“Kryqi, ruajtësi i gjithë botës;
Kryqi, bukuria e Kishës;
Kryqi, fuqia e mbretërve;
Kryqi, mbështetja e besimtarëve;
Kryqi, lavdia e engjëjve dhe plaga e demonëve.”
(Eksapostilarion)

    Para njëzet shekujsh Kryqi ishte mjet i dënimit poshtërues dhe i vdekjes së frikshme. Romakët dënonin me kryqëzim kriminelët më të mëdhenj.

Sot, Kryqi mbizotëron në të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës sonë; si mjet flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri. Siç shkruan Shën Krisostomi (Gojarti), “ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë, tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë. E sheh kudo: në Tryezën e Shenjtë, në hirotonitë e priftërinjve, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat, në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket… Kaq i shtrenjtë u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekullueshme, ky hir i papërshkruar”.

    Dhe në fakt, ngado që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë kishës, do të shikosh shenjën e Kryqit. Si simbol skematik, i dukshëm, por edhe si gjest i shenjtë. Shenja e Kryqit mbizotëron në jetën e Kishës.

    Por, përse? Sepse, që atëherë, kur mbi Kryq u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Perëndia, Zoti ynë Jisu Krisht, ky mjet i dënimit u bë mjet i shpëtimit. “…Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit tonë u bë”, thotë një tropar. Objekti i turpit u bë lavdia e Kishës. Simboli i mallkimit u bë “shpërblesë e mallkimit të lashtë”. Druri i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë “shenjë e gëzimit” dhe “thesarmbajtës i jetës”.

    Të gjitha këto, ngaqë mbi drurin e Kryqit, bashkë me trupin e Tij të pacënuar, Zoti mbërtheu edhe mëkatet tona. Siç shkruan Apostulli i shenjtë Pavli: “Na fali gjithë fajet; duke shuar dorëshkronjën e porosive që ishte kundër nesh… duke e mbërthyer atë mbi kryq” (Kol. 2:14).

    Kryqi i Krishtit na pajtoi me Atin qiellor, nga i Cili na kishte ndarë djalli duke mashtruar njerëzit e parë. Kryqi i Krishtit na hapi Mbretërinë e Qiejve, pasi deri në kryqëzimin e Tij, Hadhi përpinte në mënyrë të pangopur, madje, edhe të drejtët. Prandaj Kryqi ka kaq fuqi edhe hir; fuqinë dhe hirin e Krishtit, që, kur u kryqëzua, i kaloi në mënyrë mistike dhe të pakonceptueshme te Kryqi i Tij i nderuar, siç na e thotë me urtësi edhe himnologjia: “Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë…”. Kryqi, pra, u bë simboli i vet Krishtit. Simbol nga i cili dridhen demonët.

*  *  *

    Por, meqenëse është me të vërtetë kështu, atëherë, përse ka njerëz që mohojnë, urrejnë dhe fyejnë Kryqin? “Sepse shumë ecin”, shkruan Apostull Pavli, “për të cilët ju thashë juve shumë herë, edhe tani duke qarë po ju them, ata janë armiqtë e Kryqit të Krishtit, fundi i të cilëve është humbja” (Fil. 3:18). Me të vërtetë, disa heretikë janë “armiq të Kryqit”. “Kryqi, thonë ata, është mjet krimi dhe nderimi i tij përbën idhujtari”. Mbështetin, madje, se Kisha e vjetër nuk e përdorte shenjën e Kryqit. Kjo pikëpamje është e gabuar. Së pari,ngaqë Kisha jonë nuk e nderon Kryqin si një formë gjeometrike të rastësishme. Së dyti,ngaqë nderimi ndaj shenjës së Kryqit i ka fillimet e tij që në kohët apostolike. Së treti,ngaqë vet Perëndia zbuloi me ngjarje të mbinatyrshme, në raste dhe epoka të ndryshme, se Kryqi përbën simbolin e Tij. Dhe së katërti,ngaqë me shenjën e Kryqit u bënë dhe bëhen mrekulli të jashtëzakonshme.

