Teologjia në Kishën Ortodokse.

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, Tempulli nr. 4, Korçë, 2001.

 

    Çfarë është teologjia? Kuptimi literal i termit teologji është nga Theos – Perëndi dhe logos – fjalë. Pra, do të thotë fjalë rreth Perëndisë. Por, për të kuptuar më mirë një term, është e rëndësishme të njihet “historia” e këtij termi, mënyra dhe kuptimi i tij në perioda të ndryshme historike dhe veçanërisht kuptimi i tij aktual. Është e rëndësishme për studentët e teologjisë që ta kenë të qartë se çfarë është teologjia dhe se çfarë kuptonin Etërit e Kishës me fjalën teologji apo teolog.

    Në asnjë vend të Shkrimit të Shenjtë nuk përmendet fjala teologji, teologjizoj apo teolog. Është e qartë se kjo fjalë nuk vjen nga Shkrimi i Shenjtë dhe Apostujt nuk kishin studiuar në ndonjë shkollë teologjike.

   Kjo fjalë hyri gradualisht në përdorimin e krishterë. Të krishterët e parë e shikonin këtë term me dyshim, sepse ajo përdorej nga filozofët paganë në spekulimet e tyre rreth fesë dhe Perëndisë. I pari që e ka përdorur këtë fjalë në kuptimin e krishterë është një nga apologjistët e shekullit II-të, Athinagora i Athinës.Ai e përdori për të treguar besimin në Trininë e Shenjtë. Por, ata që e përdorën më shumë këtë fjalë, ishin mendimtarët dhe teologët e shquar aleksandrinas, Klementi dhe sidomos Origjeni. Këtij të fundit i takon merita e përdorimit të termit teologji në kuptimin e krishterë. Gjithashtu, ishin aleksandrinët, ata që ngritën shkollën e parë teologjike të krishterë.

   Por, ndonëse fjala teologji nuk ishte një term biblik, por i huazuar nga mendimtarët fetarë paganë, prapë se prapë, përdorimi i saj nga të krishterët ishte i ndryshëm. Gjithashtu, për Etërit e Kishës, ky term kuptonte diçka krejtësisht tjetër nga çfarë kuptohet sot. Në kuptimin e tyre, teologjia nuk ishte një shtjellim sistematik i doktrinës së krishterë, realizuar nëpërmjet fuqisë së arsyetimit, por një “Vizion i Perëndisë Trinitare, që përfshinte jo vetëm mendjen, por tërë personin njerëzor, mendje, zemër e shpirt. Për ata, teologjia nuk ishte thjesht një sistem arsyetimi, por theoria (soditje, kontemplim). Ajo ishte një dhuratë e Perëndisë, një soditje e misterit të Perëndisë, një përvojë e gjallë me Perëndinë e Gjallë, komunikuar nëpërmjet një lulje të pastër e intensive. Evagri i Pontit, një nxënës i Etërve të Kapadoqisë, na ka lënë thënien klasike, e cila e tregon qartë kuptimin patristik të teologjisë: “Nëse ju jeni një teolog, ju do të luteni me të vërtetë dhe nëse ju luteni me të vërtetë, ju jeni një teolog.” Etërit e Kishës e shikonin teologjinë, jo si e shohim ne sot, si një sistem intelektual doktrinash apo një sistem metafizik, por si një mjet që e bashkon njeriun në një kungim të gjallë me Perëndinë e gjallë.

    Kështu, teologjia për Etërit e Kishës, nuk ishte thjesht një mënyrë të menduari, por një mënyrë të jetuari, në kuptimin me të thellë dhe më mistik të jetës, në atë me dhe në kungim me Krijuesin e jetës. Vladimir Losski e përkufizon në këtë mënyrë teologjinë: “Teologjia si fjalë dhe si mendim, në mënyrë të nevojshme duhet të fshehë në vetvete një dimension gnostik, në kuptimin e teologjisë së soditjes dhe qetësisë. Bëhet fjalë për hapjen e mendimit tonë tek një realitel, i cili shkon përtej tij. Bëhet fjalë për një mënyrë të menduari, ku mendimi nuk përfshin, nuk kap, por e gjen vetveten të përfshirë të kapur, të vdekësuar dhe të gjallëruar nga besimi soditës. Kështu, mësimi teologjik e vendos vetveten me vështirësi ndërmjet gnosës – karizma dhe qetësi, njohje soditëse dhe ekzistenciale – dhe epistimës – shkencë dhe arsyetim.” Pra, teologjia përdor epistimën për të shprehur në një mënyrë të kuptueshme (për sa mund të jetë e kuptueshme) gnosën. Kjo gjë shikohet kudo ku kërkohet shpjegimi i të pashpjegueshmes.

