fletorja

LIGJ

NR.10 057, DATË 22.1.2009

PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË PËR RREGULLIMIN E MA­RRËDHËNIEVE TË NDËRSJELLA”

 

Në mbështetje të neneve 10 pika 5, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Ratifikohet “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr. 6033, datë 29.1.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË NDËRSJELLA

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, bazuar në parimet e lirisë së ndërgjegjes dhe të besimit fetar, të sanksionuara e garantuara në nenet 10 e 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj, si dhe në ligjet e tjera në fuqi (më poshtë sipas rastit do të citohen Kushtetuta, ligjet dhe/ose legjislacioni në fuqi), lidhin marrëveshjen si më poshtë (më poshtë do të citohet “Marrëveshja”):

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Kjo Marrëveshje rregullon çështje të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis Shtetit Shqiptar dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në të mirë të secilit dhe të të gjithëve, mbi bazën e parimeve kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe të ushtrimit të besimit fetar, si dhe të dëshirës së përbashkët për të forcuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e ndërsjella.

Neni 2

Kuptimi

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e kupton dhe e shpreh vetveten ashtu siç përcaktohet në Nenin 1 të Statuti të saj.

Neni 3

Qëllimi

Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është:

a) Të garantojë realizimin e të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në lidhje me lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë.
b) Të njohë e të garantojë respektimin e të drejtave të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të institucioneve dhe strukturave të saj, si dhe të personave juridikë të themeluar prej tyre, për të zhvilluar lirisht misionin e tyre fetar, edukativ e bamirës.
c) Të njohë dhe të garantojë paprekshmërinë e institucioneve të kultit, për aq sa veprimtaria e tyre nuk vjen në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë, si dhe me Kushtetutën e ligjet në fuqi dhe me Kanonet dhe Traditën e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
d) Të garantojë lirinë e individit për të zgjedhur ose ndryshuar fenë, për ta shfaqur atë individualisht ose kolektivisht në institucionet fetare, ose jashtë tyre, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve fetare.
e) Të sigurojë lirinë e individit për të mos u ndaluar dhe as detyruar të bëjë pjesë në një bashkësi fetare, ose të marrë pjesë në praktikat, ritet dhe në strukturat drejtuese të saj.
Me anë të kësaj Marrëveshjeje, palët angazhohen në sigurimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Kjo liri nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato që, të parashikuara me ligji, përbëjnë masat e nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shtetit, të shëndetit e moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Neni 4

Zbatimi i Marrëveshjes

1. Kjo Marrëveshje i shtrin efektet mbi të gjitha organet dhe institucionet shtetërore që kanë të bëjnë me fenë, me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe me institucionet dhe personat juridikë të themeluar prej saj.
2. Individët, ose grupimet e tyre, përfitojnë nga të drejtat e parashikuara nga kjo Marrëveshje, kur marrin pjesë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ose në praktikat e saj.

Neni 5

Parime të përgjithshme

1. Shteti respekton Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj.
2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të organizohet dhe të realizojë misionin e saj në mënyrë të pavarur nga Shteti, duke respektuar parimin e laicitetit të Shtetit, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe Kanonet e Traditën e Shenjtë të Kishës Ortodokse. Shteti mbron bashkëjetesën fetare.

Neni 6

Bashkërendimi me organet shtetërore

Në marrëdhëniet e ndërsjella me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Shteti përfaqësohet nga Komiteti Shtetëror për Kultet. Kisha bashkëpunon me Komitetin për mundësimin dhe realizimin e një komunikimi aktiv me organet dhe institucionet shtetërore.

