“Mbretëria e Perëndisë është ndër ju”
(Lluka 17:21)

 

    Njeriu është qenie tepër e komplikuar. Lindet dhe rron me një shumicë prirjesh dhe nevojash, të ndryshme jo vetëm nga pikëpamja e cilësisë, por edhe e fuqisë së shfaqjes së tyre. Kemi nevoja shpirtërore dhe konkretisht: intelektuale, estetike dhe morale. Po kemi dhe shumë nevoja a prirje fizike, trupore. Kënaqja vetëm e këtyre të fundit i siguron njeriut një jetë vegjetale, shtazore, pa ideal, pa çështje shpirtërore, pa tendenca të larta, me pak fjalë jo jetë, po qëndrueshmëri. Përkundrazi; përmbushja e nevojave shpirtërore i jep atij mundësinë për të ditur si të udhëhiqet në jetë.

    Njeriu, me ndihmën e shkencës dhe të mendjes së tij vëzhguese, për çdo brez që kalon, e njeh më tepër botën, këtë fushë të veprimtarisë së tij, mëson të përcaktojë më mirë aftësitë e tij dhe bëhet më i zoti në qeverimin e fuqive të natyrës. Po nuk duhet të kënaqet me aq. Ai nuk është vetëm spektator i thjeshtë i dramës që zhvillohet para syve të tij, po person që bashkëpunon, që merr pjesë aktive në zhvillimin e kësaj drame të botës. Puna është pra, si do t’i përdorë njeriu fuqitë që ka zbuluar në vetvete, ç’rol d.m.th. do të zgjedhë; rolin e ndonjë heroi fisnik, i cili punon me vetëmohim për të mirën e përgjithshme, apo rolin e ndonjë egoisti të keq e mendjengrehur? Çështje kjo vërtet me rëndësi.

    Njohja e detyrës nuk sjell me vete dhe fuqinë e zbatimit të saj. Burimi i të gjitha veprimeve të njeriut është vullneti.

    Dhe që të ecë njeriu me të vërtetë në udhën e arsyeshme dhe të drejtë që i ka caktuar jetës së tij, s’mjaftojnë vetëm njohuritë e mendjes, po duhet vënë në lëvizje vullneti. Kënaqni si duhet kërkesat e zemrës, i jepni probleme që e pushtojnë dhe e përgjërojnë, i vini përpara ideale që me anën e bukurisë dhe të lartësisë së madhështisë së tyre e bëjnë vullnetin për vete, dhe atëherë keni për ta patur jetën ashtu si duhet dhe ashtu siç mundet të jetë. Çrregullimet që vihen re në jetën e sotme, sfondi i saj dëshpërues dhe i errët, rrjedhin pikërisht ngaqë ne s’kemi marrë parasysh, s’kemi përmbushur kërkesat e zemrës; janë pasojë e një vullneti të keq dhe të prishur të njeriut. Prandaj, do të kujtonte dikush se shkenca për edukimin e mirë të vullnetit do të ishte nevojë të përhapej sa më shumë e më gjerë, si shkencë themelore e jetës. Megjithëkëtë, ”çudia më e madhe është – thotë një shkrimtar frëng – që njerëzit e njohin nevojën dhe dobinë e mësuesve dhe bëjnë çdo përpjekje për këtë punë; vetëm shkencën e jetës nuk e mësojnë dhe as që duan ta mësojnë”!

    Vini re ç’kujdes të madh tregojnë prindërit për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve të tyre dhe sa pak mendojnë e kujdesen këta për edukimin moral të tyre. Ç’vëmendje, ç’kujdes dhe ç’përpjekje për të parin dhe ç’moskokëçarje, ç’pakujdesi e lënie pas dore për të dytin! Sytë u mbeten nëpër dritaret mos qëllojnë gjë të çelura e u ftohen fëmijtë. I ruajnë nga lagështia më e vogël, nga korenti më i ndijshëm i erës. Kujdesen që ushqimi të jetë i mirë dhe i shëndetshëm. I vënë të hanë e të flenë me orar. I shqetëson dhe të gërhiturit ose të kolliturit më i vogël dhe ndjekin me kujdes temperaturën. Kur pastaj fillon periudha e mësimit, u vënë në dispozicion libra të ndryshëm, të mirë e të zgjedhur, metodat didaktike më të përshtatshme, edukatorë, instruktorë dhe vetë ata ndjekin me kujdes çdo mësim që përgatitet për ta.

    Po a tregohet vallë nga ana e prindërve dhe e edukatorëve qoftë dhe e njëqindta pjesë e këtij kujdesi për edukimin moral të fëmijëve. Kur fëmija rritet, ç’i shqetëson vallë dhe ç’i hidhëron më tepër prindërit, prishja e parakohshme morale apo zhvillimi i ngadalshëm i mendjes? Kur fëmijës, për çdo okë që shton, fillojnë t’i shfaqen instinktet e dobëta, të thithura njëherësh me qumështin e nënës dhe të ushqyera nga rrethi i shokëve me të cilët përzihet; kur me çdo fjalë që mëson, i forcohen cilësitë e këqia, dëshirat e dobëta, gënjeshtra, dinakëria, shpirtligësia, lakmia e të tjera vese nga të cilat vuajnë fëmijtë tanë; këto shenja të para, pra të prishjes morale të fëmijëve, i shqetësojnë vallë prindërit, siç i shqetësojnë p.sh. simptomat e para të ndonjë sëmundjeje të rrezikshme, si të eritritit a të difteritit. Kujdesohen vallë ata për t’i gjetur shkaqet e sëmundjes morale të fëmijëve të tyre dhe e bëjnë pastrimin e duhur, siç do të bënin në ndonjë sëmundje ngjitëse të tyre?