   Gnosa është një soditje që kapërcen kufinjtë e historisë, të kohës dhe të hapësirës. Ajo anticipon në të tashmen, realitelin eskatologjik të botës që do të vijë. Ndërsa detyrë e teologjisë është pikërisht ta sjellë këtu në histori, në kohë e në hapësirë atë që është jashtë kohe e hapësire. Kështu, teologjia mundohet të shprehë me mjete kohore të vërtetat e përjetshme. Për të bërë këtë, asaj i duhet të zhytë kovën e saj në pusin e thellë të të vërtetave të realitetit hyjnor (realitet që njihet vetëm nëpërmjet një bashkëpërjetimi të gjallë me Hyjninë, në një soditje dhe lutje të pastër) dhe me ndihmën e litarit të arsyetimit, ta sjellë këtë kovë në realitetin tonë, ku mund të shuajnë etjen për “Zotin” shumë e shumë shpirtra. Dhe, meqenëse litari i arsyetimit, nga që është i kufizuar, nuk mund ta sjellë të plotë ujin hyjnor, teologjia kërkon përjetimin mistik, që të mund të përjetohet çfarë nuk mund të shprehet dot me fjalë dhe me ide.

    Teologjia është një njohuri e fituar nëpërmjet një lidhje dashurie me Perëndinë, një njohuri shpirtërore. Kjo është arsyeja që Ortodoksia e sheh çdo besimtar të vërtetë si një “teolog”, i cili e njeh Perëndinë dhe është i mësuar personalisht prej Tij. “Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej Tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.”²

    Teologjia e Lindjes nuk e shikon Perëndinë si një objekt të jashtëm studimi, por e shikon Atë si burimin dhe themelin e çdo jete, që kurrë nuk mund të jetënjë objekt i jashtëm dhe i shkëputur. Gjithashtu, ajo e shikon çdo gjë të ndërlidhur me njëra-tjetrën dhe që nuk mund të kuptohet e shkëputur nga e gjitha. Pjesa nuk ka kuptim e shkëputur nga e Tëra. I tërë krijimi i Perëndisë është i ndërlidhur në vetvete. E gjithë gjithësia nuk përbëhet nga njësi të pavarura, por të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe që nuk mund të kuptohen të ndara. Mendja analitiko-filozofike e studion një doktrinë duke e ndarë në njësi të vogla dhe duke e klasifikuar çdo njësi me disa përkufizime. Në këtë mënyrë, duke e coptuar, humbet e tëra. Segmenti bëhet një pjesë e vdekur e palidhur me të tjerat. Një gisht ka kuptimin e tij, kur ai është i lidhur në mënyrë të gjallë me trupin e gjallë. I prerë dhe i shkëputur nga trupi, ai nuk është gjë tjetër perveçse nje copë mishi pa jetë e pa kuptim. Prandaj dhe teologjia e vërtetë e studion një çështje duke e vëzhguar sesi i tërë subjekti lidhet me secilën pjesë të tij. Metoda e saj është metoda tërësore. Kështu, ajo e kupton një mësim të veçantë të krishterë nga brenda kontekstit të të gjithë doktrinës së krishterë dhe jo si një njësi e izoluar. Nuk mund të studiohet, Eukaristia apo Shkrimi i Shenjtë, për shembull, të izoluar në vetvete por vetëm në lidhje me Kishën, në lidhjet e tyre me shërbesën e Shpirtit të Shenjtë. Çdo gjë qëndron në lidhje me të tjerat. Krishtërimi e sheh botën si një e tërë, si një zbulesë e Perëndisë në të gjitha vendet. Ndonëse shpirti e trupi janë të dalluar nga njëri tjetri, përsëri ata janë të pandarë. Një person njerëzor përbëhet nga shpirti e trupi së bashku. Ata kurrë nuk mund të merren të ndarë nga njeri-tjetri. Një trup pa shpirt është kufomë dhe një shpirt pa trup është fantazmë, është tashmë një thënie klasike në Ortodoksi.