    Por le t’i marrim gjërat me radhë.

    I. Kisha jonë nuk nderon Kryqin në vetvete, si një figurë të thjeshtë, të shkëputur nga Zoti i kryqëzuar. Kjo do të ishte me të vërtetë idhujtari. Por e nderon si simbolin e flijimit të madh të Krishtit, nga i cili rrjedh hiri, shenjtërimi dhe shpëtimi i njeriut. E pranon dhe i falet si shenjën e Birit të njeriut (Matth. 24:30), që ka marrë, siç e thamë, në mënyrë mistike dhe të pakonceptueshme, hirin dhe fuqinë e Tij.

    Besimtari, duke parë formën e Kryqit, duke bërë shenjën e Kryqit, duke iu falur “figurës” dhe simbolit të Kryqit, sheh me sytë e shpirtit të tij Jisuin e kryqëzuar dhe i falet Atij. “Nuk pranojmë Kryqin si Perëndi, por duke treguar dëshirën e vërtetë të shpirtit tonë për të Kryqëzuarin”, shkruan Shën Jeronimi. Dhe Shën Joan Damaskini sqaron se, përveç Drurit të nderuar, “i falemi edhe shenjës së Kryqit të Nderuar dhe Jetëdhënës, edhe pse është i ndërtuar nga lëndë të ndryshme, sigurisht jo duke nderuar lëndën, kurrë mos u bëftë, por shenjën, si simbol të Krishtit”. Se sa të drejtë kanë Etërit e Shenjtë, do ta konstatojmë më poshtë, duke parë fuqinë shenjtëruese dhe mrekullibërëse të shenjës së Kryqit.

    II. Fillimet e nderimit të shenjës së Kryqit, humbasin në thellësitë e lashtësisë kristiane, meqë na dorëzohet që në kohët apostolike. Apostulli i shenjtë Pavlithotë: “Po për mua, qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për Kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të Cilit bota është kryqëzuar tek unë, edhe unë te bota” (Gal. 6:14). Apostulli i shenjtë Petrou dënua me vdekje në kryq, ashtu si Zoti. Por, kaq shumë e nderonte shenjën e Kryqit, saqë u lutej xhelatëve të tij: “Nuk jam i denjë të më kryqëzoni në këmbë, si Krishtin tim. Ai u kryqëzua ashtu që të shikojë në tokë, sepse do të shkonte në Hadh për të shpëtuar shpirtrat që gjenden aty. Mua, veçse, të më kryqëzoni me kokën poshtë, që të shikoj qiellin, ku kam për të shkuar”.

    Apostulli i shenjtë Andrea,i parëthirruri, kur qëndroi përballë Kryqit të martirizimit të tij (i formës X), thirri me druajtje dhe emocion: “Gëzohu, Kryq, që me trupin e Krishtit u shenjtërove dhe me pjesët e Tij, si me margaritarë, u stolise! Para se të mbërthehej mbi ty Zoti im, ishe i frikshëm për njerëzit. Veçse, tani, të gjithë besimtarët e dinë se sa hir është i fshehur brenda teje. Pa frikë dhe me gëzim po të afrohem. Me dëshirë pranomë edhe ti, mua, nxënësin e Krishtit të kryqëzuar… o Kryq i lumur e i shtrenjtë, merrmë nga njerëzit dhe dorëzomë te Mësuesi im!”.

    Lashtësinë e përdorimit të shenjës së Kryqit e vërteton edhe një nga apologjetët e mëdhenj, Tertuliani (rreth 160-220), i cili shkruan: “Kudo që kemi për të mbërritur, për kudo që duhet të nisemi, kur mbërrijmë dhe kur nisemi, kur veshim këpucët, kur lahemi, kur hamë, kur ndezim kandilin, kur biem në shtrat, kur ulemi në stol, kur fillojmë ndonjë bisedë, bëjmë në ballin tonë shenjën e Kryqit” (De corona 3,11).

