ATMOSFERA E SHTËPISË SË KRISHTERË

Motra Magdalen

Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot

 

    “Lutuni pa pushim” (1Thes. 5:17). Një shtëpi është e bekuar kur detyrat e çdo dite plotësohen me lutje. Kur ushqimi gatuhet me dashuri dhe lutje, ai kthehet në bekim për të gjithë ata që hanë nga ai. Kur veshim rrobat, mund të lutemi: “Më vish me drejtësi, o Zot”. Kur hyn apo del nga shtëpia, mund të lutesh: “Zot, beko ikjen time dhe kthimin tim”. Dikush tjetër mund edhe të thotë lutje të tjera për detyra të tjera.

Një zakon tjetër është gjithashtu bërja e shenjës së kryqit dhe lutjes në fillim të çdo udhëtimi.

    Këtu është një pasazh tjetër nga shën Joani i Kronshtadit:

    Në çdo gjë dhe në çdo kohë përpiquni të kënaqni Perëndinë dhe të mendoni për shpëtimin e shpirtit tuaj nga mëkati, nga djalli, dhe të mendoni që shpirti juaj të pranohet nga Perëndia. Kur ngriheni nga shtrati, bëni shenjën e kryqit dhe thoni: “Në emër të Atit, Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”, dhe gjithashtu: “O Zot, na mbaj këtë ditë pa mëkat dhe na mëso të bëjmë vullnetin tënd”. Ndërsa lani gjërat e shtëpisë thoni: “O Zot, spërkatmë me hisop dhe do të pastrohem; lamë dhe do të bëhem më i bardhë se dëbora”. Duke veshur të linjtat, mendo për pastërtinë e zemrës dhe kërkoi Zotit: “Krijo tek unë një zemër të pastër, o Zot!” Nëse ke blerë rroba të reja dhe do t’i veshësh, mendo rreth ripërtëritjes së shpirtit dhe thuaj: “Ripërtëri një shpirt të drejtë tek unë”; duke lënë mënjanë rrobat e vjetra, duke i përbuzur ato, mendo për një përbuzje më të madhe, duke lënë mënjanë njeriun e vjetër, mëkatarin, njeriun me pasione, njeriun mishor. Duke shijuar ëmbëlsinë e bukës, mendo për bukën e vërtetë, e cila jep jetë të përjetshme për shpirtin – Trupi dhe Gjaku i Krishtit – mendo për urinë pas kësaj buke – e cila është dëshira e madhe për t’u kunguar shpesh me atë. Duke pirë ujë, çaj, pije të ëmbla që mund të jenë prodhuar nga shumë gjëra apo çdo lloj pije tjetër, mendo për pijen e vërtetë e cila e shuan etjen e shpirtit të përflakur nga pasionet – nga Gjaku më i pastër dhe jetëdhënës i Shpëtimtarit. Kur pushon gjatë ditës, mendo rreth pushimit të përjetshëm, i përgatitur për ata që u ndeshën dhe luftuan kundër mëkatit, kundër shpirtrave të të ligut, kundër padrejtësisë njerëzore, pahijshmërisë dhe injorancës. Kur shtrihesh për të fjetur, mendo rreth gjumit të vdekjes, i cili shpejt a vonë do të vijë për çdonjërin nga ne; atë errësirë të përjetshme, natë të tmerrshme ku të gjithë mëkatarët e papenduar do të flaken atje. Kur fillon dita e re, mendo rreth ditës pa perëndim, ditës së përjetshme, ditës më të shkëlqyer – më me shkëlqim se dita më e ndritshme mbi tokë – dita e Mbretërisë së Perëndisë, në të cilën të gjithë ata që janë përpjekur për të kënaqur Perëndinë do të gëzohen, ose që janë penduar përpara Perëndisë gjatë gjithë kësaj jete të përkohshme. Kur shkon diku, mendo rreth ecjes me drejtësi shpirtërore, duke ecur para Perëndisë dhe thuaj: “Drejto hapat e mi në fjalët e Tua dhe mos lejo asnjë padrejtësi të më sundojë”. Çdo gjë që bën, bëje me mendjen e Perëndisë, Krijuesit, i Cili ka bërë çdo gjë nga urtësia e Tij e pafund, me hir dhe gjithfuqishmëri dhe që të ka krijuar sipas ikonës dhe shëmbëllimit të Tij. Kur ke pará ose thesare, mendo për Thesarin tonë të pashtershëm, nga ku të gjithë ne përfitojmë thesarin e shpirtit dhe të trupit, burimin që kurrë nuk shteron dhe nga i cili vjen çdo bekim – Perëndinë. Falënderoje Atë me gjithë shpirt dhe mos i mbaj thesaret vetëm për vete, që të mos mbyllet dera e zemrës sate ndaj të paçmuarit dhe thesarit jetëdhënës – Perëndisë; por shpërnda një pjesë të pasurisë sate tek ata që janë në nevojë, tek vëllezërit e tu të varfër, të cilët janë në këtë botë, në mënyrë që të vësh në provë dashurinë tënde. Ki mirënjohje ndaj Perëndisë dhe do të shpërblehesh nga Ai në jetën e përjetshme. Kur shikon vezullimin e arit, mos u tërhiq nga ai, por mendo se shpirti yt duhet të ndriçojë me virtytet e Krishtit. Kur shikon vezullimin e arit, mos u tërhiq nga ai, por kujto se shpirti yt duhet të bëhet i pastër si ari nga zjarri, dhe se Zoti dëshiron të të bëjë ty të ndritshëm si dielli, në mbretërinë e përjet-shme të Atit të Tij; sepse do të shohësh Diellin e Drejtësisë – Perëndinë, Trininë, të Përmbibekuarën Nënën e Zotit dhe të gjitha fuqitë qiellore dhe shenjtorët, të mbushur me dritën që nuk perëndon dhe që ndriçojnë me dritën që është derdhur mbi ata (Op. Cit., fq. 155).