    Po le të kalojmë nga fëmijtë në të rinjtë. Për rininë shkollore, kemi një shumicë shoqërish e klubesh sportive, kulturore dhe artistike ku ajo edukohet fizikisht e mendërisht. Po a kemi të paktën edhe një shoqëri morale për zhvillimin dhe përsosjen morale të rinisë? Në të gjitha këto pyetje, realiteti na jep përgjigje vërtet dëshpëruese. Pse puna është kështu e jo ndryshe, s’është zor që ta kuptojmë. Në degën e Ekonomisë politike është një ligj sipas të cilit punimi i tokës duhet filluar gjithmonë nga shtresat që janë më pak prodhimtare, po që punohen më lehtë, dhe pastaj të kalojmë në ato që janë vërtet të pasura, po që kërkon më shumë, mundime dhe shpenzime për t’u përgatitur si duhet. Ky ligj lipset të vihet në zbatim dhe në fushën e edukatës. Edhe këtu duhet filluar me mësimin, njohjen dhe pranimin e çështjeve më të thjeshta morale që ushtrojnë më pak influencë mbi veprimet tona dhe vetëm më vonë të kalojmë në çështjet më të rëndësishme, të rrënjosura thellë, që lypin kujdes e mundim më të madh dhe që, për këtë shkak, ushtrojnë dhe një influencë më dobiprurëse e më të qëndrueshme mbi jetën.

    Është më lehtë, natyrisht, t’i forcojmë fëmijës organizmin fizik, t’ia bëjmë të fortë, të durueshëm e të shkathët, t’i pasurojmë mendjen me njohuri të ndryshme dhe t’i zhvillojmë shijen artistike për çdo gjë të bukur e të lartë, sesa t’i formojmë një karakter moral të përsosur, t’i drejtojmë vullnetin në të kërkuarit e së vërtetës së përjetshme dhe të bukurisë shpirtërore. Mirëpo, kjo pikërisht është dhe puna më kryesore për njeriun! I dituri romak Epiktiti thoshte: “shërbimin më të madh do t’ia sillni shtetit vetëm atëherë kur, në vend që të ndërtoni godina madhështore, do të bëni çdo përpjekje për të lartësuar shpirtin e qytetarëve tuaj; sepse, më mirë është që njerëzit me shpirt të lartë të banojnë në kasolle të vogla, se shpirtra të dobët në godina madhështore”. Dhe një tjetër shkrimtar, Suifti, në veprën e tij “Guliver” shton: ”kur është fjala të zgjidhen persona për t’u emëruar në detyra të larta shtetërore, duhen vënë re më tepër cilësitë e tyre morale se cilësitë e talentet e tjera. Sepse, edhe cilësitë e zotësitë më të larta shpirtërore, s’mund t’i zëvendësojnë cilësitë morale. Prandaj, faji më i madh dhe më i rrezikshëm që mund të bëhet është, kur detyrat e larta të administratës u besohen personave me zhvillim mendor të madh e të talentuar, po pa baza morale. Sepse, një gabim që bëhet prej një njeriu të paditur po të moralshëm, s’mund të ketë kurrë aq përfundime të dëmshme për popullin, sesa vepra e një njeriu të prishur moralisht, i cili, për hir të zgjuarsisë dhe të talentit të tij, mund ta shtojë e ta fshehë mirë e bukur”. Dhe Rusoi thotë: “nëpunës i lartë mund të bëhet kushdo, po njeri, jo”. Që të bëhet njeriu njeri me kuptimin e plotë të fjalës, lipset përpjekje e madhe, përpjekje dhe luftë me vetveten, me instinktet e dobëta e shtazore, përpjekje e pareshtur për të ecur drejt idealit të lartë të jetës.

    Dhe pikërisht këtu qëndron gabimi i sistemit tonë edukativ. Ne kujtojmë, se po t’i tregojmë fëmijës çka është e drejtë dhe çka është e shtrembër, ajo do të bëjë të parën. Nuk na është mbushur akoma mendja, se dobia morale që mund të përfitohet nga edukata, duhet të jetë më shumë një përfundim i edukimit të zemrës dhe të vullnetit, se sa i edukimit të mendjes. Kur fëmija, në vend që të mësojë kjo është e mirë ose ajo është e keqe, sillet në pozitë të ndjejë çka është e mirë ose çka është e keqe, kur me anë shembujsh të gjallë këshillohet të dojë virtytin e të urrejë veset, kur i forcohen tendencat e mira dhe i mënjanohen ose i çrrënjosen të këqijat, kur i zgjohet në shpirt dhe i ushqehet ndjenja e së mirës, e së drejtës dhe e së vërtetës: atëherë ajo edukohet me të vërtetë dhe bëhet njeri.

