SHEMBULLI I PRINDËRVE TË KRISHTERË
Motra Magdalen
Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot
Shën Joan Gojarti, duke shkruar rreth mësimdhënies për fëmijët, thotë diçka që është shumë e rëndësishme për çdo aspekt për prindërit e krishterë: “Shembulli është gjithçka”. Për shembull, fjalët që prindërit përdorin dhe mënyra e të folurit, do të ndikojë në mënyrën e të folurit personal të fëmijës. Shën Joani thotë se nëse fëmijët do të dëgjojnë prindërit të flasin në mënyrë agresive apo përbuzëse, ata do të mësojnë të flasin në këtë mënyrë gjithashtu.
Ndërsa fëmijët rriten, atyre duhet t’u mësohet bindja që në moshë të vogël, si një pjesë e natyrshme e jetës së tyre. Është shumë më e lehtë të trajnosh një fëmijë në bindje që nga fillimi i jetës së tij.
Edhe këtu shembulli i prindërve është i një rëndësie supreme; nëse ata nuk tregojnë bindje ndaj vullnetit të njëri-tjetrit, fëmija nuk do ta mësojë bindjen. Bindja është shpirtërisht jetësore dhe fëmijët që nuk e përfitojnë atë kur janë të vegjël, do ta kenë më vështirë kur të rriten. (Është e vështirë për një të rritur egoist të ndryshojë nëse ka qenë i përkëdhelur gjatë jetës.) Fëmijët që gjithmonë veprojnë në mënyrën e tyre ose që lejohen të përdorin djallëzi për të marrë atë që duan dhe në çastin që e duan, nuk mund të mësojnë të duan – sepse bindja është shprehje e dashurisë. Bindja zhvillohet me maturi. Për një fëmijë ajo do të thotë: “Veproj ashtu si më është thënë”, por për një të rritur do të thotë: “Preferoj vullnetin e tjetrit për shkak të dashurisë”.
Kur fëmijët bëjnë detyrat ose luajnë, jo gjithmonë këto gjëra janë të lehta për t’u arritur. Kjo është një nga dobësitë e jetës moderne: gjërat që kërkojnë përpjekje dhe punë ose që të bëjnë të kërkosh ndihmë, tentohen të shmangen. Ne dëgjojmë mësues të thonë se nëse një nxënës nuk është gjithmonë i suksesshëm, ai do krijojë komplekse. Suksesi dhe gëzimi i mjaftueshëm janë të nevojshëm për inkurajim dhe për qetësim – por duhet të jetë dhe sfida, një mundësi për të vënë në punë kapacitetin dhe madje edhe për të përjetuar humbjen. Është shpirtërisht e nevojshme të mësojmë durimin, qëndresën gjatë situatave jo të rehatshme dhe përulësinë. Sërish shembulli i prindërve është i një rëndësie të pallogaritshme. Fëmijët mësojnë nga reagimi i prindërve ndaj sëmundjes, fatkeqësisë, ndaj vështirësive ekonomike e kështu me radhë.
Fëmijët duhet të inkurajohen të ndihmojnë të rriturit në punët e tyre në shtëpi, në përputhje me moshën e tyre, edhe nëse ata janë fare të vegjël, edhe nëse ndihma që do të japin do të jetë disa herë shumë e vështirë që ata ta kryejnë me përsosmëri. Në këtë mënyrë, ata mësojnë përgjegjësitë që do t’u duhet të marrin dhe gjithashtu mësojnë të mos kenë egoizëm. Në këtë mënyrë fëmijët mund të vlerësojnë më mirë punën që prindërit e tyre bëjnë për ta.
Një nga tiparet e jetës së krishterë në botë është të jesh zemërgjerë, mikpritës dhe i dashur me njerëzit në nevojë. Këto cilësi mund të rrënjosen te fëmija që në moshë të vogël. P.sh. nuk është e parëndësishme, që ata të mësojnë të ndajnë gjërat e tyre dhe të marrin pjesë në mikpritjen e miqve në shtëpi.