    III.  Vetë Zoti, me ngjarje të mbinatyrshme dhe zbulime të mrekullueshme, tregoi, në rrethana të ndryshme dhe në mënyrë të bujshme, se shenja e Kryqit përbën simbolin e Tij dhe trofeun e pamposhtur të besimtarëve. Le të referohemi në pak prej shembujve të panumërt që ruan historia kishtare, Etërit e Shenjtë dhe sinaksarët.

    1. Historiani i njohur kishtar Eusebi i Çezarisë (+ 340), bashkëkohës i Shën Konstandinit të Madh, përshkruan në mënyrën më të gjallë dhe të papërgënjeshtruar, ngjarjen e mirënjohur kur, në mes të ditës, në prani të gjithë burrave të ushtrisë së tij, Shën Konstandinit iu shfaq Kryqi ndriçues me mbishkrimin “Me këtë, fito!”.

    2. Përveç shfaqjes së mbinatyrshme të sipërpërmendur të shenjës së Kryqit, ndodhi edhe një tjetër, përsëri përpara dëshmitarësh të panumërt okularë, në kohën kur mbret ishte Konstandi, biri i Shën Konstandinit dhe Kryepiskop i Jerusalemit ishte Shën Kirilli. Mrekullinë ia tregon mbretit vetë shenjti me anë të një letre, në të cilën thotë se, në atë ditë (7 maj 346, periudhë e Pentikostisë), rreth orës së tretë (ora 9 paradite), u duk në qiell, kolosale, dritëplotë, shenja e Kryqit të Nderuar; e cila shtrihej që nga Golgothaja e Shenjtë deri në Malin e Ullinjve. Nuk e panë vetëm një a dy vetë, por të gjithë banorët e Jerusalemit. Dhe nuk u duk vetëm për një çast, por për orë të tëra varej në qiell. Dhe ishte kaq i ndritshëm, saqë ua kalonte në shkëlqim rrezeve të diellit, prandaj kishin mundësinë ta shikonin qartë në mes të ditës. Duke parë këtë mrekulli, populli i qytetit vrapoi në Kishën e Ngjalljes. Të gjithë nxituan të lavdërojnë me një gojë Zotin tonë Jisu Krisht, pasi tani vetë gjërat i kishin mësuar, se dogma e gjithëdevotshme e të krishterëve nuk mbështetet tek urtësia njerëzore që bind me fjalët dhe me logjikën, por në provat që japin dhurëtitë shpirtërore dhe fuqitë mrekullibërëse. Dhe dogma nuk predikohet vetëm nga njerëzit, por dëshmohet edhe nga vetë Perëndia, nga qielli. Kujtimin “e shenjës së Kryqit të Nderuar të shfaqur në qiell” Kisha jonë e feston më 7 maj.

    3. Martiri i madh, Shën Efstathi (20 shtator), u bë i denjë të shikojë një vizion të mrekullueshëm, në sajë të të cilit u kthye nga idhujtaria në besimin e krishterë. I urtë, i përmbajtur, filantrop dhe drejtësidashës, edhe pse qe idhujtar, Shën Efstathi (që atëherë quhej Pllakidas), tërhoqi mbi veten e tij hirin e Krishtit që iu shfaq në mënyrë paradoksale. Konkretisht, një ditë, ndërsa gjuante në pyll, shikon nga larg një dre shumë të bukur dhe trupmadh, që, ndërsa ikte, kthente herë pas here kokën dhe e vështronte në sy. Shenjti shpoi kalin e tij me mamuze për ta arritur, por nuk mundi. Vrapuan pas tij edhe shokët, por më kot. Pas një farë kohe, u detyruan të braktisin përpjekjen, sepse kuajt e tyre ishin kapitur. Vetëm shenjti këmbëngulte duke ngarë kalin me të katërta pas drerit të palodhshëm. Përfundimisht, të mbytur në djersë, ai edhe kali i tij, arritën përpara një gremine të madhe. Dreri kërceu matanë me lehtësi, ndaloi dhe vështronte shenjtin. Por kali nuk mund të kapërcente dhe u detyrua të ndalonte. Atëherë, me habi të papërshkrueshme, shenjti sheh midis brirëve të drerit një Kryq të tërëndritshëm që shkëlqente, me Zotin e kryqëzuar në të dhe dëgjoi një zë t’i thoshte: “Përse po më ndjek Pllakida? Unë jam Krishti, që ti nuk më njeh, por mua më pëlqen për veprat e tua të mira. Për hirin tënd, pra, u shfaqa mbi këtë dre. Bamirësitë dhe veprat e tua të mira më kënaqën. Prandaj, edhe unë t’u shfaqa, sepse nuk është e drejtë që një njeri si ti të mos dijë të vërtetën…”. Këto dhe shumë të tjera i tha Zoti përpara se ta dërgonte te episkopi i vendit, i cili e pagëzoi së bashku me gjithë familjen e tij, duke i vënë emrin Efstathi.