    Filozofi dhe moralisti gjerman Hitly thoshte: “ngarkimi përmbi masë i mendjes së vogël të fëmijëve me parime fetare është një gabim i madh pedagogjik, që u lind nga keqkuptimi i një akti të Shpëtimtarit, i Cili, siç qëndron e vërteta, fëmijët i ka dashur dhe i ka bekuar, po kurrë nuk ka kërkuar prej tyre që ta pasojnë. Fëmijët kanë më shumë nevojë për dashuri, për shembuj dhe më pak nevojë për parime fetare. Megjithëkëtë, u japim atyre shumë njohuri parimesh, kurse shembuj dashurie fare pak. Kur vjen pastaj koha, që fëmijët janë nëgjendje të studiojnë doktrinën fetare, atëherë kjo lihet mënjanë”…

    Përfytyroni tani se ç’pasojë mund të ketë ky drejtim i gabuar i edukatës përmbi ta, që si një brez i ri, kanë për të na zëvendësuar! Aq në letërsi, sa edhe në shoqëri, theksohet gjithnjë se rinisë i mungon interesimi për ideale të larta, se vullneti i është dobësuar, se punëtorët e idealit mungojnë, se ndërgjegja, detyra, e mira e përgjithshme, janë harruar krejt. Po nga të dalin idealet e larta, karakteret e forta, vullneti i hekurt? Në arë rritet ajo që mbillet. Rinia bëhet e tillë, siç e rrit familja, shkolla, jeta. Karakteri i përsosur moralisht, d.m.th. fuqia e pamposhtur për t’u bërë më të mirë, zotërimi i plotë i ndjenjave fisnike dhe i parimeve morale në shpirtin tonë kundër prirjeve shtazore, janë gjëra që njeriu nuk i ka që nga të lindurit. Karakteret nuk formohen me anë të ndonjë fuqie të panjohur nëpër atelietë misterioze të natyrës, po brenda jetës që na rrethon, me anë të përpjekjeve tona. Nëse gjatë edukimit të rinisë nuk i jepet kujdesi i duhur zhvillimit të karakterit, nëse mendja pasurohet, gustoja zhvillohet, po vullneti jo, atëherë, karaktere të fortë s’do të kemi dhe as që do të kemi ndonjëherë, po të mos ndryshohet mënyra e edukatës.

    Këtu e shoh të nevojshme të them pak fjalë për doktrinën e Shopenhauerit në lidhje me këtë çështje. Ky predikues i famshëm i pesimizmit thotë se, meqë karakteri lindet bashkë me njeriun, ai s’mund të ndryshohet. Në të tëra etapat, nën të gjitha lidhjet e marrëdhëniet, njeriu mbetet po ai, i pandryshuar, si gaforrja në guackën e saj. Ndryshohen vetëm format e shfaqjes nën të cilat në kohëra të ndryshme paraqitet karakteri, po karakteri në vetvete nuk ndryshohet. Po ajo gradë e ligësisë, njërin mund ta çojë në varje, tjetrin ta lërë të qetë në gjirin e familjes së tij. Po ajo shkallë e ligësisë, në një popull mund të shfaqet me karakteristika primitive, me vrasje dhe kanibalizma, kurse në një tjetër me anë intrigash, shtypjesh dhe konfliktesh të paraqitura me hir dhe elegancë. Vetëm forma ndryshon, esenca është po ajo. Ujët, ose derdhet duke shkumëzuar përmes shkëmbinjsh, ose vjen dalëngadalë me shtretër të përgatitur, ose qëndron i qetë në anët e liqenit apo del si në shpatë prej ndonjë burimi të vrullshëm, po ujë është, me të tëra cilësitë e tij natyrale. Kështu është dhe me karakterin e njeriut. Në kushte të ndryshme, nën forma të ndryshme, ai në esencë mbetet ashtu siç është. Sikundër njeriu s’mund të ndryshojë arin në gurë xhevahiri, thotë Shopenhaueri, po ashtu s’mund të ndryshojë dhe karakterin. Një egoist, s’mund ta heqë egoizmin, sikundër një mace s’mund të heqë zakonin për të kapur minj. Çdo njeri, nën cilatdo kushte qoftë, është po ai dhe mbetet po ai. Nëse do të ishte e mundur që karakteri, me kalimin e moshës, të ndryshohej dhe vit për vit të bëhej më i përsosur, njerëzit pleq atëherë, do të duhej të ishin më të fortë në virtyte dhe në karakter, sesa të rinjtë, gjë e cila në realitet nuk vihet re.

    Kështu thotë Shopenhaueri. Po arsyetimet e tij s’mund të qëndrojnë para një kritike serioze. Këto arsyetime, nuk provojnë që karakteret s’mund të ndryshohen, po vetëm që zakonisht nuk ndryshohen, që shumica e njerëzve nuk bën as më të voglën përpjekje për t’i ndryshuar. Kënaqemi të ecim mbi udhën e shkelur, ndonëse kjo është lodhëse, sesa të çelim një udhë të re, të ndershme dhe lavdiplotë. Kemi frikë t’i shpallim luftë vetes dhe ambientit, të bëjmë përpjekjet e duhura për idealet e larta të jetës. Jemi gati të sakrifikojmë idealet tona, sesa të humbasim jetën e qetë dhe të bollshme. Kështu që njeriu, i cili kënaqet vetëm me jetën e ulët gjer në pleqëri, pa bërë asnjë përpjekje për lartësimin e tij, i mbetet natyrisht besnik karakterit të tij, siç thotë dhe Shopenhaueri. Ai s’ka për ta ndier kurrë urrejtjen për të ligën, as nuk ka për të bërë ndonjë përpjekje për t’u larguar nga ajo. Po kjo s’do të thotë se karakteri s’mund të ndryshohet.