KREU II
ORGANIZIMI DHE PERSONALITETI JURIDIK
I KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË

Neni 7

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
dhe personat juridikë

1. Shteti njeh dhe respekton personalitetin juridik të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si edhe të gjitha veprimet e deritanishme të kryera prej saj për aq sa ato nuk vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin.
2. Themelimi, struktura, organizimi, objekti i veprimtarisë, administrimi, rregullimi dhe mbarimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si person juridik, realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, me këtë Marrëveshje dhe me Kanonet dhe Traditën e Shenjtë të Kishës Ortodokse.
3. Shteti i njeh Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën për të krijuar institucione e struktura me karakter fetar ose jofetar, të cilat e sigurojnë statusin e personit juridik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Institucionet dhe strukturat e krijuara nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mund të ushtrojnë çdo lloj veprimtarie shoqërore, arsimore, shëndetësore e ekonomike, në përputhje me rregullat e saj, si dhe me legjislacionin në fuqi, që rregullon ndërmjet të tjerave edhe pajisjen me licenca dhe lejet përkatëse.
5. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me vullnetin e saj të lirë, mund të krijojë bashkime fetare, nëpërmjet bashkimit të dy ose më shumë bashkësive, me qëllim që të realizohen synimet e përbashkëta. Këto bashkime, edhe nëse nuk regjistrohen si persona juridikë, njihen nga Shteti pas depozitimit të akt-marrëveshjes për krijimin e tyre, në Komitetin Shtetëror për Kultet.
6. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë si dhe organizatat e tjera që krijon për ushtrimin e veprimtarisë së saj, në të gjitha format e ligjshme të organizimit të tyre, janë persona juridikë jofitimprurës.

Neni 8

Personaliteti juridik
i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e rinjohur dhe rikonfirmuar nga Shteti Shqiptar, regjistrohet si e tillë me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe i njihen të gjitha veprimet e mëparshme. Për regjistrimin e saj Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të paraqesë dokumentet e mëposhtme:
a. Kërkesën për regjistrimin e personit juridik, paraqitur nga përfaqësuesi ligjor i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë);
b. Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, të shoqëruar me dokumentet e sipërpërmendura, bën njohjen e personit juridik dhe regjistrimin e tij, nëpërmjet vendimit përkatës.

Neni 9

Afati dhe territori i veprimtarisë së personave juridikë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe personat juridikë të krijuar prej saj, mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre me afat të pakufizuar, në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përzgjedhjes së vetë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Neni 10

Parimet e organizimit dhe të veprimtarisë së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

1. Palët angazhohen për respektimin e parimeve kushtetuese mbi të cilat ndërtohet kjo Marrëveshje dhe do të punojnë së bashku për zbatimin e legjislacionit shqiptar në fuqi.
2. Shteti respekton pavarësinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për t’u organizuar e ushtruar veprimtarinë e saj, si dhe për të administruar pasuritë që zotëron, në bazë të parimeve, rregullave, traditave, kanoneve dhe statutit të saj.
3. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë respekton interesat kombëtare dhe bashkëjetesën e tolerancën fetare në Shqipëri.

Neni 11

Organizimi i Kishës Ortodokse Autoqefaletë Shqipërisë

1. Në marrëdhëniet me organet, institucionet dhe organizatat e tjera laike e fetare, brenda dhe jashtë vendit, besimtarët e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë përfaqësohen nga organet, funksionarët dhe drejtuesit e formuar, të emëruar a zgjedhur në përputhje me statutin.
2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të formojë organet e saj, të emërojë funksionarët dhe drejtuesit në mënyrë të pavarur, në përputhje me dispozitat e parashikuara në statutin e saj. Titullari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë caktohet sipas procedurave dhe kritereve të parashikuara në statutin e saj.
3. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njofton Komitetin Shtetëror për Kultet për emërimin e titullarit të saj.
4. Funksionarëve, drejtuesve dhe organeve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u garantohet liri e plotë e ushtrimit të veprimtarisë fetare, organizative e administrative, në përputhje me aktet e Kishës, për aq sa kjo veprimtari nuk vjen në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor.

Neni 12

Marrëdhëniet me bashkësitë e huaja fetare

1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të krijojë dhe të mbajë kontakte me bashkësi fetare të një vendi tjetër ose ndërkombëtare, të marrë pjesë në veprimtaritë e tyre fetare e bamirëse, për aq sa këto kontakte nuk bien ndesh me rendin e brendshëm kushtetues.
2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të përfitojë mbështetje financiare dhe/ose materiale nga entitete dhe/ose individë të huaj, për aq sa kjo mbështetje nuk bie ndesh me këtë Marrëveshje dhe me legjislacionin në fuqi.