Shën Joan Gojarti, duke folur rreth qortimit të fëmijëve, thekson se prindi duhet ta qortojë fëmijën më shumë nëpërmjet tonit të zërit dhe paralajmërimeve. Shkrimet e Shenjta dhe Etërit nuk duken të jenë kundër dënimit trupor. Përkundrazi ata na këshillojnë të mos jemi shumë të butë dhe të mos i përkëdhelim fëmijët me tepri. Fjalët e shën Joanit për qortimin e tyre vendosen në kontekstin e dashurisë prindërore. “Zemërohuni e mos mëkatoni” (Efes. 4:26). Nëse zemërimi është i nevojshëm, pasi keni bërë qortime në mënyrë të sjellshme dhe nuk patët efekt, duhet të përdorni zemërimin e dashurisë, të motivuar jo nga dëshira për të dominuar, por nga dëshira për të mësuar fëmijën çfarë është gabim dhe çfarë është e drejtë. Zemërimi nuk është shfaqje për pasionet tona, por një mjet pedagogjik. Shën Joan Gojarti thotë: “Për aq kohë që shikon frikën e qortimit tënd të ketë ende efekt mbi fëmijën, përmbaju, sepse natyra jote kërkon qetësi”.
Nëse marrëdhënia e një fëmije me prindin e tij është e ngjizur, dhe nëse fëmija beson dhe respekton prindërit, disa herë edhe një shprehje mërzitjeje në fytyrë apo një fjalë e ashpër është e mjaftueshme për fëmijën të kuptojë se ai po vepron gabim. Shën Siluani, si i ri që ishte ra në mëkat dhe i ati i tha mëngjesin tjetër: “Ku ishe mbrëmë, biri im? Zemra ime ishte e shqetësuar për ty”. Fjalët e tij të ëmbla depërtuan në zemrën e Shën Siluanit. Familja e Shën Siluanit ishte një familje e madhe – babai, nëna, pesë djem dhe dy vajza – të gjithë jetonin së bashku në dashuri. Djemtë e mëdhenj punonin me babanë. Një të premte ata ishin jashtë duke korrur dhe ishte radha e Simeonit (Shën Siluanit) të përgatiste drekën. Duke harruar që ishte e premte, ai gatoi për drekë gjellë me mish derri dhe ata të gjithë hëngrën prej saj. Gjashtë muaj më vonë, në një ditë feste në dimër, i ati u kthye nga ai dhe duke buzëqeshur e plot ëmbëlsi i tha: “Bir, a mban mend kur na dhe të hanim mish atë ditë në fushë? Ishte e premte. Unë hëngra, por e di, shijonte si kërmë”.
“Përse nuk më the në atë kohë?”
“Nuk doja të të lëndoja, bir” (Murgu në Malin e Shenjtë. Londër Mowbrays, 1973, fq. 10). Kjo nuk është një butësi e rrallë – kjo është rezultat i një marrëdhënieje të thellë respekti dhe besimi.
Disiplina duhet të jetë e arsyeshme dhe e drejtë. Synimi i disiplinimit të fëmijëve është t’i mësojmë ata të mos gabojnë. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj drejtësisë dhe zemërohen shumë kur prindërit e tyre kanë inat të dhunshëm ndaj tyre për diçka fare të vogël, ose kur prindi afrohet për të të thënë që ke vepruar gabim në një mënyrë shumë vulgare. Kur i paralajmërojmë fëmijët para dënimit, duhet ta mbajmë fjalën deri në limit. Pasi e kemi dënuar fëmijën, duhet të shfaqim gatishmëri për ta falur. Shpesh fëmijët e ndiejnë se prindërit e tyre nuk kanë dashuri kur fëmijët janë të padëgjuar. Ne nuk e pëlqejmë mëkatin, por e duam mëkatarin.
Dashuria jonë për fëmijët duhet të jetë për ta një imazh i dashurisë së Perëndisë për njeriun. Kjo do të thotë se nëse një fëmijë rrëfen një vepër të keqe që ka bërë, apo shfaq pendesë, duhet ta zbusim qortimin ose dënimin, të paktën në përputhje me natyrën tonë psikologjike. Kjo nuk do të thotë se ne e harrojmë mëkatin ose dukemi sikur e harrojmë; ne i inkurajojmë fëmijët tanë që të mos fshehin veprat e tyre të këqija apo “të gjejnë justifikime për mëkatin” (Ps. 140:4). Ne dëshirojmë t’u japim atyre mundësinë të shijojnë gëzimin e kthimit të djalit plangprishës, sepse për këtë është marrëdhënia jonë me Perëndinë. Mashtrimi është një karakteristikë shumë më serioze se një sërë zemërimesh dhe nëse ka mashtrim midis fëmijës dhe prindit, do të jetë e vështirë të qëndrojë një marrëdhënie.
