Drita e Krishtit dhe Evropa

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi

Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës,

Revista Kërkim, Tiranë, 2009

   Në fillimet e shekullit të kaluar, Oswald Spengler1 mbështeste tezën se qytetërimi ka një evolucion historik të natyrshëm: lindje, zhvillim, dhënia e fryteve dhe rënia, që pasohet nga vdekja. Kjo pikëpamje mbronte mendimin se qytetërimi perëndimor i ishte afruar etapës së fundit. Megjithatë Arnold Toynbee2 theksoi diferencën midis zhvillimit teknologjik në njërën anë dhe në anën tjetër të progresit të pastër, që ai e quan “shpirtëzim”. Ai i shikonte rrënjët e krizës në botën perëndimore në të bërit e saj të huaj ndaj eksperiencës fetare dhe në përshtatjen e saj me kultin e teknologjisë, me nacionalizmin dhe militarizmin. Kundër modelit të degradimit biologjik ai kundërvuri pozicionimin volitiv, që është i bazuar në forcën dhe në vitalitetin e minorancave krijuese dhe të personaliteteve të jashtëzakonshëm.

    Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, ne jemi mbledhur këtu në Asamblenë e Tretë Ekumenike në sigurinë se këtu ka shpresë për një lulëzim të ri të qytetërimit në Evropë. Për këtë arsye kjo shpresë jeton dhe vepron brenda dritës së Krishtit. Gjithashtu edhe ne të krishterët “si bij të dritës”, (Efes. 5:8), qoftë në shumicë apo në pakicë në shoqëritë tona, duhet të jemi faktorë kreativiteti në një Evropë me të vërtetë të ndriçuar.

    1.Lidhja midis dritës dhe Transhendentales, Hyjnores, ka qenë e njohur në mbarë fetë, në një shumëllojshmëri imazhesh dhe kombinimesh të ndryshme. Kjo gjë buron drejtpërdrejt nga tekstet biblike3, literatura patristike dhe himnologjia e Kishës.

    Imazhi i dritës u adoptua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Jisui, meqë është Fjala, “nga i cili u bënë të gjitha” (Jn. 1:3), personi i Trinisë së Shenjtë, Krishti që “është drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri, që vjen në botë” (Jn. 1:9). Ai deklaroi në mënyrë të përsëritur dhe të qartë: “Unë jam drita e botës” (Jn. 8:12, 9:5). Drita që lidhet drejtpërsëdrejti me jetën: “Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Jn. 8:12).

    Në Tabor lidhja midis Krishtit dhe dritës u bë e dukshme: “Fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita” (Mt. 17:2). Pas ballafaqimit, në kryq me forcat e errësirës, Ai i mbushi të gjitha gjërat me dritën e Ngjalljes së Tij. Në përfundim të historisë së shpëtimit, krijesa e re do të ketë vetë Perëndinë si dritë (Zbul. 21:33). Kështu, nga drita e natyrshme, e cila këtu poshtë alternohet me hijet e natës, ne duhet të kalojmë te drita që nuk perëndon, e cila është vetë Perëndia (1 Jn. 1:5). Ne të krishterët deklarojmë se Krishti “është dritë prej drite”, që Trinia është dritë në tërësi. “Dritë është Ati, dritë është Bota, Dritë është Shpirti i Shenjtë”4.

    2. Shkenca bashkëkohore i jep një theks të veçantë marrëdhënies së qartë midis Krishtit dhe dritës. Natyra e dritës ka qenë gjithmonë në qendër të kërkimit shkencor. Zhvillimi i shkencës ka qenë lidhur me këtë kërkim. Zbulime të reja shkencore, të mrekullueshme siç janë, e zgjerojnë më tej nocionin biblik të dritës. Shkenca na thotë se drita është një valë elektromagnetike, që udhëton me një shpejtësi kolosale. Por në të njëjtën kohë është e përbërë nga thërrmijëza. Fotoni, thërrmijëza e dritës, zë një vend të veçantë midis thërrmijëzave të materies dhe të energjisë, që përbëjnë botën, si G. Grammatikakis, një shkencëtar i shkëlqyer nxjerr në pah. Ai shpjegon se kuantumi elektrodinamik përshkon ndërveprimet e fotonit me materien dhe vazhdon duke thënë: “Mund të duket e pamundur, drita transformohet në materie”5.

    Pasuria jonë e re e diturisë rreth dritës së natyrshme zgjeron më tej simbolizmin e efekteve të mrekullueshme të dritës shpirtërore në botë. Krishti, “Drita e botës”, është ende i mundshëm për t’u njohur dhe familjar, meqë është dritë e natyrshme, por është në të njëjtën kohë i pakonceptueshëm dhe i paafrueshëm në esencën e tij. Perëndia është quajtur dritë jo në përputhje me thelbin e Tij, por sipas energjisë së Tij, si shpjegon shën Grigor Pallamai. Dhe ndërkohë që esenca e Perëndisë ngelet e paafrueshme, kushdo që dëshiron mund të marrë pjesë në energjitë e Tij6.