KREU III

STATUSI JURIDIK DHE FINANCIAR

Neni 13

Mbështetja financiare ose materiale shtetërore

1. Shteti shqiptar mund t’i japë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, apo subjekteve juridike të themeluara prej saj, mbështetje financiare ose materiale.
2. Modalitetet dhe kriteret për sigurimin e kësaj mbështetje financiare duhet të përcaktohen në një ligj specifik për mbështetje financiare nga buxheti i shtetit për kultet fetare.

Neni 14

Regjistrimi në organet tatimore

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, si dhe personat e saj juridikë, duhet të regjistrohen në organet tatimore, sikurse çdo person juridik jofitimprurës, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Neni 15

Statusi juridik dhe fiskal

1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njeh dhe respekton kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë në fushën financiare, duke ruajtur tërësisht pavarësinë në administrimin e buxhetit të saj financiar, të krijuar qoftë nga burime të brendshme edhe nga ato të jashtme, në formë dhuratash nga kisha dhe organizma ndërkombëtare simotra.
2. Përjashtohen nga të gjitha llojet e taksave:
a. Subvencionet financiare të çfarëdo lloji dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme, si edhe donacionet materiale, të destinuara për të realizuar misionin e vet, kur këto të ardhura apo donacione nuk përdoren për përfitime nga organizatorët.
b. Ndërtimi i objekteve të reja, ndërtesat në pronësi apo në përdorim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ose të personave juridikë të themeluar prej saj të regjistruara pranë organeve kompetente shtetërore, në rastet kur ato përdoren pa qëllim fitimi për ushtrimin e besimit, drejtimin dhe administrimin kishtar, veprimtarinë baritore, humanitare e bamirëse, formimin e klerikëve, mësimin e teologjisë dhe shkencave të tjera kishtare, si dhe të personelit fetar dhe laik në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
c. Taksa e trashëgimisë ose e kalimit të pasurisë në procesin e regjistrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat i dhurohen Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ose kur ato kalojnë mes entiteteve të vetë Kishës.
3. Personat juridikë të themeluar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, por që nuk e kanë zotësinë juridike ose nuk janë regjistruar si organizata jofitimprurëse përpara ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje, gëzojnë të drejtën që të regjistrohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas nenit 8 të kësaj Marrëveshjeje, brenda dy vjetëve nga dita e hyrjes së saj në fuqi.
4. Përjashtohen nga detyrimi i derdhjes së kontributeve për sigurim shoqëror dhe shëndetësor personeli fetar dhe laik në shërbim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me kombësi të huaj, me banim të rregullt në Shqipëri, të cilët nuk përfitojnë asnjë të ardhur apo shpërblim për kryerjen e veprimtarisë së tyre dhe që i kanë derdhur këto kontribute në vendet e origjinës.
5. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, për personelin klerik dhe laik të saj, si kategori profesionale krejt e veçantë, ka të drejtë shkallëzimin e diferencuar për nivelin e pagës, për efekt kontributesh të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat e personit.
6. Për veprimtaritë me karakter institucional si: ushtri-mi i kultit, drejtimi dhe administrimi kishtar, veprimtaria baritore, humanitare dhe bamirëse, formimi i klerit, mësimi i teologjisë dhe i shkencave fetare, Kisha dhe personat e juridikë të themeluar prej saj nuk janë të detyruar të mbajnë regjistër kontabël dhe t’u nënshtrohen standardeve administrative të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për këtë çështje. Si pasojë, për të tilla veprimtari ato nuk e kanë detyrim që të paraqesin bilancin kontabël vjetor tek organet kompetente shtetërore dhe as ta depozitojnë atë pranë organizmave shtetërorë të caktuar nga legjislacioni në fuqi.

KREU IV

BASHKËPUNIMI NË TË MIRË TË SHTETASVE

Neni 16

Festat fetare

1. Ditët e festave fetare që do të jenë ditë pushimi, vendosen me ligj. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mund të propozojë festa fetare që, sipas mendimit të saj, mund të shpallen ditë pushimi.
2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, në përputhje me nevojat fetare të besimtarëve, ka të drejtë të përcaktojë edhe festa të tjera, veç atyre që do të trajtohen me ligj si festa zyrtare, të cilat nuk janë të detyrueshme për sektorin shtetëror publik dhe privat.