    Po të ishte se provohej, që çdo përpjekje e bërë për të ndryshuar karakterin, është e kotë, dhe se njeriu, me gjithë dëshirën e mirë që ka dhe përpjekjen që bën, s’mund të ndryshohet, atëherë çdo bisedë do të ishte e tepërt. Mirëpo puna s’është kështu. Përkundrazi, njeriu egoist mund të ngrihet gjer në altruizëm, krimineli dhe kusari të bëhet Samaritan përdëllimtar dhe i demoralizuari asket i përsosur. Dhe kemi shumë shembuj, të cilët na provojnë, se edhe keqbërësit më të mëdhenj, të vënë nën influencën e disa rrethanave, mund të arrijnë heronj. Një shumicë shenjtorësh, kusari i kryqit të Golgothasë e të tjerë, janë prova të gjalla, se sa shpejt dhe përfundimisht mund të kryhet një ndryshim i tillë në karakterin e njeriut!

    Karakteri nuk është pra një diçka që s’mund të ndryshohet. Ai është prodhim i lëndës që na e ka falur natyra dhe i mënyrës se si ka ditur familja, shkolla, shoqëria dhe sidomos ne vetë, të veprojmë me këtë material që na e ka dhënë natyra. Prandaj, në ndjeni etje për ideale, në ndjeni shtytje për të bërë mirë dhe etjen për të kërkuar të vërtetën dhe nuk dëshironi që këto të gjitha të burgosen pa lulëzuar, në s’doni që jeta të mbytë ëndrrat tuaja të arta dhe t’ua bëjë hi, punoni, mundohuni për lëvrimin e karakterit tuaj, forconi vullnetin në drejtimin e punëve të mira, që jeta të bëhet e bukur dhe njeriu të jetë i gjallë me të vërtetë; përpiquni t’ia arrini fitores më të bukur, fitores kundër vetvetes, fitores kundër të gjitha prirjeve të këqija të natyrës suaj!

    Të mundurit e vetvetes është fitorja më e bukur. ”Ai që mund të vetësundohet aq, sa instinktet e tij të egra t’i përulen arsyes, dhe mendja të jetë mbi të gjitha e përulur te Perëndia, është njëfitimtar i vërtetë dhe zotërues i botës”, – thotë Thomai a Kempis. Nuk e mohojmë; kjo fitore arrihet me përpjekje të rënda. Edhe Ungjilli e thekson se mbretëria e qiejve fitohet vetëm pas mundimesh të mëdha. Edukimi moral i vetvetes, zhvillimi gradual i natyrës shpirtërore, është një punë që lyp një mbikëqyrje të qëndrueshme dhe të fortë dhe një disiplinë të vazhdueshme. Nuk e kish kot Petri i Madh kur, duke kuptuar demoralizimin e natyrës së tij, thoshte: ”kaq armiq kam mposhtur; veten time s’mund ta mposht”.

    Personaliteti i përsosur moralisht formohet kur mishërohen te njeriu idealet e dashurisë dhe së të drejtës. Edhe sa më i lartë e më i pastër është ideali, aq përpjekje më të mëdha lipsen për realizimin e tij. Për ta zotëruar në mënyrë të plotë atë, duhet t’ia përqendrojmë tërë fuqitë tona shpirtërore vetëm e vetëm atij. Lipset që ky ideal, me anë të fuqisë influencuese të tij mbi idetë e tjera, të zgjerojë fushën e veprimtarisë dhe të bëhet kështu qendra udhëheqëse për rindërtimin e tërë jetës sonë të brendshme.

    Kur e pyetën një herë Njutonin,si e gjeti ligjin e gravitetit, u përgjigj kështu: ”duke u menduar gjithmonë për të”. Dhe në një rast tjetër u shpreh kështu: “gjithmonë mbaj ndër mend objektin e vëzhgimit tim dhe pres me durim, që agimi i dobët i mëngjesit të ndryshohet dalëngadalë në dritë të përsosur”. Shkurt, asnjë prodhim artistik i shënuar, asnjë vepër e shquar shkencore, asnjë ide gjeniale, nuk lindet menjëherë, po të gjitha bëhen pas një përgatitjeje në mendjen dhe në zemrën e autorit dhe pas një zhvillimi gradual, të gjatë dhe të vazhdueshëm.

