzimit, për të kuptuar dritën që morëm nga Jisui. Prindërit mund ta përdorin këtë rast si një mundësi për të diskutuar se çfarë do të thotë të jesh fëmijë i Jisuit, çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i vetë familjes së Perëndisë dhe të mbash emrin e vetë Krishtit, i KRISHT- erë.
Një festim i tillë familjar do të ndihmojë fëmijën të kujtojë cili është ai dhe kujt i përket. Kjo gjë do të ndihmojë të rifitojë atë çfarë tashmë është një ditë e harruar dhe ta kthejë në një ditë me të vërtetë të rëndësishme, ashtu sikurse është realisht.
Pjesë e festimit të ditëlindjes së dytë duhet gjithashtu të jetë marrja e Kungatës së Shenjtë në të dielën më të afërt me të. Për këtë ngjarje, qiriu i pagëzimit duhet të merret në kishë dhe të ndizet teksa shkojmë të marrim Trupin dhe Gjakun e çmuar të Jisuit.
Festimi i pagëzimit është një çast i përshtatshëm për t’i thënë fëmijës suaj sa shumë e doni. Prindërit, për shembull, mund të thonë: “Niko, kur u pagëzove, Perëndia të tha: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer”. Më lejo të të them se edhe mami me babin ndihen kështu për ty. Ne të duam. Ti je i rëndësishëm për ne. Ne jemi të gëzuar që ti je pjesëtar i familjes sonë. Jemi të lumtur që ndodhesh këtu. Jeta jonë nuk do të ishte e njëjtë pa ty. Ka raste, Niko, që ne si prindër nuk jemi aq të ndjeshëm dhe të kujdesshëm sa duhet dhe na vjen keq për këtë. Të lutemi, mos mendo se indiferenca dhe sjellja jonë pa takt nënkupton që ti nuk je i rëndësishëm. Ti je i rëndësishëm! Ne të duam shumë”. Ky është edhe një moment i mirë për t’u folur fëmijëve rreth pagëzimit, se si u zgjodhën nunët e tyre dhe se si ua vendosën emrat. Tregojuni atyre fotot e kësaj ngjarjeje, certifikatën e pagëzimit. Nëse nuk e keni, kërkojeni nga kisha ku u pagëzuan.