Nuk duhet kurrë ta dënojmë apo ta kërcënojmë fëmijën, duke përdorur emrin e Krishtit; kurrë nuk duhet t’u themi fëmijëve se Krishti nuk i do ata kur janë të pabindur, ose kur janë të sëmurë t’u themi se i ka dënuar Krishti për veprimet e tyre. Duhet të kemi autoritet vetjak të mjaftueshëm pa e kthyer Krishtin në një figurë polici. Fëmijët do ta urrejnë Krishtin nëse ata vetë janë të sëmurë apo një shok i tyre është i sëmurë, sepse ata do të mendojnë se Krishti po i dënon për mëkatin ose nëse ata janë të pabindur, do të mendojnë se Ai nuk i do ata. Nuk është e vërtetë as kjo: Krishti i do mëkatarët dhe vdiq për ata.
Kur mësojmë disiplinë dhe bindje te fëmija, duhet të lejojmë zhvillimin personal dhe zhvillimin e karakterit të fëmijës. Qëllimi ynë pedagogjik nuk është të copëtojmë vullnetin e fëmijës, apo “ta thyejmë atë”, si të stërvitim një kalë të vogël, në këtë mënyrë ne nënshtrojmë personalitetin e tij tek i yni. Edhe kur një fëmijë është i vogël dhe i duhet të mësojë të veprojë ashtu si i është thënë, qëllimi ynë përfundimtar është që ai të jetë modest dhe të ketë konsideratë për të tjerët. Nëse i privojmë vullnetin fëmijës, ne e privojmë atë ndaj diçkaje që është pjesë e nevojshme e rritjes së tij si një person i lirë njerëzor dhe një armë e nevojshme për mbijetesë në përpjekjen e krishterë. Ne kemi nevojë për vullnetin tonë, që të ecim në rrugën tonë në këtë botë, që të mos mbetemi plotësisht të varur nga ambienti i shtëpisë – dhe kjo mbivarësi shumë herë shfaqet në momentet kur fëmija ikën nga shtëpia kur është i rritur. Gjithashtu, ndonjëherë, duhet të ndjekim sugjerimet e fëmijëve, edhe kur ata janë të vegjël.
Nuk është pedagogjike që t’i ndalojmë fëmijët gjithmonë – duhet të jetë “jep dhe merr”, jo vetëm nga fëmija, por edhe nga prindërit. Ndërsa fëmijët rriten, arsyet tona për t’u ndaluar atyre diçka duhet të jenë të kuptueshme për ata. Mund të gjejmë edhe alternativa ose të bëjmë kompromise. (Fëmijës së vogël duhet t’ia largojmë vëmendjen ose ta lëvizim fizikisht nga një objekt i “ndaluar”, kjo është më mirë sesa ta qortojmë atë vazhdimisht pa i ringjallur atij tundimin). Në rastin e një fëmije të pabindur, do të jetë më pak e dëmshme nëse e lejojmë atë të provojë diçka për veten nga ajo gjë që dëshiron. (Ka raste që ndalimi i diçkaje, ka efekt të kundërt nga ajo që do të dëshironim. Fëmija e dëshiron atë gjë edhe më shumë se më parë dhe vazhdon të këmbëngulë). Ndalimi i drejtpërdrejtë, kur është i nevojshëm, do të jetë më shumë efektiv, nëse ne themi “po” në mjaft raste të tjera – dhe më i efektshëm do të jetë nëse fëmijët kanë krijuar besim dhe respekt për ne nga përvoja e tyre. Nuk mund të presim që fëmijët tanë të ndihen gjithmonë të lumtur me përgjigjet tona ndaj kërkesave të tyre, por qejfmbetja nuk duhet të kthehet në një element permanent në marrëdhënien e tyre me ne. Duhet të këmbëngulim, por kjo kërkon takt dhe lutje. Në disa raste fëmijëve u sugjerohet që të kërkojnë bekimin e atit shpirtëror për të bërë diçka: në këtë rast prindi duhet të veprojë sipas këshillave që i janë dhënë fëmijës nga ati shpirtëror.