    Sa përmendëm më lart, janë vetëm tre prej shembujve të panumërt të zbulimeve hyjnore në lidhje me shenjën e Kryqit, nga të cilat mësojmë se kjo shenjë është vula e Krishtit. Që të motivohet me më shumë fakte nderimi që i bën Kisha Kryqit dhe që të duket në mënyrë shprehëse fuqia e shenjës së Kryqit, si shenjë e Krishtit, më poshtë do të tregojmë disa mrekulli sporadike, më të shumtat nga jetët e shenjtorëve, që ndodhën herë pas here me këtë simbol të gjithëhirshëm.

    IV.  Shën Joan Theologu (26 shtator), shëroi në Patmo priftin e paralizuar, idhujtar të Apollonit, duke bërë mbi të shenjën e Kryqit.

    Shën Andoni i Madh (17 janar), duke dashur të turpërojë disa dijetarë idhujtarë, që vajtën për ta ngacmuar, solli para tyre disa të demonizuar edhe tha: “Ose pastrojini ju, me silogjizmat tuaja dhe me çdo lloj tjetër arti a magjie të dëshironi, duke thirrur në ndihmë idhujt tuaj, ose, nëse nuk mundni, hiqni dorë nga polemika kundër nesh dhe do të shikoni fuqinë e Kryqit të Krishtit!”. Dhe, në të njëjtën kohë, thirri në ndihmë Zotin, duke bërë tri herë shenjën e Kryqit mbi të demonizuarit. Ata u çliruan menjëherë nga demonët dhe u ngritën të shëruar, duke lavdëruar Perëndinë.

    Kur Shën Epifani i Qipros (12 maj) ishte ende fëmijë i vogël dhjetëvjeçar, një gomar xanxar e plagosi rëndë në kofshë dhe e hodhi përtokë, të pamundur për t’u ngritur më. Atëherë, një i krishterë shpresëtar, Kleovi, bëri tri herë shenjën e Kryqit te pjesa e vrarë dhe menjëherë Epifani i vogël u shërua dhe u ngrit në këmbë. Shumë kohë më vonë, i njëjti shenjt, duke i bërë tri herë shenjën e Kryqit, e çliroi përnjëherë vajzën e mbretit të Persisë nga demoni që e mundonte.

    Kur mbreti arian, Uali, urdhëroi që Kisha katedrale e Nikeas t’u dorëzohej arianëve, Shën Vasili i Madh (1 janar) kërkoi që t’i lihej Perëndisë të vendoste për çështjen. Propozoi që të mbyllnin Kishën dhe pastaj të luteshin si arianët ashtu dhe orthodhoksët. Nëse Kisha do të hapej me lutjen e orthodhoksëve, t’u mbetej atyre. Përndryshe, domethënë nëse do të hapej me lutjen e arianëve, apo edhe në qoftë se nuk do të hapej fare, ta merrnin arianët. Kështu edhe u bë. Po lutjet e heretikëve nuk dhanë fryte. Përkundrazi, porsa Shën Vasili bëri tri herë shenjën e Kryqit mbi derën e mbyllur të kishës duke thënë: “I bekuar Perëndia i të krishterëve në jetë të jetëve”, llozet u thyen dhe kanatet e derës u hapën menjëherë. Kështu, Kisha u mbeti orthodhoksëve.