    Doktrina Ortodokse e sheh individin në lidhje me të tjerët, domethënë, nuk e sheh si një individ por si një person. Kjo ndodh, sepse Kisha Ortodokse e sheh Kishën dhe individët si pasqyrim i lidhjes ndërmjet Personave të Shën Trinisë. Ashtu si asnjë Person hyjnor nuk mund të ekzistojë jashtë kungimit me Personat e tjerë, kështu asnjë, person njerëzor nuk mund të jetojë si një individ i izoluar. Nëse ai do të jetë i izoluar, atëherë ai do të jetë një person i cunguar. Ajo që e bën një individ të jetë një person është pikërisht lidhja me të tjerët. Ajo që i bashkon dhe i mban Personat Hyjnorë është dashuria. Po kjo lidhje mban edhe Kishën. Pa dashuri nuk mund të ketë një person të plotë (domethënë një njeri në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë), sepse pa dashuri nuk ka lidhje të përsosur me të tjerët. Për të përmbushur vetveten, domethënë, që një individ të bëhet një person i plotë, duhet të ketë një dashuri për gjithçka rreth tij, sepse i gjithë krijimi është i ndërlidhur. Nëse kemi urrejtje, jemi ne që dëmtohemi, sepse prishim lidhjen me njëri-tjetrin dhe me krijimin. Edhe sikur një gjethe të vetme të urresh, nuk mund të jesh më i plotë, sepse lidhja me të tërën është cënuar pak. Duke dashur gjithçka, duke dashur gjithë krijimin e Perëndisë, atëherë, në përmbushemi dhe bëhemi pikërisht ajo gjë për të cilën Perëndia na ka krijuar: Persona. Kështu që, teologjia e vërtetë, jo vetëm që e shikon çdo gjë të ndërlidhur, por të lidhur nga dashuria dhe dashurinë si të vetmen mënyrë për të kuptuar e bashkëpërjetuar Perëndinë dhe gjithë krijimin e Tij.

   Teologjia si mister. Termi mister, në kuptimin patristik dhe ortodoks, nuk do të thotë diçka e fshehtë dhe e pakuptueshmc, por diçka, e cila është zbuluar nga Perëndia dhe është e kuptueshme nga ne, ndonëse nuk mund të zbulohet, kuptohet dhe shpjegohet plotësisht, ngaqë ajo qëndron mbi mendjen tonë. Meqenëse Perëndia është mbi mendjen tonë, por jo jashtë mendjes, ashtu edhe teologjia, e cila ka të bëjë me Perëndinë, është mister, sepse ajo ashtu si Perëndia, e kapërcen mendjen njerëzore. Në këtë kuptim është përdorur fraza “misteri i teologjisë” nga Etërit e Kishës në përgjithësi dhe nga Shën Vasili i Madh dhe Shën Grigor Teologu në veçanti. Me fjalën mister ata nuk kuptonin një kundërvënie ndaj teologjisë (çfarë kuptojmë ne sot me fjalën teologji, sepse për ata teologjia nuk ndahej nga misteri, ishte teologji mistike), por në kuptimin që teologjia duhej më tepër jetuar sesa njohur. Ajo shpreh një përvojë të një misteri të pashprehur, që e kapërcen inteligjenën, aftësitë dhe shqisat tona. Protopresviteri Joan Meyendorff e përcakton teologjinë se ajo është “njëkohësisht soditja e Perëndisë dhe shprehje e asaj që nuk mund të shprehet.” Kështu fraza teologji mistike ka më tepër kuptimin e një gjendjeje shpirtërore dhe të një dialogu mistik me Perëndinë, sesa të një përkufizimi teorik të doktrinës, sepse edhe vetë teologjia është një mister hyjnor. Teologjia është një mister, sepse kërkon të shprehë me gjuhë njerëzore atë që qëndron përtej çdo mendimi e kuptimi njerëzor. Por, mendimi i Etërve të Lindjes nuk ka bërë kurrë një dallim të prerë ndërmjet teologjisë dhe mistiçizmit, ndërmjet përvojës personale të mistereve hyjnore dhe dogmave të pohuara nga Kisha.