II

    1. Evropa u bekua duke u formuar dhe duke u zhvilluar gjatë shekujve në dritën shpirtërore të Krishtit7. Ashtu si procesi i mrekullueshëm i fotosintezës mirëmban ciklin e jetës, në të njëjtën mënyrë, drita shpirtërore e Krishtit i ka dhënë jetë qytetërimit të Evropës. Natyrisht, ka shumë shembuj ku re të ngrysura dhe net të errëta të arrogancës, mosbesimit, urrejtjes dhe interesave të paligjshme e kanë penguar dritën e Ungjillit që të shndrisë në Evropë. Kjo është diçka, që është identifikuar në kohë të ndryshme me anë të auto kritikës së të krishterëve dhe nevojave për ta nxjerrë në pah një gjë të tillë, me qëllimin e mospërsëritjes së këtyre fenomeneve.

    Por edhe në kohë të errësirës dhe të trishtimit, drita derdhet në atmosferë në shumë mënyra. Shkenca moderne, duke zbuluar mënyrat e shumëllojta me të cilat depërton drita natyrore, na inkurajon të besojmë sesi ne mund të jemi të ndërgjegjshëm për format e fshehta të dritës së Krishtit, me të cilat ajo futet në rrugën ku bota lëviz, edhe kur kohët duken të errëta.

    2. Sot ne jetojmë në një Evropë që ka një kuptim multifetar, – duke kuptuar me këtë tërësinë e kontinentit evropian dhe jo vetëm Bashkimin Evropian dhe karakteristika bazë e qytetërimit të sotëm është sekularizmi i tij.

    Qëndrimi i vërtetë i Krishterimit brenda Evropës nuk duhet të jetë një konflikt me ata që nuk ndajnë të njëjtat shpresa me ne, ose nuk duhet të kërkojmë që Kisha të ketë një pozitë dominuese në shoqëri. Detyrimi i dishepujve të Krishtit, të cilët Ai vetë i siguroi se “ju jeni drita e botës” (Matth. 5:14 Jn. 12:36) është dëshmia e pastër, shërbimi vëllazëror dhe asistencë terapeutike. Dëshmitarë të sigurisë sonë se Krishti nuk është thjesht një “mësues i madh”, një profet i rëndësishëm apo “një mistik”, por është Biri i Perëndisë së gjallë, “drita e botës”.

    Krishti e lidhi rrezatimin e dritës së Tij jo me gjendje ekstaze, si p.sh. ato të neoplatonizmit ose të tipit indian, por e lidhi me veprat. “Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që ata të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj, që është në qiell” (Matth. 5:16). Kisha është ftuar sa herë të shprehë besimin e saj me vepra të shërbimit, për të mirën e të gjithëve, pa bërë përjashtime. Të gjitha iniciativat humanitare dhe strukturat që kanë lindur në Evropë për lehtësimin e dhimbjes, sëmundjes, pleqërisë, vetmisë dhe për plagën e jetimëve dhe të huajve, burojnë nga ide dhe përpjekje të frymëzuara nga besimi i krishterë. Ato u adoptuan nga shteti. Kjo traditë dhe dinamikë duhet të vazhdohet me ide krijuese dhe iniciativa të guximshme.

   Sa i takon asistencës shëruese, kjo nuk kufizohet vetëm në trajtimin e sëmundjeve që na mundojnë, por e shtrin shërimin e plagëve në trupin e shoqërisë dhe në marrëdhëniet midis popujve. Ajo zgjerohet në gjetjen e shërimit për urrejtjen, mosbesimin, ksenofobinë, racizmin dhe çdo lloj armiqësie.

    Mbështetja dhe forcimi i vlerave të krishtera, që formuan qytetërimin evropian, duhet të jetë aspirata jonë e qartë. Të tilla janë: a) theksimi i dinjitetit të personit njerëzor si baza e të drejtave të njeriut b) respekti për lirinë e çdo individi, pa dallim origjine, race, edukimi apo bindjeje fetare, c) shenjtëria e martesës dhe e familjes, ç) përgjegjësia e çdo qytetari për progresin e mbarë shoqërisë; d) solidariteti shoqëror dhe drejtësia, dh) pushteti i përulësisë dhe rëndësia primare e kapërcimit të egoizmit.

    Dhe le të mos harrojmë ekumenicitetin e dritës. Ne evropianët, që kemi shijuar përparësitë e të qenit vende të pasura, jemi të ftuar të shikojmë përgjegjësitë tona në dritën rrezatuese të Krishtit, i Cili është “drita e botës”; ftohemi të shohim përgjegjësinë tonë për njerëzit e kontinenteve të tjera dhe të shprehim në mënyrë fisnike ndjenjat tona miqësore karshi tyre. Për më tepër, jemi të thirrur të punojmë krah për krah me ata, në një terren të njëjtë, për zhvillimin e mbarë botës si një e tërë.