    Kur qeveritari i Nikomidhisë, Aleksandri, hodhi Shën Vasilisën (3 shtator) brenda në një furrë, ajo bëri shenjën e Kryqit dhe nuk u cënua fare nga zjarri. Me shenjën e Kryqit, Shën Thalleleu (20 maj) shëronte të gjithë të sëmurët që rendnin pranë tij për të gjetur shërim. Me shenjën e Kryqit, Oshënar Andrea, i marri pas Krishtit (28 maj) dhe Shën Zaharia mballomatari (17 nëntor), hapnin netëve dyert e kyçura të kishave të Konstandinopojës, ku shkonin dhe luteshin fshehurazi nga njerëzit dhe i mbyllnin me të njëjtën mënyrë përsëri duke ikur. Mirëpo, mrekullitë e Kryqit nuk kanë fund. Një mrekulli e pareshtur, e përsëritur është ajo e ajazmës.

    Vetëm Kisha Orthodhokse, barka e së Vërtetës, e ka këtë dhuratë dhe privilegj hyjnor. Vetëm Kisha jonë ka ajazmë. Me bekimin në formë Kryqi nga prifti dhe zhytjen e trefishtë, në formë Kryqi, të Kryqit në ujë, ky bekohet dhe bëhet “shërues shpirtrash dhe trupash dhe largues i çdo fuqie kundërshtare”, ndërkohë që, për më tepër, mbetet i paprishur dhe i pandryshuar në kohë!

    Ka të drejtë, pra, Shën Joani i Kronshtadit, kur shkruan: “Kryqi është ikonë e Krishtit të kryqëzuar, Birit të Perëndisë. Prandaj, edhe shenja e Kryqit, madje edhe vetëm hija e tij, u shkakton tmerr demonëve, sepse është shenja e Krishtit, sepse është streha e të Kryqëzuarit. Prandaj, mjafton të zhytësh Kryqin në ujë, për ta shenjtëruar atë. Pas kësaj, uji bëhet shërues dhe largon demonët”.

    Me të gjitha sa paraqitëm deri këtu në mënyrë të përmbledhur, motivohet dhe kuptohet plotësisht nderimi i madh me të cilin Kisha jonë rrethon shenjën e Kryqit, si edhe përdorimi i tij shumë i shpeshtë, si në kultin hyjnor, ashtu dhe në jetën e përditshme të besimtarëve: Në të gjitha lëvizjet e meshtarit gjatë kryerjes së Liturgjisë Hyjnore, që nga “E bekuar është Mbretëria” deri te “Me uratat” mbizotëron shenja e Kryqit. Në të gjitha veprimet dhe shërbesat e kultit, ku bëhet fjalë për bekim, prifti, sipas traditës së pashkruar të Kishës, duhet të bëjë “shenjën e Kryqit”. Kudo që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë Kishës Orthodhokse, do të shohësh të fiksuar shenjën e Kryqit: në konstruksionin e kishave, në ikonografi, në dekoracionin kishtar, në librat liturgjikë, rrobat e shenjta priftërore dhe enët e shenjta… Por, edhe në jetën tonë të përditshme, të gjithë besimtarët ruajmë traditën e shenjtë të përdorimit të shenjës së Kryqit, si amanet të çmuar shpirtëror dhe shenjtërues.

    Të krishterët shpresëtarë e bëjnë Kryqin shumë shpesh: Në mëngjes kur ngrihen nga gjumi; gjatë gjithë lutjeve të tyre; kur dalin nga shtëpia e tyre; kur kalojnë përpara kishave të hirshme; kur fillojnë ndonjë punë; kur mbarojnë punën; para se të pinë ujë ose ndonjë pije tjetër; përpara bukës; pas bukës; para se të bien për të fjetur; kur dëgjojnë ndonjë lajm të mirë apo të keq!… Në çdo situatë, kohë e pa kohë, … shenjën e Kryqit! … Dita e besimtarit fillon – dhe duhet të fillojë – me Kryqin dhe mbaron me Kryqin. Por, edhe anasjelltas, nata e tij fillon dhe mbaron përsëri me Kryqin.