    Në fakt, të dyja janë të ndërlidhura dhe ndihmojnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Kështu, nuk mund të ketë një teologji të krishterë pa misticizëm, siç nuk mund të ketë një misticizëm pa teologji. Përvoja personale mistike realizohet në bazën e fesë së përbashkët. Jashtë të vërtetës, e cila është ruajtur nga e gjithë Kisha dhe shprehet nga teologjia e saj, përvoja personale nuk do të ishte e sigurtë dhe nuk do të kishte një kriter sigurie e objektiviteti. Askush nuk do të mund ta ndante dot më të vërtetën nga e gënjeshtra, mistiçizmin e shëndoshë nga ai i helmuar, që për fat të keq e ka bashkëshoqëruar shpesh. Po ashtu, mësimi i Kishës nuk do të kishte qëndruar në shpirtrat e besimtarëve, nëse nuk do të kishte qenë ushqyer në një përvojë personale, të thellë e të brendshme.

    Në teologjinë e Lindjes fjala mistike nuk nënkupton një individualizëm emocional, por të kundërtën. Ajo kupton më tepër një kumgim të vazhdueshëm me Shpirtin e Shenjtë, i Cili banon në tërë Kishën. Ky term shpreh paaftësinë e intelektit dhe gjuhës njerëzore për të shprehur tërësinë e së vërtetës dhe ruajtjen e peshës ndërmjet pohimeve pozitive dhe teologjisë apofatike (jo shrehëse). Kjo është arsyeja përse në Kishën e Lindjes individualizmi mistik ka mbetur i huaj.

    Teologjia dhe zbulesa. Qëllimi i teologjisë është shpëtimi i shpirtrave. Ashtu si edhe shpëtimi, ajo është një dhuratë nga Perëndia, sepse ajo bazohet në zbulesën e Perëndisë dhe jo në përpjekjen njerëzore për të kuptuar Perëndinë. “Perëndia na foli së fundi nëpërmjet Birit të Tij”.3 Këtu qëndron edhe ndryshimi ndërmjet filozofisë e fesë. Ndërsa filozofia është një përpjekje e mendjes njerëzore (shpesh e mendjeve më të shkëlqyera të njerëzimit), për të kuptuar veten dhe botën rrotull nesh, feja është një zbulesë e Perëndisë për të njohur Atë dhe krijimin e Tij. Nëse teologjia do të ndiqte filozofinë dhe do të kthehej thjesht në një përpjekje njerëzore (pa mohuar që në teologji është edhe përpjekja njerëzore) për të shpjeguar Perëndinë, atëherë ajo do të humbiste vërtetësinë dhe aftësinë për ta shprehur këtë të vërtetë. Ajo ose do te ndahej nga përvoja personale dhe mistike, ose, edhe kur do të mbështetej në këtë përvojë, nuk do të kishim dot më siguri vërtetësinë e kësaj përvoje. Kuptimi patristik i teologjisë nuk e mohon përpjekjen njerëzore, por e shikon teologjinë më tepër si një përgjigje ndaj zbulesës hyjnore (duke ia lënë iniciativën gjithmonë Perëndisë). Perëndia nuk është një objekt pasiv i njohjes sonë. Duke u zbuluar tek ne, Ai merr iniciativën. Prandaj, teologjia është një hir, i cili jepet nga Perëndia si dhuratë dhe jo nga merita jonë.