    Ky zhvillim është gjithashtu i domosdoshëm dhe për formimin e një personaliteti moral të përsosur. Po të duam p.sh. që ideali i dashurisë dhe i së vërtetës ungjillore të bëhet pronë e jona, po të duam që ky të kalojë në mishin dhe në gjakun tonë, atëherë duhet t’i japim tërë vëmendjen e duhur. Sepse, nëse ky ideal nuk e përshkon natyrën tonë, është sikur të mos e kemi patur: do të vdesë, do të harrohet pa lënë asnjë gjurmë në brendësinë tonë. Duhet pra që t’i japim atij tërë kujdesin e duhur dhe të përqendrojmë rreth tij tërë fuqitë tona. Vetëm në këtë rast ideali fiton gjallëri dhe me ndihmën e një fuqie misterioze magnetike, me anë të udhës së shoqërimit të ideve, lind ide dhe mendime dobiprurëse dhe shkakton ndër ne ndjenja të forta me të cilat shkrihet në një tërësi të pandërprerë.

    Këtë forcim të një ideje të lartë në shpirtin e njeriut, ose zhvillimin e një ndjenje ideale në brendësinë tonë, psikologu francez Peyot, e krahason me formimin artificial të kristaleve. ”Kur në një shkrirje kimike, në të cilën ndodhen më shumë trupa, vëmë një kristal – thotë Peyoti – atëherë pjesët që kanë lidhje me kristalin, me anë të fuqisë misterioze të tërheqjes, do të ndahen prej lëngut dhe dalëngadalë do të mblidhen rreth kristalit. Kristali ka për t’u zmadhuar vazhdimisht dhe nëse kjo shkrirje lihet pa u trazuar për disa javë ose dhe muaj, do të kemi atëherë një lloj të ri kristali, i cili, për bukurinë dhe madhësinë e tij, do të jetë mburrja e laboratorit tonë kimik”.

    Kështu ngjet dhe në psikologji. Merrni një gjendje shpirtërore të çdo lloji qoftë dhe e nxirrni në sipërfaqe të vetëdijes suaj duke e mbajtur atje për një kohë të gjatë. Kini për të parë atëherë se si, pa e ndier, me influencën e një mjeti misterioz si ai i shkrirjes kimike, do të mblidhen rreth asaj gjendjeje shpirtërore tërë idetë dhe lëvizjet e shpirtit që kanë lidhje me të, dhe ka për të lindur një ndjenjë e fortë dhe e madhe, ndjenjë e cila ka për të robëruar plotësisht vullnetin. Para saj të tëra ndjenjat e tjera prapsen. Bile dhe ndjenjat e dobëta, po të lihemi në duart e tyre, mund të na robërojnë plotësisht.

    Në librin e tij “Qenia e krimit dhe e kriminelit”, shkrimtari Drill përmend një seri të tërë personash, të cilët, duke u pushtuar prej epshesh të dobëta, kanë bërë ato që bënë. Përmend p.sh. një njeri, i cili tërë jetën e kaloi duke u kujdesur vetëm për stomakun e tij. Shëtiti tërë viset e Francës që shquheshin për të ngrëna, studioi me kujdes fiziologjinë e tretjes, historinë e përgjithshme dhe udhëtimet e zbulimeve, po vetëm nga pikëpamja ushqimore. Dinte të tregojë që në ç’vit dhe nën ç’mbret u përdor për herë të parë filan gjellë ose prej kujt u gatua dhe nga ishte ai. Për asgjë tjetër nuk bisedonte, veçse për gastronomi dhe asnjë tjetër nuk çmonte përveç gastronomëve dhe gjellëbërësve. Një tjetër zotni, po kështu i çuditshëm, ka prishur për të ngrënë tërë pasurinë e tij, të ardhurat e së cilës kapnin shumën e gjysmë milioni rublash, vetëm për gjashtë vjet. Kishte agjentë në Kinë, në Meksikë dhe në Kanada, që i dërgonin ushqimet më të zgjedhura e më të shtrenjta. Dhe kur nuk i mbeti në xhep veçse një lirë vetëm, bleu me këtë një peshk, e gatoi pas tërë rregullave të artit të gjellëbërjes, dhe e hëngri; pastaj u çlodh për dy orë që të bëhej tretja dhe, si u kënaq për herë të fundit, u hodh në ujë edhe u mbyt. Meqë i mungonin mjetet për të rrojtur ashtu siç duhej, jeta nuk kishte më ndonjë kënaqësi ose rëndësi për të, kështu që vendosi t’i japë fund.

    Nëse prirje të tilla të dobëta dhe të pa ndonjë rëndësie mund të ushtrojnë një influencë aq të thellë mbi jetën shpirtërore të njeriut dhe të bëhen mjete këqyrjeje për tërë shfaqjet e jetës, aq më tepër dhe më fort mund ta bëjnë këtë ndjenjat fisnike dhe të larta, mjafton që ne të përqendrojmë tërë përpjekjet tona dhe tërë mendjen tonë rreth idealit të së vërtetës dhe të mirësisë dhe ta lëmë veten të përshkohet prej tyre. Idealin më të përsosur të jetës na e jep pa dyshim Ungjilli. Njeriu moral, në formën e tij ideale, ashtu siç duket i mishëruar në fjalët e predikuesit hyjnor të dashurisë, është i një bukurie të papërshkrueshme. Mbani vetëm këtë ideal, këtë ikonë, gjithnjë para syve tuaj dhe kini për të parë se karakteristikat e saj më kryesore do të shënohen thellë në shpirtin tuaj.