    Por nëse Kishat duhet të përmbushin rolin e tyre thelbësor dhe të kontribuojnë në rrugën shpirtërore që do të marrë Evropa, para së gjithash ato duhet të jenë të vërteta ndaj karakterit të tyre sakramentalo-sotiriologjik. Në këtë mënyrë ato nuk duhet të katandisen thjesht në OJQ. Kisha duhet të ngelet shfaqja e “ekonomisë” së Perëndisë në Krishtin me anë të Shpirtit të Shenjtë. “Trupi i Krishtit”, vendi ku kryhet transformimi njerëzor, bashkimi me Perëndinë e dashurisë.

    3. Në shikim të parë, rrezatimi i dritës, si ne të gjithë e dimë, është në fakt sinteza e shtatë ngjyrave të ndryshme. Në mënyrë të ngjashme, edhe drita e Krishtit mund të ndahet në shumë mënyra dhe rrezatime të dritës. Ne të krishterët, si “bij të dritës”, jemi të ftuar të nxjerrim në pah të gjitha dritat e spektrit të dritës së bardhë me:

   – Dritën e paqes, me veten tonë, me ata që na rrethojnë dhe mbarë botën.

   – Dritën e drejtësisë, për të luftuar për një shoqëri të drejtë në nivel lokal, panevropian dhe global.

   – Dritën e së vërtetës, për të analizuar historinë dhe për të parë realitetin social.

   – Dritën e shpirtit të krijimit, që i jep forcë mendimin origjinal në shkenca, në arte dhe në kulturë.

   – Dritën e shpresës për bashkimin e të gjithë njerëzve në konti- nentin tonë, ku pajtohen dhe harmonizohen diferencat.

   – Dritën e Dashurisë, në kuptimin dhe fuqinë që i është dhënë nga besimi i krishterë dhe shembulli i gjallë i të gjithë atyre që e kanë përjetuar.

    Përgjegjësia më e madhe që ka Kisha është të ofrojë dashuri, t’i bashkojë njerëzit me burimin e dashurisë. Nuk ka asnjë institucion tjetër social, që mund ta zëvendësojë atë.

    – Dritën paskale që nuk perëndon, e cila shfaq fitoren përfundimtare mbi mëkatin dhe vdekjen me anë të fuqisë së Kryqit dhe të Ngjalljes së Krishtit.

    Duke jetuar dhe vepruar në këtë mënyrë, ne duhet t’u takojmë strukturave njerëzore krijuese, që si shumica apo pakica, kanë aftësinë për të shfrytëzuar plotësinë e elementeve më të mira të trashëgimisë evropiane dhe ta udhëheqin kontinentin drejt një gjendjeje ku fuqia shpirtërorë duhet të ripërtërihet.

______________
1. Spengler, O., Der Untergang des Abendlandes, vëll. 1-2, Munich1 1918-1922.

2. Toynbee, A., A study of History, bot. i përmbledhur, Oxford 1987.

3. Isaia profetizon në veçanti, që Mesia, shërbëtori i Perëndisë, do të jetë “drita e kombeve” (16:42) dhe që në kohët e fundit, do të mbizotërojë mbi të gjitha dritat e tjera: “Edhe Zoti do të jeta drita e përjetshme për ju” (Isaia 60:20).

4. Dërgimësore e Pentikostisë

5. Grammatikakis, G., Autobiografia e dritës, bot. Universiteti i Kretës, Irakleio 2006, fq. 17, 29. “Teoria e relativitetit, zhvillimi i kuanteve fizike, zbulimi i shtrirjes së universit, rrezet laser, rrezatimi kozmik i mikrovalëve – kanë origjinën e tyre në përpjekjen intensive për të kuptuar”.

6. Grigor Pallamai, Në mbrojtje të hezikastëve.

7. Krishterimi solli elementë të rinj, që ndihmuan në zhvillimin e qytetërimit evropian. Shkurtimisht, së pari zbulimi i dokumenteve të lirisë, të dashurisë në histori; së dyti, në diçka, që në pamje të parë duket e pamundur nga ana logjike. Një besim që të çon në një kërkim të përgjithshëm për të vërtetën, duke përfshirë edhe të vërtetën shkencore – përtej aparencave dhe nevojave; së treti, një mënyrë të re përpjekjeje, një ftesë dhe sfidë për një transhedencë të vazhdueshme në jetën shpirtërore, për një transformim të vazhdueshëm të botës! Jannullatos, A., “Athina, qytet i kontributit të vazhdueshëm theologjik dhe kulturor”, Fjalime zyrtare, v. 28, Universiteti Shtetëror “Kapodistria”, Athinë 1988, fq. 366.