    Teologjia dhe besimi. Për të pranuar zbulesën, nga ku fillon dhe përgjigjja ndaj saj (kjo përgjigje quhet teologji), presupozohet besim personal. Për të formuluar doktrinën kërkohet patjetër arsyeja njerëzore (ose përpjekja njerëzore), por ajo mund të jetë efektive vetëm kur bazohet në besën. Nuk mund të arrihet besimi vetëm nëpërmjet arsyetimit, meqenëse njeriu nuk është vetëm arsyetim dhe për më tepër arsyeja njerëzore është e kufizuar. Nuk mund të arrihet besimi vetëm nëpërmjet kërkimit.studimit dhe njohjes. Procesi ndodh në kahun e kundërt.”Ne besojmë për të ditur – thotë Shën Agustini – ne nuk dimë për të besuar.””Me anë të besim arrihet në diturinë për Perëndinë dhe pa besimin është e pamundur të njihet Ai.”5 Thënia e Anselmil të Kantërberit, Credo ut intelligam – besoj që mund të kuptoj, është bërë tashmë klasike. Gjëja më e pakët që mund të kërkojë teologjia është besimi. Do të ishte e pakuptimtë të flitej për Perëndinë, nëse nuk do të besohej në Atë. Do të ishte njësoj sikur të luaje shah pa mbretin. Kështu që jashtë besimit teologjia nuk do të kishte kuptim. Për një besimtar, Perëndia është një realitet që mbulon vetveten dhe që nuk mund të njihet jashtë kësaj zbulese.

    Teologjia dhe morali. Ashtu siç kemi thënë edhe më sipër, teologjia është një mënyrë të jetuari dhe prandaj kërkon një përkushtim personal dhe një jetë të pastër morale. Në shumë fusha të tjera të shkencës (ndonëse edhe ato kërkojnë përkushtim).si p.sh.gjeologji, topografi apo inxhinieri, përvoja ka treguar se mund të arrihet një progres edhe pa pasur ndonjë standart të lartë moral, sepse këto shkenca studiojnë dhe mbledhin fakte për një objekt të jashtëm. Por në teologji kjo është e pamundur. Ajo kërkon një zemër të pastër, ashtu siç, është thënë: “Lum ata që kanë zemër të pastër se do të shohin Perëndinë”.6

    Nuk mund të pohohet e vërteta rreth Perëndisë pa pasur dashuri e mirësi. Prandaj në Meshën e Shën Joan Gojartit theksohet lidhja ndërmjet besimit dhe dashurisë. Para se të thuhet Simboli i Besimit, besnikët nxiten: “le të duam njëri-tjetrin dhe të rrëfejmë me një mendje Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, Trininë e njeqënshme dhe të pandarë.”

   Ndonëse teologjia është një dhuratë e hirit të Perëndisë, ajo gjithashtu kërkon një bashkëpunim të plotë nga ana njerëzore, një përkushtim dhe përfshirje të tërë personit njerëzor. Bashkëpunimi ynë qëndron në hapjen e zemrës sonë ndaj hirit të Shpirtit të Shenjtë, i Cili do të na ndryshojë, do të na pastrojë dhe do të na shenjtërojë. Nuk mund të arrihet një njohje e Perëndisë pa pasur një pastërti shpirtërore. Jeta shpirtërore, e cila është e domosdoshme për një teolog, është një udhëtim shpirtëror. Ky udhëtim kërkon pikësëpari një jetë të pastër morale, sipas porosive të Zotit, një pastrim të vazhdueshëm të shpirtit, me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë, në një kungim personal me Perëndinë dhe me një dashuri personale për Atë.

    Udhëtimi shpirtëror fillon me pendimin.Vetëm një pendim i thellë dhe i vazhdueshëm ka forcën për të transformuar, pastruar dhe shenjtëruar. Pastrimi kërkon një përpjekje në maksimumin e mundësive tona dhe gjatë gjithë jetës sonë. Shën Grigor Teologu drejton pyetjen: “Dëshiron të bëhesh nje teolog?” Kësaj pyetjeje i përgjigjet: “Mbaj porositë . . . Veprimi është baza për soditjen.” Soditja, domethënë vizioni i Perëndisë (ndonëse është dhuratë nga Perëndia), vjen si pasojë e veprimit, domethënë e një ushtrimi te madh shpirtëror. Nuk mund të ketë një doktrinë të drejtë pa pasur një jetë të drejtë.Nuk mund të ketë “Ortodoksi” pa pasur “Ortopraksi”.