Është shumë e rëndësishme për fëmijët të ndiejnë dhe të shohin se prindërit e tyre janë në një mendje. Kjo do të thotë se kur nëna dhe babai kanë mosmarrëveshje midis tyre, duhet ta tregojnë se ato i zgjidhin në mënyrë paqësore. Ata nuk duhet që të grinden, veçanërisht në sytë e fëmijëve të tyre, ose të kundërshtojnë njëri – tjetrin dhe kur ndodh kjo, të bëhet me mirësjellje. Në rast se fëmijët i shikojnë teksa grinden apo kanë mosmarrëveshje, ata duhet ta tregojnë veten e tyre se janë pajtuar. Fëmijët i ndiejnë, madje edhe në heshtje, tensionet midis prindërve dhe vuajnë. Është e pamundur të pranosh një mendje të përsosur për çdo gjë midis dy qenieve njerëzore. Mosmarrëveshjet midis prindërve, gjithsesi nuk duhet të ndihen si ndarje mes tyre. Fëmijët asnjëherë nuk duhet të veprojnë si ndërmjetës midis prindërve. Të qenit në një mendje i prindërve, është jetësore për sigurinë e fëmijës dhe shembull për martesën e tyre të mëvonshme.
Të dëgjojmë fëmijët
Kur flasim me fëmijët tanë, duhet dhe t’i dëgjojmë ata. Ndodh që të krishterët e rritur u kushtojnë fëmijëve vetëm një gjysmë dëgjimi, dhe kjo, kur ata të flasin për Perëndinë. Duhet t’i dëgjojmë të gjitha aspektet e jetës së fëmijës me vëmendje dhe lutje, në mënyrë që frymëzimi i Perëndisë të bekojë çdo aspekt të jetës së tij. Askush nuk do ta sugjeronte që fëmija të ndërpriste gjithmonë të tjerët ndërsa ata flisnin dhe të tërhiqte vëmendjen ndaj kërkesave të tij, por duhet vërtet të kuptojmë se sa kohë dhe energji shpenzohet nga prindërit duke folur dhe duke dëgjuar fëmijët. Edhe kur jemi të zënë, duhet ta përjetojmë qoftë dhe një pyetje të vogël të fëmijës me seriozitet, ta ndërpresim punën, sepse mundësia për t’iu përgjigjur asaj pyetjeje mund të mos të të jepet përsëri. Fëmija duhet të ketë një farë maturie përpara se prindi t’i japë përgjigje serioze, sepse nëse nuk është ende kjo maturi tek fëmija, përgjigjet serioze duhet të jepen më vonë.
Ndonjëherë është mirë t’i përgjigjemi pyetjeve jetësore ashtu si ato shfaqen nga ana e jashtme, si një shkrepje e çastit, veçanërisht me fëmijët që “tërhiqen” në çështje serioze. Kjo nuk është luajtje e një drame: zemra jonë në lutje na flet se si të flasim për të mirën e fëmijës.
Kur i përgjigjemi fëmijës, nuk duhet të veprojmë si disa prindër që nuk mbajnë të qeshurën nga ajo çka fëmija thotë. Është shumë e rëndësishme të kemi një bisedë të vërtetë me fëmijën, e gjithë kjo e përshtatur me stadin e zhvillimit të tyre. Të rriturit gjithashtu, duhet të tregojnë kujdes se si shprehen dhe të mos shfaqen se po zbaviten nga mënyra se si shprehet fëmija, sepse kjo mund ta dëmtojë bisedën. “Ka një kohë për të qeshur” (Ka shumë raste për të qeshur…); por është edhe një kohë për të treguar kujdes dhe të mos e kthejmë në argëtim një pyetje apo koment serioz.