    Është vënë re që bashkëshortë, të cilët kanë jetuar bashkë për një kohë të gjatë dhe në lidhje të ngushtë, kanë filluar t’i përngjajnë njëri-tjetrit, jo vetëm në karakterin dhe në zakonet, por edhe në paraqitjen e jashtme. Aq influencë të fortë ushtron mbi njeriun përsëritja e vazhdueshme e po atyre përshtypjeve! Prandaj, përshtypjet që fitoni duke dëgjuar Ungjillin, le të mos mbeten përshtypje të përkohshme, të rastit ose shkel e shko, siç thotë një fjalë e popullit. Sa më shumë herë kini për të zënë vendin që ka patur Maria para këmbëve të Shpëtimtarit, sa më shumë orë kini për t’u thelluar në shkrimet e Ungjilltarëve, aq më e njohur, më afër jush, por edhe më e shtrenjtë ka për të qenë fytyra e Krishtit, aq më pastër, më gjallë dhe më kulluar kanë për t’u ripasqyruar karakteristikat e saj në qenien tuaj morale. Si nën të goditurat e daltës së një skulptori gjenial kanë për t’u zhdukur të metat e karakterit tuaj gjersa qenia juaj e brendshme, duke kaluar prej një partikuliteti në tjetrin, prej shkallës së ulët në atë më të lartë dhe prej asaj më të lartë në atë të përsosmërisë, do të arrijë të pastrohet krejt dhe të bëhet kopja e përsosur e fytyrës së Krishtit.

    Problemi kryesor i jetës sonë, individuale dhe shoqërore, duhet të jetë pra, formimi i ikonës së Krishtit ndër ne. Dhe nëse jeta e jonë siç paraqitet ajo sot, është ende larg përsosmërisë morale dhe shpeshherë errësohet nga buçitjet e ndryshme të forcës, të paturpësisë dhe të mungesës së sinqeritetit, kjo shpjegohet ngaqë ndër ne janë shumë të paktë njerëzit ndër të cilët është realizuar ikona e karakterit të Krishtit dhe të cilët të kenë edukuar vullnetin në mënyrë që ai t’u bindet fjalëve të Krishtit. Në jetën tonë private dhe publike vihet re një mosinteresim i madh përsa i përket imitimit të Krishtit. Pasuesit e ideve të Tij janë shumë të rrallë. Prandaj, ju të gjithë, ndër të cilët shkëndija hyjnore s’është shuar ende dhe që nuk i jini përdhënë tërësisht shërbimit të trupit, kryeni pasionin tuaj të madh e të shenjtë; e lini veten të përshkohet prej dritës së Ungjillit; i shfaqni botës të vërtetën e Krishtit, themeloni jetën tuaj mbi parimet e predikuara nga Shpëtimtari i botës. Le të ketë errësirë në jetë; ju do të jini drita e botës.

    Gjithsecili prej nesh, duhet të jetë njeri me kuptimin e plotë të fjalës, para se të fillojë punën në jetën publike. Ky ose ai specialitet, kjo ose ajo mënyrë e shërbimit të shoqërisë, nuk ka dhe aq rëndësi. Që të jesh faktor i dobishëm në shoqëri, duhet të kesh një personalitet moralisht. Si kusht i domosdoshëm i madhështisë së njeriut, në çdo formë që të shfaqet kjo, duhet të jetë vlera morale. Nuk është pra me rëndësi lloji i punës që bëjmë; ose ndonjë vepër heroike që bëjmë, ose ndonjë punë të zakonshme, është njësoj; me rëndësi është fakti që ju të mbeteni gjithnjë besnikë në porosinë e Shpëtimtarit: “Jini kripa e dheut dhe drita e botëstë ushtroni një influencë mirëbërëse kudo, në çdo kohë dhe mbi të gjithë ata që ju rrethojnë t’i detyroni këta me fuqinë e shembullit tuaj të duan të mirën dhe të drejtën, t’i mësoni të çmojnë ashtu siç duhet bukurinë morale të jetës; ”kur hani, kur pini ose kur bëni çdo punë, të tëra t’i bëni për lavdi të Përëndisë”, – u thotë Ap. Pavli Korinthianëve (1:10,31). Dhe Iisu Krishti: “Kështu le të ndritë drita e juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mattheu 5:15).

    Çdo rrëshqitje prej kësaj porosie është një shkelje detyre, dobëson energjinë tonë morale dhe lind një influencë prishëse përmbi tërë jetën tonë të mëpasme!… Një pikë uji të fëlliqur, e hedhur në ndonjë burim të pastër ose në ndonjë lumë të vogël, në fillim nuk do të duket dhe aq, po si të shkrihet në valët kristalike, do të shkaktojë një turbullirë të vogël dhe do të bëhet plagë e një shumice mikrobesh të rrezikshme për shëndetin. Kështu është ligji natyral; dhe ka fuqi të njëshme si në botën fizike, ashtu dhe në atë shpirtëroren. Prandaj kini kujdes, sidomos në disa raste të veçanta. Helmi, edhe në sasinë e tij më të vogël, po helm është; edhe e liga, sado e parëndësishme që të duket, po e ligë është. Teli i kitarës, po të jetë i prishur, qoftë dhe për një moment, jep një zë falco, duke prishur kështu tërë përshtypjen e mirë të pjesës.