    Nuk ka përparim në jetën shpirtërore pa pasur një lutje të pastër e intensive. Thënia e Evagrit tregon se teolog është ai që lutet. Lutja përfshin kërkesë dhe lavdërim. Prandaj të bësh teologji do të thotë të lavdërosh Perëndinë dhe ta shndërrosh jetën në një himn lavdërimi për Perëndinë.

    Teologjia kërkon gjithashtu një mendje të kthjellët, sepse Perëndia është transparencë, dritë dhe qartësi.Nuk mund të ketë një mendje të kthjellët në një shpirt të turbulluar. Prandaj, për të qenë nje teolog, është kaq shumë e rëndësishme që të bëhej një jetë intensive fetare, një jetë, e cila duhet të ketë pendimin e vazhdueshëm, ushtrimin shpirtëror.lutjen e pastër dhe shenjtërimin e pandërprerë shpirtëror.

    Meqenëse teologjia flet për Perëndinë dhe gjithçka që i afrohet Perëndisë duhet të jetë e pastër dhe pa njollë, kushdo që dëshiron të merret me teologjinë duhet të ketë një kujdes të madh. Atij i kërkohet një pastërti e madhe morale. Shën Grigor Teologu na paralajmëron që të jeni të kujdesshëm, kur kemi të bëjmë me teologjinë, Jo çdokush mund të merret me teologji, para së gjithash, ajo kërkon një pastrim shpirtëror. Ja konkretisht sesi shprehet ai: “Jo gjithsekujt i takon të filozofojë rreth Perëndisë; jo tek gjithsecili – subjekti nuk është kaq i lirë dhe i ulët – dhe do të shtoja, jo para çdo audience, jo në çdo kohë, jo në çdo pikë, por vetëm para disa personave dhe brenda disa limiteve. Jo tek gjithsecili, sepse i lejohet vetëm atyre që janë shqyrtuar dhe që janë shumë të avancuar në soditje dhe që më përpara kanë qenë të pastruar në shpirt dhe në trup, ose të paktën janë duke u pastruar.”

    Teologjia joshprehëse dhe shprehëse (apofatike dhe katafatike ose negative dhe pozitive). Perëndia është një mister. Ai nuk mund të shprehet dot. Asnjë fjalë, asnjë koncept dhe asnjë përkufizim nuk mund ta përcaktojë plotësisht atë, sepse çdo përkufizim dhe çdo përcaktim i vendos kufi e cak Atij që është i pakufishëm dhe që nuk ka cak. Prandaj, mendja njerëzore, duke qenë e kufizuar nuk mund ta shpreh apo ta formulojë në mënyrë të plotë se çfarë është Perëndia.

    Ne Letrën e Parë të Shën Joanit thuhet: ”Asnjë se ka parë Perëndinë ndonjëherë”.7 Gjithashtu edhe Shën Pavli thotë: “Vetëm Perëndia e ka pavdeksinë dhe rri në dritë te paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë”.8 Perëndia nuk mund të njihet kurrë plotësisht. Ky ka qenë gjithmonë motivi i mendimit të Kishës së Lindjes. Duke kundërshtuar pikëpamjen e Eunomit, sipas së cilës mendja njerëzore mund ta njohë plotësisht esencën e Perëndisë, Etërit e Kapadoqisë pohuan transhendencën absolute të Perëndisë dhe përjashtuan çdo mundësi të përcaktimit të Tij nga çdo koncept njerëzor. Prandaj, kjo quhet teologjia apofatike ose joshprehëse (negative), sepse Perëndia përcaktohet me anë të asaj që Ai nuk është. Duke pohuar atë që Perëndia nuk është, teologu po flet realisht për të Vërtetën, sepse asnjë mendim apo fjalë njerëzore nuk është e aftë të shprehë se çfarë Perëndia është. Negativiteti qëndron pikërisht në faktin e mosnjohjes së plotë të esencës së Perëndisë dhe e paaftësisë së koncepteve njerëzore për të shprehur realitelin hyjnor. Duke thënë se Perëndia është i pakuptueshëm, i paafrueshëm, i pakapshëm. i panjohur, i pakufishëm etj, arrihet të pohohet se çfarë Ai është: Ai është çfarë Ai s’është. Por, apofatizmi i Etërve të Kishës ndryshon nga apofatizmi i filozofëve paganë, i cili ishte një apofatizëm formal inteleklual. Ndërsa Etërit mbështeten në konceptin biblik të transhendencës.Transhendenca të çon në një takim personal me Perëndinë e Gjallë, apo siç e quan Shën Grigor Pallamai tek “një soditje më e madhe se njohuria”.