Vaktet e ngrënies
Shën Joan Gojarti sugjeron se vaktet e ngrënies janë një rast i mirë për të thënë histori dhe shembuj nga Shkrimet gjatë bisedës me fëmijët. Vaktet e ngrënies janë pjesë e kohës që familja të jetë së bashku, të hanë së bashku dhe të bisedojnë së bashku. Televizori dhe tavolinat e zhurmshme kanë prishur vaktet e ngrënies në shumë familje. Prindërit e krishterë duhet të përpiqen të jenë së bashku për vaktet e ngrënies sa më shpesh të jetë e mundur. Mëngjesi është një nga vaktet më mospërfillës, por gjithashtu dhe shumë i rëndësishëm, sepse zhvillohet në fillim të ditës. Gjatë këtyre orëve pjesëtarët e familjes vrapojnë të bëhen gati për punë ose për shkollë. Asgjë tjetër më shumë se lutja e mëngjesit, nuk do ta bënte ditën e fëmijës më përfituese dhe më përjetuese ndaj shqetësimit, dashurisë dhe interesit të prindërve në atë se çfarë do të bënte çdonjëri atë ditë, edhe nëse lutja do të ishte vetëm pesë minuta. Kur fëmija ikën për në shkollë, nëna mund ta bekojë ose të lutet: “Zot bekoje”; “Nëna e Perëndisë qoftë me ty”. E gjithë kjo nuk jep vetëm siguri psikologjike, por është edhe një mbrojtje kundër çdo influence negative që fëmija mund të hasë dhe është një lidhje midis dy botëve, shtëpisë dhe shkollës.
Shtëpia dhe shkolla
Fëmijët shpenzojnë shumë kohë nga fëmijëria e tyre në shkollë dhe prindërit e krishterë duhet të dinë mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë. Për shembull, ata duhet të takojnë mësuesen dhe të shkojnë në takimet e prindërve në shkollë. Kjo është gjithashtu një mënyrë tjetër për të forcuar lidhjet midis jetës së shtëpisë dhe jetës së shkollës – të përpiqen të tejkalojnë dy llojet e jetëve që shumë nga fëmijët orthodhoksë përjetojnë dhe kjo gjë nuk ndodh vetëm te familjet emigrante. Prindërit duhet të jenë të ndërgjegjshëm në atë se çfarë fëmijët e tyre mësojnë dhe për dëmtimin e mundshëm nga disa keqinterpretime të përbashkëta (të prezantuara shpesh si “dogma”) në fushat e njohurisë fetare, biologjisë, historisë e kështu me radhë. Ne nuk do të dëshironim që fëmija ynë të grindet me mësuesin apo të ketë frikë kur dëgjon ide të reja – duhet që t’i ndihmojmë ata dhe të jemi në mbrojtjen e tyre. “Gjëja më e nevojshme” në të gjitha rrethanat, është se ne lutemi për fëmijët tanë kur ata janë në shkollë, në mënyrë që Perëndia t’i mbrojë nga çdo lloj dëmtimi dhe t’u dhurojë atyre rritje në dituri, në moshë dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve (Lluk. 2:52).
Prindërit pyesin veten se si ata mund të ndihmojnë fëmijët e tyre në mënyrë që fëmijët të asimilojnë ato që mësojnë në shkollë dhe të përfitojnë aq sa të munden nga edukimi i tyre akademik. Në të vërtetë, një i rritur me përulësinë e krishterë mund të marrë njohuri dhe pa u bërë egoist mund t’i përdorë ato në dobi të të tjerëve. Prindërit duhet t’u japin fëmijëve kohën e tyre për detyrat e shtëpisë dhe t’u sigurojnë një vend të qetë për studim. Prindërit mund të tregojnë interesin e tyre në lëndët që ata kanë dhe t’i inkurajojnë ata të kenë kënaqësi kur punojnë për mësimet. Kjo është një arsye për të shmangur tensionet në familje, sepse një fëmijë që ka shumë shqetësime në familje nuk mund të punojë me produktivitet – një fëmijë i gëzuar dhe i sigurt mund të marrë më shumë.