    Në një nga thëniet e Etërve të Shkretëtirës lexojmë se gatimi i një murgu ishte shumë i famshëm. Njëherë murgjit e tjerë e pyetën atë se çfarë ishte e veçantë në recetën dhe përbërjen e ushqimit, por ai mohoi se mund të kishte diçka të veçantë përveç thjerrëzave të zakonshme. Pasi i bënë shumë presion, ai tregoi sekretin e tij: Në çdo hap të përga-titjes së ushqimit, murgu e kishte zakon të thoshte një lutje pendimi.

    Një nënë në shtëpi, edhe pse mund të jetë e zënë me punë të ndryshme shtëpiake, ka kohë të lutet më shumë se çdo njeri që është në punë jashtë shtëpisë. Në përgjithësi, një nënë duhet të punojë larg shtëpisë vetëm për shkak të arsye-ve madhore dhe pa humbur ndjesinë se familja është detyrimi i saj i parë. Fitimi nga puna e saj duhet të vijë vetëm nëse kjo e ardhur është e domosdoshme për familjen. Një dalje si variacion nga shtëpia mund të jetë e nevojshme në disa raste, por kjo nuk do të thotë se një nënë ka nevojë për një karrierë full-time. Prania e nënës në shtëpi ka një influencë pozitive në frymën e familjes; kjo është e shprehur bukur në thënien: “Gruaja në shtëpi është si zemra në vendin e saj”. Roli shpirtëror i një nëne në familje “në organizmin e familjes” është më me shumë vlerë se çdo e ardhur financiare që ajo mund të sigurojë; dhe roli i saj është i patjetërsueshëm, veçanërisht në familjen moderne nukleare.

    Ka raste që prindërit mund të thonë se janë të zënë ose të lodhur për të pasur një rregull lutjeje. Pra gjithsecili mundet rregullisht (p.sh., çdo orë ose gjysmë ore) të lutet një herë, me ngadalë, me të gjithë qenien e tij, duke e lënë çdo gjë tjetër përjashta mendjes së tij: “Zot, Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin”. Intensiteti i lutjes, edhe pse mund të jetë kaq i shkurtër, ka efektin se ndjesia e kësaj lutjeje dhe e pranisë së Perëndisë, ngelet për një kohë të gjatë, edhe nëse personi mund të jetë i zënë me gjëra të tjera. Në këtë mënyrë dikush mund të qëndrojë në gjendjen e lutjes derisa lutja të thuhet përsëri radhën tjetër.

    Njerëzit thonë se ata e harrojnë Perëndinë kur janë jashtë kishës. Familja në vetvete duhet të jetë një “kishëz e vogël” (Shën Joan Gojarti). Duhet të bekojmë shtëpitë tona dhe të përdorim ikona dhe temjan. Mund të jetë ndihmëse disa herë, nëse dëgjojmë muzikë liturgjike në shtëpi. Megjithatë, nuk është e këshillueshme të përpiqemi që të shmangim të gjitha fotografitë përveç ikonave dhe të gjitha llojet e muzikës përveç himneve të Kishës, ose të shmangim të gjitha bashkëbisedimet rreth “temave të botës” me familjen dhe miqtë tanë. Është më shumë efektive të përpiqemi të qëndrojmë gjithmonë në frymën e lutjes në zemrat tona, të ndërgjegjshëm për praninë e Perëndisë. Mund të lutemi çdo mëngjes: “Zot, nëse unë të harroj, mos më harro”, ose “Zot, vështro mbi fëmijët e mi edhe kur ata nuk të kujtojnë Ty”.

    Një gjë është e nevojshme

    Prindërit dhe mësuesit duhet të drejtohen nga lutja kur janë me fëmijët. Në situata të ndryshme çdo ditë, prindi duhet t’i lutet Perëndisë edhe pse shkurt apo me fjalë të thjeshta dhe pastaj të ndjekë atë që Perëndia e frymëzon në zemrën e tij të bëjë ose të thotë. Vendimi apo reagimi duhet të jetë i drejtuar nga lutja në zemër, më shumë sesa nga arsyetimi. Kur i rrituri i jep përgjigje pyetjes së fëmijës, ai duhet të drejtohet nga lutja para Perëndisë se vetëm Ai e di se çfarë është më e mira në çdo situatë të dhënë për atë fëmijë.

    Është e pamundur t’u japësh zgjidhje të sakta problemeve që mund të ndodhin në çdo moment gjatë një periudhe shumëvjeçare, apo për situata që mund të ndryshojnë nga njëri çast në tjetrin; sepse nëse flasim për rritjen e fëmijëve, jemi duke folur për marrëdhëniet njerëzore dhe lirinë personale. Për prindërit e krishterë ka vetëm një “rregull”: të kërkojnë Perëndinë në lutjen e nxehtë.

    Kjo do të ndihmojë njerëzit të cilët përballen me fëmijët, që të luten çdo mëngjes: “O Zot Perëndi, vetëm Ti e njeh fëmijën tënd, zemrën e tij, nevojat e tij dhe të ardhmen e tij. Me ndihmo të mos bëj gabime kur të përballem me fëmijën sot”. Me “përballje” nënkuptohen të gjitha fjalët tona, veprat, reagimet – dhe jo vetëm bisedat tona për Perë-ndinë. Duhet të kemi bindjen që Perëndia është i gatshëm të frymëzojë zemrat e të gjithë njerëzve të Tij. Ne duhet të përpiqemi që të lutemi, sepse do të fitojmë eksperiencë vetëm duke u përpjekur. Ky është mësimi i shenjtorëve.