    “Askush nuk e ka parë Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir; që është në gjirin e Atit, është ai që e ka bërë të njohur”.9 Ndonëse, askush nuk e ka parë Perëndinë dhe askush nuk mund ta kuptojë Perëndinë, prapë se prapë, Ai është bërë i njohur nëpërmjet Birit.Në kuptimin patristik, gjithmonë ekziston një mundësi e përvojës me Perëndinë. Kjo përvojë realizohet jo me anë të njohjes intelektuale apo të shqisave, por nëpërmjet zbulesës së Perëndisë “që e ka bërë të njohur”. Kjo zbulesë e lejon njeriun të takojë Perëndinë jo në natyrën e Tij, por në energjinë e Tij. Domethënë, ndonëse njeriu nuk mund ta njohë Perëndinë në natyrën e Tij, ai mund me anë të transhendencës ta takojë Atë, në një takim që ndodh jashtë fuqisë arsyetuese, në një (takim që ndodh në mister. Me anë të dhe në Shpirtin e Shenjtë njeriu mund të përjetojë pikërishit atë që s’mund ta kuptojë dhe ta shpjegojë. “Njoh një njeri në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh, a ishte në trup, a ishte jashtë trupit nuk e di; Perëndia e di, u rrëmbye gjer në qiellin e tretë, dhe e di se ai njeri, a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di, u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri”.10 Ndonëse ne nuk mund të dimë si, Perëndia e di sesi, ne mund ta përjetojmë botën tjetër, në një mënyrë që i kapërcen dimensionet njerëzore. Vetë Shën Pavli shpreh mosdijen e tij kur thotë: “Unë nuk e di, Perëndia e di.” Kjo mosdije vjen nga një dije shumë e madhe. Në këtë kuptim duhet parë apofatizmi i teologjisë. Ka disa pyetje – thotë Shën Agustini – që përgjigja më e mirë është të thuash, – unë nuk e di.

    Meqenëse teologjia është një mister hyjnor, ajo është njëkohësisht shprehëse dhe joshprehëse (negative dhe pozifive), apofatike dhe katafatike. Në Kishën e Lindjes mbahej një masë ndërmjet pohimit, sepse Biri na e ka bërë të njohur Atin dhe mohimit, nga që esenca e Perëndisë nuk mund të njihet kurrë. Teologjia që nuk do të kishte dimensionin apofatik do të bëhej, sipas Etërve Kapadoqeas, një teknologji, një arsyetim i thatë dhe pa jetë. Gjithashtu, teologjia që nuk do të kishte dimensionin katafatik do të ishte krejtësisht e pakuptueshme. Duke pohuar mosnjohjen arrihet njohja. Kulmi i diturisë është pikërisht të kuptuarit e mosaftësisë për të njohur deri në fund Perëndinë. Prandaj, teologjia është shprehja e të pashprehurës.Apofatizmi dhe katafatizmi nuk kanë ndërmjet tyre një raport alternativ, por ato plotësojnë njëri-tjetrin. Secili nënkupton tjetrin.”Të shprehurit” dhe të “mos shprehurit” janë pjesë të së njëjtës.