    Gjithashtu, shumë herë, të krishterët i drejtohen kishës, duke kërkuar priftin për t’u “bërë shenjën e Kryqit”, domethënë t’i bekojë në formë Kryqi (ose me Kryqin, ose me orendi tjetër të shenjtë, ose me rrobë të shenjtë prifti), që të forcohen kundër tundimeve, ose të lehtësohen nga ndonjë sëmundje.

    Kaq e madhe është fuqia e shenjës së Kryqit, shenjës së Birit të gjithëpushtetshëm të Perëndisë! Kaq i madh është hiri që mban në mënyrë mistike brenda vetes! Siç e formulon në mënyrë të përmbledhur dhe shprehëse Shën Makarios i Moskës: “Shumë herë, një shenjë e vetme e Kryqit, që bëhet me besim dhe bioma intensive, është më e fuqishme nga shumë fjalë lutjesh para fronit të të Lartit. Në të ekziston drita që ndriçon shpirtin, fuqia shëruese që shëron sëmundjet e shpirtrave dhe të trupave, fuqia mistike që kundërvepron në çdo dëmtim. Trazojnë shpirtin tënd mendime dhe dëshira të papastra? Murosu me shenjën e Kryqit, dyfisho dhe trefisho këtë mur dhe mendimet e papastra do të vihen nën kontroll. Mundohet zemra jote nga melankolia dhe trishtimi? Të mbizotëron frika a të rrethojnë tundimet? Ndjen dinakëritë e armiqve të padukshëm? Gjej strehë te kjo fuqi e Kryqit, dhe paqja e shpirtit do të rikthehet, tundimet do të largohen, ngushëllimi i hirit të Perëndisë dhe ngazëllimi shpirtëror do të mbushin zemrën tënde”.

* * *

    Veçse, pas këtyre, me të drejtë na lind pyetja: Nëse shenja e Kryqit ka kaq hir edhe fuqi, përse nuk mund të shijojmë edhe ne, të gjithë, bekimet dhe dhuratat e tij? Përgjigjja nuk është e vështirë: Ngaqë nuk e përdorim saktë, ashtu siç duhet, siç do Perëndia dhe Kisha. Në mënyrë treguese do të referohemi vetëm në katër shkaqe:

    a)  Ndoshta, ngaqë jemi besëpakë dhe të vakët. Nuk e bëjmë shenjën e Kryqit me besim të gjallë te Zoti i kryqëzuar dhe te fuqia e hirit të Kryqit të Tij.

    b) Ndoshta, ngaqë nuk kemi përulësi. Rrjedhimisht, nëse Zoti aktivizon fuqinë e shenjës së Kryqit të Tij, ka rrezik të biem në fodullëk, duke konsideruar rrjedhojat e kësaj fuqie hyjnore si arritje tonat.

    c)  Ndoshta, nga zemërgurësia, mëkati dhe mospendimi ynë. Siç thotë në mënyrë karakteristike Shën Kozmai i Etolisë ose i Kolkondasit, “duhet të kemi dorën tonë të pastër nga mëkatet dhe të papërlyer dhe, atëherë, kur bëjmë Kryqin, djalli shkrumbohet edhe ikën. Po qe se jemi të molepsur me mëkate, Kryqi që bëjmë nuk zihet …[dhe atëherë] demonët nuk frikësohen”.