Fëmijët kanë kapacitete të ndryshme dhe aftësi të ndryshme për të thithur informacionin e ri. Ka raste që një fëmijë që merr vlerësim të ulët në shkollë, kur rritet bëhet një intelektual i thellë dhe shumë më i aftë se të tjerët që asimiluan lëndët në stadin e kërkuar nga sistemi shkollor.
Një nga problemet e sistemit shkollor bashkëkohor është se fëmijët mësohen të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Rezultatet e provimeve gjykohen më pak se rezultati i pjesëmarrjes në klasë dhe kjo kultivon krenari. Të rriturit duhet të shfaqin kënaqësi ose krenari nëse fëmija ka bërë më të mirën e tij dhe jo që ai të godasë fëmijë të tjerë. Fëmija që ka bërë më të mirën dhe që është sërish i dobët në mësime, nuk duhet që të ndihet i pakënaqur. Aftësia intelektuale, mbi të gjitha, është një nga shumë dhuratat natyrale të dhëna nga Perëndia. Në përgjithësi, shoqëria jonë i inkurajon njerëzit me aftësi intelektuale të jenë krenarë dhe t’i konsiderojnë të tjerët si inferiorë.
Prindërit që kanë mundësi zgjedhjeje për shkollën që duhet të ndjekë fëmija i tyre, duhet të përpiqen të gjejnë një shkollë ku atmosfera morale edhe standardet edukuese janë të mira, edhe pse ndjekja e kësaj shkolle do të thotë se ka më tepër vështirësi financiare.
Prindërit e krishterë disa herë pyesin veten se cila shkollë është më e mirë, shkolla që ka djem dhe vajza bashkë apo shkolla që ka vetëm njërën gjini. Disa herë prindërit nuk kanë mundësi zgjedhjeje, por kur ajo ekziston, ato gjëra që duhet të merren parasysh janë: cilësia e shkollës, standardi i edukimit, shoqëria që fëmija do të ketë dhe qëndrimi i mësueses kujdestare. Këto kritere janë më të rëndësishme sesa a do të jetë shkolla me djem dhe vajza bashkë apo vetëm me njërën gjini. Të gjitha gjërat e tjera janë të njëjta, fëmijët mund të përfitojnë nga shkollat që kanë djem dhe vajza bashkë. Në familjet që janë me vëllezër dhe motra, përvoja e vëllazërimit me seksin e kundërt përfitohet që në shtëpi, por kur në shtëpi nuk është mundësia, mund të jetë e vlefshme të përfitohet kjo eksperiencë në shkollë që në moshë të re.
Në fund të vitit shkollor, prindërit janë shpesh të lodhur, por edhe pse mund të jenë kështu, është keq kur fëmijët kanë ndjenjën se prindërit e tyre janë të kënaqur që ata të jenë sërish në shkollë. Në një farë mënyre kjo do të thotë: “Me zor po pres të jenë larg meje”. Ne duhet të ndiejmë dhe të tregojmë se fëmijët tanë janë të dashur dhe të mirëpritur në shtëpi.
Të vëzhgosh shqisat e fëmijës
Shën Joan Gojarti këshillon prindërit të vëzhgojnë shqisat e fëmijëve të tyre: çfarë shikojnë, çfarë dëgjojnë e kështu me radhë. Nuk mund t’u vendosim prita fëmijëve tanë, dhe është e pamundur në shekullin XX të sigurohemi që çdo gjë që ata do të takojnë do të jetë e bukur dhe frymëzuese. Por kemi fjalët e shenjtorëve në mendje për ato gjëra që u ofrojmë fëmijëve brenda në shtëpi. Shën Joani sugjeron gjithashtu që t’u japim fëmijëve mundësinë të kenë shqisat e tyre të ndikuar nga bukuria natyrale: nga pamjet e kështu me radhë. Kur planifikojmë ekskursione dhe pushime, të përpiqemi të përfshijmë vizita në disa vende me natyrë të bukur. Mund të kemi gjëra natyrale në shtëpitë tona. Fëmijët shpesh vrasin mendjen me idenë e Perëndisë si Krijues, veçanërisht ata që janë të rrethuar gjatë gjithë kohës nga gjëra të bëra nga njeriu dhe kështu tek ata lind pyetja se ku është Perëndia në procesin e krijimit.