Neni 17

Institucionet edukative dhe arsimore
të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë, në përputhje me kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të ngrejë dhe të administrojë institucione edukative dhe arsimore të të gjitha niveleve.
2. Shteti dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, angazhohen të garantojnë të drejtën e individëve për t’u arsimuar, pa asnjë dallim, duke respektuar të drejtën e prindërve për të siguruar edukimin e fëmijëve në përputhje me bindjet e tyre.
3. Shteti e njeh vlefshmërinë e dokumenteve të lëshuara nga institucionet arsimore fetare, sipas kritereve të caktuara nga legjislacioni në fuqi për arsimin.
4. Shteti dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë hartojnë kurrikulat përkatëse për shkollat fetare jopublike, si dhe bëjnë vlerësimin dhe certifikojnë personelin pedagogjik. Për realizimin e tyre ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
5. Gjatë procesit mësimdhënës, Shteti dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë angazhohen që arsimimi i fëmijëve të bazohet mbi të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike, të drejtohet në përgatitjen e fëmijëve për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë, në frymën e mirëkuptimit, paqes, tolerancës, barazisë gjinore dhe vëllazërisë midis njerëzve, grupeve etnike, kombëtare dhe fetare ose personave me origjinë tjetër, duke iu kundërvënë racizmit e fanatizmit.

Neni 18

Kryerja e veprimtarive sociale

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të ushtrojë veprimtari sociale me karakter ekonomik, edukativ e shëndetësor. Kjo e drejtë përfshin edhe krijimin e mjediseve sociale të përshtatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 19

Organizatat bamirëse

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mund të themelojë organizata bamirëse, duke respektuar rregullat e përgjithshme dhe legjislacionin në fuqi.

Neni 20

Liria e shprehjes dhe e drejta për informim

1. Shteti dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë njohin dhe pranojnë mjetet e informimit publik, si një element të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të ndërgjegjes.
2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të shprehë dhe të përhapë lirisht bindjet e saj, nëpërmjet çfarëdo forme ligjore të njohur, ose që do të njihet në të ardhmen.
3. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të themelojë struktura të komunikimit publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në çdo rast, përmbajtja që jepet përmes mjeteve të komunikimit masiv nuk duhet të përshkohet nga ide që cenojnë rendin kushtetues, tolerancën fetare, ose që diskriminojnë bashkësitë fetare dhe nxisin grindje ndërfetare.
4. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka të drejtë të shprehet nëpërmjet mjeteve të komunikimit dhe informimit publik.
5. Komiteti Shtetëror për Kultet bashkëpunon me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për nevoja studimore e informuese.

Neni 21

Objektet e kultit

1. Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm.
2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.
3. Për nevojat e saj dhe në përputhje me procedurat ligjore, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mund të ndërtojë objekte të reja kulti.

KREU V

ÇËSHTJET E PRONËSISË

Neni 22

E drejta e pronës

1. Shteti i njeh Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme.
2. Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Në rastet kur objektet e kultit (kishat dhe manastiret) e Komunitetit Orthodhoks nuk gjenden të regjistruara në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësinë do ta vërtetojë (provojë) nëpërmjet dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit.

Neni 23

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore fetare

1. Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore.
2. Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
3. Këshilli i Ministrave, duke u bazuar edhe në mendimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, bashkërendon përpjekjet në të ardhmen për të evidentuar, vlerësuar e mbrojtur pasuritë kulturore, si dhe godinat e kultit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilat bartin vlera të kulturës kombëtare materiale e shpirtërore.

KREU VI

DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 24

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

1. Interpretimi dhe zbatimi i kësaj Marrëveshjeje, si dhe zgjidhja e çështjeve të diskutueshme, bëhen mbi bazën e mirëkuptimit midis palëve.
2. Ndryshimet e kësaj Marrëveshjeje mund të bëhen me mirëkuptim e marrëveshje midis palëve.

Neni 25

Dispozita e fundit

1. Shteti i njeh Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën që të lidhin marrëveshje të veçanta për zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje.
2. Kjo Marrëveshje shërben si akt bazë për nënshkrimin e marrëveshjeve të veçanta me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që ratifikohen në Kuvend.
3. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mund të tërhiqet nga kjo Marrëveshje, me anë të denoncimit të marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend.

 

MarreveshjaFletorjaZyrtare