    d)  Së fundi, ndoshta, ngaqë shenjën e Kryqit nuk e bëjmë saktë, me mënyrën që na e ka dorëzuar Kisha jonë e shenjtë, duke ofenduar kështu shenjtërinë e tij dhe vetë Zotin. Tek kjo e fundit duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Jashtëzakonisht shumë. Të gjithë ne, klerikë, murgj dhe laikë, kush më shumë e kush më pak, jemi fajtorë për bërje të pakujdesshme apo mekanike, apo edhe joshpresëtare të shenjës së Kryqit mbi trupin tonë. Disa lëvizin dorën nxitimthi mbi gjoks, apo edhe në ajër, pa prekur fare trupin e tyre, herë duke formuar trekëndësh ose X dhe herë të duket se i bien kitarës. Si mund të karakterizosh një lëvizje të tillë, të kotë dhe të pakuptimtë, që prek caqet e blasfemisë? E rëndë, por ama e vërtetë është fjala e Shën Krisostomit (Gojartit) që thotë se vetë djalli lëviz dorëne këtyre të krishterëve të pakujdesshëm, për të përqeshur simboline tërëshenjtë të Kryqit të nderuar dhe për të ndëshkuar vetë ata.

    Disa të krishterë bien përsëri në një gabim tjetër. Janë ata që vijnë në kishë, që qëndrojnë zakonisht në vende të dukshme dhe aty, përpara të gjithëve, në demonstrim të shurdhët, thyejnë mesin në metani të thella, shtrijnë duart andej – këtej në mënyrë të pakontrolluar dhe bëjnë shumë herë shenjën e Kryqit, me lëvizje të tepërta, pa takt, ndonjëherë madje edhe qesharake…

    Ka edhe një kategori të tretë të krishterësh, të cilët evitojnë plotësisht të bëjnë shenjën e Kryqit dhe sidomos publikisht. Janë ata që kanë turp të pohojnë besimin e tyre te Krishti dhe te Kryqi i Tij. I tremben ironisë, përçmimit, talljes së njerëzve të botës. Siç shkruan Shën Joan Ungjillori, “duan lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë” (Joan 12:43). Nëse u përkasim këtyre, le të kujtojmë porosinë e apostullit të shenjtë, Pavli, “mos u bëni në një formë me këtë jetë” (Rom. 12:2), si edhe paralajmërimin serioz të vetë Zotit, “Kushdo, pra, që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara tim Eti që është në qiej. Po kush të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë para tim Eti që është në qiej” (Matth.10:32-33). Dhe, përtej këtyre, le të ndërgjegjësohemi se privojmë veten tonë nga një armë e tërëfuqishme kundër tundimeve, pasioneve, sëmundjeve dhe demonëve. Le të vëmë re çfarë na këshillon Shën Kirilli i Jerusalemit: “Të mos kemi turp për Kryqin e Krishtit. Dhe, nëse tjetri ka turp dhe e fsheh, ti bëje Kryqin tënd hapur, për ta parë demonët këtë shenjë të mbretit Krisht dhe të ikin larg, duke u dridhur. Madje, bëje shenjën e Kryqit shpesh, kur ha, kur pi, kur rri, kur shtrihesh, kur ngrihesh, kur flet, kur ecën, me një fjalë, në çdo rast. Sepse, ai që kryqëzohet këtu në tokë, shpirtërisht gjendet lart në qiell… Mbrojtja është e madhe. Falas e marrin të varfrit dhe pa mund të sëmurët, sepse hiri i tij vjen nga Perëndia. Është shenjë e besimtarëve dhe tmerr i demonëve”. Por si do të bëhet shenja e Kryqit mbrojtje edhe për ne? Si do të bëhet ai tmerr për demonët në duart tona? Nëse do ta bëjmë saktë. Nëse do ta bëjmë ashtu siç na e dorëzon dhe na e mëson Kisha jonë e Shenjtë – me besim, devocion, ndjenjë, hijeshi, përulësi dhe takt.