    Po kjo mund të thuhet dhe për harmoninë morale të shpirtit të njeriut. Jemi të mësuar të mos u japim rëndësi dobësive dhe të metave tona të vogla, kurse këto janë me të vërtetë shumë serioze. Alpet e mëdha dhe mali Himalaja janë formuar prej kokrrash të vogla rëre dhe oqeanet e pafundme prej pikash mikroskopike uji. Kështu dhe jeta jonë është formuar prej hollësish të vogla dhe të pa ndonjë rëndësie. Heronjtë e mëdhenj linden rrallë, vetëm pas shumë shekujsh, dhe veprat heroike s’mund të kryhen për çdo ditë ose për çdo orë. Mirëpo jeta ecën gjithnjë përpara, ecën në rrugën e saj të zakonshme, duke sjellë me vete nevojat e mungesat e zakonshme dhe të përditshme. Dhe pikërisht, nga qëndrimi që njeriu mban para këtyre punëve të vogla të jetës, mund të gjykohet më mirë e më korrekt. Çdo qime floku mund të tregojë nga ç’anë fryn era dhe çdo fije kashte, sado e vogël që të jetë, tregon ecjen e lumit… ”Ai që është besnik në të voglat, është besnik dhe në të mëdhatë; dhe ai që është i padrejtë në të voglat, i padrejtë është dhe në të mëdhatë” (Lluka 16:10).

    Para disa vjetësh, kur bëheshin gërmimet në Pompej, u gjet dhe një ushtar në gjendje të mirë, me shtizën në dorë dhe me helmetën të vënë mbi sy. Ushtari, i cili bënte rojë, e shihte natyrisht vdekjen që i vinte, po besnik në detyrën e vet, nuk luajti nga vendi, por uli vetëm helmetën që të mos shihte tmerrin që e rrethonte; dhe kështu, i mbuluar prej hirit, mbeti gjer më sot. Natyrisht, është dhe ky një nga ata heronj të panumërt, që mbeten të panjohur për botën dhe që veprat e të cilëve, po të bëheshin në rrethana të tjera më të favorshme, do të kalonin qëkuri në faqet e historisë së përgjithshme për mësimin e brezave të ardhshëm. Po të mos digjej në Pompej, ky njeri do të kish patur një jetë, e cila, edhe po të mos i jepej rasti të bënte ndonjë punë të madhe e heroike, ishte jetë e një njeriu plot guxim dhe ndërgjegje. Le të marrim parasysh sikur asnjërit nga ne nuk i është dhënë të bëjë punë të mëdha në jetë; po që të gjithë kemi për të kryer një mision, bile dhe me nder: të përhapim d.m.th. në botë të mirën, të vërtetën dhe të drejtën, në masën që e lejojnë zotësitë tona.

    E përsëris edhe një herë; nuk i është dhënë çdo njeriu të jetë hero. Por edhe sikur ndonjëri të ketë tërë cilësitë të bëhet hero, s’është e mundur që për çdo ditë të bëjë vepra heroike; mirëpo që të gjithë mundemi të bëhemi e të jemi njerëz të mirë e të ndershëm, bartës të idealeve të larta të jetës, faktorë për përhapjen në botë të mbretërisë së Perëndisë. Në duam që të përmbushim misionin tonë në botë me ndërgjegje, lipset të përgatitemi dhe të punojmë në mënyrë që të tregohemi të denjë të atij qëllimi të madh për të cilin jemi thirrur nga mosekzistenca në ekzistencë prej vullnetit të të lartit. Duhet të dimë dhe të kuptojmë, që fuqitë morale, pikërisht si fuqitë fizike, rriten vetëm pas një ushtrimi të vazhdueshëm; sepse, që të mundet njeriu p.sh. të ngrejë pesha të mëdha, duhet më parë të ushtrohet me sende të një peshe të vogël. Pa këtë ushtrim, s’mund të bëhet menjëherë atlet.

    Prandaj duhet të lëvrojmë gjithnjë vullnetin tonë, ta ushtrojmë për të bërë mirë gjithnjë, të mos lëmë të na ikë asnjë rast pa e paraqitur nga ana e tij ideale. Kushedi, ndoshta edhe rasti më i vogël mund të bëhet shkak të vihen në lëvizje në thellësitë e shpirtit tonë telat më të mirë e të panjohur për ne, të cilat mund të na e transformojnë menjëherë tërë jetën në një himn triumfi, të triumfit të dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit.