    Ja si e përkufizon apofatizmin dhe katafatizmin Shën Grigor Teologu, kur komenton Kishtarin 3:7 – “një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur” – shkruan: “Duke folur për Perëndinë, në rastin kur bëhet fjalë për esencën e Tij, atëherë është kohë për të heshtur. Ndërsa, kur flitet për veprimet e Tij, një njohje e të cilave mund të vijë poshtë, madje deri tek ne, atëherë kjo është kohë për të folur për tërëfuqishmërinë e Tij, duke treguar punët e Tij dhe duke shpjeguar veprat e Tij dhe duke përdorur fjalë për këtë. “

    Teologjia dhe hyjnizimi. Ne kemi përmendur vazhdimisht që teologjia e Lindjes është mistike, por ajo ka gjithmonë si qëllim, sado që mund të duket paradoksale, një realizim praktik: θεοσις – hyjnizimin. Dituria për të nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur bashkimin dhe bashkëpërjetimin me Perëndinë. Sa më shumë të jetë mistike, aq më shumë i afrohet këtij bashkimi. Studimi i teologjisë dhe i dogmave të Kishës, ka qëllim pikërisht shpëtimin e shpirtit, hyjnizimin. Ky ishte edhe qëllimi i mishërimit të Krishtit: bashkimi i njeriut me Hyjninë. Të gjitha zhvillimet dhe betejat doktrinale gjatë historisë së Kishës kanë pasur pikërisht këtë qëllim: të mbrojnë dhe të ruajnë për të gjithë të krishterët mundësinë e bashkimit mistik, hyjnizimin. “Perëndia u bë njeri që njerëzit të munden të bëhen perëndira.” Lufta kundër arianizmit, dogma e bashkëqenshmërisë së Trinitetit, kishin po këtë qëllim, sepse, nëse Biri nuk do ishte Perëndi e plotë, nuk do të kishte të njëjtën esencë me Atin, atëherë ai nuk do të mund të hapte rrugën për bashkimin me Perëndinë dhe hyjnizimi do të ishte i pamundur. Duke luftuar kundër nestorianëve, apollinarianëve, monofizitëve, ikonoklastëve etj, Kisha donte të mbronte pikërisht mundësinë e hyjnizimit. Dhe në debatin dogmatik rreth Shpirtit të Shenjtë – qëllimi është gjithmonë për mundësinë, mënyrën dhe mjetet e bashkimit tonë me Perëndinë.

    Etërit e Kishës e kanë parë Moisiun si modelin e teologut, sepse në personin e tij, njohja e Perëndisë është një përvojë e Perëndisë, një vizion (theoria) i lavdisë hyjnore, i pandarë nga ngjitja drejt majës së Sinait shpirtëror. Dhe vizioni i Perëndisë solli shpërfytyrimin e tij. Fytyra e tij rezatonte dritën hyjnore.sepse Mosiu pa “shpinën” e Perëndisë, domethënë pati përvojën (sipas Etërve të Kishës që kanë pasur të njëjtën përvojë) e lavdisë të energjisë së pakrijuar të Perëndisë dhe i gjithë personi i tij (shpirt e trup), u transformua; të tjerët nuk mund ta shihnin fytyrën e tij, sepse ajo rezatonte dritë prej dritës hyjnore. Kështu, njohja e Perëndisë është përvoja me Hyjninë.Teologjia është një mjet i rëndësishëm për arritjen dhe përjetimin e kësaj përvoje.

    Kështu, gjatë gjithë historisë së dogmave, ato nuk ishin qëllim në vetvete apo objekt studimi dhe debati vetëm i një elite të zgjedhur teologësh. Ato ishin garanci për drejtimin shpirtëror të të gjithë të krishterëve, drejt qëllimit të përbashkët: hyjnizimin. Doktrinat teologjike janë formuar e mbrojtur për një qëllim jetësor – atë të bashkimit me Perëndinë. Ato kanë qenë baza e spiritualitetit të krishterë. Ne këtë kuptim (doktrina, jo si qëllim në vetvete, por si mjet që ndihmon në hyjnizimin) duhet kuptuar termi “teologji mistike”, term me të cilin emërtohet shpesh teologjia e Kishës së Lindjes.

—————————–
1. Vladimir Lossky: “Orthodox Theology – An Introduction” SVS Press 1989. f. 12-13.
2. I Joani 2:27.
3. Hebrejtë 1:2.
4. Shën Agustini, Mbi Joanin, 40, 9.
5. Shën Joan Gojarti, Mbi Filipianët, hom. 11,2.
6. Matheu 5:8.
7. I Joani 4:12.
8. I Tim. 6:16.
9. Joani 1:18.
10. II Korinthianel 12:2-4.