    Domethënë, si? Fillimisht, bashkojmë tre gishtërinjtë e parë të dorës së djathtë, duke pohuar kështu besimin tonë në njëPerëndi, që është njëkohësisht treIpostase, tre persona – Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, të njëqenshëm, të bashkuar ndërmjet tyre “pandashëm” dhe “papjesëtueshëm”. Dy gishtërinjtë e tjerë, që takojnë tek pëllëmba, simbolizojnë dy natyrat, dy vullnetet dhe dy energjitë e Zotit tonë; hyjnoren dhe njerëzoren. Në këtë mënyrë bëjmë një pohim simbolik të besimit tonë orthodhoks, bazat dhe themelet e të cilit i përbën dogma triadike dhe kristologjike. Pastaj sjellim dorën në ballë, zonën trupore të funksionimit mendor, duke treguar kështu se e duam Perëndinë me gjithë intelektin tonë dhe se i kushtojmë Atij të gjitha mendimet tona. Pastaj dora vjen në bark. Kështu, deklarojmë në mënyrë simbolike se i kushtojmë Zotit të gjitha dëshirat dhe ndjenjat tona. Së fundi, sjellim dorën te supet, në fillim te i djathti dhe pastaj te i majti, duke pohuar kështu se edhe çdo aktivitet i ynë trupor i përket Atij.

    Një interpretim tjetër plotësues, më se teologjik në thjeshtësinë e vet, na jep Shën Kozmai i Etolisë ose i Kolkondasit në mësimin e tij të pestë: “Dëgjoni, të krishterë të mi, se si duhet të bëhet Kryqi dhe çfarë kuptimi ka ai. Ungjilli i Shenjtë na thotë se Shën Triadha, Perëndia, lavdërohet më tepër nga engjëjt në qiell. Çfarë duhet të bësh edhe ti? Bashko të tre gishtërinjtë e tu të dorës së djathtë dhe në pamundësi për t’u ngjitur në qiell që të falesh, vë dorën tënde te koka jote, sepse koka është e rrumbullakët dhe paraqet qiellin, dhe thuaj me gojë: Ashtu si lavdëroni ju engjëjt Shën Triadhën në qiell, ashtu edhe unë, si shërbëtor i padenjë, lavdëroj dhe i falem Shën Triadhës. Dhe ashtu si këta gishtërinj janë tre, janë të veçantë, janë edhe bashkë, ashtu është edhe Shën Triadha, Perëndia, tre persona dhe një Perëndi i Vetëm. Ul dorën tënde nga koka, dhe e vë në barkun tënd dhe thua: Të falem dhe të adhuroj, Zoti im, që pranove dhe u trupëzove në barkun e Hyjlindëses për mëkatet tona. E vë pastaj në supin tënd të djathtë dhe thua: Të lutem, Perëndia im, të më falësh dhe të më vësh në të djathtën tënde me të drejtët. Duke e vënë pastaj në supin e majtë thua: Të lutem, Zoti im, mos më vë në të majtë me mëkatarët. Pastaj, duke u përkulur poshtë në dhe thua: Të lavdëroj, Perëndia im, të falem dhe të adhuroj, sepse, ashtu si u vure Ti në varr, ashtu do të vihem edhe unë. Dhe, kur ngrihesh drejt, tregon Ngjalljen dhe thua: Të lavdëroj, Zoti im, të falem dhe të adhuroj, që u ngjalle së vdekurish për të na falur jetën e përjetshme. Ky është kuptimi i Kryqit të Tërëshenjtë”.

* * *

    Siç konstatojmë nga sa thamë më lart, shenja e Kryqit mbyll në vetvete të gjitha ngjarjet shpëtimtare që ekonomizoi dashuria e pafundme e Perëndisë për njeriun “e rrëzuar”. Pikërisht për këtë arsye është shenjë shpëtimtare, shenjë jetëdhënëse, shenjë shenjtëruese, “armë fitimtare” (Shën Sofroni i Jerusalemit), “mbrojtës nga të këqijat” (Shën Grigori i Nissës), “kapital i gjithë të mirave” (Shën Joan Gojarti) për të krishterët. Le ta përdorim, pra, sa më shpesh që të mundemi, duke shenjtëruar me të çdo aspekt të jetës sonë të përditshme dhe shpirtërore.

Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2006