QËLLIMI & SYNIMI

   Në kuadër të përpjekjes krijuese 20-vjeçare të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, për ringritjen e strukturave të Kishës dhe sidomos atë të arsimit kishtar është hapur Shkolla e Muzikës Bizantine.

   Qëllimi i saj konsiston në kualifikimin muzikor sistematik, në shërbimin liturgjik të “Psaltit”, duke u mbështetur fort në traditën, përvojën, studimet shkencore, si dhe metodat bashkëkohore. Filozofia e shkollës është të nxjerrë psaltë të përgatitur profesionalisht për të ndihmuar me talentin e tyre kryerjen e shërbesave të adhurimit hyjnor dhe për të lartësuar shpirtrat e besimtarëve më pranë Perëndisë.

   Gjithashtu, synimi i shkollës do të jetë ruajtja, përhapja dhe promovimi i  Muzikës Bizantine, si vazhdimësi tradicionale e trashëgimisë sonë kulturore, artistike dhe shpirtërore.

    VENDNDODHJA & AMBIENTET

   Shkolla ndodhet në Tiranë, në ambientet e kompleksit “Thavor”. Ajo disponon kushte moderne si për mësimdhënien, ashtu dhe për akomodimin e studentëve. Ky kompleks është i pajisur me auditorë mësimorë, sallë kopjuterike, bibliotekë, kishë, konvikt, si dhe kënd lojërash.

    ADMINISTRIMI & STAFI PEDAGOGJIK

   Shkolla e Muzikës Bizantine do të mbikqyret nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

   President i shkollës është Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr.† Anastasi.

   Stafi Pedagogjik përbëhet nga pedagogë të kualifikuar dhe me përvojë në fushat përkatëse. Por, herë pas here do të realizohen dhe seminare nga pedagogë të huaj të muzikologjisë bizantine, që do të përcjellin rezultatet e fundit të studimeve shkencore rreth Artit Psaltik.

    KURIKULA MËSIMORE                                             

   Kurikula e shkollës është konceptuar në bazë të kushteve dhe nevojave të Kishës sonë, duke e përmbledhur breda dy viteve akademike, të ndarë nga katër semestra.

   Mësimi do të kryhet intensivisht pesë herë në javë, nga katër orë në ditë, nga e hëna deri të premten. Programi mësimor do të përfshijë lëndën e specialitetit dhe katër lëndë të tjera të formimit të përgjithshëm.

Lënda e specialitetit: Teoria dhe Praktika e Artit Psaltik (Protheoria-Anastasimatari- Irmologjio- Stihirar-Dhoksastar-Papadhika.)

Lëndët e përgjithshme: Historia e Artit Psaltik, Repertori Psaltik në periudhën bizantine dhe pasbizantine,  Liturgjikë 1 dhe 2, Himnologji dhe interpretim himnesh, Tipiko etj.    

    JETA LITURGJIKE

   Shkolla e Muzikës Bizantine do të jetë e lidhur ngushtë dhe me jetën liturgjike e shpirtërore të studentëve. Shërbesat e shenjta, përveç dimensionit lutës, do të funksionojnë dhe si praktikim i materialit muzikor të mësuar gjatë studimit në shkollë, e cila do të sjellë më shumë efikasitet në kualifikimin liturgjik dhe psaltik të studentëve. Vendi ku do të realizohen shërbesat e përditshme kishtare do të jetë te kisha e shkollës “Metamofoza e Shpëtimtarit”.

    BURSA SHKOLLORE

   Kjo shkollë zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të mundësojë falas për çdo kandidat, si mësimdhënien, ashtu dhe akomodimin e ushqimin në kompleksin modern “Thavor”. Në përfundim të studimeve, secilit do t’i jepet një certifikatatë që mund ta përdorë për të shërbyer në kishat e enorive.

    KRITERET E PRANIMIT

Mosha e kandidatëve: 18-45 vjeç.

Kushtet e kandidatëve:

1. Letër rekomandimi nga Mitropoliti i dioqezës.

2. Të jenë të pagëzuar në Kishën Orthodhokse.

3. Diplomë të shkollës së mesme.

4. Të kenë aftësi vokale dhe vesh muzikor.

5. Të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen konkursit të pranimit.

Për më tepër informacion kontaktoni:

Email: shkollamuzikesbizantine@yahoo.com

Cel: 0692636132