    Ungjilli na përmend disa ngjarje të çuditshme që kanë lidhje me sa u thanë më sipër. Le të marrim p.sh. pendimin e Zakheut. Iisu Krishti, i rrethuar prej një mase të dendur të popullit, po kalonte përmes Jerihosë. Duke përfituar nga ky rast, një njeri që quhej Zakhe, shef i doganierëve dhe pasanik i madh, donte të shihte Iisunë, po nuk dinte si t’ia arrinte qëllimit. Të afrohej, nuk i bënte zemra, se e quante veten të padenjë. Bile, dhe vetëm po të sillte ndër mend të kaluarën e tij, duhej t’i skuqej faqja nga turpi dhe të ndjente zemrën të pikëlluar. Mund të kishte vend pranë Krishtit, mësuesit të madh të dashurisë dhe të së vërtetës, ai i cili grabiste popullin, shtypte të dobëtit dhe ata që s’kishin ndonjë përkrahje? Jo; më mirë ishte që të futej nën dhe sesa të dilte para atij njeriu të drejtë dhe të takonte vështrimin e atyre syve, të cilët flasin, hyjnë gjer në thellësitë e shpirtit dhe këndojnë tërë të fshehtat e zemrës. E megjithëkëtë, digjej nga dëshira për ta parë. Kaq gjëra të bukura kish dëgjuar Zakheu për dashurinë dhe mirësinë e Iisuit që kalonte tani nga Jerihoja, saqë shpirti e shtynte me forcë për tek ai. Aq pak sinqeritet kish parë ai, si në veten e tij, ashtu dhe në të tjerët, saqë ishte gati t’i jepte të tëra, po vetëm të shihte atë që është e vërteta vetë dhe që ua predikonte këtë dhe të tjerëve. Mjerisht Zakheu qe i shkurtër edhe nga trupi; kështu që s’mundej ta shikonte Iisunë as për së largu të paktën. Atë kohë i erdhi ndër mend një mejtim. Shkoi me vrap përpara, u ngjit në një man që ishte afër rrugës nga do të kalonte Iisui, dhe priste me padurim. ”Dhe si erdhi Iisui në atë vend – thotë Ungjilli – ngriti sytë, e pa edhe i tha: Zakhe, zbrit shpejt; sepse unë sot duhet të mbetem në shtëpinë tënde” (Lluka 19:5).

    Zakheu nuk dinte ç’të bënte nga gëzimi. Zbriti menjëherë nga pema, e mori Iisunë me gëzim të madh dhe e çoi në shtëpi. Ato fjalët e pakta të Krishtit, qenë të mjafta për të rilindur menjëherë zemrën Zakheut. Ideja se Iisui, më i larti i të drejtëve, nuk e përbuzi dhe as që ktheu kryet mënjanë, ia ndriçoi si një rrufe shpirtin e tij të errët. Zakheu mori kurajë; le ta përbuzin sa të duan të tjerët si fyes, si vjedhës dhe si keqbërës. Ai e kuptoi qartazi se nuk është i humbur krejt përpara Zotit, se në brendësinë e tij ndodhej akoma një shkëndijë hyjnore, e cila ishte gjë e çmuar për vizitorin e lartë dhe e cila tani do të bëhej një pronë tepër e çmuar për tërë jetën e pastajme të Zakheut. Ato që më përpara i jepnin shkaqe për të shkelur paturpësisht të mirën dhe të drejtën, tani e humbën rëndësinë e tyre. Një gjë ka vlerë për të: të tregohet i denjë për mirësinë që i shfaqi Iisui kaq papritur. Dhe Zakheu, siç thotë Ungjilli, “qëndroi para Zotit e i tha: ‘Ja, o Zot, gjysmën e gjësë sime tek po ua jap të vobektëve, dhe në i kam marrë gjë njeriu me përdhunë, ta kthej për një katër’. Dhe Iisui i tha: ‘Sot zbriti bekimi mbi këtë shtëpi’” (19:8-9). E kish mejtuar vallë Zakheu, kur para dhjetë minutash po ngjitej në man për ta parë qoftë edhe për së largu Iisunë, se do të pësonte një ndryshim aq të madh?

    Është dhe një paravoli e vjetër indiane që thotë se një baba një herë këputi prej një peme një kokërr të pjekur, e preu përmes dhe, si ia tregoi djalit të tij, e pyeti:

    –  Ç’sheh këtu brenda, biri im? – Disa fara të vogla, iu përgjigj i biri.

    –  Merr një nga këto, thyeje me dhëmbë dhe thuamë çfarë ka brenda, pyeti përsëri babai.

    – “S’ka gjë, tha me habi djali.

    –  Bir – shtoi atëherë babai – atje ku ti nuk sheh gjë, fshihet një fuqi jetësore e një peme të madhe dhe të fortë, prej fryteve të së cilës mund të nginjen mijëra njerëz dhe nën hijen e së cilës mund të çlodhen qindra udhëtarë, mjafton që kjo të bjerë në një tokë të mirë.”

    Mësimi që na jep kjo paravoli është i qartë. Sa fara të këtij lloji nuk zhduken ndër ne, vetëm pse sillemi si disa fëmijë, pa u dhënë d.m.th. atyre rëndësinë e duhur! Sa ndjenja të larta dhe fisnike nuk mbyten ndër ne, vetëm pse nuk kujdesemi për to, pse nuk u përgatitim tokën e duhur për zhvillim! Dhe ja pse me kohë, zemra jonë e ngrohtë dhe e butë nguroset e ftohet, prirjet e mira rrallë paraqiten, veprat e mundshme të dashurisë dhe të së drejtës, aq të nevojshme për jetën, nuk kryhen! Mirëpo, ai që është njeri me tërë kuptimin e fjalës, i bën me gëzim dhe kënaqësi, sepse e shtyn vetë zemra për t’i bërë. Po sa të rrallë janë këta njerëz …

———

Shkruar nga Grigor S. Petrov, përkthyer në shqip nga Dhimitër Bedulit, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 1994.